Një nga mënyrat për të zbuluar tekijen shiite!

Një nga mënyrat për të zbuluar tekijen shiite!

Një njeri i thjeshtë sunnij që lexon librat e shiave, qofshin këta bashkëkohorë apo edhe të hershëm do të shohë sesi vizioni i tij për Islamin do të shpërfytyrohet. Edhe nëse ai nuk gjen në ato libra në mënyrë të drejtpërdrejtë, për shembull sharje dhe ulje të vlerave të sahabeve për të dalëngadalë ata do veniten dhe mbi ta do të ngrihet Aliu. Dhe kur të shohë gjithë ato pretendime shiite për vlerat e Aliut, të drejtën gjoja legjitime të tij për të trashëguar Kalifatin dhe asnjë citim të vetëm për vlerat e Ebu Bekrit, dalëngadalë do t’i krijohet bindja se vërtetë Ebu Bekri më së paku qe një njeri i padrejtë, një njeri që edhe duke e njohur të drejtën e Aliut vuri karrierën e tij para amanetit të Profetit. Ai shkeli mbi dhjetëra ajete dhe hadithe që i japin Aliut dhe pasardhësve të tij përparësi mbi çdo gjë!

I sheh shiat tek të citojnë këto dhjetëra e dhjetëra hadithe dhe ajete dhe para teje nuk ka sesi mos të krijohet një tablo që të thotë me plotë gojën se qëllimi kryesor i Kuranit dhe Sunnetit nuk paska qenë tjetër vetëm se promovimi i vlerave dhe ekzaltimi i virtyteve të Aliut dhe i pasardhësve të tij!

Shikon sesi ezkluziviteti për këtë familje të nderuar përfshin çdo gjë:

Siratul meustekim është Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Litari i Allahut është Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Aliu është ai që Ditën e Kiametit cakton se kush do të hyjë në Xhenet dhe kush në Zjarr!

Besimtarët e vërtetë janë Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Barka e Nuhut për umetin është Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Dera e pendimit është Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Porta e diturisë është Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Njeriu që dinte edhe të fshehtat ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

I pari në Islam ishte Aliu dhe askush tjetër!

I pari që mblodhi Kuranin ishte Aliu dhe askush tjetër!

Vëllai unikal i Profetit ishte Aliu dhe askush tjetër!

Trashëgimtari i vetëm i Profetit dhe legjitim ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Thelbi i besimit qenka pranimi i imametit të Aliut dhe familjes së tij dhe për askë tjetër!

Kushdo që pranon hilafetin e dikujt tjetër është i humbur dhe jashtë besimit!

Sunneti i vërtetë gjendet tek Aliu dhe familja e tij dhe tek askush tjetër!

Njeriu më i virtytshëm në Islam pas Profetit ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Njeriu më i devotshëm ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

I vetmi njeri i pa mëkatshëm, pas Profetit ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Nëse ka mos bindje që të çon në zjarr veç Profetit kjo është për Aliun dhe familjen e tij dhe askë tjetër!

Njeriu që sakrifikoi më shumë për Islamin ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Njeriu për të cilin Allahu zbriti më shumë ajete Kurani ishte Aliu dhe familja e tij dhe askush tjetër!

Madje edhe ato ajete për të cilat ne jemi mësuar ti dëgjojmë se kanë zbritur për sahabe të tjerë në fakt i përkasin Aliut dhe familjes së tij dhe askujt tjetër!

… gjithçka për Aliun dhe familjen e tij dhe askë tjetër!

Para gjithë kësaj morie ezkluzivitetesh për Aliun dhe familjen e tij (radijallahu anhum) dhe askë tjetër, çfarë i ngelet njeriut të thjeshtë të thotë për Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin …?!

A është kusht vallë që ata të na i shajnë ata hapur?!

A ngeli gjë e mirë për ta që të thuhet?!

Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar argumentet, nëse jeni njerëz që kuptoni.

Published in: on Janar 1, 2009 at 12:26 am  Lini një Koment  

Ne myslimanët dhe ‘të tjerët’

Ne myslimanët dhe ‘të tjerët’

”Të tjerët” një term që më gris veshin, dhe sidomos kur mendësinë që mbart ky term e dëgjoj në formë jehone edhe nëpër luginat e Islamit dhe myslimanëve. Jo se kam ndonjë alergji nga termat e huaj, vetëm pse janë të huaj edhe kur thonë të vërtetën, por nuk e duroj dot faktin sesi një term dhe një mendësi joislame kërkon të zëvendësoj një term islam në radhën e myslimanëve. Një term që sido që të vërtitemi nuk mund ta zëvendësojmë dot, vetëm nëse bëjmë kompromise me besimin tonë! Nëse nuk ka në përdorimin e këtij termi ‘të tjerët’ aspak kompromis, atëherë është diplomaci ose hipokrizi! Quheni si të doni!

Besoj e kuptoni se e kam fjalën për termin ”kafir”. Pa hyrë në komente etimologjike të kësaj fjale dhe të realitetit që ajo zbulon, të gjithë e dimë se kujt individëve iu drejtohemi ne me këtë fjalë, shkurt një jomyslimani. Nuk e di pse disa prej nesh ngurrojnë t’i emërtojnë gjërat me emrat e tyre të vërtetë, me emra të cilët vetë Zoti i ka quajtur. Nuk besoj se këtu në këtë forum ka ndonjë mysliman që të mos dijë suren El-kafirun. A e keni menduar ndonjëherë se kur Allahu urdhëron duke thënë: Thuaj! Kujt i drejtohet?! Nëse edhe ne sot e kësaj dite besojmë se jemi prej atyre që u drejtohen këto fjalë, cilët janë ata ‘pala tjetër’, pra kafirunët të cilëve ne duhet tu deklarojmë se ne nuk adhurojmë atë që ata adhurojnë? Nëse veç myslimanëve në këtë botë ka edhe ”të tjerë”, a janë ata kafirunët për të cilët flet ajeti? Apo mos vallë ata janë vetëm një specie e rrallë që vazhdon të jetojë nëpër xhungla apo në shkretëtirë, e që vazhdon tu falet diellit dhe hënës apo latit dhe uzasë? A nuk hyn te kafirunët edhe kravatat e lindjes dhe perëndimit? Nëse po, ngelet të përcaktoni se kush janë idhujt e tyre!

Morali dhe edukata duhet të jenë pjesë e pandarë e një myslimani, ato janë një obligim i rëndësishëm, por në këtë moral nuk bën pjesë hipokrizia dhe as lajkatimi. Nuk flas këtu thjesht për një sjellje dhe aparencë të pështirë si ajo e hipokrizisë, por për një mendësi të menduari që kurrsesi nuk duhet të ekzistoj mes nesh. E kush mund ta përshkruaj më mirë sesa Allahu një moral të tillë:

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!…..

Kështu pra, ti mos iu bind përgënjeshtruesve.

Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.[1]

Mendime të ndryshme ka pasur rreth kuptimit të këtij ajeti, që sidoqoftë nuk janë larg njëra-tjetrës, por le t’i shohim më mirë ato siç na i ka pasqyruar Ibn Xheuzi në tefsirin e tij:[2]

E para: do të dëshironin sikur të bëje lëshime që edhe ata të bënin lëshime.

E dyta: do të dëshironin sikur t’i lajkatoje me fenë tënde dhe ata të të lajkatonin me fenë e tyre.

E treta: do të dëshironin sikur të bëje kufr dhe ata do të bënin kufr.

E katërta: do të dëshironin të tregoheshe i butë me ta dhe ata do të tregoheshin të butë me ty.

E pesta: do të dëshironin të shtireshe dhe silleshe si hipokrit që edhe ata të silleshin kështu me ty.

E gjashta: do të dëshironin tu serviloseshe me fenë tënde dhe ata do të serviloseshin me fenë e tyre. Ata kanë kërkuar që t’i adhuroje idhujt e tyre njëfarë kohe që edhe ata ta adhuronin Allahun njëfarë kohe.

E shtata: do të dëshironin që t’i mbaje më pranë dhe ata të të mbanin më pranë.

Sa do të ndryshme mund të duken këto interpretime ato kanë një kah të vetëm.

Ibn Xherir Et-tabari, Tefsiri i të cilit përbën enciklopedinë më të shquar e më të hershme të këtij lëmi, duke komentuar këtë ajet thotë: O Muhamed paganët dëshironin që: sikur ti me fenë tënde të ishe i butë me ta; duke iu përgjigjur atyre në animin tënd ndaj idhujve të tyre, dhe kështu ata do të ishin të butë me ty në adhurimin që ti i bën Hyjit tënd. Allahu thotë për këtë (në një tjetër ajet): Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.[3] Shenkiti duke mbështetur mendimin e Ibn Xheririt thotë: Për saktësinë e këtij mendimi dëshmon edhe shkaku i zbritjes së sures El-kafirun ku Allahu zbriti: Thuaj: “O ju kafirun! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni.”

Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.

Një ajet i madh, ashtu si të gjitha ajetet e Kuranit, që në pak fjalë përmbledh për mua të gjitha situatat që shumë prej nesh vihen në to, kush më pak e kush më tepër detyrohemi të bëjmë rolin e diplomatit kur përplasemi me ata ”të tjerët”, mirëpo problemi më i madh qëndron kur kjo diplomaci e kalon cakun e saj për tu kthyer në një mendësi, për tu kthyer në një sistem vlerash me të cilat ne duhet të gjykojmë kafirunët si të ”tjerët”.

Në shumë debate që zhvillohen rreth Islamit dhe ne jemi pjesë publike e tyre më duket sikur në shumë raste ne jemi më inferiorët, gjithmonë debatin e drejtojnë ‘të tjerët’. Ata vendosin platformën e tyre mbi të cilën ne duhet të ndeshemi, ai është ringu i tyre mbi të cilin ne duhet t’i përballojmë ata. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga dobësitë tona. Këtu nuk e kam fjalën për dobësinë e mospërgatitjes, por për atë dobësi që na e krijon tapeti mbi të cilin ne pranojmë të diskutojmë.

Një krenari historike dhe legjendare ne na jep forcë të përballemi me ”të tjerët”, por ashtu si ai heroi i mitologjisë i cili ishte gjithmonë fitimtarë kur mbante këmbët në tokë dhe kur largohej prej saj humbiste, ashtu edhe ne pikërisht në momentin që pranojmë të tërhiqemi në tapetin e kundërshtarit e kemi të humbur betejën. Në një situatë të tillë hyn në lojë diplomacia e cila në këtë rast nuk të bën kurrë fitimtarë përveç se të mund të të shpëtoj erzin! Ne duhet patjetër, në mos kundërshtarin, veten ta ulim në tokë dhe të mos debatojmë nga platformat e tyre, nuk kam për qëllim këtu që ne t’i tërheqim ata në platformën tonë pasi ata kurrsesi nuk do ta pranonin diçka të tillë, por ne duhet t’i tërheqim nga platforma e tyre në një platformë të përbashkët që ndonëse është më e vogël se platforma e gjithsecilit mjafton për të debatuar dhe për të dalë fitues. Në të të kundërt do të detyrohemi t’i lajkatojmë që të na lajkatojnë dhe Allahu na urdhëron një ajet më parë duke thënë: mos iu bind përgënjeshtruesve! Po nëse i bindemi? Ajetet në vazhdim nuk na tregojnë se çfarë humbim apo fitojmë! Allahu na urdhëron që të mos hipim në ringun e tyre, por të përballemi me këmbë në tokë, dhe urdhri i tij mjafton…apo jo?

Por mos mendoni se Allahu nuk na e ka thënë se çdo të ndodh nëse ne anojmë në tapetin e tyre, mjafton ta kërkoni nëpër Kuran dhe do ta gjeni…

Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.

Do të kishe anuar pak…vetëm pak…! Nuk u bëka fjalë vetëm për bindje, por për anim … Kjo është një nga sekretet e dobësisë sonë, nëse arrijmë ta kuptojmë, por edhe ta ndjejmë.

E pra nuk bëhet fjalë që një këmbë mund ta mbajmë në tokë dhe tjetrën në tapetin e tyre, urë nuk mund të bëhemi në mes dy botëve antagoniste. Urat janë të parat ato që i shërbejnë armikut dhe të parat që shkatërrohen nga mbrojtësit. Brigjet që bashkojnë këto ura të brishta janë të largët dhe nën to kalojnë lumenj të mëdhenj dhe të vrullshëm dhe vetë koha është e destinuar t’i shkatërroj.

Por ura mund të vendosen dhe i kemi ato të ligjëruara, por jo në çdo pikë të bregut, por aty ku lumi është më i ngushtë, më i qetë dhe më i cekët. Aty ku nuk rrezikohen që ato të shemben dhe të përpihen nga dallgët e lumit, aty ku mund të kalohet edhe në këmbë pa pasur nevojë edhe për urë.

E kuptoni pra se nuk mund të luftojmë mbi të tilla ura të brishta dhe jo më në anën tjetër të bregut…


[1] Ajetet 4, 8-9, të sures El-kalem.

[2] Zadul mesir, suretul kalem.

[3] Sure El-isra: 74.

Published in: on Janar 1, 2009 at 12:25 am  Lini një Koment  

Dita e ashures tek rafidhat

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Dita e ashures tek rafidhat

Nëse vdekja e një njeriu nuk do të ishte caktim i Allahut, pavarësisht nga mënyra e vdekjes, padyshim që vdekja e profetëve me në krye Profetin tonë (salallahu alejhi ue selem) do të ishte fatkeqësia më e madhe që ka provuar njerëzimi. Por sado e dhimbshme që është vdekja e njerëzve të tillë të mëdhenj siç ishin të dërguarit e Allahut ajo nuk përbën një rastësi në ligjin e Zotit, përkundrazi një ligj të cilit çdo qenie njerëzore do t’i nënshtrohet. Dhe Allahu i madhëruar mjaft qartë na e tregon këtë ligj hyjnor në librin e Tij kur thotë: Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.[1] Madje Ai i drejtohet edhe vetë Profetit duke i thënë: Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.[2]

Por të jetosh me një njeri që e do së tepërmi për një kohë të gjatë në momentet e humbjes së tij mund ta humbësh toruan, dhe të gjithë e dimë seç ndodhi me sahabet dhe në veçanti me Umerin (radijallahu anhu) kur vdiq Profeti ashtu siç edhe e kujtojmë atë qëndrim sa të mençur aq edhe burrëror të atij njeriu për të cilin i dashuri i Allahut pat thënë: Nëse do kisha marrë prej umetit tim një mik tepër të ngushtë (halil) ai do të qe Ebu Bekri, por miku im i ngushtë është Allahu.[3] Ky qe ai njeri, të cilit rafidhat nuk duan t’ia njohin vlerat, që i përmendi njerëzit nga tronditja e vdekjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) duke u kujtuar atyre fjalët e Allahut: Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.[4] Dhe njerëzit kur dëgjuan këto fjalë shumë shpejt erdhën në vete. Të tillë ishin besimtarët e parë, jo si shumë prej shiave që akoma edhe sot e kësaj dite mbas qindra vjetësh nuk e kanë marrë veten nga fatkeqësia e martirizimit të Husejnit duke e konsideruar atë gabimisht si fatkeqësinë më të madhe në Islam!

Ja seç thotë Muhamed Ibrahim El-kazuini, një shiitë, në librin e tij të përkthyer në shqip: Masakra e Kerbelasë, fq. 9:

Kjo ditë – dita e Ashurasë- është dita më e dhimbshme në Islam dhe dita më e madhe në historinë e botës. Në këtë ditë u krye masakra më e rreptë e cila nuk gjindet e ngjashme me të në histori. Kjo është dita më e përgjakshme dhe më e lënduara në Islam dhe për myslimanët. Kjo ditë i lotoi sytë dhe do ti lotoi në çdo kohë, në çdo shekull në çdo epokë. Po ashtu kjo ditë ka djegur zemrat me zjarrin e pashuar të hidhërimit.

Subhan Allah! Dita më e dhimbshme, dita më madhe në historinë e botës, maskara më rreptë, dita më e përgjakshme…!

Aliu u vra pabesisht nga Ibn Mulxhim kur ai shkonte në xhami dhe megjithatë kjo nuk qe dhe as që është dita më e dhimbshme! Umeri gjithashtu u vra pabesisht nga dora e një idhujtari (ditë e cila për disa rafidha është festë) dhe përsëri kjo ditë nuk qe më madhja e historisë! Nëse do të kishte ditë më të dhimbshme për historinë e këtij umeti ajo do të ishte dita e vrasjes së Uthmanit. Mënyra sesi ai u vra dhe ngjarjet që rrodhën më pas, madje edhe vetë vrasja e Aliut dhe Husejnit qenë në njëfarë mënyre rrjedhë e pasojave që solli vrasja e Uthmanit. E megjithatë kjo nuk qe dita më trishtuar në historinë e njerëzimit dhe as më e përgjakshmja, Husejni madje ra si dëshmor në fushën e betejës dhe nuk e vra si Uthmani në shtëpi duke lexuar Kuran. Ne nuk i kremtojmë këto ditë sepse feja jonë nuk kremton vdekjet e njerëzve dhe as nuk bën mateme e nuk vë kujë për kë do qoftë, kështu na ka mësuar Profeti ynë dhe ne kështu veprojmë.

Ibn Tejmije duke folur për pozicionin që mbajnë sunnijtë për vdekjen e Husejnit thotë:

Allahu e begatoi atë duke e bërë martirë dhe i poshtëroi ata që e vranë apo ndihmuan në vrasjen e tij, apo edhe u kënaqën me vrasjen e tij. Ai ka pas shembuj të mirë edhe nga martirët e tjerë që qenë para tij. Ai dhe vëllai i tij janë zotërinjtë e të rinjve në Xhenet. Ata qenë rritur në kohën e krenarisë së Islamit dhe nuk patën përfituar nga shpërblimi i hixhretit, xhihadit dhe vuajtjet që hoqi familja e tyre, ndaj dhe Allahu u dhuroi atyre martirizimin për tua plotësuar shpërblimin dhe për tua ngritur gradat. Vdekja e tij qe një fatkeqësi e madhe, por Allahu i madhëruar na ka ligjëruar që në rast fatkeqësish të përkujtojmë Allahun, dhe këtë kur thotë:

Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë![5]

Por fatkeqësi vërtetë e madhe është kur shikon sesi grupe të mëdha njerëzish kudo që gjenden shia copëtohen me thika dhe shpata apo rrahin vetveten në përkujtim të kësaj dite! Dhe sikur të mos mjaftonte kjo ka edhe nga ata që nuk kursejnë as fëmijët e tyre foshnje pa i gjakosur! Dhe për çfarë? Për një krim që nuk e kanë bërë as ata dhe as baballarët e tyre! Po edhe nëse një pjesë e vogël e tyre rrjedhin vërtetë nga ata njerëz që qenë përgjegjës për vrasjen e Husejnit, ç’faj kanë pasardhësit e tyre?! A nuk ngjanë një veprim i tillë me doktrinën e krishterë të trashëgimit të mëkatit që nga Ademi e deri tek njeriu i fundit?! A e harruan këta njerëz që Allahu thotë: Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. [6] Realiteti tregon se po, dhe pikërisht kjo është fatkeqësia më madhe!

Këta njerëz e shohin historinë e Islamit vetëm si një mynxyrë, të mbushur me kremtime vdekjesh dhe fatkeqësish! A thua se ky umet nuk ka pasur preokupim tjetër vetëm se të dhunonte dhe tu bënte padrejtësi Ehli Bejtit! Këta njerëz të çuditshëm nuk paskan pritur tjetër vetëm sa të vdes Profeti për të marrë të drejtën i Kalifatit Aliut e për poshtëruar Fatimen, e për të vrarë Aliun, Hasanin dhe Husejnin…! Fe e mbushur me përkujtime vdekjesh dhe vizita varrezash që çuditërisht kanë sevapin e Haxhit! Njerëz që vetëm vajtojnë dhe çirren tek varri Husejnit, tek varri i Aliut, tek varri Fatimes tek varri Sadikut, tek varri Hatixhes në Mekë, tek varrezat e Bekies në Medine…etj. Kudo që gjenden varreza dhe në to ka njerëz të shenjtë për shiat do të gjesh dikë prej tyre që qan e vajton! Një fe e mbushur me zymtësi, ndaj dhe s’të habit fakti kur sheh se shumë prej tyre e kanë fytyrën të nxirë, fytyra që rrallë buzëqeshin, fytyra që pak ditë të gëzuara kanë parë nga kjo fe! Dhe nuk të habit fakti kur lexon nëpër librat e shiave për ditën kur do të shfaqet Mehdiu i tmerrshëm shiitë, i cili sipas tyre do të ndëshkojë edhe të vdekurit e para qindra viteve të cilët do të ringjallen para Ditës së Kiametit për t’iu marrë hakun e gjithë kësaj mynxyre imagjinare në të cilën jetojnë këta njerëz të lebetitur!

Imagjinoni një njeri të porsa futur në Islam sikur t’i thuhet se shiimzmi me gjithë këto broçkulla është Islami i vërtetë! Çfarë përshtypje do të krijonte ai për Islamin? Për atë Islam për të cilin ne mburremi se ka qenë feja më autentike dhe më e suksesshme, ndërsa për shiat jo! Nëse ka ditë të vitit nga e cila myslimanëve u vjen turp para botës është pikërisht dita e Ashures! Një ditë agjërimi dhe ibadeti dhe jo ditë feste siç mund të thotë ndonjëri, kthehet në një ditë të shëmtuar në një ditë çmendurie masive mes rafidhave! Allahu na ruajt nga mendtë e kokës!

Historia islame ka problemet e veta, ajo ka pas të përpjetat dhe tatëpjetat e saj, gjëra pozitive dhe negative si çdo histori e njerëzimit. Por megjithëkëtë ajo në përgjithësi ka qenë historia më e lavdishme e ndonjë populli, historia e njerëzve më të mirë të ardhur në këtë botë për ta nxjerrë atë nga errësirat në dritë. Kalifati në duart e umevijve ka pasur probleme të shumta, probleme të cilat më pas edhe u bënë shkak për rënien e tij. Por ashtu siç është krim të mbulosh fajet e tyre ashtu është edhe e padrejtë tu mohosh meritat. Një nga meritat e tyre qe se derisa qenë në pushtet tërë tokat e Islamit njihnin një Kalif të vetëm dhe një pushtet të vetëm, gjë që pas rënies së tyre kurrë më nuk u arrit! Ndoshta ndonjëri do të thotë sepse ata ishin më të dhunshëm! Paçka, edhe dhuna nëse ka për qëllim ruajtjen e bashkimit nuk është gjithmonë e keqe, por tejkalimi i saj. Por nuk qe vetëm kjo arsyeja por edhe të tjera që bën të ruhej ky unitet në kohën e tyre, dhe më nga thelbësoret qe fakti se shteti umevij qe shteti i Xhihadit shumë më tepër sesa ata që erdhën më pas, qe shtet i shpatës jo vetëm ndaj të mirëve por edhe ndaj bitatçinjve të të gjitha ngjyrave, shtet që nuk lejonte të lulëzonin heretizmat qofshin këta rafidha apo hauarixh, profetë dhe mehdij të rremë e heretikë të të gjitha ngjyrave. Kush nuk e njeh mirë historinë islame do të më kundërshtoj për këtë gjë! Edhe një meritë tjetër interesante e këtij shteti është se në kohën e tij për afro një shekull (nga v. 41- 139 h) nën sundimin e Islamit u futën territore të gjera dhe tepër të rëndësishme. Po ta krahasojmë këtë me kohën që sunduan abasinjtë (pesë shekuj) apo osmanët (gjashtë shekuj) dhe territoret që ata futën nën sundimin islam del se umevijtë qenë më të suksesshëm në përhapjen e Islamit, duke përjashtuar këtu periudhën profetike dhe atë të katër Kalifëve që padyshim në mënyrë absolute qe më e suksesshmja. E pra kjo meritë rrallë u njihet umevijëve dhe vetëm të këqijat u përmenden, dhe kjo është padrejtësi, e Allahu na mëson të themi të drejtën edhe përkundrejt atyre që nuk i duam.

Këtu më poshtë po paraqes një hartë të përhapjes së Islamit në periudha të ndryshme, ku ajo në jeshile të errët parqet periudhën e Profetit, ajo në ngjyrë ulliri periudhën e katër Kalifëve të drejtë, ajo pak më e hapur periudhën e umevijvë, ajo akoma më e hapur periudhën e abasinjve dhe ajo me të verdhë të osmanëve dhe të tjerë përveç tyre. Harta është marrë nga Atlas tarihul islami (Atlasi i historisë islame) fq. 30-31 harta nr.27 i autorit Dr. Husejn Muenes botim i parë 1987 Kajro.

Kush e vrau Husejnin radijallahu anhu?

Me pak fjalë dhe shkurt Husejnin e vranë ata që u bënë shkaku kryesor për vrasjen e tij dhe ata qenë pa më të voglin dyshim shiat e Kufes. Ata që pretendonin se e donin atë por që e lanë në baltë atëherë kur ai kishte më tepër nevojë, ashtu siç lanë në baltë të atin dhe vëllain e tij dhe ashtu siç do linin më pas edhe nipin e tij Zejdin!

Por për të mos qenë subjektiv në këtë vlerësim do tu citoj këtu vetëm disa tekste nga vetë librat shiitë që të bindeni për këtë që thashë.

Shumë njerëz të afërm dhe miq e këshilluan Husejnin që të mos u besonte letrave që i vinin nga Kufja ku i jepnin besën dhe tregonin besnikëri ndaj tij. Një nga këta qe edhe Muhamed ibn Hanefije, vëllai i tij nga babai kur i tha: O vëllai im! Ti e njeh pabesinë e banorëve të Kufes me babanë dhe vëllanë tënd. Kam frikë se do të gjendesh në njëjtën situatë sikur edhe ata që qenë para teje.[7]

Po kështu poeti i njohur arab El-ferzedek një nga miqtë e Husejnit, kur ai e pyeti për shiat e tij drejtë të cilëve ai po shkonte, El-ferzedeku i tha: Zemrat e tyre janë me ty ndërsa shpatat e tyre kundra teje, dhe çështja do të zbresë prej qiellit dhe Allahu bën çfarë të dojë. Dhe Husejni iu përgjigj: të vërtetën the, Allahut i përket çështja, Ai çdo ditë kryen çështje. Nëse vjen caktimi ashtu siç dëshirojmë do ta falënderojmë Allahun për mirësitë e Tij dhe vetëm Ai na vjen në ndihmë për ta falënderuar. Dhe nëse caktimi vjen ndryshe nga ç’shpresojmë; nuk qëndron larg ai njeri që e ka qëllimin të drejtë dhe devotshmërinë pjesë të tij.[8]

Po ashtu vetë Husejni, gjithmonë sipas librave shiitë tha: O Allah gjyko mes nesh dhe atyre që na ftuan për të na ndihmuar dhe pastaj na vranë![9]

Që ky nuk është vetëm konstatim i ynë këtu po citoj edhe disa shiiitë.

Husejn Korani thotë: Banorët e Kufes nuk u mjaftuan që u ndan nga Imam Husejni por si rezultat i ngjyrimeve të shumta që ata merrnin kaluan në një pozicion të tretë. Filluan duke shkuar për në Kerbela për të luftuar Imam Husejnin alejhi selam. Dhe atje në Kerbela garonin se kush e kush të bënte gjëra që i pëlqenin shejtanit dhe zemëronin Allahun. Për shembull Amr ibn El-haxhaxh që deri dje në Kufe ishte shfaqur si të qe mbrojtësi i nderit të ehli bejtit dhe luftëtar i tyre…i kapërdinë që të gjitha qëndrimet e tij të mëparshme për të arritur deri atje sa të akuzoj Imam Husejnin se ka dalë nga feja, vini re fjalët e tij kur u thotë shokëve të tij: vriteni atë që ka dalë nga feja dhe është ndarë nga xhemati…[10]

Po kështu ky shiitë po aty thotë: Ne do të gjejmë një tjetër qëndrim që tregon për nifakun e banorëve të Kufes. Abdullah ibn Hauzet et-temimi qëndron para imam Husejnit alejhi selam dhe bërtet: a është në mes jush Husejni? Edhe ky njeri qe nga banorët e Kufes, dhe deri dje qe nga shiat (pasuesit) e Aliut alejhi selam, dhe ndoshta ka qenë prej atyre që i patën shkruar imamit… dhe pastaj ai thotë atij: O Husejn të përgëzoj se do të shkosh në zjarr…! (fq.61)

Një tjetër shiitë, Kadhim El-ihsai en-nexhefi thotë: Ushtria e cila doli për të luftuar kundra imam Husejnit alejhi selam përbëhej nga treqind mijë vetë, që të gjithë prej banorëve të Kufes, në mes tyre nuk kish asnjë nga Shami, Hixhazi, India, Pakistani, Sudani, Egjipti apo Afrika, por që të gjithë qenë nga Kufja të mbledhur nga fise të ndryshme.[11]

Shikoni hiperbolat e shiave: treqind mijë veta për të luftuar një grusht njerëzish!

Një tjetër autor shiitë, një historian, Husejn ibn Ahmed el-beraki en-nexhefi thotë: El-kazuini ka thënë: një nga gjërat e urryera që bën banorët e Kufes qe edhe fakti se ata e goditën Hasanin të birin e Aliut alejhima selam dhe vranë Husejnin alejhi selam pasi e ftuan atë të vinte.[12]

Një tjetër shiitë, i konsideruar si dijetar i madh mes tyre me epitetin Ajetullah el-udhma Muhsin El-emin thotë: Më pas ia dhanë besën Husejnit njëzet mijë njerëz nga banorët e Irakut të cilët e tradhtuan. Ata dolën kundra tij ndërkohë që i kishin dhënë besën atij, dhe pastaj e vranë atë.[13]

Xheuad Muhadithi, një tjetër shiitë thotë: Të gjitha këto shkaqe e bën imam Aliun alejhi selam të vuante prej tyre. Po kështu edhe imam Hasani alejhi selam e provoi tradhtinë e tyre, mes tyre u vra pa të drejtë edhe Muslim Ibn Akil (djali vëllait të Aliut), u vra Husejni i etur për ujë në Kerbela, në afërsi të Kufes nga duart e ushtrisë së Kufes.[14]

Dijetarë shia si Ebu Mensur et-tabersi, Ibn Taus etj. transmetojnë nga Ali ibn Husejni, i biri Husejnit që mbeti gjallë, e që njihet ndryshe edhe si Zejnul Abidin (bukuria e adhuruesve) Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili duke folur për pasuesit e tij të cilët tradhtuan të atin derisa e vranë tha: O njerëz po ju pyes për hirë të Allahut, a nuk ishit ju ata që i shkruat babait tim dhe e mashtruat atë, i dhatë atij besën dhe fjalën dhe pastaj e braktisët dhe e vratë. Mjerë për ju për çka bëtë. Me çfarë sysh do ta shikoni të dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem kur t’iu thotë: ”keni vrarë familjen time dhe keni shkelur mbi nderin tim ndaj nuk jeni prej umetit tim.”

Nga çdo anë filluan të dëgjoheshin zërat e grave që qanin, dhe njeri- tjetrit i thoshin: u shkatërruat dhe nuk e kuptoni. Dhe Ali ibn Husejni u tha: Allahu e mëshiroftë atë që pranon këshillën time dhe e ruan porosinë time për Allahun të dërguarin e Tij dhe ehli bejtin, sepse ne tek Profeti kemi shembullin më të mirë. Dhe ata të gjithë njëzëri i thanë: ne që të gjithë do të dëgjojmë ty dhe do të bindemi, do ta ruajmë besën tënde pa u larguar prej teje, ndaj na urdhëro Allahu të mëshiroftë. Sepse ne do të jemi në luftë me atë që ti e lufton dhe në paqe me atë që ti bën paqe. Do ta ndëshkojmë Jezidin dhe do të distancohemi nga ata që të kanë bërë ty edhe neve padrejtësi. Por Aliu ibn Husejn u tha: Ah sa larg u çon mendja! O ju tradhtarë intrigantë, juve nuk u lenë pasionet tuaja! A mos dëshironi të ma bëni ashtu siç ja bëtë baballarëve të mijë para meje? Jo pasha Zotin, plaga akoma nuk është mbyllur, dje u vra im atë dhe familja e tij ishte me të…[15]

Po kështu në një transmetim tek shiat kur Ali ibn Husejn po kalonte nëpër Kufe dhe atë e kish drobitur sëmundja tha me zë të dobët: ata qajnë për ne, e kush na vrau tjetër veç tyre?[16]

Subhan Allah! Është për tu habitur sesi Allahu bën çudira edhe sot e kësaj dite me këta njerëz që pretendojnë se duan ehli bejtin dhe Husejnin dhe përsëri e ndjejnë veten fajtorë për vrasjen e tij! Skenat makabre që ata shfaqin në ditën e ashures është treguesi më i mirë se kush qenë shkaktarët e vrasjes së Husejnit! Le ta mbajnë mbi supe këtë faj meqë duan!

Përkujtimi i zisë për Husejnin është bidat

Që për sunnijtë është një bidat i shëmtuar është e tepërt të argumentohet. Por ajo që të bën përshtypje është se edhe këtë e pranojnë indirekt edhe mjaft dijetarë shiash kur thonë se një gjë e tillë nuk ka qenë bërë në kohën e sahabeve dhe as të imamëve. I vetmi ”justifikim” që ata japin është se ata nuk i bënin ato nga frika, pra silleshin me tekije!

Dhe mesa duket nga vetë librat shiite kuptohet që të tilla kremtime kanë filluar në shekullin e katërt të hixhretit në kohën e sundimit të Buejhijinëve shiitë, që kishin futur në dorë administratën abaside në Bagdad.[17] Sipas shumë prej tyre nëse shiat do të kishin qenë më të lirë siç janë sot do të kishin bërë edhe më tepër për të përkujtuar këtë ditë! Kuptohet kjo është përgjigjja e tyre kur nuk gjejnë sesi ta mbrojnë këtë bidat të shëmtuar që nuk e kanë praktikuar as imamët e tyre, e se gjoja ata do ta bënin një gjë të tillë po të qenë më të lirë! Medemek siç edhe e kemi cekur edhe më parë paskan qenë frikacak! Metodë tepër naive për të mbrojtur bidatin!

Ceremonia e shëmtuar mortore e Kerbelasë

Ditë përpara se të vijë dita e ashures në qytetin Nebtije të Libanit ngado vendosen flamuj të zinj. Ditën e ashures në mëngjes nga ora tetë (gjashtë me të Shqipërisë) fillon ceremonia me recitime e këndime deri nga ora nëntë e gjysmë. Pastaj zhvillohet skena teatrale e vrasjes së Husejnit! Çmenduri tjetër kjo! Më pas djem gjysmë lakuriq bredhin nëpër qytet duke rrahur veten me zinxhirë, shpata dhe thika! Të tilla skena gjakatare i sheh në Iran, Pakistan, Indi e tashti edhe në Irak.

Shiiti dr. Musa El-museui duke folur për kremtimet e kësaj dite në librin e tij Esh-shia ue et-tes’hih thotë: Nuk e dimë me saktësi se kur ka filluar të shfaqet rrahja me zinxhirë ditën e ashures që është përhapur në zona shiite si Irani, Iraku etj. Por pa dyshim që çarja e kokës me shpatë si zi për Husejnin në ditën e dhjetë të Muharremit ka depërtuar në Iran dhe Irak nga India në kohën e largimit të pushtimit anglez nga ai vend. Anglezët qenë ata që shfrytëzuan injorancën e shiave dhe naivitetin e tyre dhe dashurinë e zjarrtë për imam Husejnin dhe ua mësuan atyre tu bien kokës. Deri afër[18] ambasadat britanike në Teheran dhe Bagdad financonin kortezhin mortor për Husejnin, i cili shfaqej me atë pamje të shëmtuar nëpër rrugë dhe portikë. Qëllimi i politik i kolonializmit anglez që nxiste të tilla gjëra të shëmtuara qe që t’i jepte një justifikim të logjikshëm popullit anglez dhe gazetave të lira të cilat kundërshtonin kolonializmin e Indisë dhe tokave islame, kështu ata u jepnin atyre një pamje të egër të këtyre popujve të cilët kanë nevojë për vlera për t’i nxjerrë ata nga injoranca dhe egërsia. Pamjet e kortezhit që ecte nëpër rrugë ditën e ashures dhe që përbëhej nga mijëra vetë që rriheshin me zinxhirë dhe godisnin kokat e tyre me kamë dhe shpata përhapeshin nëpër gazetat angleze dhe evropiane. (fq. 134-135) Dr. Musa përmend edhe përpjekjet e shiave të moderuar për ta zhdukur këtë zakon duke e konsideruar atë haram, siç qe për shembull gjyshi i tij i cili në kohën e tij ishte kreu i shiave, por që mbas vdekjes së tij dhe mbas revolucionit të Iranit kjo ceremoni e shëmtuar filloi të riforcohej pasi qe zbehur së tepërmi. Ai vazhdon e thotë: dhe mbasi në Iran u shpall Republika Islamike dhe pushtetin e morën në dorë fakihët shiitë të cilët dhanë urdhra për të ringjallur këto vepra si pjesë e politikës medh’hebore. Republika e re islame filloi tu vijë në ndihmë grupeve shiite në të gjithë botën dhe t’i nxisë ata moralisht dhe materialisht për ta ringjallur këtë bidat të cilën e futi kolonializmi anglez në botën islame shiite që para dyqind vjetësh. Për ti nxirë faqen Islamit dhe myslimanëve dhe për të justifikuar kolonizimin e vendeve islame, siç e cekëm edhe më parë. Ndërkohë që unë shkruaj këto rreshta qytete të ndryshme në Iran, Pakistan, Indi dhe Liban, për fat të keq, janë dëshmitare në ditën e dhjetë të Muharremit të çdo viti të kortezheve që ecin nëpër rrugë ashtu siç ua përshkrova. Dhe pa mbaruar orët e asaj dite pamje nga ai barbarizëm njerëzor dhe çmenduri trishtuese shfaqet nëpër ekranet e televizioneve të botës në lindje dhe në perëndim për tu dhënë kështu forcë armiqve të Islamit dhe myslimanëve që u rrinë atyre në pritë. (fq.138)

Rafidhat janë pasqyrë e saktë e kohës së injorancës para islame

Një nga dijetarët e tyre të mëdhenj i mbiquajtur si Saduk ( i sinqerti), Muhamed ibn El-husejn El-kumi thotë: prej fjalëve të Profetit salallahu alejhi ue alihi të cilat nuk i ka thënë kush më parë është edhe: Kuja (vajtimi me të bërtitura dhe me të çjerra) është prej veprave të xhahilijetit.[19]

Po ashtu sipas librave shiitë vetë Aliu radijallahu anhu ka thënë: Tre gjëra janë prej veprave të injorancës nga e të cilat njerëzit nuk do të heqin dorë deri ditën e kiametit: të kërkuarit shi nga yjet, ofendimi në prejardhjen e tjetrit dhe kuja mbi të vdekurin.[20]

Po kështu Buhariu i shiave El-kulejni transmeton nga Xhafer Sadiku se ka thënë: Nuk shkon të lëshosh britma për të vdekurin dhe nuk duhet, por njerëzit nuk dinë.[21]

Po ashtu ai transmeton një thënie tjetër të Xhafer Sadikut: Nuk duhet të ulërish për të vdekurin dhe as të grisësh rrobat. [22]

Siç edhe shihet rafidhat ua kanë kaluar edhe kohës së injorancës para islame që nuk kursejnë jo më rrobat pa grisur por as trupin e tyre pa u çarë dhe gjakosur, zi që do ta quaja alla shiite super xhahilije!

Më kujtohet njëherë kur isha në Mekë gjatë kohës së Haxhit dhe bashkë me disa shokë po falnim sunetet e sabahut në xhaminë e Qabes kur papritur nga do filluan të dëgjoheshin fishkëllima dhe përplasje duarsh. Duke qenë në katin e tretë na u dha mundësia të shikonim sesi shiat e Iranit nga do që ishin nëpër xhami në mënyrë të organizuar ishin ata që e kryenin këtë veprim për afro dy minuta. Dukej sheshit që ishte diçka e organizuar dhe i shikoja shumë njerëz sesi ngelën të habitur nga kjo ngjarje e pazakontë. Ndërkohë mua mu kujtua ajeti kur Allahu përshkruan faljen e idhujtarëve në Qabe me këto fjalë: Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm me fërshëllima dhe rrahje duarsh.[23] Me dallimin e vetëm se këta xhahilat e sotëm atë e bënin për protestë ndaj mos plotësimit të një kërkese të tyre në Haxh nga shteti saudit! Sidoqoftë idhujtarët e kohës së injorancës duhet të krenohen që së paku edhe si veprim, paçka se me nijet tjetër, injorantët e kohës së sotme, me dije ose pa dije, e ringjallën qoftë edhe njëherë këtë veprim të fëlliqur xhahil, mbas katërmbëdhjetë shekujsh! Kush nuk më beson le të pyes haxhijtë e vitit 98 apo 99 (tani nuk më kujtohet fiks).

Hiperbolizimet shiite

Nuk desha të zgjatem më pasi tema ka shumë për të thënë, por desha të ndalem pak tek fakti që shiat për ta bërë sa më të madhe fatkeqësinë e kësaj dite kanë sajuar lloj-lloj përrallash dhe gënjeshtrash për të krijuar një skenë sa më të përgjakshme dhe të trishtuar me fëmijë që vriten, gra që përfundojnë si robëresha, njerëz të sëmurë që tërhiqen me zinxhirë, etje uri …etj. por në të njëjtën kohë shikon edhe fakte kontradiktore absurde sikur me një grusht njerëzish që çuditërisht vrasin me mijëra luftojnë kundra qindra mijëra vetëve! E plotë e përplot sajesa pa kurrfarë vërtetësie. Unë mendova të shkëpusë disa prej këtyre gjërave nga libri Masakra e Kerbelasë e përkthyer në shqip nga një shiitë i quajtur Vullnet Merja që para emrit të tij shkruan sheh, por që në fakt kush lexon përkthimet e tij e kupton që ka të bëjë me një njeri me dije të pakët.

Husejni shkon qëllimisht në Irak për tu vrarë!

1- Hysejni i tha atij: O Ibën Abas Profeti i Allahut më ka urdhëruar dhe unë do ta zbatoj atë. Ibën Abas tha: Për çfarë të ka urdhëruar gjyshi jot? Imam Hysejni tha: Gjyshi im (Profeti Muhamedi (sa)) e pashë në ëndërr dhe tha: O Hysejn shko në Irak se Allahu dëshiron të të shohë ty të vrarë. (fq. 12)!!!!!

Një ushtri prej dhjetëra mijëra vetësh kundra një grusht njerëzish!

2- Ibën Zijadi i formoi atij një batalion i përbërë prej katër mijë burrash. Në mëngjes ishte batalioni i Umer ibn Sa’d i pari batalion i cili marshoi në drejtim të Kerbelasë. Të gjithë batalionet shkonin njeri pas tjetrit derisa u grumbulluan në ditën e nëntë të Muharremit tridhjetë mijë apo pesëdhjetë mijë apo më shumë. (fq.13) !!!!!

Husejni i tregon shokëve të tij vendet në Xhenet dhe ata e shohin këtë me sy!

3- Të gjithë shokët folën ato që thanë dhe kur Hysejni e pa këtë gjë te ata i tha atyre: Nëse jeni të tillë atëherë ngrini kokat dhe shikoni vendet tuaja. Me urdhër të Allahut ata i panë vendet e tyre, huritë, kështjellat e tyre. (fq. 17)!!!!!!!!!!!

Subhan Allah! As Profeti (salallahu alejhi ue selem) që Allahu i ka pas dhënë mundësi të shikonte në Xhenet ua ka treguar me fjalë atë sahabeve dhe jo live! A thua Husejni (radijallahu anhu) dhe miqtë e tij qenë më të mirë se Profeti dhe sahabet e tij?! Për ne jo, për shiat ndoshta po!

Numri i vogël i ushtarëve të Husejnit

4- Husejni thërriti që ti sjellin kalin e Profet Muhamedit (sa) dhe përgatiti shokët e tij. Me të ishin tridhjetë e dy kalorësa dhe dyzet këmbësor thuhet më tepër se aq. (fq.20)

Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka vdekur në vitin e dhjetë (10 h.) të Hixhretit, ndërsa Husejni është vrarë në vitin 61 të hixhreti. Ç’moshë kishte kali i Profetit që vazhdonte akoma të kalëronte?!

Fuqia e habitshme e çdo njërit prej ushtarëve të Husejnit!

5- Çdo burrë prej shokëve të Hysejnit kur hynte në fushën e betejës vriste një numër të madh prej banorëve të Kufes derisa gjendja e armiqve u shtrëngua. (fq.27)

6- Një nga ushtarët e ushtrisë së Ibn Zijadit që më pas kaloi me Husejnin El-Hur tha: Unë jam Huru dhe ju gjuaj juve me shpatën time për hirë të famëlartit i cili erdhi në këtë tokë. Ju gjuaj juve dhe nuk i frikësohem vdekjes…

Ai sulmoi ato dhe vrau dyzet e tre burra. Ata vranë kalin e tij dhe ai i luftoi ata këmbësor pastaj armiqtë e tërbuar e vranë. (fq.29)

7- Mbas Hurit doli Burejr ibën Hudhejr El-Hamadani. Ai ishte prej besimtarëve të sinqertë të Allahut. Ai i sulmoi armiqtë dhe thonte: ”Afrohuni tek unë o vrasës të fëmijëve të Profetit të Allahut dhe pasardhësve të tij të mbetur.” Derisa vrau prej tyre tridhjetë burra. (fq.30)

8- Një tjetër person i quajtur Vahab ibën Abdullah El-kelbij: … Ai u kthye dhe vazhdoi të luftoi derisa vrau nëntëmbëdhjetë kalorsa dhe njëzet këmbësorë. (fq.33)

9- Një tjetër person Habib ibën Mudhahir: Ai vrau gjashtëdhjetë e dy kalorës pastaj e vranë. (fq.35)

10- Një tjetër person Zuhejr ibën El-kajn: Ai i dha lamtumirën Hysejnit dhe u kthye në fushën e betejës derisa vrau njëqind e njëzet burra pastaj u vra. (fq.35)

11- Një tjetër person Abas ibën Shebib El-Shakirij: Një transmetues hadithi thotë: pasha Allahun unë e pashë atë kur po luftonte me më shumë se dyqind burra derisa e rënduan plagët e shpateve të shigjetave të gurëve dhe e vranë. (fq.37)

12- Një tjetër person Xhoni Moula Ebi Dher El-Gafari: Ai vrau njëzet e pesë burra pastaj u vra. (fq.37)

13- Një tjetër Xhabir ibën Urretu El-Gafarij i cili ishte plak i moshuar. Ai mori pjesë sipas shiave në luftën e Bedrit: Ai doli në fushën e betejës dhe filloi të luftoi derisa vrau tetëdhjetë burra pastaj u vra. (fq. 39)

14- Ali El-Akbar biri i Hysejnit: Ai i sulmoi armiqtë dhe vrau shumë prej tyre derisa njerëzit u tmerruan prej shumicës së të vrarëve. Në një hadith thuhet se ai vrau njëqind e njëzet burra…. Ai u kthye në fushën e betejës duke thënë: Të vërtetat e luftës u dukën. Dhe mbas saj do të shfaqen vërtetësitë… ai luftoi derisa vrau dyqind burra. (fq.41, 42)

Pra gjithsej mbi treqind burra.

