Zoti, i Madhërishmi

Zoti, i Madhërishmi

Shkruar nga: Halid ibën Muhamed Selim

Lavdet i përkasin i Allahut, Zotit të botëve. Bekimet dhe uratat më të mira qofshin për më të mirin e Profetëve dhe të të Dërguarve, Profetin tonë Muhamed, për familjen dhe shokët e tij.

Zoti (arabisht: rrab). Një nga emrat më të mëdhenj të Allahut dhe me shumë kuptime përfshirëse.

Rrab, është ai që rrit dikë tjetër dhe kujdeset për të hap pas hapi.

Kjo fjalë përdoret për pronarin, zotërinë, rregulluesin e punëve, edukatorin, kujdestarin, bamirësin.[1]

Zoti ynë është Ai që krijon, furnizon, i rregullon çështjet, jep dhe privon, udhëzon dhe lë në humbje, çdo gjë që ka në univers është i nënshtruari dhe i përuluri i Tij, askush nuk del jashtë pushtetit të Tij.

Emri Rrab bashkë me emrin “Allah” dhe emrin “Rrahman”, janë emrat ku kthehen të gjithë emrat e bukur të Zotit. Dhe pikërisht Allahu me këta emra e nis fjalën e Tij, në suren më madhështore në Kuran, suren El-fatiha.

Ibën Kajim thotë:

“Shiko me kujdes, lidhjen që ka në mes krijimit dhe urdhrit, me këta tre emra: Allah, Rrab dhe Rrahman, sesi prej tyre vjen krijimi, urdhri, shpërblimi dhe ndëshkimi, sesi e grumbullojnë krijesën dhe ndajnë atë. Këtyre emrave u përket bashkimi dhe ndarja. Emrit Rrab, i takon bashkimi i të gjitha krijesave, Ai është zoti i çdo gjëje, krijuesi i tyre dhe i plotfuqishmi mbi to. Asgjë nuk del jashtë zotërimit të Tij, çdo gjë që ka në qiej dhe në tokë është skllav i Tij, në grushtin e Tij dhe nën pushtetin e Tij. Të gjitha krijesat i bashkon atributi i zotërimit, që ka Allahu dhe i ndan atributi i hyjnisë së Tij; e kanë hyjnizuar Atë të vetëm, të lumturit dhe e kanë pranuar me bindje se Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka hyj tjetër veç Tij.”[2]

Zoti, i Madhërishmi, është Ai që solli në ekzistencë krijesat dhe i zhvilloi ato, është Ai që i udhëheq ato dhe i ndreq, është Ai që u sistemoi jetën dhe rregulloi çështjet e tyre “Ne të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që i krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (El-Araf:54)

Ky zotërim i Allahut është i përgjithshëm, ndaj çdo krijese, dhe askush në këtë drejtim nuk bën përjashtim dhe nuk ka vlerë më tepër se dikush tjetër. Zotërimi më i rëndësishëm dhe më me vlerë është zotërimi i veçantë, ai ku Allahu u vjen në ndihmë miqve të Tij dhe i edukon ata nën mbikëqyrjen e Tij të veçantë.

Ibën Sadi thotë: “Rrab është rritësi i të gjithë krijesave të Tij, me përkujdesje dhe mirësi. Më e veçanta e këtij emri është kujdesi që Ai tregon ndaj të zgjedhurve të Tij, duke ndrequr zemrat, shpirtrat dhe moralin e tyre. Për këtë dhe lutjet e tyre me këtë emër madhështor janë të shumta, sepse ata kërkojnë prej Tij pikërisht këtë përkujdesje të veçantë.”[3]

“Zoti i Madhërishëm, kur e di se cili prej krijesave e meriton mirësinë, dashurinë, njohjen dhe njësimin e Tij, ia bën këto gjëra atij të dashura dhe e vendos në udhën e tyre, ia skalit ato në zemër, i jep sukses, i vjen në ndihmë dhe ia lehtëson rrugët. Veç kësaj Allahu ia mbyll atij portat që e largojnë prej Tij dhe më pas e mbikëqyr me butësinë, lehtësinë, rregullin dhe edukimin e Tij, shumë më mirë sesa përkujdesja e prindit të mëshirshëm e të dhembshur me fëmijën e tij, që është gjëja më e dashur për të. Zoti sillet gjatë gjithë kohës me robin e Tij me butësi, e veçon atë me mirësinë dhe mëshirën e Tij, i vjen në krah me ndihmën dhe suksesin e Tij, i tregon pozitat e bamirësisë e dashamirësisë së Tij, e kështu robi i Tij shton njohjen për Zotin e tij, dashurinë, pendesën, mbështetjen dhe nuk do tjetër veç Tij as kë, nuk adhuron bashkë me Të asnjë. Ky është ai që njeh e vlerën e së mirës, njeh Bamirësin, pranon mirësinë e Tij dhe e shpenzon atë në kënaqësinë e Tij.”[4]

Kur kjo njohje arrihet me zemër nga njeriu, ajo shndërrohet në udhën e jetës dhe jep fryte të bekuara.

