Gjykimi Fetar Për Disa Çështje Që Kanë Të Bëjnë Me Ruajtjen Dhe Investimin E Vakëfeve

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Gjykimi Fetar Për Disa Çështje Që Kanë Të Bëjnë Me Ruajtjen Dhe Investimin E Vakëfeve

Përkufizimi i vakëfit

Nga ana gjuhësore fjala uakf në gjuhën arabe do të thotë: i ndalur, i bllokuar, i palëvizshëm.[1]

Fetarisht vakëfi është: Ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut.[2]

Argument për këtë është hadithi i autentik ku i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) i thotë Umer ibn Hatabit për tokën e Hajberit të cilin ai dëshironte ta jepte sadaka: ”Përdore terrenin e saj si sadaka. Nuk shitet as nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet, por shpenzohen frytet e saj.” Dhe Umeri e dha atë sadaka në rrugë të Allahut, për skllevërit, të varfrit, mikun, udhëtarin …”[3]

Imam Et-tirmidhi pas transmetimit të këtij hadithi thotë: Dijetarët që nga koha e shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe e të tjerëve që erdhën më pas këtë hadith e marrin si argument. Nuk dimë që të ketë ndonjë mospajtim te të parët (e këtij umeti) rreth ligjshmërisë të vakëfit, si për (sipërfaqe) tokë (që lihet vakëf) apo për diçka tjetër.[4]

Sipas Ebu Hanifes vakëfi është: Ruajtja e një pasurie, në pronësi të atij që e ka kthyer atë në vakëf, dhe dhënia sadaka e përfitimit të nxjerr prej saj.

Ndërsa sipas Ebu Jusufit dhe Muhamed Esh-shejbanit: Ruajtja e një pasurie në pronësi të Allahut dhe dhënia sadaka e përfitimit të nxjerr prej saj.[5]

Sipas përcaktimit të Ebu Hanifes vakëfi mund të mos jetë më vakëf, nëse ai që e ka kthyer pronën e tij në vakëf e ndryshon atë. Por kjo me dy kushte: e para që pronari të mos e ketë kushtëzuar që prona e tij të kthehet në vakëf pas vdekjes së tij, dhe e dyta: të mos të jetë përcaktuar kjo gjë nga kadiu (që të mbetet vakëf), në një rast të tillë lejohet shitja e tij, ndryshe ajo mbetet vakëf.[6]

Ndërsa sipas dy nxënësve të Ebu Hanifes dhe shumicës së nxënësve të tij vakëfi ngelet përherë i tillë edhe nëse pronari i tij i parë ndryshon mendim. Ebu Jusufi thotë për hadithin e më sipërm: Nëse ky hadith do t’i kishte mbërritur Ebu Hanifes ai do të kishte thënë po të njëjtën gjë.[7] Pra vakëfi konsiderohet si pronë vetëm e Allahut dhe nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf.[8]

Dijetarët hanefi dhe të tjerë, kanë dhënë fetva se nëse vakëfi shitet kjo shitje është e pavlefshme (batil).[9]

Për këtë arsye këta dijetarë kanë përcaktuar si një nga kushtet kryesore të vakëfit që ai të mos jetë i përkohshëm por i përhershëm, e ka përmendur një gjë të tillë pronari i parë i tij ose jo, ai ngelet i përhershëm.[10] Po ashtu një tjetër normë e rëndësishme në ruajtjen e vakëfit është respektimi i destinacionit për të cilin ai është lënë vakëf nga pronari i tij i parë, si për shembull për të varfrit apo jetimët, por me kusht që ky përcaktim të mos bjerë ndesh me normat e Sheriatit.[11]

Qëllimi i përjetësimit të vakëfit

Siç u pa edhe nga ajo që u tha më sipër, personi i cili e kthen pasurinë e tij në vakëf, këtë e bën për të arritur shpërblimin e Allahut edhe pas vdekjes së tij. Për këtë qëllim Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kur njeriu vdes atij i ndërpriten veprat, përveçse në tre raste: Kur ai lë një sadaka të rrjedhshme, një dije nga e cila përfitohet dhe një fëmijë të mirë i cili lutet për të.”[12]

Sadakaja e rrjedhshme është pikërisht ajo pasuri që lihet si vakëf. Nëse vakëfi humbet nga papërgjegjshmëria e të tjerëve kjo do të thotë që personi i cili e ka lënë atë si vakëf do të privohet nga shpërblimi i saj pas vdekjes. Kjo përbën thyerje të amanetit dhe thyerja e amanetit ndëshkohet nga Allahu. Gjithashtu një akt i tillë përbën shpërdorim të pronës së myslimanëve dhe privon ata nga të ardhurat që vilen nga ky vakëf në dobi të tyre, dhe si i tillë ai është edhe ligjërisht i ndëshkueshëm.

Toka vakëf mbi të cilën më parë ka pasur një xhami

Në rastet kur është prishur xhamia dhe ka mbetur toka, ajo tokë konsiderohet sipas medhhebit hanefi si xhami deri në Ditën e Kiametit. Dhe sipas mendimeve të dijetarëve të medhhebit hanefi, shafi, hanbeli dhe disa dijetarë të medhhebit maliki; xhamia duhet të rindërtohet në të njëjtin vend, pasi toka mbi të cilën ka qenë ngritur xhamia ngelet xhami edhe nëse xhamia është prishur.[13]

A lejohet zëvendësimi i vakëfit?

Siç u tha edhe më sipër që tjetërsimi i vakëfit në çfarëdo lloj forme qoftë nuk lejohet, por a lejohet zëvendësimi i tij? Po, lejohet zëvendësimi i tij dhe kjo në dy raste:

Rasti i parë: Kur zëvendësimi i tij bëhet i domosdoshëm apo i nevojshëm. Dhe kjo kur ai e humbet vlerën e tij plotësisht, si p.sh. një xhami e braktisur apo edhe e prishur në të cilën nuk falen më njerëz.

Në këtë rast lejohet zëvendësimi i tij me një tjetër. Ky zëvendësim bëhet duke u shitur vakëfi i parë me shumën më të mirë të mundshme dhe me këtë shumë të blihet apo ndërtohet vakëfi i dytë i cili duhet të ketë të njëjtin destinacion si i pari. Dijetarët e vonshëm hanefi si Ibn Abidin e të tjerë, kanë kushtëzuar që ky zëvendësim të bëhet kokë për kokë, dhe nëse është e mundur të mos shitet me të holla për të shmangur abuzimet që bëhen në këto raste.[14] Një kusht tjetër është që vakëfi i zëvendësuar të jetë si i pari ose më i mirë se ai, ndryshe nuk lejohet. P.sh. edhe nëse është me sipërfaqe më të madhe, por ka një vlerë më të ulët se i pari, përsëri nuk lejohet. Disa prej dijetarëve e kanë lejuar që zëvendësimi mund të mos jetë i të njëjtit lloj nëse i dyti sjell të ardhura më të mëdha sesa i pari.[15]

Rasti i dytë: Nëse vakëfi me të cilin kërkohet të zëvendësohet është më i mirë se i pari dhe me më shumë të ardhura.

Sipas disa dijetarëve hanefi një gjë e tillë lejohet,[16] ndërsa shumica e tyre nuk e lejojnë, sepse nuk përbën domosdoshmëri si në rastin e parë, shto këtu edhe abuzimet që ndodhin në të tilla raste.[17]

Investimi nëpër vakëfe

Lejohen investimet që bëhen me qëllim rritjen e të ardhurave që vinë nga vakëfet, pasi vetë vakëfi është një investim nga i cili merren të ardhura të vazhdueshme duke ruajtur kështu kapitalin fillestar.

Disa nga format e lejuara nga Sheriati të investimeve që mund të zbatohen në pronat vakëf janë:[18]