15- Kasim i biri Hasanit i cili ishte në moshë të vogël: Ai luftoi si trimat derisa vrau tridhjetë e pesë burra thuhet shtatëdhjetë kalorsa edhe pse ishte në moshë të vogël. (fq. 43)

16- Mbas Kasimit doli për luftim vëllai i tij Ahmedi i biri Hasanit i cili ishte në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ai luftoi si trimat derisa vrau tetëdhjetë burra… Ai u kthye te armiqtë dhe vrau prej tyre gjashtëdhjetë kalorsa derisa u vra. (fq. 44)

17- Dhe tani vetë Husejni (radijallahu anhu): Ata e sulmuan atë dhe ai u vërsul atyre si luan i inatosur, dhe çdo ushtar që i afrohej e godiste me shpatë dhe e vriste derisa vrau një numër të madh prej tyre. Në një thënie thuhet se ai vrau njëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë burra… Edhe meleqtë zbritën për ta ndihmuar Hysejnin por ai nuk i dha leje atyre. (fq. 51)

Subhan Allah! Nuk u dha leje engjëjve!

Duket qartë e tërë ngjarja po ta lexosh nga libra të tillë se është e sajuar. Foshnje që lihen pa ujë të vdesin! Fëmijë që u pritet koka… e të tjera skena makbre që për nga hollësia sesi përshkruhen të duket sikur po shikon film, dhe një film absurd ku këtej bëhet luftë dhe këtej kanë kohë të numërojnë edhe sa vrau filani apo të kenë kohë të varrosin një tjetër! Kuptohet që skena të tilla ekzagjerohen me hollësi për tu bërë sa më prekëse dhe për t’i dhënë ngjarjes një lloj shenjtërimi të paqenë.

Allahu na ruajt nga gënjeshtrat dhe gënjeshtarët!


[1] Ali imran:185.

[2] Zumer:30.

[3] Muslimi. Nr.532

[4] Ali Imran:144.

[5] Mexhmu El-fetaua 4/511.

[6] En-amë:164.

[7] Ashura e El-ihsait fq.115, El-mexhalis el-fakhire e Abdulhusejnit fq. 75, Munteha el-amal 1/454 etj.

[8] El-mexhalis el-fakhire e Abdulhusejnit fq. 79, Ala khuta el-husejn fq. 100, Mealim el-medresetejn 3/62 etj.

[9] Munteha el-amal 1/535.

[10] Fi rihabi kerbela fq.60-61.

[11] Ashura fq.89

[12] Tarihul kufe fq.113.

[13] Ajan esh-shia 1/26.

[14] Meusuatu ashura fq.59.

[15] Ibn Taus në librin El-melfuf fq.92, Abas El-kumi në Munteha el-amal 1/572 ..etj.

[16] El-ihtixhaxh 2/29.

[17] Shih Adab el-menabir fq.192.

[18] Autori e ka fjalën për para viteve tetëdhjetë kohë kur është botuar edhe libri për herë të parë (1987).

[19] Men la jahduruhu el-fekih 4/271-272.,Uesail esh-shia 2/ 915.

[20] Bihar el-enuar /101, Mustedrek el-usail 1/143-144, Xhamiu ehadith esh-shia 3/488.

[21] El-kafi 3/226.

[22] El-kafi 3/225.

[23] El-enfal:35.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:46 pm  Lini një Koment  

Dr. Jusuf El-kardaui tërheq vërejtje për depërtimin e shiave në Egjipt

Dr. Jusuf El-kardaui tërheq vërejtje për depërtimin e shiave në Egjipt

Burimi: Sipas stacionit televiziv Al-arabia.

Data 2/09/2006 e.s.- 9 shaban 1427 h.

Thirrësi islam shejh Jusuf El-kardaui ka paralajmëruar ndaj depërtimit të shiave në Egjipt, duke tërhequr vëmendjen se ata po përpiqen të përhapin medh’hebin e tyre në Egjipt, sepse Egjipti e do Ehli bejtin dhe në të gjendet mekami i Hysejnit dhe i zonjës Zejnebe. Dhe në të njëjtën kohë e cilësoi Hasan Nasurullahin, sekretarin e përgjithshëm të Hizbullahit si ‘fanatik’ i medh’hebit të tij, por megjithatë ai e lavdëroi atë duke e konsideruar si më të mirë se të tjerë që janë braktisës dhe pasivë.

Ai theksoi në takimin e tij të përvitshëm me gazetarët, i cili u organizua nga Salun Ihsan Abdul-kudus në mbrëmjen e së enjtes që shkoi, se shiat shfrytëzojnë urën e sufizmit për shiitizuar, dhe se ata kanë depërtuar në Egjipt në vitet e fundit nga ky krah, kjo sipas raportit të gazetës ‘el-mesrij el-jeum’ të shkruar nga kolegu Muhamed Abdul-khalik Musahil, ditën e shtunë 2-9-2006.

Dhe El-kardaui tha: ”Unë ftoj në afrimin mes medh’hebeve, dhe e mbështes Hizbullahin në rezistencën e tij, por nuk pranoj që ata të depërtojnë nëpër vendet tona, duke paralajmëruar në masakra që mund të shkaktohen ashtu siç ndodh në Irak mes Sunijve dhe Shiave, nëse në Egjipt ndodh një depërtim i madh i shiave, ndaj duhet të jemi zgjuar.”

Dhe shtoi: ”Hasan Nasrallah nuk dallon nga shiat fanatikë, ai është i kapur mbas shiizmit dhe parimeve të tij, dhe nuk mund ta mohojmë këtë, por ai është më i mirë se të tjerë pasivë (el-kaidin) dhe që të lënë në baltë (mutehadhilin).”

El-kardaui kritikoi ithtarët e mendimit fetar prej të cilëve jetojnë vetëm në kohën e shkuar dhe e izolojnë vetveten tek librat e verdhë dhe nuk shohin në të ardhmen, ata nuk e përfaqësojnë Islamin. El-kardaui theksoj se nuk mund të zbatohet sheriati islam vetëm se në klimën e lirisë, duke thënë: sigurimi i lirisë për mua është më parësore sesa sheriati, nuk duam që njerëzit t’i vëmë përpara me shkop, duam Islamin e rinovuar, dhe të bashkojmë në mes selefizmit (të parës) dhe reformimit.

El-kardaui përmendi takimin që ai ka pasur me zyrtarë të mëdhenj në Iran, duke treguar se ai ”kërkoi prej tyre domosdoshmërinë e ndaljes së të folurit se Kurani është i mangët se shumica e tyre besojnë se Kurani është fjala e Allahut por thonë ky nuk nuk është i gjithë Kurani dhe thonë se Mus’hafi i Fatimes ka qenë dyfishi i këtij Mus’hafi.”

Dhe tha: ”Kërkova prej tyre që të frenohen nga sharja e sahabeve, sepse ata afrohen tek Allahu duke i sharë dhe mallkuar ata dhe se nuk duhet që secili prej nesh të ftoj në medh’hebin e tij në vende plotësisht të medh’hebit tjetër dhe se afrimi nuk do të thotë që sunniu të bëhet shiitë, por të bashkëpunojmë në ato që biem dakord dhe të heshtim (jadhur –justifikojmë) njeri tjetrin në gjërat që kemi divergjenca.”

El-kardaui bëri thirrje që sunnijtë dhe shiat të jenë në një front të vetëm kundra armikut të tyre të përbashkët duke thënë: ”Pozicioni ynë është se ne nuk lejojmë depërtimin e medh’hebit shiitë mes nesh por përballja ndaj fuqisë kolonizatore është diçka tjetër.

Ai sulmoi ashpër fesadin duke theksuar se prapambetja, falsifikimi dhe grabitja e pasurisë publike është prej gjynaheve të mëdha….etj. (që nuk kanë lidhje me temën)

P.s.

Për hir të së vërtetës e përktheva ashtu siç ishte, dhe jo vetëm ato që më interesonin mua, të cilat edhe i nënvizova me të verdhë, kushdo mund ti kthehet tekstit arabisht për më tepër origjinalitet.

Mua më interesojnë për momentin faktet që ai cek dhe që shumë sunnij nuk janë të vetëdijshëm për to, dhe ja një njeri të cilin shumë e marrin për bazë tek thotë po të njëjtat gjëra që shumë vetë i kemi thënë në këtë listë:

1- dallimi mes nesh dhe shumë shiave për sa i përket besimit tek Kurani.

2- sharja dhe mallkimi i sahabeve është pjesë e fesë së shumë shiave.

Këta janë një pjesë e mirë e shiave me të cilët disa prej sunnijve duan të bëjnë paqe!

Jo të gjithë, por ja që ka të tillë! Edhe sot kësaj dite siç na e tregon këtë Dr. Kardaui.

Linku i lajmit ne arabisht

http://www.alarabiya.net/Articles/2006/09/02/27111.htm

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:32 pm  Lini një Koment  

Vrasja e Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidi

Vrasja e Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidi

Në radhë të parë u kërkoj të gjithë atyre që janë bezdisur nga këto diskutime të ma bëjnë hallall, por mendoj se po trajtoj disa tema që kanë interes, qoftë kjo edhe për një pjesë të vogël të myslimanëve.

Në listë trajtohen tema nga më të ndryshmet, çdo anëtarë mund të ketë preferencat dhe ato që i duken më parësore sipas tij, por meqë ky është një forum i hapur larmishmëria pa njëfarë koherence është e pashmangshme.

Historia Islame dhe shkenca e hadithit

Para se të trajtoj temën e titullit, e pashë të nevojshme të bëj një hyrje të domosdoshme për sa i përket vërtetësisë ose jo të ngjarjeve historike.

Duhet të dimë se ne si umet krahas mirësive të shumta që Allahu na ka dhuruar është edhe mirësia e autenticitetit apo e vërtetësisë historike të teksteve fetare mbi të cilat ne bazojmë fenë tonë, një domosdoshmëri kjo që asnjë umet më parë nuk e ka pasur dhe që vërtetë është për të na e pasur zili. Ruajtja dhe shkrimi i hadithit, njëri nga dy burimet e Uahjit të Allahut, nuk ka kaluar në të njëjtin proces ruajtje si edhe Kurani. Fakte të sakta na informojnë se shkrimi i hadithit ka filluar që në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe ka vazhduar edhe në kohën e sahabeve, por kjo e kufizuar dhe individuale për shkak të një ndalese kolektive që ka pas nga ana e Profetit si dhe një lejes për disa persona. Apo kufizim i përkohshëm për të mos u përzier me tekstin e Kuranit.., çështje kjo që shtjellohet më gjatë në librat që merren me këtë temë si për shembull ‘Takjid el-ilm’ i El-Hatib El-bagdatit (v. 463 h.).

Koha kur filloi mbledhja dhe shkrimi i hadithit nëpër vepra të veçanta në mënyrë masive dhe të organizuar (teduini zyrtar) i përket periudhës së sundimit të halifit umeuij Umer ibn Abdulaziz, pra periudhës së tabiinëve të vegjël si imam Zuhri (v.123 h.) e të tjerë.[1] Thashë masive dhe të organizuar për të mos lënë përshtypjen se fillimet e tij qenë në këtë kohë siç pretendojnë orientalistët jo objektiv. Në fakt ajo që desha të ndalem në këtë hyrje të shkurtër ka të bëjë me atë që dijetarët e Islamit të gjendur para një pune kolosale që i priste i vunë vetes disa përparësi. Dhe kjo është e natyrshme pasi të gjendesh para mijëra e mijëra transmetimesh nuk është e lehtë që të klasifikohen një numër kaq i madh kush janë autentiket dhe kush jo, shto këtu edhe vështirësinë që kërkonte kjo punë në atë kohë. Mirëpo kjo ishte një barrë që duhej të kryhej sa më shpejt dhe më mirë dhe para gjithë këtij mali të madh vënia e përparësive ishte diçka e natyrshme dhe e domosdoshme. Dhe kështu dijetarët u treguan së tepërmi rigoroz në çështjet thelbësore të fesë në ato gjëra për të cilat kishte nevojë bashkësia si për shembull në çështjet e hallallit dhe haramit dhe kështu që detyrimisht transmetimet historike ishin ato të cilat nuk përfshiheshin në këto përparësi. Në një situatë të tillë është e natyrshme që kjo detyrë e mbledhjes së historisë të nxjerrë në pah edhe njerëz më pak kompetentë që janë marr me këtë fushë të dijes duke transmetuar me kritere të dobëta apo edhe pa asnjë kriter lloj-lloj ngjarjesh dhe hollësish të pavërteta. Po ashtu edhe vetë dijetarë të mëdhenj si për shembull Ibn Xherir Et-tabari citojnë transmetime jo të sakta nëpër librat e tyre. Kjo për disa arsye:

1. Qëllimi i tyre ka qenë grumbullimi dhe jo përzgjedhja e cila kërkon kohë dhe mund dhe të privon nga shkrimi dhe grumbullimi i shpejtë i dijes. Mos harrojmë këtu që Buhariut iu deshën vite të tëra për të shkruar Sahihun e tij.

2. Transmetimet ata i paraqesin me zinxhir transmetimi, pra me atë që quhet sened apo isnad, kështu që ata që do të vinë më pas të kenë mundësi të bëjnë verifikimin e tyre, duke shkarkuar kështu një barrë nga vetvetja.

3. Paraqitja e transmetimeve historike qofshin këto të sakta ose jo në libra autoritativ ka rëndësi sepse u mbyll rrugën autorëve më të dobët apo edhe njerëzve që për qëllime të caktuara mund të bëjnë montime isnadesh për të nxjerrë të saktë ose të pasaktë gjëra që u përgjigjen qëllimeve të tyre. Ndaj dhe paraqitja e këtyre transmetimeve ashtu siç janë u mbyll rrugën këtyre njerëzve pasi menjëherë do të zbulohet se pikërisht filan transmetim që tek filan autor i besueshëm gjendet me këtë isnad tek një tjetër më pak ose aspak i besueshëm gjendet me isnad tjetër të papërputhshëm me të parin, kur dihet që isnadi është shtylla kryesore në verifikimin e kujtdo transmetimi.

4. Ngjarjet historike që nuk kanë të bëjnë me çështjet e besimit apo të sheriatit tolerohet me to pasi e rëndësishme prej tyre është të vilet urtësia e përgjithshme që përmbajnë, dhe jo hollësirat që shpesh humbasin saktësinë e tyre në të tilla transmetime.

Mirëpo duke qenë se në bazë të këtyre transmetimeve mund të ngrihen ide të gabuara për një çështje të caktuar, atëherë është e domosdoshme të vihet në funksionim shkenca e hadithit, peshorja më mirë që ka shpikur ndonjëherë njerëzimi për verifikimin e autenticitetit të historisë.

Dhe për ta mbyllur këtë hyrje, tepër të përmbledhur, do të citoj komentatorin dhe historianin e madh Et-tabari i cili në hyrje të librit të tij të historisë thotë:

Ato lajme që gjenden në këtë librin tim të cilat i kemi përmendur nga ata që qenë para nesh dhe në to ka gjëra që lexuesit i duken të papranueshme apo dëgjuesit i duken të shëmtuara, për shkak se ato nuk janë të sakta apo edhe janë të pakuptimta, le ta dijë se kjo nuk ka ardhur prej nesh por nga një pjesë e transmetuesve të cilët i kanë përcjellë ato deri tek ne. (v.1, fq.5)

Vrasja e Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidi

Muhsini thotë:

O vella Ismail lexo mire, pse mundohesh te perzish te vërtetën me te pavertet: jezidi nuk i pat urdhëruar ata që ta vrisnin Husjenin a.s?…

Përgjigje:

Nuk e di se cila është arsyeja që ju qenkeni njohës i të vërtetës dhe pranues i saj dhe unë ai që i përziekam të vërtetat me të pa vërtetat? Me çfarë peshoreje e mat këtë gjë? Nëse unë të citoj dijetarë se çfarë kanë thënë ata, që e njohin më mirë të vërtetën sesa unë edhe ti, ku qëndron manipulimi im këtu? Nëse unë të sjell fakte historike me referencat përkatëse për çështjen në fjalë dhe ju nuk sillni asgjë për këtë pikë por vetëm fillon të më numërosh të këqijat e Jezidit, atëherë kush ka të drejtë? Po, ke të drejtë nëse do të ma faktosh se unë po luaj me ju dhe po gënjej dhe të gjitha ato që thashë janë manipulime. Për shembull: ke cituar këtë kështu dhe në fakt është kështu, etj. Unë edhe sikur të luaj me ju këtu, ma ha mendja se ju nuk keni për të marrë vesh asgjë, sepse e pashë sesa të përgatitur jeni dhe sesa e njihni shiiizmin, por unë e di që jam para Allahut dhe do të jap llogari për çdo fjalë të timen. Dhe e di që të përziesh të vërtetën me të pavërtetën është krim, është haram, dhe kjo të çon në zjarr të Xhehenemit. Por ajo që më vjen vërtetë keq është se gjendem para disa njerëzve që nuk kanë dije për të mbrojtur atë që besojnë, çka tregon verbërinë e tyre, por sidoqoftë një verbëri më të vogël sesa ata që e dinë të vërtetën dhe mbyllin sytë para saj.

Tash do të jap disa prej citateve që mbështesin pohimin e Ibn Tejmijes se ai nuk urdhëroi për vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu):

Dhehebiu në Tarihul Islam (2/57) tregon: Kur Jezidi u vendos halife dhe iu dha besa ai i shkroi prijësit të Medines El-uelid ibn Utbe: Thirri njerëzit të japin besën dhe filloje këtë me elitën e kurejshëve. Le të jetë i pari ai me të cilin ti do të fillosh Husejni, dhe sillu butë me të.

Ibn Kethiri në El-bidaje ue en-nihaje thotë:Dhe Jezidi dërgoi urdhër që të shkarkohej En-nu’mani nga Kufja dhe atë ia ngarkoi Ubjedilah ibn Zijadit bashkë me Basrën, dhe kjo sipas këshillës së Serxhun-it ish skllavi i Jezdit, Jezidi konsultohej me të.

-Serxhuni i tha: A do t’ia pranoje Muaujies këshillën nëse ai do të ishte gjallë?

-Ai tha: po!

-Serxhuni i tha: pranoje prej meje pra, se për Kufen nuk vlen vetëm se Ubejdilah ibn Zijadi, ndaj emëroje atë atje.

Jezidi e urrente Ubejdilah ibn zijadin dhe donte ta shkarkonte edhe nga Basra, por ia ngarkoi edhe Basrën edhe Kufen, për tu bërë ajo që donte Allahu me të dhe të tjerët. Më pas Jezidi i shkroi Ibn Zijadit:

Kur të shkosh në Kufe; kërko Muslim ibn Akil dhe nëse mundesh vrite atë ose largoje. Dhe këtë letër ai e dërgoi me Muslim ibn Amr el-bahili dhe Ibn Zijadi shkoi nga Basra në Kufe… (8/145, bot i pestë 1998 Dar el-hadith Kajro)

Jezidi kish njohuri për lëvizjet e Husejnit radijallahu anhu, ndaj dhe kur Husejni vendosi të drejtohej drejt Kufes ai i shkruan Ibn Zijadit duke i thënë:

Më kanë ardhur lajme se Husejni është nisur për në Kufe. Koha jote është vënë në sprovë në mes kohëve, po kështu edhe vendi yt mes vendeve të tjerë dhe ti je vënë në sprovë mes valinjve. Në të tilla raste o do të lirohesh nga robëria ose do të kthehesh përsëri rob ashtu siç robërohen skllevërit.

Mexhmeu ez-zeuaid (9/193) i Hejthemit i cili thotë: transmetuesit janë të besueshëm porse Ed-dahaku (ai që tregon ngjarjen) nuk e ka arritur kohën e ngjarjes.

Ndërsa në një trasmetim tjetër tek Tarih Et-tabari (3/293) ai shton:

Vër njerëz që të gjurmojnë dhe patrulla të armatosura, zbuloji me hamendje gjërat dhe vepro kur dyshon. Por mos vrit vetëm atë që të lufton dhe më shkruaj për çfarë do gjëje që do të ndodh. Ues selamu alekje ue rahmetullah.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se në librin Tarih El-jakubi ky tekst shndërrohet në nxitje për vrasjen e Husejnit duke rënë në kundërshtim me transmetimin e mësipërm. Por autori nuk përmend asnjë zinxhir transmetimi, ashtu si gjatë gjithë librit të tij, çka e vë librin dhe faktin në fjalë në pozita të dobëta besueshmërie aq më tepër kur ai bie në kundërshtim me librat dhe transmetimet më autoritative se ai. E vërteta është se libri në fjalë dhe autori i tij nuk gëzojnë ndonjë respekt në qarqet shkencore islame përsa i përket vërtetësisë së tij, për vetë arsyen se ai nuk jep zinxhirët e transmetimit por është mjaftuar me përmendjen e vetëm disa prej atyre nga të cilët transmeton në fillim të librit pa e shtjelluar më tej. Padyshim që kjo përbën një mangësi të dorës së parë në metodologjinë e shkrimit të veprës. Dhe për rrjedhim vlerën e ulët të tij si libër.[2] Njëkohësisht autori në të gjithë librin e tij shfaq një shiizëm të tepruar dhe kjo duket gjatë gjithë librit të tij, për shembull kur flet për periudhën e tre Halifëve të drejtë thotë: Ditët e Ebu Bekrit, Ditët e Umerit, Ditët e Uthmanit, ndërsa kur përmend Aliun thotë: Hilafeti i prijësit të besimtarëve, hilafeti i Hasanit. Nga kjo kuptohet se ai nuk i njeh ata për Halifë të ligjshëm, siç bëjnë të gjithë rafidhat në fakt. Kush e lexon librin e tij e shikon qartë sesi i ekzalton imamët e shiave dhe i cenon sahabet dhe myslimanët e tjerë.[3] Me të tillë libra argumentohen shiat.[4]

Më pas Ibn Kethiri, për shembull, për faqe të tëra me radhë tregon rrjedhën e ngjarjeve dhe nuk përmend asnjë mesazh tjetër të Jezidit për Ibn Zijadin, ndërkohë që sipas asaj që u tha më lartë Ibn Zijadi duhet të informonte Jezidin, gjë që nuk e bëri dhe ndodhi ajo që tashmë dihet.