Prej këtyre fryteve vjen mbushja e zemrës me dashurinë për këtë Zot të Madhërishëm.

Dashuria lind prej një nga këto dy gjëra:

E para, nga qenia dhe atributet e Tij të larta, që Ai i meriton ato.

E dyta, nga mirësia dhe bamirësia e Tij, e aq më tepër që Zoti nuk ka nevojë për krijesat e Tij. Zoti sillet me mirësi me krijesat e Tij, për shkak të mëshirës, bujarisë dhe dashamirësisë së Tij, jo për shkak të kompensimit, as për të përfituar diçka apo për të larguar ndonjë dëm të caktuar.[5]

Prej këtyre fryteve është edhe hareja dhe kënaqësia me Allahun. Nuk ka në këtë botë asnjë që të bëj atë që bën Zoti ynë i Madhërishëm, Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “A mos vallë do të kërkoj unë tjetër zot, përveç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?” (El-enam:164)

Një njeri i tillë krenohet me fenë e tij dhe urren të bëhet mohues, ashtu siç urren të digjet nga zjarri. Ky fryt madhështor prodhon ëmbëlsinë e besimit dhe e gjithë jeta e tij është lumturi, ai përkundet në këtë mirësi ndonëse gjendet akoma në botën e punës e të sprovës.

Abas ibën Ambdulmutalibi tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut –alejhi salatu ue selam–  të thotë: “Ai që është i kënaqur me Allahun si zot, Islamin si fe dhe Muhamedin si të Dërguar, ka shijuar ëmbëlsinë e besimit.” (Muslimi)

Enesi përcjell nga Profeti –alejhi salatu ue selam– se ai ka thënë: “Nëse njeriu arrin tri gjëra, gjen ëmbëlsinë e besimit: nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij janë për të më të dashur se gjithçka, nëse dashurinë që njeriu ka, e ka vetëm për hir të Allahut dhe nëse urren të kthehet në mohim, pasi Allahu e shpëtoi prej tij, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.” (Buhariu)

Prej fryteve madhështore është edhe drejtimi kah Zoti, për ta adhuruar Atë të vetëm; nënshtrimi para Tij dhe para askujt tjetër. Si mundet që ky njeri të adhuroj dikë që është nën zotërimin e Allahut?! Si mundet t’i drejtohesh me lutje dikujt që nuk i bën dobi vetes?!

Allahu i ka qortuar shumë në Kuran mohuesit, për shkak të mohimit të tyre, ndonëse ata e pranonin se Allahu ishte Krijuesi, dhe Furnizuesi i vetëm, ashtu siç e pranonin se perënditë e tyre nuk kishin asgjë në dorë Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” 32. Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?” (Junus:31-32)

Fakti që Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Pronari i kësaj bote dhe i banorëve të saj, që Ai i mban në jetë ata, do të thotë se Ai e meriton të adhurohet i vetëm dhe të mos i sajohet Atij ortak Ai i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun. (El-bekare:22)

Pra mos i sajoni ortak Allahut, perëndi që as sjellin dëm e as dobi dhe ju e dini se nuk ka ndonjë zot që iu furnizon ju veç Tij, ashtu siç e dini se i Dërguari që u thërret për në njësimin e Zotit, është në drejtë dhe thotë të vërtetën, për të cilën nuk ka dyshim.

Shirku padyshim që është gjynahu më madh, siç tregohet kjo nga Ibën Mesudi, i cili thotë: i thashë: “O i Dërguari i Allahut, cili është gjynahu më i madh tek Allahu? Ai tha: “T’i sajosh Allahut ortak, kur është Ai që të ka krijuar ty.”[6]

Prej fryteve të njohjes së Zotit, është edhe distancimi nga çdo idhull që adhurohet në vend të Tij. Është sakrifica për të luftuar shirkun, për ta zhdukur atë nga faqja e dheut dhe për të lartësuar fenë i këtij Zoti Madhështor dhe të vetëm. Allahu i Lartësuar thotë për Ibrahimi –alehji selam-:

Ai tha: “A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar, 76. si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë? 77. Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve, 78. i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); 79. i Cili më ushqen dhe më jep të pi; 80. i Cili, kur sëmurem, më shëron; 81. i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë; 82. dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit! 83. O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët! 84. Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme 85. dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë!” (Esh-shuara:75-85)

Dhe kështu Ibrahimi –aleji selam– njësimin e Zotit, në zotërimin, plotfuqishmërinë dhe adhurimin e Tij, e bëri rrugën e jetës së tij. Kjo rrugë ia shtoi atij sprovat, por e ruajti atë gjatë vdekjes; ky është robi i Zotit, të cilin Allahu urdhëroi robërit e Tij ta merrnin si shembull, në besim, në fjalë dhe në vepra. Allahu i Lartësuar thotë: “Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” (Al-imran:79)

Buhariu në komentin e këtij ajeti na përcjell një koment të Ibën Abasit që thotë: “Bëhuni robër të ditur të Zotit, njerëz të urtë dhe të mençur.”

