Identiteti i muslimanëve dhe arsimimi i tyre

Identiteti i muslimanëve dhe arsimimi i tyre

Jetojmë në një epokë ku çështja e ruajtjes së identitetit etnik, kulturor dhe fetar për mjaft popuj është vënë në pikëpyetje. Epoka e sotme e globalizmit kulturor, më shumë se kushdo, i ka vënë para kësaj pikëpyetje shumë nga këto komunitete. Në njërën anë globalizmi kulturor na paraqitet si një hapësirë ku individët dhe komunitet e ndryshme do të japin dhe do të marrin nga njeri-tjetri, dhe kështu do të kontribuojnë në krijimin e një fryme mirëkuptimi dhe paqeje në botë, ku kulturat respektojnë kulturat e ndryshme nga to, dhe ku gjithsecili do të ruaj identitetin e vet, por të gjithë së bashku, sado të ndryshëm që të jenë, falë këtij globalizmi do të mund të krijojmë një botë me një kulturë heterogjene, apo ndryshe një botë të vetme multikulturale. Kjo anë e globalizmit, ku njerëzit shkëmbejnë me njeri-tjetrin më së shumti vlerat pozitive të tyre, ndoshta është ana më e bukur, por edhe më larg realitetit të tij. Në anën tjetër, globalizmi kulturor na tregon se, ai ka krijuar premisat që një kulturë “superiore” dhunshëm t’i imponohet një tjetre, për këtë dhe globalizmi është parë nga mbështetësit e tij, por edhe të tjerë, si një arenë e re marketingu, ku gjithsecili do të mundohet të shesë sa më shumë dhe më lirë mallin e tij. Një hapësirë konkurrimi, ku më i pasuri, më i forti dhe më ambiciozi do të jetë ai, që do të korr më së shumti sukses. Të gjithë ato komunitete, që e ndjejnë realisht veten më të dobët, në këtë betejë të shkëmbimit të vlerave identitare, janë ata që më së shumti e ngrenë zërin dhe bëjnë përpjekjet maksimale për t’i mbijetuar këtij multikulturalizmi, që tenton përbindshëm të kthehet në unikulturalizëm. Në këtë konkurrencë të pabarabartë, ato që përcaktojnë më së shumti jetëgjatësinë dhe përhapjen e një kulture, nuk janë vetë vlerat, por mundësitë materiale, logjistike dhe përpjekjet e potencialeve intelektuale.

Për të kuptuar realitetin e sotëm të identitetit shqiptar, do të mjaftonte së paku, leximi i historisë së arsimit gati njëshekullor, ku u formua dhe gatua ky identitet. Është arsimi ai që në të shumtën e rasteve, me të mirat dhe të këqijat e tij, ka ndikuar drejtpërdrejtë jo vetëm në zëvendësimin e elitave intelektuale, por edhe në transformimin e identitetit të një populli, si ky i yni. Për shembull, aktivistët e idesë kombëtare shqiptare u duhej të konkurronin edhe me fakte të tilla ku “në fundin e shek. XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1000 shkolla greke”, e përveç tyre kishte “edhe mbi 300 shkolla serbe, bullgare e vllahe, pa përmendur shkollat në gjuhën italiane, të cilat ishin nën administrimin e Austro-Hungarisë e të Italisë”, apo edhe ato osmane që ishin shkolla shtetërore publike.

Shumë prej nesh e dimë, seç rol kanë luajtur shkolla të tilla të veçanta greke si për shembull “Zosimea”, nga e cila dolën disa prej ideologëve dhe etërit e kombit shqiptar. Madje edhe Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës (1887), më simbolikja, ishte një shkollë private dhe erdhi si rezultat i refuzimit të kërkesës që Thimi Marko, në emër të shqiptarëve më 1886, i bëri Mitropolisë së Korçës, për të futur mësimin shqip në shkollat greke. Për të mos u zgjatur në vitet më pas, deri në kohën e rënies së komunizmit, ku arsimi shkollor ka qenë arma më e fortë për zhbërjen e identiteti fetar të këtij populli, dhe në veçanti ndaj muslimanëve.

Sot realiteti i arsimit shqiptar, publik dhe jopublik, gëlon nga gara për riformatimin e identitetit shqiptar, gjithsecili vepron konform axhendës dhe prioriteteve të tij. Në këtë drejtim muslimanët shqiptarë janë më të vonuarit dhe për rrjedhojë edhe më të dëmtuarit. Ndërsa sot konfesionet e tjera, të gjitha së bashku, në Shqipëri kanë mbi njëqind shkolla, të të  gjitha niveleve, ku pjesa më e madhe nuk janë të karakterit teologjik, muslimanët shqiptarët nuk kanë as një të dhjetën e tyre dhe ato shkolla që kanë janë të gjitha medrese të karakterit teologjik! Nëse konfesionet e tjera do ta kishin parë më të udhës që mesazhin e tyre religjioz ta përçonin nëpërmjet shkollave publike, më mirë sesa nëpërmjet arsimit jopublik, kur dihet që numrin më të madh të nxënësve e ka ai publik, atëherë nuk kishin pse të bënin kaq shumë shpenzime dhe të hapnin kaq shumë shkolla!

Praktika historike dhe e sotme globale ka treguar se, politikat e arsimit të veçantë, që ndiqen nga komunitetet e rrezikuara identitare, janë ndoshta përgjigja më e mirë dhe më efikase, për ruajtjen dhe trashëgiminë identitare të këtyre komuniteteve, qofshin këto kulturore, etnike apo religjioze.

Natyrisht, është më së e drejtë që një musliman ta gjej zgjidhjen e problemeve të tij dhe të shoqërisë tek feja e tij. Muslimanët shpesh ndajnë mendime dhe praktika të ndryshme karshi asaj sesi ata duhet të përballen me realitetin ku jetojnë: a duhet që ata të bëhen pjesë e pandarë integrale e këtij realiteti, për tu bërë kështu përçues të drejtpërdrejtë të mesazhit islam apo duhet të ndjekin një politikë izolimi komunitar, për të ruajtur identitetin e tyre religjioz? Kësaj dileme, nuk është as fetarisht e thjesht t’i jepet përgjigje. Në njërën anë do të ndeshim argumente fetare që e nxisin myslimanin dhe e urdhërojnë atë për të qenë pjesë aktive në shoqëri dhe në përmirësimin e saj, si për shembull ajeti i Kuranit ku thuhet:

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (3:110).

Apo hadithi: “Besimtari i cili shoqërohet me njerëzit dhe duron shqetësimet që vijnë prej tyre ka shpërblim më të madh sesa besimtari që nuk shoqërohet me njerëzit dhe nuk duron shqetësimet që vijnë prej tyre.” (Musnedi Ahmedit).

Në anën tjetër do të ndeshim edhe argumente të tjera si ajetet e mëposhtme ku vihet theksi tek ruajtja e identitetit personal dhe atij familjar:

“O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.” (5:105)

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (66:6)

Apo thënie profetike, ku i jepet përparësi shmangies së sprovave kundrejt durimit të tyre, si për shembull:

“I lumtur është ai që u largohet sprovave, i lumtur është ai që u largohet sprovave, i lumtur është ai që u largohet sprovave, si dhe ai që sprovohet dhe duron trishtimin e sprovave.” (Sunen Ebu Daud)

Është e natyrshme që në rast se nuk kuptohet konteksti i kohës dhe i vendit ku duhet të aktivizohen këto tekste, është e pamundur të kuptojmë siç duhet fleksibilitetin e kësaj feje. Përgjithësisht njerëzit e ditur të kësaj feje gjithmonë kanë ndjekur rrugën e mesme të pajtimit mes këtyre dispozitave fetare, pa lënë jashtë praktikës së muslimanit asnjërën prej tyre. Jeta dhe veprimtaria e Profetit të Zotit dhe e miqve të tij janë shembulli më i mirë i këtij fleksibiliteti të Islamit.