Në faqen 170 duke përmendur fjalët e një prej njerëzve të Husejnit (radijallahu anhu) Ibn kethiri thotë:

Nga njerëzit e Husejnit doli Zuhejr ibn El-kajn mbi kalë dhe tha: O banorë të Kufes, u paralajmëroj juve për ndëshkimin e Allahut! Është e drejta e një myslimani që të këshilloj vëllanë e tij myslimanë, dhe ne deri tani jemi vëllezër dhe në një fe të vetme dhe mes nesh dhe jush nuk ka hyrë shpata dhe po hyri shpata s’ka më paprekshmëri dhe ne atëherë do të jemi një umet dhe ju një umet tjetër. Allahu na ka sprovuar ne dhe ju me pasardhësit e Profetit të Tij që të na shoh sesi ne edhe ju do të veprojmë. Ne ju ftojmë ju që ta ndihmoni atë dhe ta braktisni tagutin të birin e tagutit, Ubejdullah ibn Zijadin. Sepse ju nuk keni parë nga sundimi i atyre të dyve vetëm se keq, ata ju nxirrnin sytë, ju prisnin duart dhe këmbët dhe ju copëtonin kufomat tuaja. Ata vrisnin më të mirët tuaj dhe lexuesit tuaj të Kuranit, siç qe Haxher ibn Adij dhe shokët e tij, Hani ibn Uruetu e të tjerë si ai.

Por ata e shanë atë dhe e lavdëruan ibn Zijadin dhe u lutën për të dhe i thanë: nuk kemi për tu larguar derisa të vrasim mikun tënd dhe ata që janë me të. Dhe ai u tha atyre: Fëmijët e Fatimes janë më parësor për tu dashur dhe për tu ardhur në ndihmë sesa të birit të Sumejes (ibn Zijadi). Nëse ju nuk u vini në ndihmë atyre ju kërkoj që për hir të Allahut mos ti vrisni ata. Lërini këtë burrë (Husejnin) të shkojë tek djali i xhaxhait të tij Jezid ibn Muauije, e të shkojmë ku të dojë ai, se pasha Zotin Jezidi është i kënaqur me bindjen tuaj pa e vrarë Husejnin. Por Shimr ibn El-xheushin e gjuajti me shigjetë dhe i tha: pusho … (fq.170)

E citova këtë për të treguar se edhe vetë mes radhëve të Husejnit (radijallahu anhu) ekzistonte një opinion i tillë, që ishte Ibn Zijadi ai që po kërkonte me çdo kusht që Husejni ose t’i bindej atij ose ta vriste dhe nuk qe Jezidi ai që e pat urdhëruar drejtpërdrejtë atë për vrasjen e Husejnit. Por me këtë nuk duam ta nxjerrim të larë Jezdin nga çdo gjë, pasi më e pakta gjë ai e emëroi një njeri të tillë gjakatar si Ibn Zijadi dhe mjafton vetëm kjo për të qenë edhe ai përgjegjës. Por ajo që unë desha të trajtoj këtu është pikërisht pohimi i Ibn Tejmijes dhe çudia e Muhsinit që Jezidi nuk paska urdhëruar për vrasjen e tij dhe jo se dua të shfajësojë Jezidin për gjithçka, meazallah, dhe ta nxjerrë atë njeri pa gjynahe, jo! Kush e ka lexuar materialin megjithëse ai nuk zgjatet në këtë pikë e shikon se edhe Jezidi atakohet aty. Por meqë u akuzuam pa të drejtë si njeri që mundohem të arsyetoj veprën e Jezidit, u detyrova ta bëj këtë sqarim!!

Por le të vazhdojmë. Ibn Kethiri thotë:

Ibn Hishami thotë: më ka treguar Abullah ibn ….nga El-gaz ibn Rebia el-xhershi të ketë thënë:

Pasha Allahun unë isha tek Jezid ibn Muauije në Damask kur erdhi Zuhr ibn Kajs dhe hyri tek Jezidi dhe Jezidi i tha: Mjerë ti, ç’sjell mbas vetes? Dhe ai i tha: të përgëzoj o prijësi i besimtarëve për begatinë e Allahut ndaj teje dhe fitoren e Tij. Tek ne erdhi Husejn ibn Alij ibn Ebu Talib dhe tetëmbëdhjetë veta nga familja e tij, si dhe gjashtëdhjetë veta nga pasuesit e tij. Ne shkuam drejt tyre dhe kërkuam që ata të dorëzohen dhe t’i nënshtrohen gjykimit të prijësit Ubejdilah ibn Zijad ose ndryshe luftë. Dhe ata zgjodhën luftën. Ne shkuam drejt tyre me lindjen e diellit dhe i rrethuam nga çdo anë derisa shpatat filluan të bëjnë punën e vetë në kokat e tyre… (përshkruan betejën).

Transmetuesi tha: Jezid ibn Muauijes i rrodhën lot nga sytë dhe tha: Isha i kënaqur të më bindeshit pa e vrarë Husejnin. Allahu e mallkoftë të birin e Sumejes (Ibn Zijadin). Pasha Allahun nëse unë do të kisha qenë në vend të tij do ta kisha falur, Allahu e mëshiroftë Husejnin. (fq. 180)

Po ashtu Ibn Kethiri përmend: Kur Jezidi u nda me ta i tha Ali ibn Husejnit: Allahu e shëmtoftë Ibn Sumejen. Pasha Allahun, nëse do të kisha qenë unë, çfarëdo që të më kërkonte babai yt unë do t’ia kisha pranuar, dhe do ta kisha shmangur vdekjen nga ai me ç’të kisha mundësi… (fq. 184)

Me këto që citova krijohet përshtypja si kur po e nxjerr Jezidin si njeri të mirë, por nuk është domosdoshmërish kështu. Unë përzgjodha disa fraza nga libri i Ibn Kethirit dhe disa trasmetime të tjera, thjesht për të treguar se vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu) e ka bërë Ibn Zijadi me kokë të tij dhe nga këto citime kjo duket qartë. Si dhe për tu treguar shiave anën tjetër të transmetimeve që ata të jenë më objektiv me historinë dhe mos të rendin mbas emocioneve por fakteve të sakta.

Ju mund të thoni se ai e dëshironte një gjë të tillë, kjo është diçka tjetër dhe ne nuk e dimë seç kishte në zemër ai por edhe nëse është kështu ne nuk kemi fakte të sakta të paktën të themi se ai urdhëroi drejtpërdrejt Ibn Zijadin për vrasjen e tij. Ajo që kuptohet është se ai nuk kishte dijeni për këtë vetëm se pas ngjarjes dhe Allahu e di më së miri.

Ibn Kethiri thotë: …Kur Ibn Zijadi e mësoi këtë se çfarë ata donin nga kjo dynja i kapi nga kjo anë dhe i detyroi me të mirë e me të keq, dhe ata u larguan nga Husejni dhe e braktisën atë dhe më pas e vranë. Dhe jo e gjithë ushtria ishte e kënaqur me vrasjen e tij, madje as Jezidi u kënaq me këtë dhe Allahu e di më së miri, dhe as e urreu këtë. Por ajo që më së shumti ma ha mëndja është se nëse ai do të kishte pas mundësi para se të vritej do ta kishte falur ashtu siç e pat porositur i ati për këtë gjë dhe siç e shprehu edhe vetë këtë për veten e tij. Ai e mallkoi ibn Zijadin për atë që bëri dhe e shau, mësa duket, por nuk e shkarkoi për këtë që bëri dhe as nuk e ndëshkoi dhe as nuk çoi ndonjë që ta kritikonte për këtë dhe Allahu e di më së miri. (fq. 191)

Muhsini thotë:

Egziston e Vërteta dhe gënjeshtra, mesi nuk egziston. Ose do te jesh me Imam Hyseinin a.s ose me jezidin,tjetër rruge apo përzierje nuk egziston.

Përgjigje:

Ekziston e vërteta ekziston edhe gënjeshtra dhe nuk ka mes…! Kush është e vërteta, e kush gënjeshtra dhe kush nuk na qenka mesi?

Transmetimet janë kontradiktore, shumë prej tyre nuk janë autentike, çfarë pozicioni duhet të mbajmë ne në një situatë të tillë? Të pozicionohemi në mënyrë arbitrare në njërin krah apo tjetrin?! Bota dhe historia nuk është vetëm bardhë e zi! Shumë fragmente të saj ngelen edhe sot e kësaj dite të paqarta, si për shembull rasti konkret: në urdhëroj Jezidi për vrasjen e Husejnit apo jo! Dhe a e donte vërtet diçka të tillë ai apo të gjitha ato që u thanë për të janë të pavërteta apo edhe hipokrizi?! Edhe vetë Ibn Kethiri i vënë në një pozitë të tillë thotë: Shiat dhe rafidhat kanë plotë gënjeshtra dhe të pavërteta sesi u vra Husejni, por ajo që kemi treguar mjafton. Disa prej atyre që kemi treguar janë të diskutueshme, dhe sikur të mos kish qenë Ibn Xheriri dhe Hafidha të tjerë që i kanë përmendur nuk do ti kisha cituar. Shumica e tyre janë transmetuar nga Ebu Muhanef Lut ibn Jahja, i cili ka qenë shiitë, dhe i dobët në hadith sipas dijetarëve, por ai qe një lajm-transmetues (ihbarijun) hafiz dhe ka kësi lloj gjërash që nuk i gjen tek të tjerët, ndaj dhe i drejtohen shumë prej libra-shkruesve në këtë çështje dhe Allahu e di më së miri. (8/191)

Ibn Haxher pohon: Autorë të hershëm kanë shkruar rreth vrasjes së Husejnit dhe kanë mbledhur në to të sakta dhe të pasakta. (El-isabe: 2/81)

Që urdhri i Jezidi për vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu) është diçka e pa vërtetuar e mbështesin edhe dijetarë të tjerë veç Ibn Tejmijes dhe Ibn Kethirit.

Ibn Salahu (v.643h.) thotë: Për ne nuk rezulton e saktë se ai (Jezidi) pat urdhëruar për vrasjen e tij-pra të Husejnit radijallahu anhu-, por ajo që është e saktë është fakti se ai që urdhëroi për ta luftuar dhe vrarë atë qe Ubejdilah ibn Zijadi, valiu i Irakut në atë kohë.[5]

Gazaliu (v.504 h.) thotë: Nëse thuhet: a lejohet të mallkohet Jezidi sepse ai ka vrarë Husejnin apo ka urdhëruar për vrasjen e tij? Themi se një gjë e tillë nuk rezulton e vërtetë. Ndaj nuk lejohet që të thuhet se ai e ka vrarë atë apo ka urdhëruar për vrasjen e tij, përderisa nuk rezulton e vërtetë, e jo më të mallkohet. Sepse nuk lejohet që myslimanit t’i përshkruhet një gjynah i madh pa e verifikuar atë.[6]

Ndërsa Ibn Tejmije thotë: Jezid ibn Muauije nuk urdhëroi për vrasjen e Husejnit, dhe kjo sipas të gjithë transmetuesve. Por ai i shkroi Ibn Zijadit që ta ndalonte atë nga vilajeti i Irakut. Kur Jezidi mori vesh për vrasjen e Husejnit ai tregoi dhimbje, dhe vajtimi u shfaq në shtëpinë e tij. Ai nuk skllavëroi ndonjë prej femrave të familjes së tij por i nderoi ato dhe i pajisi me dhurata dhe i ktheu për vendin e tyre. Ndërsa përsa i përket transmetimeve, në librat e shiave, se gratë e familjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) u poshtëruan dhe u dërguan në Sham si skllave dhe atje u poshtëruan; kjo nuk është e vërtetë. Beni Umeje e respektonin familjen e Beni Hashimit, ndaj dhe kur Haxhaxh ibn Jusuf u martua me Fatimen të bijën e Abdullah ibn Xhafer, Abdulmelik ibn Meruan refuzoi dhe e urdhëroi Haxhaxhin që ta divorconte atë, …asnjëherë ndonjë hashimite nuk është marrë skllave.[7]

Ndërsa Ebu Abullah Edh-dhehebi, një historian bashkëkohorë ky në materialin e tij: Istishhad EL-husejn radijallahu anhu thotë: Nuk ke për të gjetur rast të ngjashëm në histori ku si historianët ashtu edhe njerëzit të kenë kaq shumë mospërputhje si në rastin e vrasjes së Husejnit radijallahu anhu dhe faktet që paraqiten për të. Duke filluar që nga shkaqet e para deri tek mashtrimi dhe tradhtia e beduinëve. Një vështrim historik i mprehtë dhe larg ekseseve apo skajshmërive na bën që të gjendemi në mëdyshje të madhe. Sepse çdo grup ka mendimin e tij dhe argumentet e tij. Ne nuk na mbetet vetëm se të lutemi për ta dhe t’i kërkojmë Allahut të na fal si ne edhe ata. Unë kam bindjen se çështja e konfliktit mes Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidit, duhet të mos diskutohet, sepse kjo është më mirë sesa të flasim për gjëra që nuk i dimë. Fjala më e zgjedhur në këtë rast është se Husejni ka shkuar tek Zoti i tij si martir dhe luftëtar (muxhahid). Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe i dhëntë atij kënaqësi, dhe na bashkoftë me njerëzit e mirë në shtëpinë e përjetësisë.

Ndërsa rreth kësaj përleshje të përgjakshme dhe të dhimbshme mes Husejnit dhe Jezidit po them: Allahu ka për t’i ndarë gjërat mes tyre Ditën e Kiametit. Unë me gjithë studimet, opinionet dhe referencat që kam nuk guxoj të them tjetër gjë veç kësaj: Allahu na faltë ne dhe ata. (fq.9)

Disa faqe më pas ai pohon: Kjo është e vërteta e dhimbshme, burimi dhe degëzimi i saj, dhe mjafton. Kjo është çështja e Jezidit dhe vrasjes së Husejnit, o të përmendet e gjitha me çdo imtësi ose të mbyllet dhe të mos hapet. Ama të fragmentarizohet dhe stenografohet[8] me këtë pamje siç qarkullon nëpër gojët e njerëzve – vrasja e Husejnit- kjo është falsifikim dhe mashtrim. (fq.13)

Besoj se këto janë fjalët më të mira për ta mbyllur këtë pikë.

Pozicioni i sunnijve ndaj Jezidit

Edhe më parë është cekur diçka shkurtimisht nga Ibn Tejmije dhe këtu do të ndalemi pak më gjatë. Nuk kisha ndërmend ti hyja këtij sqarimi pasi ka shumë gjëra më të rëndësishme por ja që një akuzë me dy fjalë të detyron ndonjëherë! Por le të sqarohen të paktën sunnijtë sepse gjithë këtë material më tepër për ta po e shkruaj. Pasi i kam parë reagimet (heshtjen) e shiave për gjëra shumë të rëndësishme që atakonin doktrinën e tyre dhe nuk morën vesh as me fakte dhe as me gjë tjetër dhe jo më të marrin të njëjtin pozicion si sunijtë për Jezidin, gjë që as nuk e mendoj. Por ja që objektiviteti më detyron ti them gjërat ashtu siç janë, pavarësisht se për shiat kjo është shumë pak dhe duan të jemi ose të bardhë ose të zinj, ose me Husejnin-radijallahu anhu- ose me Jezidin! Por edhe kur deklarohemi me Husejnin, u dashka që ta shajmë dhe mallkojmë dhe ta nxjerrim edhe prej feje Jezidin dhe të atin e tij se ndryshe jemi të përhirtë! A thua se Jezidi dhe i ati i tij paskan qenë vetë Ebu Xhelhi dhe Ebu Lehebi, që kush nuk pozicionohet diametralisht 100% kundra tyre dhe ndoshta edhe dyshon në kufrin e tyre qenka si ata dhe kundra Husejnit!!! Allahu na ruajt nga logjika bushiste ”o me ne o kundra nesh”! Sikur bëhet fjalë këtu për kufr apo për iman që u dashkemi të zgjedhim mes tyre!

Dhe tani do tu citoj Dhehebiun nga libri i tij Sijer Alam En-nubela (vol.4) se çka thotë për Jezidin.

Dhehebiu thotë: Ai mes të metave të tij ka pas edhe një të mirë. Dhe ajo qe lufta e Kostandinopojës ku ai qe prijës në atë ushtri, mes të cilës kishte njerëz si Ebu Ejub El-ensarij. (fq.36)

Jezidin as nuk e shajmë dhe as nuk e duam. Njerëz si ai ka pas mes halifëve në të dyja shtetet, por edhe mes mbretërve të tjerë. Madje mes tyre do të gjesh edhe më të këqij se ai. Por çështja e tij qe e madhe sepse ai mori pushtetin vetëm dyzetë e nëntë vjet pas Profetit (salallahu alejhi ue selem), pra qe afër dhe kishte akoma sahabe, siç qe Ibn Umeri që ishte më parësor se ai, i ati dhe gjyshi i tij. (fq.36)

Dhehebiu thotë gjithashtu: Ishte i fuqishëm, guximtarë, i vendosur, kishte mendjemprehtësi, orator, bënte edhe poezi. Ishte nasibi, i ashpër, brutal dhe i vrazhdë. Pinte pije dehëse dhe bënte të këqia. (fq.37)

E inauguroi shtetin e tij me vrasjen e shehid Husejnit dhe e mbylli atë me ngjarjen e Harres (në Medine të cilën e përmendi edhe Muhsini), ndaj dhe njerëzit e urryen. Nuk pati bereqet në jetën e tij. Pas Husejnit kundra tij dolën edhe të tjerë. (fq.38)

Interesant është fakti se Dhehebiu jep edhe një transmetim për punën e të pirit nga ana e Jezidit, ku thotë: Nga Sakhr ibn Xhuejrije nga Naf’i i cili tha: Abdullah ibn M’ëtij dhe shokët e tij shkuan tek Ibn Hanefije (djali Aliut) dhe ju vardisën që të dilte kundra Jezidit por ai nuk pranoi.

-Atëherë Ibn M’ëtij i tha: ai pi verë dhe lë namazin dhe anashkalon gjykimin e Kuranit.

-Ai tha: Nuk e kam parë një gjë të tillë prej tij. Unë kam qëndruar tek ai dhe e kam parë të rregullt në namaz, përpiqej për mirë dhe pyeste për normat e fikhut.

-Dhe ai i tha: ka qenë shtirur.

-Muhamed ibn Hanefije i tha: E çfarë frike kishte ai nga unë apo shpresonte prej meje që të sillej para meje me devocion? A mos jua ka treguar juve këtë gjë që thoni, që të pinte verë? Nëse ai e ka bërë këtë kjo do të thotë se ju keni qenë ortak me të! Nëse nuk ua ka treguar këtë gjë, atëherë juve nuk ju lejohet të dëshmoi për diçka që nuk e dini.[9]

Ibn Kethiri për të thotë: Jezidi kishte edhe cilësi të mira si bujarinë, vetëpërmbajtjen, oratorinë, ishte poet, guximtarë, e kontrollonte mirë pushtetin, ishte i pashëm dhe sillej mirë. Por ishte edhe dhënë mbas epsheve, linte namazin ndonjëherë apo shpeshherë.[10]

Subhan Allah! A nuk e shikoni në të gjitha këto citime sunnite sesa të paanshëm janë dijetarët sunnij! Tregojnë të mirat dhe të këqijat dhe mbajnë të mesmen dhe drejtësinë, karakteristikë kjo e sunnijve! Shumë prej nesh që i thonë vetes sunnij kanë seç të mësojnë nga kjo metodologji (menhexh) dijetarësh!

Studiues të sotëm janë të mendimit se edhe këto cilësi të këqija që përmenden për të nëpër librat e historisë janë stisur nga njerëz që urrenin shtetin e Beni Umejes, pasi të gjitha transmetimet janë shumë të dyshueshme në autenticitetin e tyre ato transmetohen nga njerëz të dobët dhe shpesh edhe me zinxhir të shkëputur transmetimi.[11]

Ibn Tejmije thotë: Jezidi nuk ishte nga ata që shfaqnin gjynahet haptazi siç tregojnë për të kundërshtarët e tij.[12] Allahu e di më së miri!

Muhsini thotë:

ne vitin 63 H mbyti edhe 10 000 banore te Medines ne mesin e te cilëve 1700 qytetare autoritativ*( shih S.Buhari libri 7 shqip faqe172.

Përgjigje:

Në Sahih Buhari nuk përmendet gjë sesa janë vrarë atë ditë, ajo ngjarje përmendet aty vetëm shkarazi. Vetëm nëse e kanë shkruar këtë gjë në komentin që i kanë bërë shqip!

Transmetimet rreth të vrarëve në këtë ngjarje janë kontradiktore dhe shumë prej tyre joautentike të cilat shkojnë nga treqind[13] deri në dhjetë mijë.[14]

Ibn Tejmije e mohon këtë shifër duke thënë: Dhe as nuk vrau të gjithë fisnikët, e as nuk shkoi numri i të vrarëve në dhjetëmijë vetë, apo arriti gjaku deri tek varri i Profetit…[15]

Allahu mustean! Por edhe treqind shumë është. Allahu na ruajt nga fitnet!

Por pavarësisht nga e vërteta për këtë ngjarje, ajo ishte një ndodhi e dhimbshme për të cilën Jezidi ishte plotësisht përgjegjës. Banorët e Medines ngritën krye kundra Jezidit dhe ai dërgoi ushtrinë për të shtypur revoltën e tyre, shtypje e cila i kaloi kufijtë.

Nuk kam ndonjë simpati për Jezidin, por e vërteta është më e shtrenjtë se Jezidi dhe kushdo tjetër. Po të kisha simpati do të sillja të gjitha argumentet që kanë përmendur për ta mbrojtur atë dhe pasaktësinë e akuzave, por nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Unë dua tu tregoj sesi shiat janë të predispozuar të besojnë çdo gjë që thuhet për ata që i urrejnë, pa marrë parasysh sesa të vërteta janë ato ose jo.

Ndërsa për ta mbyllur edhe këtë pikë po citoj Ibn Salahun që thotë:

Njerëzit ndaj Jezidit janë ndarë në tre grupe: një grup e do dhe e nderon, një tjetër e shajnë dhe e mallkojnë ndërsa të tjerët janë të mesëm as nuk e duan dhe as nuk e mallkojnë. Me të sillen si me të gjithë mbretërit myslimanë dhe halifët jo të drejtë. Dhe ky grup i fundit është ai që ka të drejtë, mendim ky që është më i përshtatshmi për atë që e njeh historinë në lidhje me ata që qenë para nesh, si dhe njeh rregullat e fesë.[16]

Për një moment po e pranojmë se gjithçka për të cilën akuzohet Jezidi është e vërtetë, kjo aspak nuk e saktëson medh’hebin e shiave dhe as nuk e zhvlerëson atë të ehli sunnetit!

Unë e di se pas këtij materiali kur ta lexojnë shiat e listës do të tërbohen dhe mund të më konsiderojnë edhe mua si pasues i Jezidit dhe Beni umejes dhe mund të më mallkojnë ashtu siç mallkojnë ata! E tillë është feja e tyre ndërmjet dashurisë ekstreme e shoqëruar me shirk dhe urrejtjes ekstreme e shoqëruar me mallkime dhe sharje, mallkime me të cilat ata adhurojnë Allahun duke i përdorur në lutjet e tyre!

Që të dal para Allahut duke thënë të vërtetën është më e dashur për mua sesa ta dijë sikur edhe gjithë rafidhat e botës të më mallkojnë! Thuaj: “Plasni me mllefin tuaj”. Vërtet, Allahu e di mirë ç’kanë në gjokset e tyre.[17]

Allahut i përket dija absolute për gjithçka, dhe na faltë për ndonjë gabim të paqëllimshëm. Amin!