Prej fryteve të njohjes është edhe fakti, se kur robi e di mirë se vetëm Zoti është Ai që sjell dëm edhe dobi, që jep dhe privon, që krijon dhe furnizon, që jep jetë dhe vdekje, kjo gjë zhvillon në brendësi të tij adhurimin e mbështetjes te Zoti, e po kështu edhe në veprimet e tij të jashtme ndjehet dhe shihet kjo gjë. Ky njeri hallin e tij ia qan vetëm Zotit të tij, sepse ai kurrë nuk mendon keq për Të.

Prej fryteve është edhe veshja e njeriut me rrobën e skllavit dhe të nënshtrimit, duke larguar prej tij rrobën e të qenit zot, gjë që nuk i takon, sepse ky njeri e di mirë se kjo veshje i takon Atij që është më i lartë se çdo gjë, Atij që ka në dorë pushtetin. Një njeri i tillë pranon atributet e madhështisë së Zotit, dhe nuk tenton të rivalizoj me Zotin e botëve në ligjet e Tij të përsosura apo t’i largohet rrugës së Profetit dhe Sunetit të tij.[7]

Prej këtyre fryteve të njohjes së Zotit, është edhe kontakti me përkujdesjen e veçantë të Allahut, aq sa robi mundet të marrë prej kësaj përkujdesje. Njeriu i lutet dhe i përgjërohet Zotit të tij me këtë emër të madh, Rrab, i thërret Atij në çdo kohë dhe vend, që të bëhet prej miqve të Tij, në shpirtrat e të cilëve vetë Zoti ka mbjellë fisnikëri, të cilëve që më parë Zoti i tyre u pat dhuruar mirësi dhe diçka plus. Ky njeri këmbëngul në këtë rrugë, ashtu siç bëjnë të zgjedhurit e Zotit, për të cilët Ai thotë: për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-imran:191)

Të ndjesh zotërimin dhe përkujdesjen e veçantë të Zotit, është ndoshta e fshehta, pse Profetët dhe njerëzit e afërt tek Allahu e lusnin Zotin kaq shumë me këtë emër, Rrab, në dallim me emrat e tjerë. Të ndjesh këtë gjë gjatë lutjes është shumë e dobishme.[8]

Prej këtyre fryteve është edhe përkujdesja, që robi i Zotit duhet të tregojë ndaj krijesave që Allahu ia ka vënë nën vete, si frikë dhe përkushtim ndaj vetë Zotit. Por ai kurrë nuk duhet ta ndjejë dhe etiketojë vetën e tij si zot, si shenjë modestie ndaj Zotit të tij, si shenjë njësimi, ndaj Emrit dhe atributit të Allahut, edhe pse lejohet që dikush tjetër mund ta etiketojë atë kështu. Ebu Daudi na përcjell një hadith autentik në librin e tij, se Abdullah ibën Xhafer thotë: “I Dërguari i Allahut hyri brenda një kopshti, të një prej banorëve të Medines dhe pa një deve. Kur deveja pa Profetin filloi të ankohej dhe i rrodhën sytë lot. Profeti i shkoi pranë e fërkoi pas veshit dhe ajo pushoi. Ai tha: “Kush është i zoti i kësaj deveje? Kujt i përket kjo deve?” Një djalosh prej medinasve erdhi dhe i tha: “Më përket mua, o i Dërguari i Allahut.” Profeti i tha: “A nuk e ke frikë Allahun, për këtë kafshë, të cilën Ai ta ka vënë nën pronësi? Ajo u ankua tek unë se ti e lë atë të uritur dhe e mundon.”[9]

Ndërsa ndalimi i përdorimit të kësaj fjale për njerëzit, si shenjë modestie ndaj Allahut, është përmendur në librin e Buhariut, në një hadith që e përcjell Ebu Hurejra se Profeti –alejhi salatu ue selam– ka thënë: “Askush prej jush të mos i thotë (një skllavi): ushqeje zotin tënd, ndriçoje zotin tënd, jepi të pi zotit tënd. Ai (skllavi)le të thotë: zotnia im, zotëria im. Askush prej jush të mos thotë: skllavi im, skllavja ime, por le të thotë: djaloshi im, vasha ime, shërbyesi im.”[10]


[1] Tefsir Tabari 1/47, Nihajetu fi garbi el-hadith 1/179.

[2] Medarixhu es-salikin 1/34.

[3] Tefsir es-sadi 16.

[4] Tarik el-hixhretejn 1/172.

[5] Miftah daru es-seade 2/91.

[6] Buhariu 447, Muslimi 86, Tefsir Ibën Kethir 1/58.

[7] Esmaul husna, dr. Mahmud err-rriduani 5/168.

[8] Fethu rrahim el-melik el-alam. Ibën Sadi 48.

[9] Sahih et-tergib 2269.

[10] Buhariu 2/901 nr.2414.

Published in: on Janar 3, 2010 at 9:03 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2010/01/03/zoti-i-madherishmi/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: