Bismilahi-Rrahmani-Rrahim

DEKLARATË

Nisur nga përgjegjësia fetare, për të mos lejuar cenimin e Islamit Sunit Shqiptar, në një të ardhme të afërt apo të largët, nga një sekt, i cili nuk pajton me besimin Sunitë si dhe traditën e Islamit shqiptar, ne, hoxhallarët dhe teologët shqiptarë, deklarojmë:

Sekti shiit, rafidhi, është një sekt me devijime të rënda në disa prej çështjeve kryesore të besimit islam. Besimet e këtij sekti, bien ndesh me besimin e pastër islam, që muslimanët sunitë kanë trashëguar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij. Disa prej devijimeve të tyre arrijnë deri në shirk dhe në kufër, gjëra këto, që sqarohen në një literaturë mjaft të gjerë, si sunite ashtu edhe shiite. Historia e hershme dhe ajo aktuale e marrëdhënieve ndërmjet shumicës absolute sunite dhe pakicës shiite në botë, ka rezultuar gjithmonë e hidhur dhe me pasoja katastrofale, për vendet ku ata kanë jetuar.

Duke u nisur nga sa thamë më sipër, si dhe nga faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me realitetin e sotëm shqiptar, si në planin politik, gjeografik, social dhe fenjohës nga ana e shqiptarëve, e shohim si përgjegjësi para Zotit dhe besimtarëve muslimanë shqiptarë, t’u kërkojmë këtyre të fundit, të mos kenë asnjë lloj bashkëpunimi, individual apo institucional, bashkëpunim i drejtpërdrejtë ose jo, me shiitët iranianë apo edhe të tjerë (p.sh. Fondacioni Kur’anit), qoftë kjo edhe me marrje fondesh apo donacionesh për arsye nga më të ndryshmet.

Në situatat që po kalojmë, nuk shohim asnjë domosdoshmëri apo nevojë, që muslimanët sunitë shqiptarë, të bashkëpunojnë në çfarëdolloj fushe me ithtarët e këtij sekti, që është i huaj për vendin tonë. Çdo aktivitet i përhershëm apo i përkohshëm që iniciohet apo financohet nga ndonjë përfaqësi diplomatike e ndonjë shteti shiit apo nga organizatat, satelitë të saj, duhet bojkotuar tërësisht.

Çdo bashkëpunim, i hap dyert propagandës dhe më pas, prezencës shiite në vendin tonë, çka do të rezultojë në të ardhmen, me pasoja tepër negative për mbarëvajtjen e Islamit, në mesin e shqiptarëve.

Duke reflektuar ndaj thirrjes sonë, u kërkojmë të gjithë muslimanëve shqiptarë, t’i përgjigjen pozitivisht, këtij detyrimi fetar.

Allahu për gjithçka mbetet Dëshmitar.

Emrat e deklaruesve (sipas rendit alfabetik):


  1. 1. Abdurrahim Balla
  2. 2. Ahmed Kalaja
  3. 3. Altin Plumbi
  4. 4. Altin Shehu
  5. 5. Arens Gjevori
  6. 6. Arjan Haskasa
  7. 7. Arjan Kuteli
  8. 8. Azem Bardhoshi
  9. 9. Besim Nuzi
  10. 10. Bilal Shkrepi
  11. 11. Bilal Teqja
  12. 12. Bledar Haxhiu (Cërrik)
  13. 13. Bledar Karaj
  14. 14. Bledar Myftari
  15. 15. Bujar Hysa
  16. 16. Dëshir Sheshi
  17. 17. Dritan Rahmani
  18. 18. Dritan Xhihani
  19. 19. Eduart Jaho
  20. 20. Edvin Ruka
  21. 21. Elmaz Fida
  22. 22. Elvis Naçi
  23. 23. Emrim Koçi
  24. 24. Fatbardh Qosja
  25. 25. Fatmir Bajrami
  26. 26. Fatmir Gjediku
  27. 27. Florian Meçe
  28. 28. Florian Xhemollari
  29. 29. Gajtis Karaboja
  30. 30. Genc Plumbi
  31. 31. Gëzim Karaj
  32. 32. Gëzim Lika
  33. 33. Hamza Muskurti
  34. 34. Hariz Alkoçi
  35. 35. Ilir Arifi
  36. 36. Irfan Tota
  37. 37. Ismail Bardhoshi
  38. 38. Izet Laçi
  39. 39. Justinian Topulli
  40. 40. Kastriot Bardhi
  41. 41. Klodian Mulita
  42. 42. Migen Matraku
  43. 43. Muhamed Estrefi
  44. 44. Murat Basha
  45. 45. Neki Kaloshi
  46. 46. Pëllumb Bajrami
  47. 47. Rruzhdi Plangaj
  48. 48. Rudens Rexhaj
  49. 49. Sadat Mahmudaj
  50. 50. Sadik Ukperaj
  51. 51. Sajmir Ismaili
  52. 52. Sali Bardhoshi
  53. 53. Selim Tota
  54. 54. Selman Kopaçi
  55. 55. Shaqir Shahu
  56. 56. Shpëtim Murrja
  57. 57. Sulejman Rustemi
  58. 58. Tomor Boriçi
  59. 59. Vladimir Agolli
  60. 60. Xhafer Shkodra
  61. 61. Ylber Tafa
  62. 62. Ylli Buraniqi


Published in: on 27 Janar, 2010 at 6:19 pm  Lini një Koment  

Arkeologjia e Teuhidit

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Arkeologjia e Teuhidit

Disa vjet më parë pata shkruar për një revistë islame një material rreth teuhidit dhe shirkut. Në atë material flisja për njësimin e Zotit, element ky që ka përshkruar gjithë fatin e historisë së njerëzimit, se si teuhidi ka qenë shkaku për vazhdimësinë e jetës në tokë dhe se si e kundërta e tij, shirku, ka qenë shkak për rrënimin dhe zhdukjen e qytetërimeve të mëparshme. Aty jam shprehur ndër të tjera shkurt edhe për diçka që më ka munduar dhe vazhdon të më mundojë: përse nuk ka fakte arkeologjike që të vërtetojnë ekzistencën e besimit monoteist? Ose më saktë, a ka fakte të tilla? Patjetër që duhet të ketë, por nëse ka, cilat janë dhe ku gjenden?

Në të gjithë librat e historisë dhe arkeologjisë, që pushtojnë hapësirën e periudhës së antikitetit të hershëm dhe të jetës primitive njerëzore, na paraqiten fakte të cilat paraqesin ose interpretohen si shenja të idhujtarisë në jetën e këtyre popujve të hershëm. Duke mos qenë specialist në këtë fushë, madje as amator, por duke qenë besimtar në vërtetësinë e historisë që na përcjell Libri i Zotit, në mendje, për atë shkrim, më erdhi një interpretim që e dhashë në një fjali, por këtu po e them disi më të shtjelluar.

Besimi monoteist nuk i kushton Zotit imazhe, qofshin këto piktura apo skulptura, dhe adhurimi i Krijuesit të gjithësisë, historikisht nuk ka pasur objekte të dallueshme kulti, madje edhe ato që u ndërtuan më pas, duke filluar nga Qabeja si objekt i parë në këtë drejtim e të tjerat me radhë, mund të merren fare lehtë, nga thjeshtësia e tyre, si godina shtëpiake apo diçka tjetër, por jo si një objekt kulti. Ajo çka dihet me saktësi, është se i pari që ndërtoi një objekt kulti monoteist qe Ibrahimi, por para tij, ka pasur të tjerë Profetë dhe të tjerë njerëz monoteistë, por që nuk ndërtuan objekte kulti për Allahun. Idhujtarët pësuan ndëshkimin e Zotit dhe bashkë me ta u rrënuan edhe faltoret dhe idhujt që ata u përkushtoheshin, por shenjat dhe gjurmët e tyre i gjen në çdo vend. Ndërsa, besimtarët e hershëm të popujve që u shkatërruan, duke qenë edhe më të pakët gjithashtu, por edhe për arsyet që përmendëm deri këtu, nuk lanë mbrapa pothuaj asnjë gjurmë. Në fakt vetë jeta dhe shpëtimi i tyre ishte gjurmë, një gjurmë e gjallë dhe e rrallë dhe kjo derisa filloi cikli Ibrahimian, ku monoteistët do shtoheshin, do të ndërtonin qytetërimet e tyre dhe do të linin gjurmë në histori.

Megjithatë edhe tradita monoteiste ka gjurmë dhe ajo duhet të ketë lënë gishtat e saj në rrënojat që zbulohen. Por trashëgimia monoteiste është e një lloji tjetër.

Kulturat dhe qytetërimet pagane, ashtu si edhe sot, i japin një rëndësi të theksuar imazhit. Imazhi, simbolet e idhujve dhe të perëndive në këto kultura, ashtu si edhe në kohët moderne, dominonin ngado, sepse politeisti në çdo moment kërkon që të shoqërohet nga mbrojtja dhe përkujdesja e këtyre hyjnive të rreme, që ai i beson për të vërteta dhe që do t’i ndjejë gjithmonë pranë. Por jo vetëm kaq, ka njerëz, të cilët me të drejtë ndoshta, zhvillimin e arkitekturës dhe të qyteteve e interpretojnë si prirjen e idhujtarëve për të konkurruar veprën hyjnore të rendit qiellor dhe tokësor, me rendin e tyre artificial njerëzor, prirjen e këtyre paganëve për të sfiduar qiellin, gjithë krijimin e Zotit me kullën e tyre të babelit, rendin e Krijuesit me rendin e tyre të ndërtesave madhështore prej guri… Donin të sfidonin të Përjetshmin dhe botën e Tij me objekte që simbolizonin pushtetin dhe përjetësinë e pashuar…, një vesvese djallëzore e vjetër kjo…

“Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”[1]

Dhe kështu paganët krijuan qytetërimin e tyre, duke u vetëmashtruar pas miteve, se ata ishin zotër, apo pjellë e drejtpërdrejtë e qenieve hyjnore, ku edhe këta hyj e kishin pasur një fillim. Ata krijuan qytetërimin e tyre dhe sajuan edhe hyjnitë e tyre, për t’u shkëputur nga vartësia e Zotit të Vërtetë. Ata jetonin me këta zota antropomorfë në mendje, me këta hyjë, që ishin si njerëzit dhe jetonin gjoja me ta…

Por si musliman, nuk mendoj se ata u besonin vërtet dhe plotësisht legjendave të tyre, siç mundohen të na i paraqesin ato sot. Ato ishin thjesht imagjinata joreale, për të mbajtur në jetë vesveset e djallit, për të mbajtur në jetë legjitimitetin e epsheve të tyre, për ta kthyer qenien hyjnore në një qenie moskokëçarëse, për ta shumëzuar Atë dhe zhdukur fare nga kujtesa, apo edhe për të sajuar lloj-lloj ndërmjetësish dhe që me pak adhurim, mund të vihen në shërbim të njeriut, apo edhe mund të sfidohen, nëse u rrëmbehet pushteti dhe fuqia e padukshme… Ata vetëm donin të besonin se ishte kështu…

52. Kur ai (Ibrahimi) i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”,

53. ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”

54. (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.”

“Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?”

63. Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky, i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!”

64. Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” 65. Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!”[2]

Kjo ndodhi me Ibrahimin dhe popullin e tij, trashëgimtarët e qytetërimit më të vjetër që njihet sot në botë, e ndërsa me Hudin dhe popullin e tij që jetonin në gadishullin arabik:

“Ai (Hudi) tha: “Tashmë, ju ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj. A më kundërshtoni mua për emrat (e idhujve), të cilët ua keni vënë ju dhe prindërit tuaj, e për të cilët Allahu nuk ju ka sjellë kurrfarë diturie …”[3]

E ndërsa Jusufi në përballjen e tij me trashëgiminë pagane egjiptiane tha:

“O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari? 40. Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument. Vendimi i përket vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e di.”[4]

Ndërsa përballë këtij realiteti, në antitezë të plotë me të, qëndron besimtari në një Zot të vetëm, të përtejshëm, pa imazh të perceptueshëm, por me cilësi dhe atribute të prekshme në jetën e një njeriu. Ai nuk ka nevojë për imazhe tokësore, për çka është përtej botës së krijimit, thjesht sepse është e pamundur, por edhe më shumë se kaq…

Gjithsesi i biri i Ademit, si një qenie njerëzore, që ka nevojë për imagjinatë dhe shembuj, duhet të ketë zhvilluar kulturën e fjalës. Fjala është sublime, ajo është udha e komunikimit ndërmjet dy botëve, ndërmjet transcendentes[5] dhe botës së krijesave. Zoti nëpërmjet fjalës e krijoi botën dhe nëpërmjet saj komunikoi me krijesën e Tij. Ajo i ngjan një rrezeje drite hyjnore të paperceptueshme, të padukshme, e cila përthyhet në rreze shumëngjyrëshe në prizmin e botës materiale…

Besimtarët në shekuj duhet të kenë zhvilluar kulturën e fjalës dhe fjala ruhet e shkruar, e shkrimi humbet shumë më lehtë sesa ndërtesat gjigante, gurët dhe statujat e hyjnive të rreme, ndaj edhe gjurmët e monoteizmit janë të pakta, shto këtu, edhe faktin që besimtarët e një Zoti, ishin të pakët. Lumturia e tyre dje, ashtu si edhe e jona sot, nuk qëndronte te konkurrimi i krijesës së Zotit dhe nënshtrimi i saj, pa ndihmën e Tij, por te bindja ndaj Zotit e që rrjedhimisht pasohej nga begatia e Tij.[6]

Nëse marrim në konsideratë edhe faktin se shkenca e arkeologjisë sot dominohet nga njerëz dhe mendësi ateisto-politeiste, është e natyrshme se faktet që më së shumti na paraqiten dhe na interpretohen, të jenë dëshmi vetëm për ekzistencën e politeizmit, si më i hershmi. Mbi këto dëshmi është ngritur një historiografi ku monoteizmi paraqitet si një zhvillim shumë i vonshëm, si një evoluim i mendimit njerëzor dhe jo si trashëgimia më e vjetër njerëzore dhe kulturore në botë.

Përballë kësaj sfide “të pakapërcyeshme”, sipas idhujtarëve të sotëm, qëndron pasiviteti dhe amatorizmi i monoteistëve, të cilët shumë pak ose aspak, paraqesin fakte bindëse se kultura dhe historia njerëzore i ka rrënjët në monoteizëm. Kjo gjendje mbytëse nga mitologjitë dhe legjendat pagane, që na bombardojnë sot si kulturë përditë e më shumë, [7] i ka shtyrë dashur padashur edhe disa monoteistë, madje edhe muslimanë, të hamendësojnë se janë legjendat dhe mitet pagane ato që kanë lënë gjurmë në literaturën islame, madje dhe në librat e shenjtë të monoteizmit! Kjo është pjesërisht e vërtetë, përsa i përket traditave joislame, por kurrsesi për Kur’anin dhe traditën autentike profetike.

Muslimanët si mbartësit e vetëm të monoteizmit të vërtetë, sot kanë nevojë më shumë se kurrë që të zhvillojnë arkeologjinë objektive të teuhidit, të zhvillojnë interpretimin dhe zbulimin e fakteve që tregojnë ekzistencën më të hershme të monoteizmit. Këtë shkencë e ka nisur Kur’ani dhe na takon ne që ta zhvillojmë.

“A nuk kanë dëgjuar ata për popujt që kanë qenë më përpara: për popullin e Nuhut, për fiset Ad dhe Themud, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit)? Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta. Allahu nuk u bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.”[8]

“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!”[9]

“Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, për të parë se si ka qenë fundi i atyre, që kanë jetuar më parë? Ata kanë qenë më të shumtë, më të fortë dhe kanë lënë më shumë gjurmë në Tokë, por nuk u ka bërë aspak dobi ajo që kishin fituar. 83. Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.”[10]

E kemi ne për detyrë t’iu tregojmë idhujtarëve të sotëm, me dëshmi bindëse, se kjo është e vërteta.

A nuk është Islami feja që predikon monoteizmin…?!

J.Topulli

1.12.1429 h./ 29.11.2008 e.s.


[1] Taha :120.

[2] Sure El-enbija.

[3] Sure El-araf: 71.

[4] Sure Jusuf.

[5] Transcendent, do të thotë e përtejshme. Në kuptimin metafizik, ajo i përket ekzistencës tjetër të pakrijuar, qenies së Zotit, që është përtej krijesave, i ndarë prej tyre. Kjo përtejshmëri nuk përfshin vetëm diçka fizike, por edhe ideore, ndaj dhe të parët e muslimanëve e kanë komentuar me të drejtë qëndrimin e Allahut mbi Arsh, si ndarjen në mes Tij dhe krijesave të Tij. Allahu qëndron mbi Arsh me të gjitha kuptimet që mbart kjo fjalë. Ai qëndron mbi botën materiale të krijesave, pra, në përtejsi, në transcendencë dhe nuk është aspak alegori, pasi kuptimi i pasaktë dhe i papranueshëm i qëndrimit mbi Arsh vjen nga përfytyrimi që nuk i vë kufi perceptimit dhe që krahason botën e krijuar me ekzistencën e Krijuesit, vjen nga një kozmologji e pasaktë, nga një kozmologji pagane, panteiste, ku hapësira tredimensionale shtrihet në pafundësi, ide kjo që sot është hedhur poshtë nga idetë shkencore të shekullit XX.

[6] Shih ajetin 10-12 sure Nuh, El-araf: 96, Ibrahim: 7.

[7] Në ditët e sotme gjen një përhapje masive të kësaj idhujtarie, të kamufluar nën petkun e atij që e quajnë art, si dhe të gjoja studimeve historike. Kështu, duke filluar që nga filmat vizatimorë për fëmijë, që paraqesin personazhe imagjinare, qofshin këto të marrë nga mitologjia apo edhe të sajuar, personazhe këto që kanë fuqi mbinatyrore, që me anë të magjisë apo mjeteve të tjera, fitojnë aftësi për të bërë gjëra, që në besimin politeist zotat mund t’i bënin dhe që në realitet, vetëm Krijuesi i ka të mundshme. Këto filma jo vetëm që japin një pamje të pasaktë të realitetit, por ato edukojnë brezin e ri me frymën se njeriu është Zoti i kësaj bote, pasi në to, kurrkund nuk duket roli i Zotit të vërtetë. Ky fenomen, shfaqet më i sofistikuar në filmat artistikë për të rritur, ku fantashkenca e producentëve të kinemasë, bën të duken si realitet i mundshëm njerëzor, gjëra që vetëm Zoti i ka në dorë… Ndërsa të ashtuquajturat studime, janë e gjithë ajo armatë librash bestseller, ku flitet për jashtëtokësorët si krijuesit e jetës në tokë, për teori konspiracioni, ku bota sundohet nga njerëz me mundësi dhe aftësi të pakonkurrueshme, ku gati e gjithë rrjedha e historisë së njerëzimit, ose më së paku ajo e këto shekujt e fundit, është produkt i makinacioneve të një grushti individësh…etj…etj! Në të gjitha këto materiale, vihet theksi te fuqitë mbinatyrore të njeriut, ndërsa roli apo edhe ekzistenca e Zotit, nuk duket asgjëkund. A nuk është kjo një rikthim i idhujtarisë?

[8] Sure Et-teube: 70.

[9] Sure En-nahl: 36.

[10] Sure El-gafir.