  • Dhënia me qira. Një nga format më të vjetra dhe më të përhapura të shfrytëzimit të vakëfeve. Dijetarët kanë rënë dakord për këtë formë shfrytëzimi, por ka pasur mospajtime rreth disa hollësive siç është periudha e dhënies me qira dhe çmimi i qirasë.
  1. Periudha e dhënies me qira: Sipas hanefive koha e dhënies me qira për një ndërtesë nuk duhet të kalojë një vit, ndërsa për tokat bujqësore nuk duhet të kalojë tre vjet. Sipas Fetvas që jepet tek hanefitë, një vakëf nëse jepet me kontratë për një qira afatgjatë; atëherë kjo kontratë është e pavlefshme. Kjo për arsye se një kontratë e tillë mund të shkaktoj dëmtimin vakëfit për një kohë të gjatë, madje mund të shpjerë deri në asgjësimin e vakëfit. Përjashtohen rastet kur këtë e kërkon interesi i ndërtimit të vakëfit, dhe kjo duke marrë paradhënie qiranë e viteve të ardhshme. Në një rast të tillë kontrata e qirasë duhet të ripërsëritet vit për vit.[19]
  2. Çmimi i qirasë. Një pjesë e dijetarëve (prej tyre edhe hanefitë, malikitë dhe shafijtë) kanë kushtëzuar që vakëfi të mos jepet me qira me vlerë më të vogël sesa tregu i një prone të tillë. Nëse vakëfi jepet me vlerë më të vogël, administratori i vakëfit ka të drejtë të prishë kontratën, dhe nëse shtohet vlera e qirasë pas kontratës duhet të ripërtërihet kontrata me vlerën e re. [20]
  3. Kontrata e qirasë për një kohë të gjatë dhe jo me vlerën reale të tregut nuk është e detyrueshme. Kontrata e qirasë te të gjithë dijetarët është e detyrueshme,[21] por kur bëhet fjalë për vakëfin nuk konsiderohet si e tillë nëse ajo bëhet për një kohë të gjatë dhe jo me vlerën e tregut. Kjo është një tjetër veçanti e vakëfit. [22]
  • Qiraja me dy vlera. Kjo metodë u shpik nga dijetarët kur në vitin 1611 ra një zjarr i madh në Stamboll dhe përfshiu shumë prej godinave vakëf atje. Duke mos pasur mundësi financiare për të meremetuar këto vakëfe, dijetarët propozuan që të lidheshin kontrata qiradhënie nën kujdestarinë e kadiut, me dy vlera: njëra e madhe dhe e menjëhershme, vlerë me të cilën administratori i vakëfit do të rindërtoj vakëfin, dhe vlera tjetër: vjetore dhe e ulët. Kontrata në këtë rast duhet të ripërtërihet çdo vit. Është e natyrshme që kontrata në këtë rast të zgjasë për një kohë të gjatë, kohë e mjaftueshme në të cilën qiramarrësi përfiton shumën e derdhur prej tij. [23]Kjo formë rregullon problemin e mos shitjes së vakëfit dhe realizon të njëjtin qëllim me të cilin lejohet edhe shitja (pra zëvendësimi). Në këtë rast ruhet pronësia e objektit nga ana e vakëfit dhe i jep mundësi qiramarrësit të qëndrojë gjatë në të, pa pretenduar pronësinë e tij.
  • El-hikr, që do të thotë dhënia me qira e tokës vakëf për një kohë të gjatë dhe lënia në dorë të qiramarrësit se çdo të bëjë në të, duke mos marrë parasysh nëse do të mbjellë apo ndërtojë në të, si dhe me të drejtën për të qëndruar në të përderisa paguan qiranë.[24] Në këtë rast çdo investim që bëhet mbi tokën vakëf është pronë e investitorit. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se një kontratë e tillë lejohet po të plotësohen këto kushte: [25]
  1. Kur vakëfi është prishur dhe nuk përfitohet më prej tij.
  2. Kur administratorët e vakëfit nuk kanë mundësi financiare të investojnë në të.
  3. Kur nuk gjendet kush mund t’i japë administratorëve të vakëfit një borxh të mjaftueshëm për rindërtimin e tij.
  4. Kur nuk është e mundur që ky vakëf të zëvendësohet me një tjetër nga i cili do të merren të ardhura. Kusht ky i vënë nga hanefitë.[26]

Nëse plotësohen këto kushte atëherë lejohet kjo lloj kontrate me vakëfin.

Koha e El-hikrit

Periudha kohore e kësaj kontrate është e kufizuar sado e gjatë qoftë ajo. Por tradicionalisht një shfrytëzim i tillë i tokës zgjat pafundësisht edhe nëse në kontratë është përcaktuar koha e qëndrimit, pasi është vetë qiramarrësi ai i cili vendos nëse do të qëndrojë në të ose jo, dhe qiradhënësi nuk ka të drejtë ta nxjerrë atë.[27] Dijetarët hanefi kanë përmendur se nëse qiramarrësi ka bërë ndërtime në tokën vakëf apo e ka mbjellë atë, ai ka të drejtë të qëndrojë përderisa investimi i tij vazhdon të ekzistoj dhe ai paguan qiranë e favorshme për tokën e marrë. [28] Sidoqoftë dijetarët nuk kanë neglizhuar dy fakte: Së pari lejohet që t’i kushtëzohet qiramarrësit që ai të dalë prej saj nëse plotësohet koha e rënë dakord, sepse zbatimi i kushteve të kontratës është më i fortë sesa praktika tradicionale. Dhe së dyti nëse vazhdimësia e qiramarrësit dëmton vakëfin, si për shembull nëse kihet frikë se ai do ta gllabëroj vakëfin apo nuk të lejon ushtrimin e të drejtës së kthimit të tij, në një rast të tillë lejohet që çështja të çohet në gjykatë për të prishur kontratën. [29] Nëse investimi i qiramarrësit, qoftë kjo ndërtesë apo pemë, një ditë prishet plotësisht, pas përfundimit të kohës së kontratës humbet e drejta e tij për të vendosur për fatin e vakëfit. [30]

· El-mursad, në këtë rast lidhet një aktmarrëveshje në mes administratorëve të vakëfit dhe qiramarrësit për investime dhe ndërtime në tokën e vakëfit, me kusht që shpenzimet e kryera në të, të jenë borxh i cili lahet nga të ardhurat që fiton qiramarrësi nga ky investim që bëhet pronë e vakëfit. Pas plotësimit të shumës i jepet vakëfit qiraja e rënë dakord për tokën. [31]

· Dhënia me qira e tokës për një kohë të gjatë ku në fund objekti i takon vakëfit. Në këtë rast toka vakëf i jepet me qira një firme apo investitori duke i dhënë të drejtën atij të ndërtojë në të objekte të ndryshme sipas marrëveshjes, të cilat ai do t’i shfrytëzojë për një kohë të caktuar dhe pas përfundimit të kohës këto investime do të bëhen pronë e vakëfit. Një vendim i tillë duhet të sanksionohet në aktmarrëveshje që investimi do t’i dhurohet apo do t’i shitet vakëfit. Pas përfundimit të kohës shitja bëhet me një aktshitje të re.[32] Aktmarrëveshjes mund edhe t’i shtohet një artikull ku i kërkohet investitorit pagimi i një qiraje qoftë edhe modeste nga e cila do të mund të përfitohet diçka nga vakëfi, për pasojë edhe koha e shfrytëzimit mund të zgjatet në aktmarrëveshje si kompensim i kësaj qiraje.

· Ortakëria në mes vakëfit dhe investitorit. Në këtë rast administratorët e vakëfit u ofrojnë tokën investitorëve dhe ndajnë përqindjen e përfitimit nga ky investim sipas kontratës së rënë dakord. Në këtë kontratë duhet të përcaktohet që mbas një farë kohe të rënë dakord, investitori ortak (jo vakëfi) duhet t’i shesë pjesën e tij vakëfit me këste apo me një dorë të vetme. Në këtë rast nuk lejohet që ortakut investitor t’i jepet pronësia e tokës së vakëfit qoftë edhe pjesërisht, vetëm me kushtet e zëvendësimit të vakëfit. Pra në këtë rast ortakëria mbyllet në favor të vakëfit. [33]

Duke qenë se natyra e investimit pranon edhe humbjen edhe fitimin, por pasuria e vakëfit është e veçantë dhe për qëllime bamirëse, dijetarët kanë kushtëzuar që pronat e vakëfeve të administrohen me përgjegjësinë më të madhe dhe për investimet e mundshme tu jepet përparësi atyre që janë më të sigurta dhe më fitimprurëse. Për këtë qëllim duhet të ketë studime serioze dhe kontroll të rreptë në administrimin e këtyre vakëfeve, si për sigurinë e fitimit dhe mos abuzimet ashtu edhe për llojin e investimit dhe investitorit që duhet të jetë në pajtim me normat e Sheriatit.

J.Topulli.

Allahu e di më së miri

P.s. Ky material i është paraqitur KMSH nga anëtarët e komisionit që mori në shqyrtim parregullsitë e shitjes së tokës vakëf pas bustit të Azem Hajdarit.


[1] Mekajis el-luga, Mu’xhem el-uesit fq.1051 etj.

[2] Fikhu Es-suneh 4/330.

[3] Transmetuar nga Buhariu (2764), Muslimi (1633), Tirmidhiu (1375), Nesaiu (3603), Ebu Daudi (2878), Ibn Maxha (2396) etj.

[4] Xhamiu Et-tirmidhi, kita bel-uakf.

[5] Shih El-bahr Er-raik 5/202.

[6] Shih Mukhtesar el-kudurij, kapitulli i vakëfit fq.283.

[7] Nejl El-eutar, Kapitulli i Vakëfit.

[8] Shih Muhtesar el-kudurij, fq. 287, El-hidajetu sherh el-bidaje 3/13, Fikhu Es-suneh 4/335.

[9] Shih Hashijetu Ibn Abidin 5/57.

[10] Shih Muhtesar el-kudurij, fq.285, El-bahr er-raik 5/204, Hashijetu Ibn Abidin 4/349.

[11] Hashijetu Ibn Abidin 4/343.

[12] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Nesaiu etj.

[13] Nga fetvatë e El-ez’herit, Shej Xhadul Hak Ali Xhadul Hak, faqja e ministrisë së vakëfeve egjiptiane: http://www.islamic-council.com. Shih po ashtu edhe vendimet e dhëna nga Akademia e jurisprudencës islame në Indi, vend ky i dominuar nga dijetarët e medh’hebit hanefi, marrë nga Fikh En-neuazil 4/499 dok. nr. 339 e Dr. Muhamed El-xhizani.

[14] Hashijetu Ibn Abidin 4/386.

[15] Po aty. Disa prej dijetarëve hanefi siç është Es-serkhasi nuk e kanë lejuar zëvendësimin e vakëfit në asnjë lloj rasti, në mënyrë absolute.( El-bahr er-raik 5/222).

[16] Ky është edhe rasti kur lejohet nga Imam Ahmedi zëvendësimi i vakëfit dhe jo shitja e tij në çdo lloj rasti siç thonë disa njerëz! Shih F’ikh es-suneh kitabul uakf, El-insaf etj.

[17] Shih Hashijetu Ibn Abidin 4/384, 386, 388, El-bahr er-raik 5/222.

[18] Shkëputur nga studimi Istithmar el-uakf ue turukuhu el-kadime uel-hadithe, Dr. Ali Muhjidin Dagi.

[19] El-fetaua el-hindije (419/2)

[20] Hashijetu ibn Abidin 3/391, El-fetaua el-hindije 2/419, Fethul el-alij el-malik 2/239, Mugni el-muhtaxh 2/395, Er-reudatu 5/352, El-fikh el-islami ue ediletuhu 8/236.

[21]Tuhfetu el-fukahai 2/514, Bidajetu el-muxhtehid 2/372, Reudatu et-talibin 5/173, El-kafi i Ibn Kudames 2/300.

[22] Hashijetu ibn Abidin 4/402, Fethul el-alij el-malik 2/239.

[23] Shejh Es-sidik ebul hasan në studimin e tij: Muktetafat min ahkam el-uakf, në konferencën e vakëfit 1995 të organizuar nga fondacioni bamirës Abu Dhabi, Shejh Kemal Xhuejti në studimin e tij: Istithmar meuarid el-ahabas fq.47.

[24] Dr. Halifetu Babekr el-hasan në studimin e tij: istithmar meuarid el-eukaf, i paraqitur në mbledhjen e dymbëdhjetë të Akademisë ndërkombëtare të Fikhut Islam, fq. 21.

[25] Hashijetu ibn Abidin 30/398, El-fetaua el-hindije 2/422, Hashijetu ed-deusekij ala esh-sherh el-kebir 4/96, Tufhetul muhtaxh 6/172, Metalib Uli jen-nuha 4/316, Ilam el-muakiin 3/304.

[26] Hashijetu ibn Abidin 3/398.

[27] El-adeuij Ali El-kharshij 7/79.

[28] Hashijetu ibn Abidin 5/20.

[29] Referenca e më sipërme.

[30] Tenkih el-fetaua el-hamidije 2/131, Fethul alij el-mailiki 2/252, El-meusuatu el-fikhije 18/64.

[31] Hashijetu ibn Abid 4/402, Bidajetu el-muxhtehid 2/236, Mexhmua el-fetaua Ibn Tejmije 31/224.

[32] El-ixharetu muntehije bi temlik e botuar në revistën e Akademisë së fikhut Islam nr.12.

[33] Studimet dhe vendimet e konferencës së parë të financës islame e zhvilluar në Dubaj në 23-25/6/1399 h.

Reklama
Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:12 pm  Lini një Koment