Për Muauijen , Allahu e mëshiroftë, sahabin dhe kunatin e Profetit salallahu alejhi ue selem do të shkruaj në një material tjetër. Ku do të tregoj inshallah, shpifjet dhe gënjeshtrat që janë thënë për të.


[1]Shih Sahih El-buhari kapitulli i dijes, Sunen e Ed-darimij (1/104), Xhamiul bejan el-ilm ue fadlihi (1/76) etj. Po ashtu për tu zgjeruar më tepër mund të lexoni librin Buhuth fi tarih es-sune el-musherfe i dr. Ekrem El-umerij, ‘Teduin es-sune en-nebeuije’ të dr. Muhamed Matar Ez-zahrani..etj.

[2] E njëjti vlerësim vlen edhe për librin Muruxh edh-dheheb, i El-mesudi-it të cilin Muhsini bashkë me Tarih el-jakubi i është referuar kur ka folur për Jezidin se pinte verë dhe luante me qenë dhe majmunë!

[3] Për më tepër shih librin Ether et-tesheju ala er-riuajat et-tarihije, e dr. Adulaziz Muhamed Nur Ueli fq. 231-243.

[4] Interesant është fakti se edhe Muruxh Edh-dheheb, që i është referuar libri nga e ka marrë Muhsini ka të njëjtat karakteristika si kur Tarihul Jakubi, madje më keq akoma. Shih për këtë Ether et-tesheju ala er-riuajat et-tarihije, e dr. Adulaziz Muhamed Nur Ueli fq.243-261.

[5] Fetaua ue mesail Ibn es-salah 1/216.

[6] Ihja ulum ed-din 3/134 (libri Ringjallja e dijeve të fesë)

[7] Minhaxhu es-sune 4/557.

[8] Copëtohet dhe shkruhet me shkurtime historia dhe të mos të tregohet e gjitha duke lënë mënjanë aspekte të rëndësishme. (sh.p)

[9] Tarihul islam ngjarjet e v.61-80, po ashtu Bidaje ue nihaje 9/236 me zinxhir të mirë transmetimi.

[10] El-bidaje ue nihaje 8/218.

[11] Shih për shembull: Meuakif el-muaradha fi hilafetu Jezid, e Muhamed ibn Rezan esh-Shejbani, dhe Hel jexhuz lanu Jezid, e Saud Ez-zemanan.

[12] El-uesijetu el-kubra fq.24.

[13] Tarih halifetu 1/192.

[14] Bidaje ue nihaje 8/209

[15] Minhaxhu Es-suneh 4/576.

[16] Fetaua ibn Es-salah 1/216. po ashtu shih edhe Fetaua lexhneh ed-daime nr.1466 (3/285).

[17] Shprehja e më sipërme është shkëputur nga ajeti si përshtatje letrare (iktibas) dhe jo si ajet.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:27 pm  Lini një Koment  

DOBITË E TË BESUARIT NË KADER

DOBITË E TË BESUARIT NË KADER

Para se të përmendnim dobitë që ka një besimtarë nga të besuarit në kader, duhet të theksojmë se Islami, ndaj përcaktimit të fatit të njeriut; mban një qëndrim të mesëm. Qëndrim i cili nuk bie në fatalizëm, ku për çdo gjë, të mirë apo të keqe që i ndodh njeriut në jetë, bëhet përgjegjës vetëm kaderi dhe njeriu nuk është i përgjegjshëm për asgjë, por as dhe në ekstremin tjetër i cili mohon para dijen e Allahut dhe përcaktimin e Tij, për gjithçka që ndodh në të tashmen dhe të ardhmen. Natyra Kaderit, që ne besojmë sipas mësimeve të Islamit, përbëhet nga rruga e mesme ndërmjet këtyre dy skajeve, dhe është një e fshehtë e Allahut thelbin e së cilës Ai e ka mbajtur të fshehtë ndaj njerëzve.

* Të besosh tek Kaderi do thotë të plotësosh besimin se Allahu ka nën kontrollin dhe zotërimin e Tij gjithçka. Kaderi i Zotit është pjesë e veprimeve të Tij, ndaj dhe besimi në të prek këtë aspekt të Imanit.

* Të besosh tek Kaderi do të thotë që njeriu në çdo çështje t’i kthehet Zotit të tij. Duke ditur dhe besuar se çdo gjë që ndodh në jetë e mirë apo e keqe është në dorë të Allahut, atëherë patjetër njeriu duhet t’i drejtohet Atij që ka në dorë lumturinë dhe hidhërimin e tij, që t’i largojë atij vuajtjet dhe t’i japë atij kënaqësinë, e cila është dhuratë nga mirësitë e panumërta të Allahut.

* Duke besuar në Kader njeriu njeh pozitën dhe vlerën e vetes së tij, ndaj nuk krenohet kur ai bën diçka të mirë.

* Kur njeriut i ndodh një fatkeqësi ai është në gjendje ta mund dhimbjen dhe t’i lehtësojë pasojat e saj, sepse ai e di që ajo vjen prej Allahut. Zoti i madhëruar thotë në Kuran:

مَا أَصَابَ مِنْ مُصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ وَمَنْ يُؤْمِنْ بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ وَاللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ))

”Asnjë fatkeqësi nuk ndodh pa lejen e All-llahut dhe kush i beson Allahut, Ai do ta udhëzojë zemrën e tij, Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.” (sure Tegabun: 11)

Alkalme, një komentator i hershëm i Kuranit, duke komentuar këtë ajet thotë: ky ajet flet për atë njeri të cilit kur bie një fatkeqësi, e di se ajo vjen prej Allahut, ndaj dhe ndjehet i kënaqur me caktimin e Zotit dhe ia dorëzon çështjen Atij. Profeti i Islamit e ka shprehur mjaft bukur këtë aspekt: ”Puna e besimtarit të habit, gjithçka për të është e mirë, dhe kjo nuk i takon vetëm se besimtarit; nëse atij i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon dhe kjo është diçka e mirë për të, e nëse atë e zë ndonjë fatkeqësi ai duron dhe kjo është diçka e mirë për të”[1]

* Besimi në Kader të shtyn të njohësh dhe të falënderosh Atë që me të vërtetë ishte burimi i mirësisë. Nëse nuk beson në Kader ti do t’ia dish për nder vetëm atij që u përcaktua si shkak për këtë gjë. Ndaj s’të çudit fakti tek sheh shumë njerëz që u servilosen pushtetarëve apo edhe të tjerëve, kur përfitojnë atë që duan, dhe harrojnë ta falënderojnë Allahun. S’ka dyshim se njeriu duhet t’i falënderojë njerëzit, siç thotë edhe Profeti (alehji salatu ue selam): ”Kush ju bën ndonjë të mirë; kompensojeni atë.”[2] Por nuk duhet harruar asnjëherë se burimi i çdo të mire vjen nga Allahu dhe se është Ai që e bëri shkak këtë njeri për të dhuruar ty këtë të mirë.

* Nëpërmjet besimit në Kader njeriu njeh urtësinë e Allahut të lartësuar; duke parë se çfarë transformimesh kolosale ndodhin në këtë gjithësi, që nga atomi e deri tek galaktikat super gjigante, çdo gjë ndodh me përcaktimin dhe gjykimin e urtë të Allahut. Kushdo që nuk e mbart me vete këtë besim nuk do të mund ta shohë siç duhet kurrë urtësinë e kësaj gjëje.

* Besimi në Kader e shpëton njeriun nga shirku. Shumë filozofë mendonin se vetëm e mira vinte prej Zoti, ndërsa e keqja shkaktohej nga perënditë e vogla që ishin nën të! E gjithë kjo doktrinë e Perëndisë së të mirës e të dritës dhe perëndive të së keqes e të errësirës, nuk është veçse një doktrinë e prapambetur pagane e cila synon të mos bëjë përgjegjës, sipas tyre, Allahun Zotin e madhërishëm për fatkeqësitë që ndodhin! Dhe kështu për zoroastrianët kishte dy krijues: Drita e cila krijonte të mirën dhe Errësira që krijonte të keqen! Në një pozitë të tillë kanë rënë edhe sekte islame të cilat mohojnë se Allahu është Ai i cili krijon veprimet e njerëzve, dhe kështu pa e kuptuar sajuan një krijues të dytë veç Allahut! Besimi në njësimin e Allahut nuk mund të plotësohet nëse nuk pranohet se vetëm Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, dhe se vullneti i Tij zbatohet tek të gjithë krijesat e Tij. Të gjithë ata që mohojnë Kaderin, nuk e njësojnë Zotin e tyre dhe nuk e njohin Atë ashtu siç duhet. Besimi në Kader është udhëkryqi ku ndahet rruga e Teuhidit me atë të Shirkut. Besimtari që beson në Kader e pranon se kjo gjithësi dhe çka në të është vepër e një Zoti, e një të adhuruari, e një hyji, e ai i cili nuk e ka këtë besim patjetër që do të bjeri në shirk.

* Besimi në Kader të jep kurajë dhe të bën të guximshëm, të bën të mos trembesh nga vështirësitë. A nuk e keni lexuar nëpër histori sesi besimtarët nuk stepeshin nëpër luftëra, sepse ata e ndjenin në çdo moment se jeta dhe vdekja është në dorë të Zotit. A nuk keni parë sesi ai që beson në Kader nuk trembet të thotë të vërtetën edhe para tiranëve sepse jetën, rrizkun dhe të ardhmen e tij e ka në dorë vetëm Allahu. Ndaj besimi në Kader nuk është një thirrje për në plogështi dhe pesimizëm por një nxitje për të luftuar, e përpjekur në çdo moment të jetës drejt së mirës. Ata që nuk ndihen të tillë nuk e kanë kuptuar Kaderin siç duhet.

وَقُلِ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ وَسَتُرَدُّونَ إِلَى عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ

Dhe thuaju: “Punoni! Allahu do t’i shohë punët tuaja, edhe i Dërguari i Tij, edhe besimtarët. Dhe ju do të silleni përsëri tek i Gjithëdituri i së fshehtës dhe i së hapurës, kur Ai do t’ju njohë ju me punët që keni bërë.” (Teube:105)

Literatura e shfrytëzuar:

-Sahihul Muslim

-Sherh El-akidetu El-uasitije, Muhamed ibn Salih el-uthejmin.

-El-kada uel kader, Umer Sulejman el-eshkar.


[1] Trs. Muslimi.

[2] Trs. Ebu Daudi 1672, Nesaiu etj.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:02 pm  Lini një Koment  

Cilët janë ata që i përkasin Ehli Sunneh uel Xhemah dhe cilët jo

Cilët janë ata që i përkasin Ehli Sunneh uel Xhemah dhe cilët jo

Shejhul-islam Ahmed Ibn Tejmije u pyet rreth hadithit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) që thotë: “Do të përçahet umeti im në shtatëdhjetë e tre grupe.” Cilat janë këto grupe dhe çfarë besimi ka çdo njëri prej këtyre grupeve?

Ai u përgjigj: Elhamdulilah. Ky hadith është sahih (autentik) dhe mjaft i njohur nëpër librat e hadithit, siç janë Suneni i Ebu Daudit, Timidhiut, Ibn Maxhës etj. Teksti i tij është ky: “Çifutët u përçanë në shtatëdhjetë e një grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës. Të krishterët u përçanë në shtatëdhjetë e dy grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës. Ky umet do të përçahet në shtatëdhjetë e tre grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “në shtatëdhjetë e tre fe (sekte)”. Në një nga transmetimet thuhet se sahabet i thanë: O i Dërguari i Allahut! Cili është grupi i shpëtuar? Ai tha: “Çdo kush që është me atë të cilën jam unë sot dhe sahabet e mi.” Në një transmetim tjetër thuhet se ai tha: “Ai është xhemati, dora e Allahut qëndron mbi xhematin.”

Për këtë arsye thuhet se pse grupi i shpëtuar është Ehli Sunneh uel Xhemah, që edhe janë pjesa më e madhe e (Umetit) dhe bashkësia më e shumtë. Ndërsa grupet e tjera janë ata të paktit e të veçuarit, ata që përçahen mes vetes, bidatçinjtë dhe ata që shkojnë mbas tekave dhe dëshirave të tyre. Asnjë prej këtyre grupeve nuk arrin t’i afrohet masës së grupit të shpëtuar, e jo më të barazohet me të. Madje mund të ketë prej këtyre grupeve të tilla që janë tepër të vogla në numër. Veçantia që i bashkon të gjitha këto grupe është: Largimi nga Kurani, Sunneti dhe Ixhmai. Cilido që vepron sipas Kuranit, Sunnetit dhe Ixhmait i përket grupit të Ehli Sunneh uel Xhemah. Përsa i përket përcaktimit se cilat janë këto grupe, njerëzit kanë shkruar shumë vepra rreth tyre dhe i kanë përmendur ato në librat ku flasin për sektet, por të thuhet prerazi se ky grup i cilësuar është një prej shtatëdhjetë e dy grupeve, patjetër që duhet argument për këtë gjë. Allahu e ka bërë haram në përgjithësi të folurit pa dije, po ashtu edhe e ka bërë në veçanti haram, të folurit pa dije ndaj çështjeve që i përkasin Atij. I lartësuari thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (Araf:33) “O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini.” (Bekare:168-169) “Mos paso atë për çka nuk e di!” (Isra:36) Ajo që dua të them gjithashtu është edhe fakti se shumë prej njerëzve flasin për këto grupe me hamendje dhe sipas dëshirave të tyre. Grupin e tij dhe ata që e pasojnë këtë grup i konsideron si të vetmit ata që i përkasin Ehli Sunneh uel Xhemah, ndërsa grupet e tjera që nuk pajtojnë me të janë bidatçinj! Pa dyshim që kjo është një humbje e qartë. Pasuesit e së vërtetës dhe të Sunnetit nuk pasojnë tjetër kë veç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), që nuk fliste nga mendja e tij, por vetëm me shpalljen që i zbriste. Vetëm Profeti (salallahu alejhi ue selem) është ai njeri që i duhet besuar për çdo gjë që informon dhe i duhet bindur për çdo gjë që urdhëron. Një pozitë e tillë nuk i takon asnjë imami, përveç Profetit (salallahu alejhi ue selem). Çdo njeriu i merret dhe i lihet fjala përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Cilido që e konsideron një njeri tjetër përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) se ai që e do atë dhe pajton me të është prej Ehli Sunneh uel Xhemah dhe ndërsa ata që nuk pajtojnë me të janë bidatçinj e u përkasin grupeve të humbura, -siç edhe ka njerëz të tillë ndërmjet pasuesve të imamëve të fesë-, pa dyshim që një njeri i tillë edhe vetë i përket bitaçinjve dhe grupeve të humbura. Nga kjo që u tha bëhet e qartë se njerëzit të cilët e meritojnë më tepër se kushdo tjetër që t’i përkasin grupit të shpëtuar; janë pasuesit e Hadithit dhe të Sunnetit, ata që nuk pasojnë asnjë njeri tjetër me fanatizëm përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Ata janë njerëzit të cilët më mirë se kushdo tjetër njohin thëniet dhe veprimet e Profetit, ata që më tepër se kushdo tjetër bëjnë dallimin ndërmjet haditheve të vërteta dhe atyre jo të tilla. Imamët e këtyre njerëzve janë ata të që i kuptojnë më së miri hadithet dhe njohin kuptimet e tyre dhe i pasojnë ato, duke i besuar, punuar çka thuhet në to, duke i dashur dhe miqësuar me të gjithë ata që miqësohen me to dhe armiqësuar me të gjithë ata që armiqësohen me to. Ata i ballafaqojnë të gjitha besimet e thëniet me Kuranin dhe Sunnetin dhe nuk e konsiderojnë diçka prej bazave të fesë apo prej saj nëse ato nuk kanë ardhur me të vërtetë nga shpallja me të cilën u dërgua Profeti. Çdo gjë e cila i është shpallur Profetit në Kuran apo Sunnet përbën bazën të cilën e besojnë dhe mbështeten në të. Për sa i përket çështjeve të cilat njerëzit nuk kanë rënë dakord, siç janë emrat dhe cilësitë e Allahut, kaderi, kërcënimi me zjarr, urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja e të tjera të ngjashme me këto, Ehli Sunneh i ballafaqon ato para Allahut (librit të Tij) dhe të dërguarit të Tij (haditheve të Profetit) dhe i komenton fjalët e paqarta për të cilat nuk kanë rënë dakord grupet e përçara, sipas Kuranit dhe Sunnetit. Nëse kuptimet që përmbajnë këto fjalë pajtojnë me Kuranin dhe Sunnetin i pranojnë ato e ndërsa ato që nuk pajtojnë i hedhin poshtë. Ehli Sunneh nuk shkojnë pas hamendjeve dhe çka u pëlqen atyre, sepse të shkosh pas hamendjeve është injorancë dhe të ndjekësh dëshirat pa pasur udhëzim prej Allahut është padrejtësi. E keqja në vetvete bashkon: injorancën dhe padrejtësinë, e Allahu i madhëruar thotë: “kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie). Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab:72-73) Allahu këtu përmend faljen sepse Ai e di që çdo njeri patjetër do të ketë tek ai injorancë dhe padrejtësi, e më pas Allahu falë atë që do. Një njeriu besimtar vazhdimisht do t’i bëhet e qartë ajo e vërtetë për të cilën ai ishte injorant ashtu siç edhe do të largohet nga ato punë për të cilat kishte vepruar në mënyrë të padrejtë. Padrejtësia më e afërt që ai bën është ajo ndaj vetes së tij, siç thotë i Lartësuari: “Allahu është mbrojtës i atyre, të cilët besojnë dhe ata i nxjerr nga terri në dritë” (bekare:257) “Ai është i cili robit të vet i shpall argumente të qarta për t’iu nxjerrë juve nga terri në dritë.” (hadid:9) “Elif Lam Ra. Librin ta kemi shpallur që me lejen e Zotit të tyre t’i nxjerrësh njerëzit nga terri në dritë” (Ibrahim:1)

Një gjë që duhet të dihet është edhe fakti se njerëzit të cilët pasojnë grupet e ndryshme në besim, nuk janë në të njëjtën gradë. Ka prej tyre të atillë që kanë rënë në kundërshtim me Sunnetin në baza themelore të fesë, e ndërsa të tjerë në çështje mjaft të imta. Çdokush që iu është kundërvënë grupeve të tjera që janë shumë më larg Sunnetit sesa grupi i tij, ai për këtë është i lavdëruar për të vërtetën që ka thënë dhe për të pavërtetën që ka kundërshtuar, por ai e ka kaluar kufirin e drejtësisë gjatë kundërpërgjigjes së tij duke mohuar një pjesë të së vërtetës dhe duke pranuar një pjesë të së pavërtetës. Dhe kështu që ai i është kundërvënë një bidati të madh me një bidat më të vogël se i pari, të pavërtetës me një të pavërtetë më të pakët se e para. Në realitet kjo është gjendja e shumicës së teologëve kelamist që e identifikojnë veten si pasues të Ehli Sunneh uel Xhemah. Njerëz të tillë nëse të tilla bidate nuk i përdorin si arsye për tu ndarë nga xhemati i myslimanëve, e nuk miqësohen dhe armiqësohen me njerëzit për shkak të këtyre risive, atëherë të tilla risi konsiderohen si gabime, e Allahu i madhëruar ua falë të tilla gabime besimtarëve. Në të tilla pozicione kanë rënë mjaft nga Imamët dhe të parët e këtij umeti. Ata kanë thënie të cilat i kanë nxjerrë në bazë të ixhtihadit, ndërsa në realitet këto thënie bien në kundërshtim me atë çka thuhet në Kuran dhe në Sunnetin autentik. Këta njerëz dallojnë nga ata të cilët miqësohen me ata të cilët pajtojnë me ta dhe armiqësohen me ata të cilët nuk pajtojnë me ta, përçajnë xhematin e myslimanëve, dhe i nxjerrin prej fesë apo i bëjnë fasika (të prishur) ata me të cilët nuk pajtojnë me ta në mendime dhe ixhtihade e këtë nuk e bëjnë me ata që pajtojnë me ta, e lejojnë luftën ndaj atij me të cilin nuk pajtojnë dhe nuk e lejojnë ndaj atij me të cilin pajtojnë, pa dyshim që njerëz të tillë u përkasin ithtarëve të përçarjes dhe grupeve të humbura. (marrë nga mexhmua fetaua v.3 f.345-348)

Përktheu: J.Topulli

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 10:54 pm  Lini një Koment  

Cilët janë Al Muhamed dhe Ehli bejti i tij

Bismilahi rrahmani rrahim

Cilët janë Al Muhamed dhe Ehli bejti i tij

Nga ana gjuhësore fjala Al

El-xheuheri (v.293 h), një gjuhëtar i madh arab, thotë: Al-i i personit janë familja e personit dhe fëmijët e tij, po ashtu Al janë edhe pasuesit e tij.[1]

Ibn Mendhur, autori i fjalorit më të mirë në gjuhën arabe, thotë: Al-i i njeriut janë familja e tij, Al-i i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij janë miqtë e tij.[2]

Po ashtu autorët e fjalorit Mu’xhem el-uesit thonë: Al-i i personit janë familja e tij dhe fëmijët e tij, dhe pasuesit dhe ndihmuesit e tij.[3]

Ndërsa Er-ragib El-isfahani thotë: Al rrjedh nga fjala Ehl…përdoret veçanërisht për ata që janë të veçantë për njeriun, qoftë kjo për shkak të afërsisë familjare apo miqësisë së ngushtë (mualatë miqësi që ka ardhur nga skllavëria e më parshme apo arsye tjetër). Allahu thotë: familjen (al) e Ibrahimit dhe familjen (al) e Imranit[4] dhe thotë: “Ithtarët (al) e faraonit futni në dënimin më të rëndë!”[5] dhe thuhet se Al i Profetit (salallahu alejhi ue selem) janë të afërmit e tij, dhe thuhet ata të veçantët e tij nga ana e dijes, kjo sepse njerëzit e kapur me fe janë dy llojesh: një lloj i cili është i përgatitur mjaft mirë me dije dhe me vepra, për ta thuhet: Al-i i Profetit dhe umeti i tij. Dhe lloji tjetër e kanë dijen në formë imitimi dhe thuhet për ta: umeti i Muhamedit dhe nuk thuhet Al-i i tij. Pra çdo të gjithë Al-i i Profetit janë umeti i tij por jo i gjithë umeti është Al-i i tij. Xhafer Es-sadikut, rahimehullah, i thanë[6]: njerëzit thonë: myslimanët që të gjithë janë Al-i i Profetit (salallahu alejhi ue selem)? Dhe ai tha: edhe kanë gënjyer edhe kanë thënë të vërtetën. Dhe e pyetën: ç’kuptim ka kjo? Ai tha: kanë gënjyer se gjithë umeti është Al-i i tij dhe kanë thënë të vërtetën nëse ata veprojnë me shtyllat e sheriatit të tij janë Al-i i tij.[7]

Pra nga ana gjuhësore tek Al Muhamed futen edhe shokët e tij.