Published in: on 27 Janar, 2010 at 6:18 pm  Lini një Koment  

ARMËT FINANCIARE TË SHKATËRRIMIT NË MASË

ARMËT FINANCIARE TË SHKATËRRIMIT NË MASË

Nga Sami Es-suejlim

Para afro gjashtë vjetësh, saktësisht në shkurt të vitit 2003, Uaren Bafet (Warren Buffett)[1], një nga njerëzit më të pasur të botës dhe një nga investitorët dhe biznesmenët më të suksesshëm, në fjalimin e tij të përvitshëm, përpara sesionit të përgjithshëm të kompanisë së tij “Berkshire Hathaway”, i cilësoi derivatet (përftimet) financiare si “mina me sahat, si për ata që punojnë me to, por edhe për vetë ekonominë.” Ai gjithashtu shtoi se: “ato i ngjajnë skëterrës, në të cilën është e lehtë të hysh, por gati e pamundur të dalësh prej saj.” Po ashtu ai shtoi duke thënë: “Panorama e përgjithshme paraqitet e rrezikshme dhe po drejtohet drejt më së keqes”, më pas ai e mbylli duke thënë: “Ne kemi bindjen se derivatet (financiare) janë armë financiare të shkatërrimit në masë, që mbartin rreziqe, deri tani të padukshme, por me një potencial vdekjeprurës.”[2]

Kur Bafet lëshoi këto deklarata, disa u habitën dhe të tjerë mbajtën qëndrim mosaprovues, sepse derivatet financiare –sipas tyre- janë mjete të shpikura për të menaxhuar rrezikun financiar dhe për ta shpërndarë atë në mënyrë të barabartë, duke e vënë kështu atë nën kontroll dhe duke e pakësuar atë. Por ditët që erdhën –për fat të keq- vërtetuan largpamësinë e këtij njeriu dhe saktësinë e intuitës së tij. Kriza financiare, e cila ka përfshirë sot botën, një nga shkaqet e saj kryesore ka edhe derivatet financiare dhe në veçanti derivatet kreditore (credit derivatives), ose  instrumentet e shkëmbimit të rrezikut kreditor (credit default swaps).

Por çfarë janë këto derivate? Si kanë çuar ato në krizën që po përjetojmë ne sot?

Derivatet kreditore

Derivatet janë instrumente financiare për të shkëmbyer rrezikun. Derivatet kreditore, ose  instrumentet e shkëmbimit të rrezikut kreditor, nuk janë në esencë vetëm se një kontratë sigurimi: njëra palë (banka që jep kredi) e cila paguan një tarifë të caktuar në këmbim që pala tjetër (kompani sigurimi) ta garantoj se do t’i paguaj palës së parë vlerën e kredisë së siguruar, nëse debitori e ka të pamundur ta shlyej atë.

Si ka ndikuar ky instrument në shkaktimin e krizës financiare?

Nëse një bankë i jep kredi një njeriu, banka është e kujdesshme që të marrë të gjitha garancitë e mundshme që kredia do të shlyhet, sepse nëse huamarrësi falimenton ajo që dëmtohet është banka. Por çfarë ndodh nëse banka arrin ta sigurojë këtë kredi dhe ta zhvendos rrezikun e borxhit te një palë e tretë? Në këtë rast banka nuk do të dëmtohet nga falimentimi i debitorit, sepse një palë e tretë tashmë del garant për t’i paguar bankës shumën e kredisë së plotë, nëse ndodh falimentimi i debitorit. Për këtë arsye banka nuk ka ndonjë motiv të fortë për tu siguruar për aftësinë e pagesës nga ana debitorit. Ndaj edhe bankat me lehtësi të madhe u japin kredi shtresave me aftësi të ulët për shlyerjen e borxhit, sepse rrezikun e ka marrë përsipër dikush tjetër, në të shumtën e rasteve kompanitë e sigurimit dhe fondet e rezervës.

Sigurimi i kredive i ka nxitur bankat që të japin kredi, më pas edhe ta shesin kredinë në formë bonosh bashkë me sigurimin e këtyre bonove. Ai që i blen këto bono në fakt blen kredi të siguruara, ndaj dhe atij nuk i intereson nëse debitori ka mundësi ta shlyejë kredinë apo jo. Përderisa kreditë janë të siguruara atij nuk i intereson aftësia e pagimit apo mundësia e debitorit për të garantuar kredinë e marrë, e rëndësishme për të është tarifa që përfiton banka dhe shoqëritë e tjera financiare, nga operacionet e financimit dhe nxjerrjes së bonove dhe çka lidhje me to. Nëse nuk do të ishte në mes siguracioni, ky rreth vicioz nuk do të mund të fryhej në mënyrë kritike deri në këtë pikë, nuk do të ishte e mundur të krijoheshin ato që quhen “asete (pasuri, vlera) të helmuara” të cilat janë vrima e rrezikut në flluskën e sapunit dhe terreni i brishtë mbi të cilin janë ngritur bonot e kredive.

Këto derivate financiare kanë çuar në përqendrimin e rreziqeve, në vend që të çonin në copëtimin e tyre, kanë çuar në kamuflimin e tyre në vend që t’i pakësonin ato.

Lind pyetja: çfarë interesi kanë kompanitë e sigurimeve dhe fondet e rezervës që japin garanci për këto kredi?

Së pari, tarifat monetare që ato përfitojnë janë joshëse, nëse kredia e siguruar është e madhe. Po kështu edhe motivet e hyrjes në këtë operacion financiar mbështeten në një sasi të ardhurash të realizueshme, ndaj sa më shumë të shtohen tarifat shtohen edhe motivet.