Në metodologjinë islame të përcaktimit të dispozitave tranzitore apo të qëndrueshme, merren për bazë dy periudhat e ndryshme të veprimtarisë profetike të të Dërguarit të Allahut, ajo e Mekës dhe e Medinës. Në periudhën e Mekës, ndonëse mbi muslimanët ushtrohej një terror fizik dhe propagandistik i ashpër, i cili synonte izolimin dhe zhdukjen e tyre, ata i kundërviheshin këtij izolimi, jo vetëm me edukimin e veçuar të pjesëtarëve të komuniteti të sapolindur, por edhe me tentativa të njëpasnjëshme për ta bërë sa më publike fenë tyre. Kjo për shembull duke u falur publikisht në zemrën fetare, politike dhe sociale të qytetit, që ishte Qabeja, apo edhe duke tërhequr drejt tyre pikërisht elementë të cilët kishin një autoritet publik në atë vend, siç qe Umeri, islami i të cilit do të shënonte një hap të madh pikërisht në thyerjen e këtij izolimi, që paria e Mekës ushtronte ndaj komunitetit të vogël të muslimanëve. Madje Profeti mundohej të tërhiqte edhe simpatinë e ithtarëve të Librit, ndonëse shumë të pakët në Mekë apo edhe në krahinën e Hixhazit, në atë kohë. Në kushtet e represionit, dallimet identitare apo kulturore në mes muslimanëve dhe idhujtarëve mekas ishin të pakta në numër, por tepër esenciale në përmbajtje dhe pikërisht për shkak të këtyre dallimeve zhvillohej e gjithë beteja propagandistike mes tyre. Është e natyrshme që në Mekë një politikë izolacioniste do të thoshte zhdukje graduale për komunitetin e sapolindur islam, ndaj për asnjë moment nuk do të shohim që Profeti do të kufizonte predikimin e tij vetëm në radhën e besimtarëve apo t’i urdhëronte ata të izoloheshin nga pjesa tjetër e shoqërisë. Beteja e monoteizmit me idhujtarinë duhej zhvilluar e hapur brenda shtëpisë së kësaj të fundit.

Më pas vjen periudha e dytë, ajo në Medine. Muslimanët këtu tashmë shndërrohen në një komunitet shumë herë më të madh dhe bëhen dominuesit absolut të qytet-shtetit të sapolindur. Këtu ata vendosin ligjet dhe dispozitat e tyre dhe formojnë institucionet e tyre tërësisht të reja, në frymë dhe përmbajtje. Në Medine fillon pikërisht të shtohen dhe qartësohen edhe më shumë dallimet identitare në mes muslimanëve dhe të tjerëve. Në këtë periudhë pikërisht, urdhërohen edhe dispozita të tilla që kërkojnë një distancim të plotë në mes muslimanëve dhe idhujtarëve. Tashmë edukimi dhe thirrja islame nuk ishte më një përgjegjësi individuale, por merrte karakter shtetëror institucional. Kontaktet në mes dy botëve, tashmë kishin marrë formë tjetër.

Ky dallim në dispozita, sipas Ibn Tejmijes, ka ardhur si rezultat i ndryshimit nga pozita e dobësisë ku gjendeshin muslimanët në fillim dhe feja e tyre, në pozitën e forcës dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe rolit ekspansionist që kishte marrë tashmë Islami. Mirëpo Ibn Tejmije gjithashtu sqaron se, këtu kemi të bëjmë me një abrogim dispozitash për shkak të situatave të favorshme që u krijuan, ndërsa në situata të tilla të ngjashme me Mekën, muslimanët nuk janë të urdhëruar të krijojnë distancime publike me pjesën tjetër të njerëzve për çështje aparenciale. Po sipas tij, mund të jetë e pëlqyeshme apo edhe e detyrueshme për muslimanët, që për interesa fetare, propagandistike etj, të mos izolohen karshi kësaj shoqërie.

Nëse këtë kuptim kaq të hollë të fesë, do ta zbatonim në një situatë të tillë si e jona, cili do të ishte pozicioni ynë? Përngjasimet e përcipta me këtë apo atë situatë japin edhe përgjigje të nxituara, si teorike ashtu edhe praktike. Mjafton një shqyrtim më i vëmendshëm i situatës dhe do të shohim se përgjigja nuk është aq e thjeshtë.

Muslimanët sot në trojet shqiptare, në përgjithësi, janë të lirë të ushtrojnë fenë e tyre në mënyrë publike, dhe të kenë institucionet e tyre. Mirëpo në të njëjtën kohë hasin herë de fakto e herë de jure, pengesa në ushtrimin e disa prej dispozitave dhe simboleve të fesë së tyre. Ndonëse zotërojnë institucione sociale, arsimore dhe përfaqësuese, ata përsëri përballë shtetit laik janë në pozita shumë më të dobëta sesa komunitetet e tjera. Nëse do të ecim me logjikën e këtij realitet që konstatojmë, do të shohim se ne sot nuk i përkasim as periudhës së Mekës dhe as së Medinës. Përzgjedhja nga dispozitat e njërës dhe tjetrës, është çelësi, është e mesmja e artë dhe praktikisht më e vështira. Ky çelës, ka nevojë për një përpunim të gjatë sa akademik ashtu edhe praktik, dhe është në përgjegjësinë e teologëve islam, në radhë të parë, t’i japin formë dhëmbëve të tij.