Nga ana gjuhësore fjala Ehl bejt

Së pari me ehl nënkuptohet veçanërisht gruaja dhe argument për këtë është ajeti: Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen (ehl) e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes (ehl) së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr[8]

Sheh Ihsan ilahi shahir thotë: Qëllimi me familjen e Musait këtu është gruaja e tij, siç kanë rënë dakord për këtë edhe komentatorët shia, që të gjithë pasi me Musain nuk ka pas tjetër veç gruas së tij. Kështu ka thënë Et-tabersi në komentin e sures En-neml tek ajeti: dhe kur Musai i tha familjes së tij: pra gruaja e tij dhe qe bija e Shuajibit.[9] Po kështi e ka komentuar edhe El-kumi në tefsirin e tij[10]. Po kështu edhe El-arus el-huejzi në tefsirin e tij ‘Nuru eth-thekaljeni’[11] gjithashtu edhe El-kashani në tefsirin e tij ‘Menhexhul sadikin’[12] etj.[13]

Fjala Elhi bejt në Kuran është përmendur dy herë: një herë në suren Hud ajeti 73 kur flet për Ibrahimin, aljehi selam, dhe herën e dytë kur flet për gratë e Profetit në suren El-ahzab. Duke qenë se shiat abuzojnë me këtë ajet duke e shkëputur nga konteksi dhe për caktuar vetëm ata që duan ata më duhet t’i tregojë të gjitha ajetet para dhe mbrapa që të kuptohet se për kë bëhet fjalë në veçanti në ajet. Thotë i madhëruari:

33:28. O ti Pejgamber, thuaju grave tuaja: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës.

33:29. E në qoftë se e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.

33:30. O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për All-llahun është shumë lehtë.

33:31. E kush prej jush i përvishet adhurimit të All-llahut dhe respektimit të të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, asaj do t’i japim shpërblimin e dyfishtë dhe për të kemi përgatitur furnizim të këndshëm.

33:32. O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.

33:33. Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.

33:34. E, përkujtojeni atë nga ajetet e All-llahut dhe rregullat e fesë që po u lexohen në shtëpitë tuaja; vërtet, All-llahu është i kujdesshëm dhe i njohur hollësisht për çdo gjë.

Tani a ka njeri që se kupton se për kë bëhet fjalë këtu në veçanti?! Ajetet flasin për gratë e Profetit si para edhe mbrapa dhe është absurde që ato të përjashtohen nga Ehli Bejti!

Sheukani në tefsirin e tij thotë: Ibn Abasi, Ikrima, Ataja, El-kelbij, Mukatili dhe Seid ibn Xhubejri thonë se Ehli bejti i përmendur në ajet janë gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në veçanti, dhe thanë: qëllimi me shtëpinë është shtëpia e Profetit dhe banesat e grave të tij sepse Allahu thotë: po u lexohen në shtëpitë tuaja, po ashtu edhe konteksti është për gratë…[14]

Gjithashtu çka e përforcon këtë është hadithi i transmetuar nga Buhari e të tjerë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur u shpif për Aishen (radijallahu anha) tha: “Kush do të më mbështesë mua për të ndëshkuar atë njeri i cili më ka lënduar rëndë duke shpifur për familjen time (ehli bejti)?[15] Hadithet në këtë temë janë të shumta, çka bëhet e qartë se qëllimi është në veçanti për gratë e Profetit.

Ibn Kethiri duke komentuar këtë ajet thotë: ky ajet është tekst se gratë e Profetit futen tek Ehli bejti, sepse ato janë shkaku i zbritjes së këtij ajeti dhe shkaku i zbritjes hyn në ajet, pa diskutim, qoftë i vetëm apo edhe dikë tjetër, çka është edhe më e saktë.[16]

Por tek Ehli bejti në një kuptim më të përgjithshëm hynë edhe fëmijët e tij, xhaxhallarët dhe bijtë e tyre, siç është rasti kur Profeti i futi nën xhyben e tij Fatimen, Aliun, Hasanin dhe Hysejnin, që edhe ata t’i përfshij ajeti i mësipërm. Në transmetimin e hadithit tek Tirmidhiu (3205) rreth kësaj ngjarje e cila ndodhi në shtëpinë e Umi Selemes kur ajo pa Profetin veprimin që bëri mbasi këndoi ajetin në fjalë dhe fjalët që tha: O Allah këta janë familja ime (ehli bejti) largoji ndotësinë e mëkateve dhe pastroji ata. Dhe umi Seleme tha: po unë jam me ta o i dërguari i Allahut? Dhe ai i tha: Ti je (apo rri) në vendin tënd, ti je në hajër. [17] e cili mund të jetë ky hajër veç qenie së saj pjesëtare e Ehli bejtit!

Një shiit thotë: Salavaten mund ta beshe edhe pa i permend ashabet, kurse salavaten nuk mund ta besh pa e permend Ehlibeitin.

Po është e vërtetë se salavatet mund t’i bësh edhe pa përmendur sahabet, madje dhe pa përmendur Ehli bejtin. Pasi Allahu kur na urdhëron në Kuran për të rënë në salavat thotë: Eshtë e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.[18] E pra këtu nuk përmendet askush veç Pofetit!

Nëse argumentoheni me hadithin e salavatit ibrahimije, besoj u bë e qartë se Al- janë edhe gratë e tij, por edhe në mos e pranofshi këtë atëherë unë po ju përmend një hadith tjetër të saktë që e transmeton Buhari (3369), Muslimi (407), Nesaiu (1294) etj ku thuhet: O Allah! Bekoje Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç e ke bekuar Familjen e Ibrahimit..

Ky është një argument më tepër se ehli bejti apo Al-i i tij janë edhe gratë e tij, doni apo s’doni ju shiat.

Kush janë Ehli bejti sipas fesë (jo sipas shiave)

Dijetarët (sunnijtë) janë ndarë në katër mendime për këtë gjë.

Mendimi i parë: Al-i i Profetit janë ata të cilët u është bërë haram marrja e sadakasë. Të këtij mendimi janë: Ebu Hanifja,[19] Shafiu,[20] Ahmedi,[21]dhe disa malikij[22].

Mendimi i dytë: ata janë pasardhësit dhe gratë e tij. I këtij mendimi është Ibn Abdulberi,[23]Ibn El-arabi,[24] Ibn Tejmije,[25] si dhe një transmetim nga Ahmedi.[26]

Mendimi i tretë: se Al-i i tij janë pasuesit e tij deri në Ditën e Kiametit. Këtë mendim e transmeton Bejhekiu nga Xhabir ibn Abdilah,[27] po ashtu edhe nga Sufjan Eth-theurij.[28] Të këtij mendimi janë edhe shafiinjtë (jo vetë Shafiu) si El-ezheri,[29] po ashtu Es-sifarini,[30] dhe Neveviu në komentin e tij të Muslimit,[31] El-merdaui,[32] etj.

Mendimi i katërt: Al-i i tij janë të devotshmit e umetit të tij. Të këtij mendimi janë El-kadi Husejn,[33] Er-ragib,[34] etj.[35]

Dhe secili nga grupet ka paraqitur argumentet e tij, nëse do t’i përmendim do të zgjatesha, dhe koha për momentin nuk më premton.

Ndërsa për shiat (rafidhat) janë vetëm Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni (radijallahu anhum)! Mirëpo më e çuditshmja është se ata nuk i fusin vajzat e Fatimes dhe Aliut! Nuk fusin as fëmijët e tjerë të Aliut, qofshin djem këta apo vajza! Dhe jo vetëm kaq por edhe tre vajzat e tjera të Profetit! A vend ku të rri kjo?

Ju takon juve të gjykoni!

Dhe ai për të cilin Allahu nuk ka caktuar dritë, për të nuk ka aspak dritë.


[1] Es-sihah 4/1672

[2] Lisan El-arab 11/31 madetu ehl

[3] Muxhem El-uesit madetu al fq.33 bot.1989.

[4] Sure Ali-imran:33

[5] Sure El-gafir:46

[6] Këtë transmetim Er-ragibi e ka përmendur pa sened dhe pa referencë nga e ka marrë!

[7] Muxhem mufredat elfadh el-kuran, fq 37 bot 1997. darul kutub el-ilimje

[8] Sure El-kasas: 29.

[9] Tefsir Mexhmea el-bejan vol.4 fq.211

[10] Vol. 2 fq. 139 bot Nexhef 1386 h.

[11] Vol. 4 fq. 126 bot. Kum.

[12] Vol.7 fq.95, sure El-kasas.

[13] Esh-shia ue ehlil bejt. Fq. 18

[14] Fethul Kadir sure El-ahzab.

[15] Buhariu 2637.

[16] Sure El-ahzab ajeti 33. vol. 3. fq. 637 me Hyreje të Abdulkader Arnautit.

[17] Hadithi është sahih. Shih sahih Tirmidhi i Albanit.

[18] Sure El-azab:56

[19]Sherh fehul kadir li ibn Humam (2/274), Umdetul karij (7/339)

[20] El-mexhmua i Neveviut (3/466), Fethul Bari (11/160)

[21] Mexhmua fataua ibn tejmeje (22/460) dhe xhelau el-efham ibn kajim (109)

[22] Munteka sherhuj mueta lil baxhi (2/153)

[23] Temhidi (17/302-303)

[24] Ahkam el-kuran (3/623)

[25] Mexhmua fataua ibn tejmeje (22/461)

[26] El-insaf lil merdaui (2/79)

[27] Sunen el-kubra (2/151-152)

[28] Sunen el-kubra (2/151-152)

[29] El-mexhmua neveviut (7/466)

[30] Leuamia el-enuar (1/50)

[31] Sherhu sahih muslim (4/368)

[32] El-insaf lil merdaui (2/79)

[33] El-mufredat

[34] E kemi përmendur më parë

[35] Shih El-mexhmua neveviut (7/466) etj.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 10:46 pm  Lini një Koment  

Gabimet në materialin: Ajeti i Pastrimit dhe Ehl ul-Bejti

Bismilahi Rrahmani Rrahiim

Gabimet në materialin: Ajeti i Pastrimit dhe Ehl ul-Bejti

Materiali është i mbushur plot gafa dhe gabime, dhe ajo çka të bie në sy më tepër është njëanësia e theksuar në shqyrtimin e argumenteve, pa marrë parasysh këtu në janë të sakta apo jo, gjë që përbën një problem tjetër më vete. Nëse do t’i përgjigjeshim të gjitha gabimeve të këtij materiali pesë faqesh, një libër i tërë do të dilte. Mirëpo nuk më premton koha dhe nervat të merrem me gjithçka të vogël dhe të madhe, ndaj do të kufizohem kryesisht në pikat më kryesore dhe që janë të argumentuara, pasi hedhja poshtë e tyre është rrëzimi thelbit të materialit, ndërsa pjesët e tjera janë më tepër gjëra anësore plotësuese. Megjithatë unë do të përmend në pika të shkurtra disa vërejtje të përgjithshme si për shembull:

a-njëanshmëri në përzgjedhjen e haditheve.

b- mos përmendja në të shumtën e rasteve e saktësisë ose jo të hadithit.

c- mbledhja e argumenteve nga ku të mundet, nga burime dytësore dhe tretësore.

d- përmendja e një grupi të madh referencash për të njëjtin transmetim, çka nuk i shton fortësinë atij pasi të gjitha kanë të njëjtin burim, ose kthehen tek një pikë e përbashkët e zinxhirit të transmetimit.

e- përmendja e burimeve shiite të përziera me ato sunnite, kur dihet që ne nuk i marrim për bazë ato.

f- gabime në traskiprimin e emrave dhe titujve të librave nga gjuha arabe, për vetë faktin se materiali është ndërtuar nga përkthime nga një gjuhë e dytë, nga anglishtja mesa duket…etj.

Allahu i madhëruar thotë:

وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ وَلا تَبَرَّجْنَ تَبَرُّجَ الْجَاهِلِيَّةِ الْأُولَى وَأَقِمْنَ الصَّلاةَ وَآتِينَ الزَّكَاةَ وَأَطِعْنَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ إِنَّمَا يُرِيدُ اللَّهُ لِيُذْهِبَ عَنْكُمُ الرِّجْسَ أَهْلَ الْبَيْتِ وَيُطَهِّرَكُمْ تَطْهِيراً

Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj. (el-ahzab:33)

Së pari duhet thënë se emërtimi ‘Ajeti i Pastrimit’ (Ajetu et-tat’hiir) është një term shiit dhe nuk para përdoret nga librat sunnite. Ajeti në fjalë në fakt është vetëm një pjesë e ajetit dhe jo i gjithi. Me gjithë kërkimet kompjuterike, në disa mënyra, të këtij togfjalëshi në qindra libra suniijsh, libra bazë dhe jo bazë, një përdorim i tillë nuk gjendet, përveç rasteve kur u kthehet përgjigje shiave.[1] Kjo tregon se një term i tillë për ajetin në fjalë në mes sunnijve është i pa përdorshëm, për rrjedhim edhe argumenti i tij nuk pajton, më së shumti, me mendimet sunnite për këtë ajet.

Së dyti për kë ka zbritur ky ajet?

Dijetarët sunnij janë ndarë në tre mendime për këtë:

Mendimi i parë: Ibn El-xheuzi në tefsirin e tij Zadul-mesir duke përmendur këto mendime thotë: Ky ajet është për gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) sepse ato banonin në shtëpinë e tij. Kjo transmetohet nga Ibn Abasi, Ikrima, Ibn Saib, dhe Mukatili. Po ashtu Ibn Sadi transmeton se edhe Uruetu është i këtij mendimi[2]. Ndërsa nga mufesirinët janë Sujuti,[3] Sheukani,[4] Es-samarkandi,[5] Ez-zemahsheri.[6]

Mendimi i dytë: Ky ajet është i veçantë për Profetin, Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin. Ibn Xheuzi thotë se i këtij mendimi është Ebu Seid El-hudrij, (do ta sqarojmë më poshtë sa e saktë është kjo), po ashtu transmetohet nga Enesi, Aishja dhe Umi Seleme.[7] Po ashtu El-bagaui shton se i këtij mendimi është edhe Muxhahidi edhe Katade.[8] Gjithashtu edhe Tahaui në Mushkilel Athar, etj.

Përsa i përket Enesit (radijallahu anhu). Argument për këtë janë transmetimet që përcillen nga Enesi se Profeti kur kalonte para shtëpisë së Aliut në kohën e namazit i thërriste ata dhe përmendte ajetin në fjalë! A do të thotë kjo se Enesi mendon se kjo pjesë ajeti ka zbritur vetëm për ta?!

Përsa i përket Aishes (radijallahu anha). Argument është hadithi që transmetohet tek Muslimi se Profeti kur i mbështolli ata të katër nën rrobë lexoi këtë ajet. E njëjta pyetje vlen këtu si në rastin e Enesit!

Mendimi i tretë: Ehli bejti janë gratë dhe familja e tij. Ibn Xheuzi thotë se të këtij mendimi janë: Ed-dahaku, Ez-zexhaxh.[9] Po kështu prej komentatorëve janë edhe Ibn Kethiri, El-uahidi,[10]El-alusi,[11] Ebu Hajan,[12] Ibn Atije el-muharibi,[13] Er-razi,[14] El-bekai,[15] El-bejdaui,[16] En-nesefi,[17] Ebu Saud,[18] Eth-thealebi,[19] Ibn Ashur,[20] Shenkiti,[21] etj.

Në fakt ky është edhe mendimi më saktë të cilin e përmend Ibn Kethiri mbas shqyrtimit të një sërë transmetimesh të ndryshme; se shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve qenë gratë e Profetit, por bashkë me gratë e tij hynë edhe katërshja e përmendur në hadith.

El-bejt në gjuhën arabe do të thotë shtëpi dhe pikë së pari nënkupton banesën ku jetohet pra Ehli el-bejt do të thotë banorët e shtëpisë, pra familja. Përdoret në këtë mënyrë për të treguar njerëzit me të cilët jeton një njeri, më konkretisht gruan dhe pasardhësit.[22]

Ibn Ashur duke komentuar veprimin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) thotë: Mesa duket urtësia e mbulimit të tyre me një rrobë bashkë me të, qëndron në faktin se ai ka dashur që kuptimit të figurshëm të shtëpisë për ta, t’ia përafroj edhe pamjen e shtëpisë së vërtetë, për aq sa është e mundur në atë moment, që rroba të ishte në pozitën e shtëpisë, dhe Profeti që gjendej brenda saj bashkë me ta, siç tregohet në hadithin e transmetuar nga Muslimi, është ai që përket kjo rrobë-shtëpi. Nga kjo kuptohet qartë se gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) i përkasin shtëpisë së tij, e marrë kjo drejt për drejt nga ajeti dhe se Fatimja, dy fëmijët e saj dhe burri i saj janë bërë pjesë e Ehli bejtit të tij nga lutja e tij ose duke e interpretuar ajetin me nënkuptimet e tij, pra ata janë ehli bejti i tij me argument nga Sunneti… Në fjalët e hadithit të rrobës (kisa) nuk ka ndonjë gjë që tregon që kjo karakteristikë i përket vetëm atyre nën rrobë, pasi në fjalën e tij: këta janë ehli bejti im, nuk ka kontekst kufizimi, kjo është e ngjashme si me fjalën e Allahut: ‘këta janë miqtë (mysafirët) e mi’[23] dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk kam mysafir të tjerë, pasi kjo do të thotë ta shkëputësh ajetin nga fjalët që ka përpara dhe mbrapa, dhe mesa duket, ky iluzion ka që nga koha e tabiinëve dhe se fillesat e tij i ka pas nga përsëritja e këtij ajeti nëpër gojë pa e lidhur me çka mbrapa dhe përpara.[24]

Së treti: Ku zbriti ajeti dhe kur?

Nga një shqyrtim i tërë transmetimeve që i ka mbledhur Ibn Kethiri në tefsrin e tij del ky rezultat:

1-Dy transmetime nga Umi Seleme njëri tek Ahmedi dhe tjetri tek Ibn Xheriri tregojnë se Umi Seleme deklaron se ajeti zbriti në shtëpinë e saj pasi në të ndodhej katërshja. Nga kjo lihet të kuptohet se ajeti ka zbritur ndoshta për shkak të tyre. Vetëm se në njërin transmetim gjendet një transmetues me emrin Atije (problematik) që e përcjell hadithin nga Ebu Seidi, (gjë për të cilin do flasim më poshtë). Kurse transmetimi tjetër tek Ibn Xheriri, Umi Seleme thotë: Për të (Aliun) zbriti, ndërsa Ibn Kethiri po këtë transmetim të Ibn Xheririt e tregon kështu: në shtëpinë time zbriti! Ndoshta kjo vjen për shkak të diferencave që mund të kenë dorëshkrimet e ndryshme. Gjë që e përmend edhe Ibn Ashuri në tefsirin e tij duke thënë: korrigjuesi i botimit të ‘Tefsiri Ibn Kethirit’ ka përmendur se në tekstin e këtij hadithi ka mospajtime në të gjitha dorëshkrimet.

Më konkretisht ky transmetim vjen nga:

Ibn Humejd (?) që thotë na ka treguar ne:

Abdullah ibn Abdulkudus-(i sinqertë, akuzohet për rafidhi dhe gabonte, niveli 5)[25]- nga:

El-a’mash -(i besueshëm por sillet si mudelis, niveli 2)- nga:

Hakim ibn Sad- (i sinqertë, niveli 4)- nga:

Umi Seleme (sahabije) …

Ky ndoshta është transmetimi i vetëm që ka një farëz konsiderate, ku edhe thuhet se Umi Seleme është e mendimit se ajeti zbriti për Aliun. Megjithatë edhe ky me këtë zinxhir transmetimi zor se mund të merret për bazë çdo fjalë e tij! Allahu e di më së mirë!

2- Gjashtë transmetime të tjera nga Uathile, Umi Seleme, Sadi dhe Aishja tregohet ngjarja dhe nuk flitet për ajetin se ku apo kur zbriti.

Nga kjo del përfundimi se ajeti është shpallur më parë dhe më pas ka ndodhur ngjarja qoftë menjëherë pas shpalljes apo pas njëfarë kohe.

Këtë fakt e treguam për të kuptuar në një farë mënyre se për kë zbriti ajeti, nga faktet më së shumti del në pah se ajeti ka zbritur para ngjarjes dhe veprimi i Profetit ka ndodhur më pas, çka vërteton mendimin se ajeti nuk ka zbritur posaçërisht për katërshen. Ajo çka e përforcon këtë është se transmetimi më i saktë nga Umi Seleme, siç e konsideron këtë Tirmidhiu (nr. 3871)[26] dhe të cilin e ka përmendur edhe Lohja, nuk e përmend fare ajetin, as se kur dhe se për kë zbriti, por vetëm ngjarjen dhe lutjen e Profetit. Po kështu edhe transmetimi i Muslimit që pa dyshim është më i miri, siç thotë Ibn Haxheri në El-isabe, nuk përmend gjë. Allahu e di më së miri.

Lohja thotë:

Dëshira dhe qëllimi i Allahut për ta larguar të gjithë ndytësinë nga Ehl ul-Bejti është në suazën e tërë skemës së krijimit, në atë që Allahu dëshiroi që brenda rendit të Tij pjesëtarët e asaj Shtëpie të jenë të çliruar nga çdo papapastërti e të stolisur me papërlyerje. Po t’ia referonim dëshirën e Allahut çështjeve të ligjit dhe dispozitave të tij, kuptimi do të ishte se në sferën ligjore ata nuk do të kryenin shkelje apo përlyenin veten. Është e qartë se një kuptim i tillë do të ishte i papranueshëm, sepse shmangia e mëkatit dhe heqja e të papastrës është një obligim fetar universal, imponimi i të cilit nuk i jep nder apo status të posaçëm askujt. Ai me siguri nuk do ta bënte Profetin (s) t’i përvishej veprimit të paprecedent të mbledhjes së anëtarëve të Ehl ul-Bjetit të tij pas dyerve të mbyllura, e t’u hidhte atyre një mbulojë (kisa’) përsipër.

Përgjigje:

Së pari cili është kuptimi i fjalës rixha? Siç e ka cekur edhe Lohja nga ana gjuhësore do të thotë papastërti, dhe kuptohet nga ajeti që nuk bëhet fjalë për papastërti trupore. Lind pyetja çfarë papastërtish shpirtërore nënkupton fjala rixhs?

Ibn Xheuzi thotë: Komentatorët kanë pesë mendime për këtë.

I pari: shirku, këtë e ka thënë El-hasan (el-basriu).

I dyti: mëkati (ithm), këtë e ka thënë Es-sudij (me bindje shiite).

I treti: shejtani, këtë e ka thënë Ibn zejdi.

I katërti: dyshimi.[27]

I pesti: gjynahet (measi) këto dy të fundit i ka përmendur El-mauerdi.