Së dyti, për sa kohë çmimet e tregut imobiliar (pasuri të patundshme) apo atij të aseteve për të cilat jepet paraja është në rritje, nuk ka për të pasur rreziqe ngecje, sepse debitori mund ta rifinancojë godinën (apo tokën) duke marrë një kredi të re, ose mund ta shesë atë për të shlyer borxhin dhe për të marrë një fitim shtesë.

Çmimet e tregut të shtëpive në SHBA kanë qenë vazhdimisht në rritje, që nga viti 2000, ndaj dhe nuk ka pasur shkak për tu trembur në këtë drejtim. Këtu kuptohet sesi u rrit flluska e kredisë imobiliare. Sigurimi nxit në dhënien e huave, huadhënia kontribuon në rritjen çminimeve të shtëpive (tokave, godinave), rritja e çmimeve nxit në dhënien e sigurimeve për kreditë, sepse rreziqet janë të pakta, çka bën të nxitet edhe më tepër huadhënia… e kështu në vazhdimësi. Kështu që rrethi i huadhënies dhe i sigurimeve ushqejnë njëra-tjetrën, gjë që çoi në fryrjen e shumëfishtë të flluskës dhe në veçanti gjatë vitit 2004 deri në fillimet e vitit 2007, derisa në verën e 2007 flluska plasi dhe filloi zinxhiri i krizës, efekti domino.

Së treti, pala siguruese mund t’i shesë rreziqet te palë të tjera, ashtu siç janë ose me rreziqe të tjera plus dhe këtë në formë bonosh që u ngjajnë bonove të kredive e për këtë ajo përfiton tarifa shtesë. Edhe ai që i blen këto bono mund t’i shesë ato duke i kaluar kështu rreziqet te të tjerë njerëz. Kështu pjesëmarrësit në treg do ta hedhin sa te njëri sa te tjetri topin e rrezikut dhe çdonjëri shpreson që topi të mos plasë në duart e tij. Sa më i madh të jetë tregu dhe sa më shumë lojtarë të ketë në të, aq më e vogël është mundësia, që ndjen gjithsecili, se topi i rrezikut do të plasë në duart e tij, ndaj rritet edhe pranimi i këtyre rreziqeve. Për këtë arsye fryrja e tregjeve është në interes të spekulatorëve, kjo shpjegon edhe faktin se pse tregu i rreziqeve të siguruara u shumëfishua më shumë se tetë herë gjatë viteve 2004 -2007, derisa arriti në 62 trilion dollar.

Kazinoja më e rrezikshme në botë

Tregu i rreziqeve kreditore nuk do të ishte rritur në këtë masë, nëse blerja e kredive do të ishte kufizuar te bankat, të cilat janë ato në fakt që kanë dhënë kreditë. Ajo që i dallon derivatet kreditore është fakti që çdo njeri mund ta blejë kredinë nga kushdo tjetër edhe nëse asnjëri prej tyre nuk ka asnjë lloj lidhje me kredinë e financuar për imobiliaret, kështu që kontrata në të vërtetë kthehet në një bast (loto) ndërmjet dy palëve, e varur kjo nga ajo që do t’i ndodh palës së tretë, që në këtë rast është debitori (borxhliu). Nëse debitori falimenton, pala shitëse i jep kompensimin palës blerëse, ndërkohë që as huadhënësi dhe as huamarrësi nuk marrin asgjë. Kjo gjë ishte ajo që e shtyu analistin ekonomik të websajtit të CNN-it ta quajë tregun e derivateve kreditore si ‘kazinonë më të madhe në botë’. Edhe vetë kandidati republikan Xhon Mekein e pranoi se kultura e kazinosë ka dominuar Wall Street-in. Por sidoqoftë, ky treg ndryshon nga kazinotë në aspekte të rëndësishme, si për shembull: kazinotë u nënshtrohen kontrollit dhe mbikëqyrjes nga ana e organeve shtetërore, në shtetet ku ato lejohen, ndërsa tregjet e derivateve nuk u nënshtrohen asnjë lloj kontrolli apo organizimi të drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane.

Po kështu kazinoja dallon nga tregu i derivateve në një aspekt tjetër akoma më të rëndësishëm, çdo grup lojtarësh në kazino e varin fitoren e tyre te ruleta që u përket atyre dhe nuk kanë asnjë lloj lidhje më të tjerët. Nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet grupeve të ndryshme në kazino, ndërsa në tregjet e derivateve, që të gjithë janë të lidhur me njeri-tjetrin dhe të gjithë në fund fare janë të lidhur me tregjet dhe në veçanti tregjet imobiliare. Çdo rënie në tregun e shtëpive (tokave, godinave) shpie në humbje të një pjese të madhe të lojtarëve. Shto këtu që çdo dollar humbje në tregun imobiliar do të çoj në një humbje të shumëfishtë në tregun e derivateve.

Sasia e borxheve të vëna në lojë në qarkullim, ka arritur vlerën e 62 trilion dollarëve në fund të vitit 2007, ndonëse huaja për blerjen e pronave të patundshme në të gjithë SHBA nuk i kalon 10 trilion dollarë, ndërkohë që kredia e huas së ulët vlerësohet rreth 1.3 trilion dollarë.