E parë nën këtë perceptim, si dhe për arsyet që përmendëm më sipër, ngritja e institucioneve arsimore të veçanta, nga muslimanët, që nuk janë medrese, por që i edukojnë fëmijët e tyre, dhe më gjerë, me frymën dhe etikën islame si dhe me kulturën laike të këtij vendi, është zgjidhja më e favorshme që të imponojnë kushtet. Modele të tilla shkollash, nëse kanë një strategji të qartë dhe menaxhohen mirë, nuk prodhojnë izolime që shpien drejt margjinalizmit, por përkundrazi rrisin një komunitet të shëndetshëm që do të jetë model, pse jo edhe elitar, për shoqërinë ku jetojmë.

Modelet individuale, shembullore, të fëmijëve muslimanë, nuk mund të kenë assesi suksesin e shkollave të arrira, që me seriozitetin e tyre do të tërheqin edhe fëmijë të tjerë nga shoqëria.

Në realitetin që jetojmë është më se e natyrshme që shumica t’i imponohet pakicës, ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë fëmijë myslimanësh në fakt, tek shkollohen në shkolla të tjera. Një jetë komunitare, ku elementët nuk rrezikohen të asimilohen në vorbullën e shumicës, është edhe më e dobishme për shoqërinë. Një shkollë e arrirë komunitare për muslimanët do t’i ngjante një peme me rrënjë të thella dhe trung të fortë e të përbashkët, nga degët e së cilës frytet për mbarë shoqërinë do të ishin më të sigurta dhe të vazhdueshme sesa disa lule të vetmuara që do të duhet të mbijetojnë mes barishteve të shumta.

Këtu ia vlen të theksojmë se, një individ i rritur i brumosur dhe i formuar musliman, është më pak i ekspozuar ndaj rrezikut të zhbërjes së identitetit sesa një fëmijë, i cili është në formim e sipër dhe akoma nuk ka formuar identitetin dhe personalitetin e tij. Përkujdesja ndaj formimit të tij në çdo rast është më parësore sesa ekspozimi i tij ndaj rrezikut, qoftë kjo edhe me qëllimin e thirrjes islame. Praktika shqiptare e shtrirjes së thirrjes islame në arsimin publik, ka rezultuar pozitive, por më së shumti në atë të lartë dhe shumë më pak në atë të mesëm apo të ulët, ku personaliteti i brezit të ri akoma nuk ka marrë formë.

Çështja e edukimit gjithmonë ka qenë një problem madhor, nëse ai duhet të jetë vetëm familjar apo edhe shoqëror? Por nuk besoj se ka njeri kundra, që asnjëri as tjetri nuk mund të anashkalohen në këtë proces. Religjioni nuk mund të edukohet vetëm në gjirin e familjes, aq më tepër sot, kur familja ka humbur shumë nga forca e saj edukuese, duke i kaluar kjo shoqërisë, e cila nga ana e vetë me mjetet e sotme i ka shtrirë krahët e ndikimit përtej mureve të shtëpisë.

Një pjesë e mirë e besimtarëve muslimanë, për të mos thënë shumica dërmuese, e ndjejnë dhe e provojnë realisht pamundësinë e edukimit të fëmijëve të tyre, jo vetëm me etikën islame, por edhe me çfarë kërkon besimi ndaj Allahut. Kjo për arsyet nga më të shumtat, qofshin këto kulturore, intelektuale, sociale, apo edhe për mangësi në dijet fetare. Interesimi i madh i tyre për shkolla të tilla, është dëshmi e pakundërshtueshme e pamundësive që ata përjetojnë. Ndihma më e mirë që duhet t’i jepet, pikërisht këtij komuniteti, që realisht sheh me frikë të ardhmen e identitetit të pasardhësve të tij, është hapja e institucioneve arsimore, të atilla që u ruan atyre identitetin islam dhe njëkohësisht i arsimon me të njëjtin formim laik si bashkëkombësit e tjerë të tyre. Ndaj nisma të tilla jo vetëm që duhen përgëzuar dhe përkrahur, por duhen nxitur për tu zgjeruar, si dhe tu ofrohen të gjitha konsulencat e dobishme në drejtim të një arsimimi sa më cilësor dhe të suksesshëm.

Sidoqoftë, hapja e një shkolle me karakter komunitar, nuk do të thotë aspak se ajo do të bëhet trendi i vetëm i arsimit të fëmijëve të muslimanëve, ajo është një alternativë që duhet të ekzistojë, përderisa  një pjesë e mirë e bashkësisë e kërkon atë.

J.Topulli

10/09/09

Published in: on Tetor 5, 2009 at 11:27 pm  Lini një Koment