Ez-zexhaxh thotë: rixhs është çdo gjë e papastër qoftë ushqim, punë apo diçka e turpshme (fahishetu).[28]

Ibn Xheriri mbështet mendimin e tretë duke thënë: rixhs këtu do të thotë shejtani, ndërsa në vende të tjera rixhsi është shirku.[29] Er-ragib el-isfahani përmend se për rixhs-in është thënë se ka kuptimin edhe të ndëshkimit.[30] Ndërsa Ibn Ethiri kur jep shpjegimet e kësaj fjale që ka në hadithet e Profetit thotë: rixhsi është: papastërtia, mund të përdoret për të treguar shëmtinë e haramit dhe të një veprimi të shëmtuar, ndëshkimi, mallkimi dhe kufri.[31] Një nga fjalorët bashkëkohorë më të mirë të gjuhës arabe i botuar nga Akademia e gjuhës arabe ‘El-mu’xhem el-uesit’ për fjalëm rixhs jep këto kuptime: papastërti (kadher), veprim i shëmtuar, haram, mallkim, kufr dhe ndëshkim.[32]

Janë të paktë ata që përmendin se rixhs ka kuptimin e mëkatit (ma’them) siç është Ibn El-kelbij, siç tregohet kjo në dy fjalorët më të mëdhenj të gjuhës arabe; Taxhul arus dhe Lisanul arab ku thuhet: Ibn El-kelbij ka thënë në fjalën e Allahut të lartësuar: ajo është me të vërtetë rixhs e fisk (mëkat) [33] dhe po kështu edhe në ajetin: janë rixhs, nga punët e djallit [34] ai tha: Er-rixhs: mëkati (el-ma’them).[35] Pra siç shihet edhe ky e ka komentuar këtë fjalë si mëkat për këto dy ajete dhe jo për ajetin për të cilin ne po flasim. Duke mos harruar se Ibn El-kelbij është i biri El-kelbit, i akuzuar për gënjeshtar dhe rafidhi!

Këtu po japim një pasqyrë të përdorimit të fjalës rixhs në Kuran nga katër përkthimet e tij në gjuhën shqipe.

1-Ahzab: 33 Er-rixhz (trajtë e shquar)

Hasan Nahi, botimi i dytë

O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë (komentuar si gjynahet) dhe t’ju pastrojë plotësisht.

Sherif Ahmedi

All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.

Fethi Mehdiu

All-llahu, me të vërtetë, dëshiron që nga ju – o, familja e Profetit – të largojë mëkatet dhe t’iu pastrojë plotësisht.

Telat Sula

Allahu vetëm se dëshiron ta largojë prej jush Er-Rixhz (veprat e ulëta, gjynahet, çdo gjë të keqe), o pjesëtarë të familjes (së Pejgamberit a.s.), dhe t’ju bëjë ju të pastra plotësisht e pa asnjë njollë.

2-Haxh: 30 er-rixhz

Hasan Nahi, botimi i dytë

Andaj, largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme.

Sherif Ahmedi

pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largohuni fjalës shpifëse.

Fethi Mehdiu

pra largohuni prej idhujve të ndyrë dhe fjalëve të pavërteta!

Telat Sula

Kështu pra, braktisni adhurimin e ndyrë të idhujve, braktisni edhe fjalën e rreme.

3-Junus: 100 er-rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

Ai dënon ata që s’mendojnë.

Sherif Ahmedi

E dënimin u jep atyre që nuk mendojnë.

Fethi Mehdiu

dhe Ai dënon ata që nuk mendojnë.

Telat Sula

dhe Ai do të lëshojë dënimin mbi ata që nuk mendojnë.

4-Enam:125 er-rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë.

Sherif Ahmedi

Kështu All-llahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë.

Fethi Mehdiu

Ja, ashtu All-llahu u vë peshë të rëndë atyre që nuk besojnë.

Telat Sula

Në këtë mënyrë Allahu lëshon Zemërimin e Tij mbi ata që nuk besojnë.

5-Teube: 125 rixhs (trajtë e pa shquar)

Hasan Nahi, botimi i dytë

ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.

Sherif Ahmedi

ajo (zbritja e kaptinës) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë.

Fethi Mehdiu

ajo ua ka shtuar ndytësinë mbi ndytësinë e tyre që e kanë, dhe ata vdiqën e shkuan si mosbesimtarë.

Telat Sula

ajo do të shtojë dyshim e mosbesim në mosbesimin e tyre, mohim e dyshim (gjithnjë e më të thellë) dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë.

6-Teube: 95 rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi.

Sherif Ahmedi

ata janë të ndyrë, e vendi i tyre do të jetë xhehennemi,

Fethi Mehdiu

ata janë njëmend të ndytë, edhe vendbanimi i tyre do të jetë në xhehennem,

Telat Sula

Vërtet që ata janë Rixhsun (jo të pastër), dhe vendbanimi i tyre është Xhehenemi

7- Araf: 71 rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

Ai tha: “Tashmë, ju ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj.

Sherif Ahmedi

Hudi) Tha: “Juve ju gjeti dënimi dhe përbuzja nga Zoti juaj.

Fethi Mehdiu

“Juve ju ka gjetur dënimi dhe hidhërimi i Zotit tuaj”

Telat Sula

(Hudi a.s. u) tha: “Dënimi dhe Zemërimi nga Zoti juaj tashmë kanë rënë mbi ju.

8-Enam: 145 rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

mishit të derrit – se këto janë të ndyta

Sherif Ahmedi

ose mish derri, ai është i ndytë,

Fethi mehdiu

mishit të derrit”, – ajo është me të vërtetë e ndytë e mëkat

Telat Sula

mishit të derrit, pasi ky i fundit është vërtet i ndyrë,

9-El-maide 90 rixhs

Hasan Nahi, botimi i dytë

Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit.

Sherif Ahmedi

s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani.

Fethi Mehdiu

alkooli edhe loja me para edhe idolatria edhe shigjetat për falla janë të ndyra, nga punët e djallit,

Telat Sula

pijet alkoolike dehëse e maramendëse, kumari (bixhozi), Ansabet (altarët ku flijohen kurbane për idhuj e tjer), Azlamet (hedhja e shortit ose kërkimi i fatit me shigjeta) janë të neveritura e punë prej shejtani.

Ajeti

Hasan Nahi2

Sherif Ahmedi

Fethi Mehdiu

Telat Sula

Ahzab: 33 Er-Rixhz

1-papastërtinë

1-ndytësinë e mëkateve

1-mëkatet

1-Er-Rixhz (veprat e ulëta, gjynahet, çdo gjë të keqe)

Haxh 30 Er-Rixhz

2-ndotësisë

2-ndytësitë

2-të ndyrë

2-adhurimin e ndyrë

Junus 100 Er-Rixhz

3-dënon

3-dënimin

3-dënon

3-dënimin

Enam125 Er-Rixhz

4-i ndëshkon

4-dënimin

4-peshë të rëndë

4-Zemërimin

Teube 125 Rixhsun

5-dyshimin

5-ndytësisë

5-ndytësinë

5-dyshim e mosbesim

Teube 95 Rixhsun

6-të ndyrë

6-të ndyrë

6-të ndytë

6-Rixhsun (jo të pastër)

Araf 71 Rixhsun

7-dënimi

7-dënimi

7-dënimi

7-Dënimi

Enam 145 Rixhsun

8-ndyta

8-i ndytë

8-e ndytë e mëkat

8-i ndyrë

maide 90 Rixhsun

9-të ndyta

9-të ndyta,

9-të ndyra

9-të neveritura

Siç shihet edhe nga katër përkthimet në shqip, së bashku, për fjalën rixhs në të gjithë Kuranin predominon kuptimi a)-i papastërtisë 17 herë, nga këto dy herë e shoqëruar me fjalën mëkat, b)-ndëshkimit 10 herë, c) mëkat 3 herë dhe nga këto një herë e shoqëruar me fjalën ndytësi, një herë si një nga komentet e fjalës rixhs, dhe një herë të vetme si mëkat…etj.

Ibn Xheuzij duke komentuar pjesën e ajetit dhe t’ju pastrojë plotësisht thotë: Ka tre mendime:

I pari: nga shirku, e ka thënë Muxhahidi.

I dyti: nga e keqja (es-su), e ka thënë Katade.

I treti: nga mëkati, e ka thënë Es-sudij dhe Mukatili (i braktisur nga ana e dijetarëve).

Pra tash bëhet e qartë se ajeti komentohet jo si pastrim nga çdo lloj gjynahu apo gabimi njerëzor, nga të cilët vetëm profetët janë të ruajtur, por nga gjynahe të tilla të mëdha si shirku, kufri, dyshimi, gjynahet që vinë si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të shejtanit dhe gjynahe që të çojnë në ndëshkimin e Allahut. Çka e përforcon këtë është edhe një nga transmetimet që përmend Imam Ahmedi (nr.2600) nga Umi Seleme se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur u lut tha: O Allah drejt Teje dhe jo drejt zjarrit unë dhe ehli bejti im. Dhe Umi Seleme tha: po unë o i dërguari i Allahu? Dhe ai tha: edhe ti. Vetëm se në këtë transmetim ai që e ka dëgjuar nga Umi Seleme nuk njihet[36], kështu që transmetimi nuk plotëson kushtet për të qenë i saktë. Ndërsa të gjithë transmetuesit e tjerë janë të besueshëm. Allahu e di më së miri.

Me këtë që paraqita nuk dua të them se fjala rixhs qoftë edhe nga ana figurative nuk e përmban kuptimin e mëkateve, pasi nga ana shpirtërore nuk ka gjë më të ndyrë sesa mëkatet, por problemi është kur ajeti në fjalë komentohet si argument i pagabueshmërisë, i pastërtisë absolute nga mëkatet dhe jo më për Profetin por edhe për Ehli bejtin dhe që sipas shiave janë vetëm pesëshja bashkë me Profetin!

Pjesës së ajetit në fjalë kur flet për dëshirën e Allahut i janë dhënë dy kuptime respektivisht nga shiat dhe sunnitë:

a) Dëshirë universale (keunije ekzistencialiste) që tregon vullnetin e Allahut dhe vendimin e Tij për diçka që Ai e ka vendosur të ndodhë patjetër.

b) Dëshirë pëlqyese fetare (sheri’je) që tregon se çfarë Ai pëlqen që krijesat e Tij të bëjnë por që nuk do të thotë se ata do ta bëjnë patjetër.

Shiat mendojnë se në këtë rast është e para.

Ta zëmë për një moment se ajeti ka zbritur vetëm për ata të katërt, por nuk mund të pranojmë se ajeti bashkë me hadithin argumenton pagabueshmërinë e tyre, por madje të kundërtën e saj. Pasi nuk mund të thuhet për atë që është i pastër: unë dua ta pastrojë atë! Diçka që është prezentë është absurde ta kërkosh! Por nëse do të kishte dashur një gjë të tillë do të kishte thënë: Allahu e ka larguar nga ju rixhsin o ehli bejt dhe ju ka pastruar plotësisht. Por përkundrazi e lidhi këtë me dëshirën për t’i pastruar. Dhe dëshira në këtë rast është ajo që kemi përmendur në pikën (b).

Nëse vërtetë kjo dhuratë e Allahut për ta do të ishte një dhunti apo diçka e krijuar për ta e cila do t’i ngjante dhuratës së profetësisë nga ku ata domosdoshmërisht si Profeti do të ishin të pastër nga çdo gabim, atëherë ç’kuptim ka lutja që bëri Profeti për ta?! Nëse Allahu ishte duke i treguar Profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem) për kaderin e Tij për këta njerëz, pse Profeti i lutet Allahut duke i thënë: O Allah këta janë familja ime (ehli bejti), largoje prej tyre ndotësinë e mëkateve (rixhsin) dhe pastroji ata plotësisht.?

Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur Allahu i zbriti atij ajetin e Isme-s (të ruajtjes): Allahu të ruan ty prej njerëzve.[37] u tha njerëzve që të largoheshin dhe mos ta ruanin më.[38] Dhe nuk bëri dua që o Allah më ruaj! Shiko sesi është formuluar ky ajet dhe si është formuluar ajeti i pastrimit, dhe bëj dallimin mes tyre dhe sjelljes së Profetit në të dyja rastet, dhe e kupton diferencën!

E pra ajeti i pastrimit është i ngjashëm me disa ajete të tjera në të njëjtën formë si p.sh: Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.[39] Madje ky ajet mund të ishte shumë më i fortë për pastrimin sepse Ai thotë këtu: dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, dhe plotësimi i dhuntive kush mund të ishte veç ekzistencës së padiskutueshme të kësaj gjëje, pra pastrimit të plotë! Por këtë askush nuk e thotë, atëherë ajeti i përgjigjet dëshirës të cekur në pikën (b).

Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun.[40]

Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja.[41]

Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.[42]

Atëherë lind pyetja nëse këtu nuk ka asgjë të veçantë për Ehli bejtin pse atëherë Profeti bëri atë veprim që përshkruhet në hadith?

Përgjigja është e qartë dhe ka lidhje me gratë e Profetit të cilat Allahu i urdhëron dhe i ndalon duke u thënë se ato nuk janë si gratë e tjera ndaj duhet të ruhen në veprimet e tyre nga çdo gjë e ulët që prek personalitetin e tyre, nëse e kryejnë këtë do të shpërblehen dyfish. E pra Allahu ka për qëllim që me këto urdhëresa t’iu pastrojë juve o familje e Profetit dhe t’ua largojë gjynahet e t’iu bëj të devotshme.

Profeti duke parë këto ajete që flisnin për gratë e tij me një specifikë më të veçantë dhe shpërblim më të madh donte që Allahu në radhën e tyre të fuste edhe pasardhësit e tij bashkë me të atin e tyre si njerëzit e tij më të afërt, ndaj edhe i përgjigjet Umi Selemes kur ajo e kërkoi që të futej nën petkun tij: ti je në hajër. Pra ti nuk ke nevojë të bëj dua për ty që të bëhesh prej Ehli bejtit tim pasi ti je gruaja ime, je Ehli bejti im dhe Allahu për ty dhe shoqet e tua i ka zbritur këto ajete, por unë dua që në këtë mirësi të futen edhe këta të katër, që edhe këta janë prej familjes time, që edhe këta Allahu t’i bëj prej njerëzve të devotshëm.

Ndonëse Allahu për të gjithë besimtarët e dëshiron këtë gjë por në veçanti dhe para së gjithash për këtë familje që dëshiron ta shpërblejë dyfish, ndryshe nga të tjerët. Kjo është edhe veçantia e tyre ndaj njerëzve, dhe jo pagabueshmëria (el-isme) si ajo e Profetit (salallahu alejhi ue selem).

Nëse Profeti do të kishte dashur të tregonte ndonjë veçori të katërshes ai nuk do të ishte nevoja t’i mblidhte nën petkun e tij brenda një dhome dhe të lutej për ta! Por do të kishte dalë në mes të të gjithëve që të dëshmonte për këtë veçori dhe të tregonte se kush ishte Ehli bejti i tij.

Lohja thotë:

Saherë që anëtarët e Ehl ul-Bejtit e shihnin të nevojshme ta theksonin rangun e tyre të veçantë shpirtëror, ata i referoheshin me krenari këtij ajeti. Për shembull, Imam ‘Alīu iu referua atij gjatë rastit të Fedekut, apo konsultimit për zgjedhjen e khalīfit, pas vdekjes së ‘Umerit. Prijësi i Besimtarëve shtroi këtë argument: “A është shpallur për ndonjërin prej jush ajeti i pastrimit?” Kur ata thanë ‘jo’, ai vazhdoi: “Anëtarët e Ehl ul-Bejtit janë të mbuluar me virtyte të shumta, sepse Kur’ani thotë: {Allahu dëshiron ta largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë deri në skaj}. Allahu pra e ka larguar nga ne tërë ndytësinë, të jashtme e të brendshme, dhe na ka fiksuar në rrugën e së vërtetës dhe së drejtës.” (Gājet ul-Merām, f. 295)

Përgjigja:

E kërkova ku munda këtë transmetim, por mesa duket ky gjendet vetëm në burimet shia dhe ka mundësi që autori i këtij libri të jetë Hasan ibn Husejn El-bezeuari shia imamij (v. rreth 900.h) dhe titulli i plotë i librit duhet të jetë Gajetul meram fi fadail Ali ue euladuhu el-kiram. Pa parë transmetimin e tij si mund të jepen vlerësime për saktësinë e tij?! Thjesht përmendja nuk tregon vërtetësi, megjithëse edhe ky tekst nuk i përjashton gratë e Profetit.

Këtu dua të theksoj se shumë prej dijetarëve të tefsirit si për shembull Ibn Xherir Tabariu, Ibn Xheuzi, Sujuti në Durur el-menthur japin edhe mendimet e tjera bashkë me transmetimet përkatëse por nuk pozicionohen se kë ata pranojnë siç mund bëjnë të tjerë apo edhe ata vetë në shumë raste. Pra thjesht përmendja nuk do të thotë se ata janë të këtij mendimi pasi është absurde të thuash kështu ndërkohë që ata kanë përmendur edhe mendime të tjera dhe vetë nuk janë pozicionuar. Ndonjë herë kjo ndodh sepse ata nuk duan ta bëjnë këtë apo nuk janë të vendosur cilin mendim të marrin apo edhe shohin se nuk ka mospërputhje mes mendimesh por mund të pajtohet mes tyre.

Lohja thotë:

Fakhr ed-Dīn Rāzīu shton në Tefsīr ul-Kebīr, se Profeti (s) tha: “Ju janë hequr të gjitha mëkatet” e “Ju janë dhënë mbulojet e bekimeve.”

Qartësim:

Ja seç thotë Razi në fakt: fjala e Allahut: Dhe që të largoj prej jush rixhsin (papastërtinë)’ pra të heq prej jush mëkatet dhe t’iu pastroj dhe t’iu vesh rrobën e fisnikërisë (khula el-kerame), dhe më pas Allahu i lartësuar e lë ligjërimin (me përemër) në gjininë femërore dhe ligjëron (me përemër) në gjininë mashkullore me fjalën e tij: Dhe që të largoj prej jush (ankum) rixhsin, që në të të hynë gratë e Ehli bejtit të tij dhe burrat. Ka mendime të ndryshme se kush është ehli bejti, por më parësore është të thuhet se ata janë fëmijët e tij, gratë, Hasani, Husejni dhe Aliu është gjithashtu prej tyre sepse ai është prej Ehli bejtit të tij për shkak se ai qe i martuar me vajzën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe se ai nuk i ndahej Profetit.[43]

Lohja thotë:

Tahāwīu transmeton në Mushkil el-Athār, vëll. I, f. 336: “Umm Seleme thotë: ‘Kur u shpall ajeti fisnik, në shtëpi nuk ndodhej askush përveç Xhibra’īlit, të Dërguarit të Allahut (s), Fātimesë, Hasanit, Huseinit dhe ‘Alīut. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, a jam unë nga Ehl ul-Bejti?” Ai u përgjigj: “Vërtet, ti ke vepra të mira tek Zoti.” Sa do të doja të kishte thënë ‘po’. Ajo do të kishte qenë për mua më e çmuar se gjithçka mbi të cilën ndriçon dielli.” Tahāwīu përmend 11 hadīthe me të njëjtin kuptim, të cituara nga Umm Seleme me zinxhirë të ndryshëm transmetimi.

Përgjigja:

Së pari këtë transmetim Tahaui e transmeton nga:

Fehd ibn Suljeman- (i besueshëm, niveli 3)- të cilit i ka treguar:

Seid ibn Kethir ibn Afir-(i sinqertë, niveli 4)- të cilit i ka treguar:

Ibn Lehia –(i sinqertë i përziente gjërat pasi iu dogjën librat, disa thonë se është i dobët, niveli 5)- nga:

Ebi Sakhr- (i sinqertë ka iluzione, niveli 5)- nga:

Ebi Muauije El-bexheli-(i sinqertë shfaq shiizëm, niveli 5)- nga:

Amretu El-hamedanijetu-(e besueshme, niveli 3)- nga:

Umi Seleme se ajo tha….

Këto vlerësime bashkë me nivelet e tyre të besueshmërisë janë marrë pothuajse të gjitha nga Ibn Haxheri në librin e tij Takrib et-tehdhib. Ai i ka ndarë nivelet e sigurisë në gjashtë, pra në këtë rast kemi transmetues që varjojnë nga niveli i tretë deri tek i parafundit i pesti. Në këto kushte nëse nuk ka ndonjë transmetim tjetër që ta forcojë këtë që ka treguar Tahauiu, transmetimi në fjalë merret me rezerva dhe mund edhe të mos pranohet përderisa nuk është përmendur nga të tjerët. Dhe çka e përforcon mosmarrjen e tij në konsideratë është fakti se disa transmetime të tjera si për shembull tek Ibn Xheriri por edhe vetë Tahaui i përmendur edhe nga Ibn Kethiri[44] Umi Seleme thotë: i thashë o i dërguari i Allahut më fut edhe mua me ta! Dhe ai tha: ti je prej Ehli-t tim. Po ashtu në një transmetim tjetër tek Imam Ahmedi në Musned ajo tha: i thashë: Edhe unë o i dërguari i Allahut? Dhe ai tha: edhe ti.

Po ashtu Tahaui po aty tregon edhe një transmetim tjetër ku ajo thotë: i thashë: o i dërguari i Allahut! A nuk jam prej Ehlit tënd? Ai tha: Posi jo (belaa). Tha (Profeti): hyrë nën rrobë (el-kisa). Ajo tha (Umi Seleme): dhe hyra pasi ai përfundoi lutjen e tij për djalin e xhaxhait të tij Aliun, dy djemtë e tij dhe bijën e tij Fatimen.

Tani me të drejtë unë pyes pse merren disa transmetime dhe lihen disa të tjerë, ndërkohë që në asnjë transmetim nuk thuhet nga Profeti: që ti nuk je, por transmetimet më të shumta dhe më të sakta përmendin: Ti je në hajër. Atëherë si t’ia vëmë emrin kësaj që na paraqitet këtu?! Ca të nënës e ca të njerkës!

Lohja thotë:

Ahmedi transmeton nga Shedded ibn Ebū Ammāri: “Shkova tek Wāthile ibn el-Aska’i me disa të tjerë. Ata përmendën ‘Alīun. Kur u ngritën për të ikur, ai më tha: “A të të përmend diçka që e pashë ta bënte i Dërguari i Allahut (s)?” Unë i thashë, “Sigurisht!” Ndaj, ai tha: “Iu afrova Fātimesë për ta pyetur atë për ‘Alīun. Ajo tha: ‘Drejtoju të Dërguarit të Allahut.’ Prandaj, e prita atë (s). Më në fund, i Dërguari i Allahut (s) erdhi me ‘Alīun, Hasanin dhe Huseinin; këta kishin kapur secili njërën dorë të tij. Kur arriti, ai e uli ‘Alīun dhe Fātimenë para vetes, kurse Hasanin e Huseinin mbi kofshë. Pastaj ai hodhi pelerinën e tij mbi ta, dhe recitoi ajetin: {Allahu ka për qëllim që të largojë çdo papastërti nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}, dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im! Dhe Ehl ul-Bejti im gëzon më shumë të drejta.” (Musned, vëll. IV, f. 107)

Qartësim:

Po ky transmetim tek Ibn Xheriri më pas vazhdon kështu: dhe Uathile tha: i thashë: po unë o i dërguari i Allahu, salallahu alejke, jam prej ehlit tënd? Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: edhe ti je prej ehlit tim. Po ashtu edhe një tjetër transmetim po si ky, ku thotë: O i dërguari i Allahut edhe unë? Ai tha: edhe ti.[45]

Uathile është nga sahabet e Profetit madje nuk është as prej fisit kurejsh!

Lohja thotë:

Transmetohet në Sahīh Muslim e Xhāmi ul-Usūl, se Hasan ibn Samrāi pyeti Zejd ibn Arkamin: “Kush janë Ehl ul-Bejti? A janë gratë e Profetit (s) mes tyre?” Ai u përgjigj, “Jo! Gruaja jeton me të shoqin për ca kohë, pastaj ai e divorcon atë dhe ajo kthehet tek i ati dhe fisi i saj.” (Sahīh Muslim: Kitāb Fadā’il Sahābeh, vëll. VII, f. 124, nr 4425).