Nëse derivatet e veçanta për asetet (pronat), me huat më të ulëta për tu paguar, arrijnë vlerën e rreth 1/3 së tregut të derivateve kreditore, kjo do të thotë se për çdo dollar që jepet borxh me të luhet rreth dhjetë herë. Kjo do të thotë se në rast mospagimi nga ana e borxhliut humbja nuk do të kufizohet vetëm te huadhënësi i tij, por do të kalojë edhe te spekulatorët e tregut, humbja e të cilëve mund të jetë dhjetë herë më shumë sesa humbja reale.

Dallimi më i rëndësishëm dhe më i rrezikshëm ndërmjet kazinosë dhe tregut të derivateve është natyra e lojtarëve. Në kazino lojtarët janë individë që më së shumti vënë në lojë pasuritë e tyre, ndërsa në tregun e derivateve lojtarët janë shoqëri financiare dhe banka të cilat vënë në lojë paratë e kreditorëve, investitorëve dhe huadhënësve, që u përkasin shoqërive të tjera financiare. Humbja do të jetë në dëm të të gjithë ekonomisë dhe jo vetëm në dëm të kumarxhinjve. Nëse marrim në konsideratë faktin se ekonomia amerikane rënkon nga pesha e borxheve të jashtëzakonshme, të mbledhura për vite me radhë, të cilat i kalojnë 30 trilion dollar, në sektorin publik dhe atë privat, dhe se kriza e sigurimeve shoqërore dhe e kompensimit të pensionistëve ka filluar të shfaqet në horizont, për të cilën parashikohet të arrijë kulmin e saj në 2012, padyshim se masa e katastrofës të cilën e pret ekonominë amerikane në vitet e ardhshme mund të jetë e paimagjinueshme.

Kriza ligjore

Kriza aktuale nuk është vetëm pasojë e operacioneve të gabuara financiare dhe e praktikave të dështuara, por këtyre veprimeve u ka paraprirë dhe u ka hapur rrugë një ambient ligjor që iu përshtat atyre.

Tregu i derivateve kreditore pothuaj nuk ekzistonte në fundin e viteve 90 të shekullit të kaluar, por ai filloi të rritej në mënyrë të jashtëzakonshme në fillim të këtij shekulli, pasi kongresi amerikan, i cili dominohej nga republikanët, aprovoi një ligj në vitin 2000, ‘Commodity Futures Modernization Act’, i cili ndalon vënien nën organizim dhe limitimin e tregjeve të derivateve, madje i përjashton ato edhe nga ligjet e bixhozit që ka në disa shtete të ndryshme. Për këtë arsye derivatet kreditore nuk cilësohen në kontratat dhe marrëveshjet ligjore si sigurime (insurance), ndonëse në të vërtetë ato janë të tilla, sepse kështu ato do t’i nënshtrohen ligjeve të sigurimeve, por që ato të përfitojnë nga ky ligj cilësohen si shkëmbime (swaps),

Në vitin 1999 një tjetër ligj i parapriu atij të vitit 2000, ligji ‘Gramm-Leach-Bliley Act’, i cili lejonte që bankat tregtare të hynin në tregun e këmbimit valutor dhe atë të aksioneve, e që ishte ndaluar nga një ligj i nxjerr para rreth 70 vjetëve ‘Glass-Steagall Act’.

Dhe kështu me fillimin e shekullit XXI dera u hap plotësisht për bizneset më të rëndësishme financiare, që janë bankat, për t’i hyrë aventurës me instrumentet më të rrezikshme financiare, e që janë derivatet (përftimet financiare nga vetë paratë) dhe në asetet më të rëndësishme ekonomike, në tregun imobiliar. Si rezultat vetëm në pak vite bota u bë dëshmitare e katastrofës më të keqe financiare brenda 70 vjetëve… Etapave të saj akoma nuk u ka ardhur fundi!

Merrni mësim o njerëz!

Rrënjët e krizës nga e cila po vuan sot bota filluan nga sektori i financës dhe u frynë po nëpërmjet saj, por për fat të keq në fund fare ai që paguan haraçin është sektori i prodhimit dhe masa e popullit. Fillimi nisi nga ulja artificiale e normës së interesit në fillim të shekullit, çka nxiti në zgjerimin e huamarrjes pa pasur ndonjë shtim real të vlerës monetare apo ndonjë rritje në prodhim. Rezultati qe një flluskë në tregun e imobiliareve. Këtë e shoqëroi shpikja e derivateve financiare, e cila neutralizoi rreziqet e huadhënies, kështu që tashmë huadhënësi nuk e ndjente më përgjegjësinë e kredisë që jepte dhe të mundësisë së debitorit për të shlyer, nga kjo erdhën praktika negative që tërhiqnin klientët dhe i mbysnin ata në borxhe.

Pra kriza filloi nëpërmjet kamatës (joshja nëpërmjet interesit të ulët), më pas avancoi në kumar, ku si njëra si tjetra ushqenin njëra-tjetrën për të përfunduar në katastrofë.

Edhe sikur fetë qiellore të mos e kishin ndaluar kamatën dhe kumarin, krizat e njëpasnjëshme që shkaktohen për shkak të tyre, do të mjaftonin si arsye që këto të dyja të ndaloheshin.

Problemi i kamatës është shkëputja e financimit nga aktiviteti prodhues, aktivitet i cili prodhon shtimin real të vlerës. Kamata bën ndarje në mes rritjes së borxhit dhe rritjes së pasurisë. Padyshim që rritja e borxhit është shumë më e lehtë sesa shtimi i pasurisë, sepse nuk kërkon më shumë sesa aprovimin e dy palëve, huadhënësi dhe huamarrësi. Por rritja e pasurisë dhe e bollëkut kërkon, përveç aprovimit të të dy palëve, profesionalizmin, përvojën, novacionin, njohjen dhe prodhimin. Dhe nëse rritja e borxhit ndodh më shpejt sesa rritja e prodhimit, shërbimi ndaj borxhit do të rritet çka do të çoj në tejkalimin e të ardhurave, për tu kthyer kështu borxhet në hemorragji të aktivitetit ekonomik dhe një gur i rëndë mbi të, në vend që borxhet të jenë një faktor ndihmues në rritjen e prodhimit dhe zhvillimit ekonomik. Si rezultat i shpërbërjes së borxhit gjendja ekonomike bëhet e brishtë dhe shumë e ndjeshme nga lëkundjet e tregjeve dhe e çmimeve. Vetëm një lëkundje e lehtë mund të çojë në falimentimin e shumë shoqërive, kompanive, dhe individëve të zhytur në borxh.

Ndërsa përsa i përket kumarit dhe basteve, që të gjithë e dinë se ato nuk japin asnjë vlerë shtesë në aktivitetin ekonomik, por paqartësia ka ardhur si rezultat i përfytyrimit se shkëmbimi i rreziqeve mund të ngrejë kapacitetin financiar dhe më pas edhe prodhimin! Por shkëmbimi i rreziqeve i shkëputur nga prona shpie në atë që njihet si “rreziqe morale” (moral hazard), të cilat u shfaqën mjaft qartë në veprimet e papërgjegjshme që çuan në krizën e huamarrjes për blerjen e pronave të patundshme. Në mungesë të mbartjes së rreziqeve të pronës, humbet përgjegjësia dhe bashkë me të edhe kontrolli moral dhe kështu tregu kthehet në një arenë bastesh dhe shfrytëzimi. Nëse tregu kthehet në një fushë lotarie nuk ka asgjë që e ndal rritjen dhe fryrjen e tij, përveç gatishmërisë së palëve spekuluese për të mos e bërë këtë. Ashtu si për kamatën edhe bastvënia nuk kërkon më shumë sesa një aprovim në mes dy palëve, ku njëra palë do t’i paguajë palës tjetër një shumë të hollash nëse ndodh rreziku, kundrejt një tarife të caktuar. Kostoja fillestare e bastit është e kufizuar ndaj nuk ka asnjë pengesë që nuk e lejon atë të zgjerohet dhe të fryhet. Rezultati në të dyja rastet si nga kamata dhe nga kumari është një, është shumëfishimi i detyrimeve dhe i borxheve larg pasurisë së vërtetë, çka sjell atë që quhet piramidë e përmbysur, ku male të tëra borxhesh peshojnë mbi një bazament të vogël pasurie. Me shtimin e këtyre borxheve baza do ta ketë të vështirë ta mbajë peshën e saj dhe kështu humbja pas rrëzimit të saj do të jetë e shumëfishtë.

Për këtë arsye dhe feja islame në legjislacionin e saj e ka të ndaluar kamatën dhe mashtrimin financiar, duke i konsideruar ato si dy praktika të ndaluara. Po ashtu dispozitat islame përmbajnë edhe norma të hollësishme që ndalojnë rrugët që të shpien te këto praktika, siç është mos lejimi i shitjes së borxhit, ndalimi i një fitimi për të cilin nuk mban garanci, dhe përveç këtyre, aktivitetet e tjera, në themel, janë të lejuara. Për shkak të ekzistencës së këtyre rregullave, nuk mund të shfaqet piramida e përmbysur e borxheve me pasurinë, gjë që e dallon sistemin kapitalist nga ai islam. Ekonomia qëndron si një godinë e ekuilibruar, e qëndrueshme, që mbështetet mbi një bazë të gjerë pasurie, tek e cila mbahet edhe një shtresë e kufizuar e borxheve dhe e detyrimeve. Ky model bashkon në mes qëndrueshmërisë dhe prodhimit, sepse çdo zgjerim i borxheve shoqërohet nga një zgjerim i njëjtë me pasurinë. Ekonomia islame mbështet mbi parimet e tregut që pajton me dispozitat e fesë dhe me moralin, mbi parime të qarta e që shtyjnë drejt novacionit dhe zhvillimit e jo drejt krizave dhe tronditjeve financiare.

Përktheu: J.Topulli.

marrë nga www.islamtoday.com


[1] Warren Buffett është klasifikuar nga revista “Forbes” si njeriu më i pasur i botës për gjysmën e parë të vitit 2008.

[2] http://www.berkshirehathaway.com/letters/2002pdf.pdf fq.14.

Published in: on 27 Janar, 2010 at 6:17 pm  Lini një Koment