Përgjigja:

Së pari këtu duhet sqaruar se ky transmetim ku thuhet se gratë nuk janë prej Ehli bejtit, nuk është fjalë e Profetit por e sahabit Zejd ibn Erkam.

Së dyti këtu është përmendur vetëm njëri transmetim dhe jo edhe tjetri që ndodhet në po të njëjtin vend tek Muslimi, madje para këtij transmetimi, por për të qenë pak më qartë unë do ta jap pak më të plotë transmetimin:

Husajn (ibn Sebre)[46] i tha atij: Dhe kush janë Ehli Bejti i tij o Zejd? A nuk janë gratë e tij prej Ehli Bejtit të tij? Ai tha: gratë e tij janë prej Ehli bejtit të tij, por Ehli Bejti i tij janë ata që u është bërë haram sadakaja mbas tij.

Dhe ai i tha: kush janë ata?

Ai tha: ata janë Al (familja) e Aliut, Al Akil, Al Xhafer dhe Al Abasi.

Ai i tha: të gjithë këtyre u është bërë haram sadakaja?

Ai tha: po.

Ndërsa transmetimi i më sipërm është kështu:

Kush janë Ehli Bejti i tij? Gratë e tij?

Ai tha: Jo! Vallahi gruaja jeton me burrin për ca kohë, pastaj ai e ndanë atë dhe ajo kthehet tek i ati dhe fisi i saj, Ehli Bejti i tij janë origjina e tij (asluhu) dhe fisi i tij të cilëve u është bërë haram sadakaja mbas tij.

Këto janë dy transmetimet. Siç shihet që në pamje të parë duken kontradiktore. Tani sipas rregullit shikohet se kush është i saktë dhe kush jo. Në këtë rast që të dyja janë të sakta në Sahih Muslim. Atëherë çfarë bëhet? A është e mundur të pajtohen mes tyre? Kjo është ajo që në fakt kanë bërë edhe dijetarët. Por më parë unë do të përmend mundësinë tjetër dhe që është se nuk merret asnjëri për bazë përderisa nuk pajtojnë. Pra s’ka argument për shiat këtu, pasi është absurde këtu të marrësh njërën dhe të lësh tjetrën, është subjektivizëm, është arbitraritet.

Për Ibn Kethirin transmetimi ku thuhet se gratë janë prej Ehli bejtit të tij është më parësor për tu marrë në konsideratë, por përsëri ai gjen mes tyre pajtim.[47] Ndërsa Imam Neveviu duke komentuar këtë thënie sahabi është nisur nga përmbajtja dhe ka thënë kështu: Kush janë Ehli Bejti i tij? Gratë e tij? Ai tha: Jo!’ ky është një argument që zhvlerëson mendimin e atyre që thonë se kurejshët janë që të gjithë (Ehli bejt), mes grave të tij kishte kurejshite dhe ato ishin: Aishja, Hafsa, Umi Seleme, Seude dhe Umi Habibe, radijallahu anhune. Ndërsa transmetimi tjetër: gratë e tij janë prej Ehli bejtit të tij, por Ehli Bejti i tij janë ata që u është bërë haram sadakaja… këto dy transmetime në dukje janë kontradiktore. Dihet se në shumicën e transmetimeve, jo tek Muslimi, ai tha: gratë e tij nuk janë prej ehli bejtit të tij. Transmetimi i parë komentohet se ato i përkasin Ehli bejtit të tij që banojnë me të dhe kujdeset për to. Ai urdhëroi që ata të respektoheshin dhe të nderoheshin dhe i quajti peshë (barrë), dhe u përkujtoi të drejtat e tyre, edhe gratë e tij hyn brenda të gjithë kësaj, por nuk hynë tek ata që u është bërë haram sadakaja, dhe kjo tregohet në transmetimin e parë kur thotë: gratë e tij janë prej Ehli bejtit të tij, por Ehli Bejti i tij janë ata që u është bërë haram sadakaja, kështu pajtojnë të dy transmetimet.[48]

Siç shihet qartë se Zejdi ka qenë duke folur për ata që u është bërë haram sadakaja, dhe këtu nuk hyn gratë e Profetit. Tek transmetimi me të cilin janë argumentuar shiat, përmendet origjina e tij (asluhu) dhe fisi i tij, që në transmetimin tjetër u janë dhënë emrat në hollësi. Tani lind pyetja: ta zëmë se gratë nuk janë prej Ehli bejtit për të cilin po flasim, po origjina e tij (asluhu) dhe fisi i tij a janë? Pra Al abasi Al Xhafer etj. a janë prej Ehli bejtit? Sipas shiave jo, ata janë vetëm Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni, ndërsa transmetimi thotë edhe origjina e tij (asluhu) dhe fisi i tij, pra edhe xhaxhai i tij Abasi, Xhaferi…etj dhe familjet e tyre siç thuhet në transmetimin e parë. E pra a nuk është kjo subjektivizëm të marrësh diçka dhe të lësh diçka tjetër?! Ehli Sunne i marrin të gjitha argumentet e sakta ndaj dhe janë të mesmit dhe jo si bidatçinjtë, e cilit do krah, që kapin disa argumente dhe lënë disa të tjera! Tipar i çuditshëm ky i të gjithë bidatçinjëve!

Lohja thotë:

Gjithashtu, nëse kjo pjesë e ajetit do t’u drejtohej grave të Profetit (s), do të ishte përdorur veta e dytë e shumësit në gjininë femërore, e jo veta e dytë e shumësit në gjininë mashkullore (‘ankunne në vend të ‘ankum, dhe jutahhirekunne në vend të jutahhirakum).

Përgjigja:

1- Ibn Ashur thotë: janë përdorur dy përemrat në shumësin mashkullor duke qenë se edhe Profeti hyn në këtë ligjërim duke ditur se ai është i zoti çdo shtëpie të tyre (grave), ai është prezent në këtë ligjërim pasi është ai që e komunikon (ajetin). Kjo formë tregon edhe diçka tjetër; se ky pastrim për to vjen si shkak i pozitës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) që ato të jenë bashkëshoqëruese dhe t’i ngjajnë atij në pastërti dhe përsosmëri, siç thotë Allahu: Dhe të mirat janë për të mirët [49], pra gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem).

Kjo gjithashtu i ngjan ajetit ku flitet për Ibrahimin: Mëshira e Allahut dhe Bekimet i Tij qofshin mbi ju, o familje (e Ibrahimit)![50] dhe këto fjalë i drejtohen gruas së Ibrahimit por që ndodhet bashkë me të.[51]

Ndaj kuptohet qartë pse është përdorur veta e dytë e shumësit në gjininë mashkullore, pasi në arabisht kur kemi një grumbullim edhe meshkujsh edhe femrash përdoret gjinia mashkullore.

2- përemri në gjininë mashkullore kthehet tek fjala Ehl që në arabisht përdoret për të dyja gjinitë.

3-që përemri të përfshij edhe burrat e familjes së tij, (më parë e kemi cituar thënien e Razit për këtë gjë).

Lohja thotë:

Në disa raste, Profeti (s) ua shpjegoi muslimanëve kuptimin e këtij ajeti kur ua tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e tij. Ebū Sa‘īd el-Khudrīu transmeton hadīthin e të Dërguarit të Allahut (s): “Ky ajet është shpallur për pesë persona: mua, ‘Alīun, Fātimenë, Hasanin dhe Huseinin; {Allahu dëshiron që të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}.” (Ibn Xherīri, Ibn Ebū Hatimi dhe Taberānīu. Po ashtu, Imam Tha‘lebīu në Tefsīr, Ibn Merdewejhi, dhe Bejhekīu në Sunen, nga Ummi Seleme.)

Përgjigja:

Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi tek Ibn Xheriri është ky:

Muhamed ibn El-muthena (?) tha: na ka treguar ne:

Bekr ibn jahja ibn zeban el-anezi- (i pranueshëm, niveli 6) i cili tha: na ka treguar:

Mendel- ( i dobët, niveli 8 apo -2) nga:

El-a’mash- (i besueshëm por sillet si mudelis, niveli 2) nga:

Atije El-aufi

Të gjitha transmetimet takohen tek ky person i vetëm, dhe ky është Atije El-aufi nga gjoja Ebu Seidi (radijallahu anhu). Për Atijen Ibn Haxheri ka thënë: i sinqertë gabon shumë, ka qenë shiit mudelis (fsheh transmetuesin e vërtetë nga e ka marrë hadithin duke përdorur fjalë jo të qarta). Dhehebiu për të thotë: e kanë konsideruar të dobët. Imam Ahmedi për të ka thënë se është i dobët në hadith, po ashtu ai thotë se ka dëgjuar për të se ai i shkonte tek El-kelbi (një transmetues që akuzohet për gënjeshtar dhe rafidhi) e pyeste për komentin e Kuranit dhe e emërtonte me llagapin (jukeni) Ebu Seid dhe thoshte: ka thënë Ebu Seidi. Ndërsa Ibn Haxheri në Tehdhib Et-tehdhib duke cituar Ibn Hibanin thotë se Atija paska dëgjuar disa hadithe nga Ebu Seidi dhe pasi ai vdiq prezantonte tek El-kelbi dhe kur ai thoshte ka thënë Profeti (salallahu alejhi ue selem) ai i mësonte ato dhe e quante El-kelbin si Ebu Seid. Kur pyetej se kush ta ka treguar këtë? Thoshte: ma ka treguar Ebu Seidi, dhe njerëzit kujtonin se ai nënkuptonte Ebu Seid el-hudri në fakt e kishte qëllimi për El-kelbin.[52] Ndaj më e pakta hadithi është i dobët (daif).

Përveç kësaj nga Atije ka tre transmetime të ndryshme i pari është ky që përmendëm tek Ibn Xheriri ku hadithi i atribuohet Profetit, i dyti tek Ibn Ebi Hatim dhe El-uahidi në Esbab nuzul ku hadithi i atribuohet Ebu Seidit, dhe i treti tek Ibn Xheriri ku i atribuohet Umi Selemes. Pra kemi katër rrugë transmetimi nga Atije El-aufi dy ia atribuojnë Ebu Seidit, një Umi Selemes dhe i katërti Profetit!

Kjo gjë e shton dobësinë e tij edhe më tepër për vetë faktin që nga i njëjti person nuk përputhen transmetimet, aq më tepër që tek të katërta Atija e merr nga Ebu Seidi. Tani e more vesh se kush është Ebu Seidi!

Lohja thotë:

Taberānīu citon në Mu‘xhem ul-Kebīr Imam Hasanin, duke thënë: “Jini korrektë ndaj çështjeve tona; neve jemi sundimtarët tuaj… ne jemi po ai Ehl ul-Bejt për të cilët Allahu ka thënë: {Allahu dëshiron të largojë nga ju tërë ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.”

Sqarim:

Që të bëhet më e qartë kjo thënie unë do ta jap të plotë dhe të përkthyer direk nga arabishtja:

Ebu Xhemilja tregon se Hasani i biri i Aliut (radijallahu anhu) kur u vra Aliu u caktua Khalif. Njëherë kur ai po falej me njerëzit (si imam) një njeri i kërceu sipër dhe e goditi me hanxhar në ijë. Dhe prej saj qëndroi i sëmur disa muaj. Më pas ai hipi në minmber (kuptohet mbasi u shërua) duke ligjëruar dhe tha: O banorët e Irakut kijeni frikë Allahun për ne, sepse ne jemi prijësit (umera) tuaj dhe mysafirët tuaj, dhe ne jemi Ehli bejti për të cilin Allahu ka thënë: Allahu,me të vërtetë, dëshiron që nga ju – o, familja e Profetit – të largojë mëkatet dhe t’iu pastrojë plotësisht. Dhe nuk pushoi së foluri atë ditë në xhami sa që në xhami shikoje vetëm njerëz që qanin.

Tani me këtë përkthim literalist dhe me kontekstin në fjalë a kuptohet po e njëjta gjë si në rastin e parë?

Kur ai thoshte ne jemi prijësit apo sundimtarët tuaj dhe mysafirët tuaj për kë e kishte qëllimin? Kuptohet për veten e tij dhe për të atin, ndaj dhe u tha kini frikë Allahun, pra silluni mirë me ne, për shumë arsye e para se jemi të parët tuaj, e dyta jemi mysafir tek ju, pasi nuk ishin nga Iraku, plus edhe jemi prej Ehli Bejtit, pra ai sikur i thotë pse silleni kështu me ne duke na vrarë?! Ndaj dhe njerëzit u prekën dhe qanin kur e dëgjuan. Tani të takon ty o lexues të bësh krahasimin dhe dallimin.

Lohja thotë:

Së fundi, po citojmë hadīthin relevant të Profetit të përcjellë nga Ibn ‘Abbāsi: ….

Allahu i ndau njerëzit në të afërm dhe familje e më vendosi mua në më të virtytshmen e të gjitha familjeve, sepse Ai tha: {Allahu dëshiron të heqë të gjithë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33). Unë dhe Ehl ul-Bejti im atëherë, jemi të pastruar nga të tëra ndytësitë dhe të mbrojtur nga mëkatet.” (Sujūtī, ed-Durr ul-Menthūr, vëll. V, f. 199)

Qartësim:

Në tre vende që e pashë këtë transmetim mes tyre edhe atë të Sujutit dhe teksti ishte kështu: Unë dhe ehli bejti im jemi të pastruar nga mëkatet (dhunub). Kaq. Megjithatë u mor vesh se kush është Ehli bejti.

Që materiali të jetë më i qartë duhet t’ia bashkëngjisni materialit Cilët janë Al Muhamed dhe Ehli bejti i tij.

Allahu e di më së miri.

Bismilahi rrahmani rrahim

Cilët janë Al Muhamed dhe Ehli bejti i tij

Nga ana gjuhësore fjala Al

El-xheuheri (v.293 h), një gjuhëtar i madh arab, thotë: Al-i i personit janë familja e personit dhe fëmijët e tij, po ashtu Al janë edhe pasuesit e tij.[53]

Ibn Mendhur, autori i fjalorit më të mirë në gjuhën arabe, thotë: Al-i i njeriut janë familja e tij, Al-i i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij janë miqtë e tij.[54]

Po ashtu autorët e fjalorit Mu’xhem el-uesit thonë: Al-i i personit janë familja e tij dhe fëmijët e tij, dhe pasuesit dhe ndihmuesit e tij.[55]

Ndërsa Er-ragib El-isfahani thotë: Al rrjedh nga fjala Ehl…përdoret veçanërisht për ata që janë të veçantë për njeriun, qoftë kjo për shkak të afërsisë familjare apo miqësisë së ngushtë (mualatë miqësi që ka ardhur nga skllavëria e më parshme apo arsye tjetër). Allahu thotë: familjen (al) e Ibrahimit dhe familjen (al) e Imranit[56] dhe thotë: “Ithtarët (al) e faraonit futni në dënimin më të rëndë!”[57] dhe thuhet se Al i Profetit (salallahu alejhi ue selem) janë të afërmit e tij, dhe thuhet ata të veçantët e tij nga ana e dijes, kjo sepse njerëzit e kapur me fe janë dy llojesh: një lloj i cili është i përgatitur mjaft mirë me dije dhe me vepra, për ta thuhet: Al-i i Profetit dhe umeti i tij. Dhe lloji tjetër e kanë dijen në formë imitimi dhe thuhet për ta: umeti i Muhamedit dhe nuk thuhet Al-i i tij. Pra çdo të gjithë Al-i i Profetit janë umeti i tij por jo i gjithë umeti është Al-i i tij. Xhafer Es-sadikut, rahimehullah, i thanë[58]: njerëzit thonë: myslimanët që të gjithë janë Al-i i Profetit (salallahu alejhi ue selem)? Dhe ai tha: edhe kanë gënjyer edhe kanë thënë të vërtetën. Dhe e pyetën: ç’kuptim ka kjo? Ai tha: kanë gënjyer se gjithë umeti është Al-i i tij dhe kanë thënë të vërtetën nëse ata veprojnë me shtyllat e sheriatit të tij janë Al-i i tij.[59]

Pra nga ana gjuhësore tek Al Muhamed futen edhe shokët e tij.

Nga ana gjuhësore fjala Ehl bejt

Së pari me ehl nënkuptohet veçanërisht gruaja dhe argument për këtë është ajeti: Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen (ehl) e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes (ehl) së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr[60]

Sheh Ihsan ilahi shahir thotë: Qëllimi me familjen e Musait këtu është gruaja e tij, siç kanë rënë dakord për këtë edhe komentatorët shia, që të gjithë pasi me Musain nuk ka pas tjetër veç gruas së tij. Kështu ka thënë Et-tabersi në komentin e sures En-neml tek ajeti: dhe kur Musai i tha familjes së tij: pra gruaja e tij dhe qe bija e Shuajibit.[61] Po kështi e ka komentuar edhe El-kumi në tefsirin e tij[62]. Po kështu edhe El-arus el-huejzi në tefsirin e tij ‘Nuru eth-thekaljeni’[63] gjithashtu edhe El-kashani në tefsirin e tij ‘Menhexhul sadikin’[64] etj.[65]

Fjala Elhi bejt në Kuran është përmendur dy herë: një herë në suren Hud ajeti 73 kur flet për Ibrahimin, aljehi selam, dhe herën e dytë kur flet për gratë e Profetit në suren El-ahzab. Duke qenë se shiat abuzojnë me këtë ajet duke e shkëputur nga konteksi dhe për caktuar vetëm ata që duan ata më duhet t’i tregojë të gjitha ajetet para dhe mbrapa që të kuptohet se për kë bëhet fjalë në veçanti në ajet. Thotë i madhëruari:

33:28. O ti Pejgamber, thuaju grave tuaja: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës.

33:29. E në qoftë se e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.

33:30. O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për All-llahun është shumë lehtë.

33:31. E kush prej jush i përvishet adhurimit të All-llahut dhe respektimit të të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, asaj do t’i japim shpërblimin e dyfishtë dhe për të kemi përgatitur furnizim të këndshëm.

33:32. O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.

33:33. Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.

33:34. E, përkujtojeni atë nga ajetet e All-llahut dhe rregullat e fesë që po u lexohen në shtëpitë tuaja; vërtet, All-llahu është i kujdesshëm dhe i njohur hollësisht për çdo gjë.

Tani a ka njeri që se kupton se për kë bëhet fjalë këtu në veçanti?! Ajetet flasin për gratë e Profetit si para edhe mbrapa dhe është absurde që ato të përjashtohen nga Ehli Bejti!

Sheukani në tefsirin e tij thotë: Ibn Abasi, Ikrima, Ataja, El-kelbij, Mukatili dhe Seid ibn Xhubejri thonë se Ehli bejti i përmendur në ajet janë gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në veçanti, dhe thanë: qëllimi me shtëpinë është shtëpia e Profetit dhe banesat e grave të tij sepse Allahu thotë: po u lexohen në shtëpitë tuaja, po ashtu edhe konteksti është për gratë…[66]

Gjithashtu çka e përforcon këtë është hadithi i transmetuar nga Buhari e të tjerë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur u shpif për Aishen (radijallahu anha) tha: “Kush do të më mbështesë mua për të ndëshkuar atë njeri i cili më ka lënduar rëndë duke shpifur për familjen time (ehli bejti)?[67] Hadithet në këtë temë janë të shumta, çka bëhet e qartë se qëllimi është në veçanti për gratë e Profetit.

Ibn Kethiri duke komentuar këtë ajet thotë: ky ajet është tekst se gratë e Profetit futen tek Ehli bejti, sepse ato janë shkaku i zbritjes së këtij ajeti dhe shkaku i zbritjes hyn në ajet, pa diskutim, qoftë i vetëm apo edhe dikë tjetër, çka është edhe më e saktë.[68]

Por tek Ehli bejti në një kuptim më të përgjithshëm hynë edhe fëmijët e tij, xhaxhallarët dhe bijtë e tyre, siç është rasti kur Profeti i futi nën xhyben e tij Fatimen, Aliun, Hasanin dhe Hysejnin, që edhe ata t’i përfshij ajeti i mësipërm. Në transmetimin e hadithit tek Tirmidhiu (3205) rreth kësaj ngjarje e cila ndodhi në shtëpinë e Umi Selemes kur ajo pa Profetin veprimin që bëri mbasi këndoi ajetin në fjalë dhe fjalët që tha: O Allah këta janë familja ime (ehli bejti) largoji ndotësinë e mëkateve dhe pastroji ata. Dhe umi Seleme tha: po unë jam me ta o i dërguari i Allahut? Dhe ai i tha: Ti je (apo rri) në vendin tënd, ti je në hajër. [69] e cili mund të jetë ky hajër veç qenie së saj pjesëtare e Ehli bejtit!

Një shiit thotë: Salavaten mund ta beshe edhe pa i permend ashabet, kurse salavaten nuk mund ta besh pa e permend Ehlibeitin.

Po është e vërtetë se salavatet mund t’i bësh edhe pa përmendur sahabet, madje dhe pa përmendur Ehli bejtin. Pasi Allahu kur na urdhëron në Kuran për të rënë në salavat thotë: Eshtë e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.[70] E pra këtu nuk përmendet askush veç Pofetit!

Nëse argumentoheni me hadithin e salavatit ibrahimije, besoj u bë e qartë se Al- janë edhe gratë e tij, por edhe në mos e pranofshi këtë atëherë unë po ju përmend një hadith tjetër të saktë që e transmeton Buhari (3369), Muslimi (407), Nesaiu (1294) etj ku thuhet: O Allah! Bekoje Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç e ke bekuar Familjen e Ibrahimit..

Ky është një argument më tepër se ehli bejti apo Al-i i tij janë edhe gratë e tij, doni apo s’doni ju shiat.

Kush janë Ehli bejti sipas fesë (jo sipas shiave)

Dijetarët (sunnijtë) janë ndarë në katër mendime për këtë gjë.

Mendimi i parë: Al-i i Profetit janë ata të cilët u është bërë haram marrja e sadakasë. Të këtij mendimi janë: Ebu Hanifja,[71] Shafiu,[72] Ahmedi,[73]dhe disa malikij[74].

Mendimi i dytë: ata janë pasardhësit dhe gratë e tij. I këtij mendimi është Ibn Abdulberi,[75]Ibn El-arabi,[76] Ibn Tejmije,[77] si dhe një transmetim nga Ahmedi.[78]

Mendimi i tretë: se Al-i i tij janë pasuesit e tij deri në Ditën e Kiametit. Këtë mendim e transmeton Bejhekiu nga Xhabir ibn Abdilah,[79] po ashtu edhe nga Sufjan Eth-theurij.[80] Të këtij mendimi janë edhe shafiinjtë (jo vetë Shafiu) si El-ezheri,[81] po ashtu Es-sifarini,[82] dhe Neveviu në komentin e tij të Muslimit,[83] El-merdaui,[84] etj.

Mendimi i katërt: Al-i i tij janë të devotshmit e umetit të tij. Të këtij mendimi janë El-kadi Husejn,[85] Er-ragib,[86] etj.[87]

Dhe secili nga grupet ka paraqitur argumentet e tij, nëse do t’i përmendim do të zgjatesha, dhe koha për momentin nuk më premton.

Ndërsa për shiat (rafidhat) janë vetëm Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni (radijallahu anhum)! Mirëpo më e çuditshmja është se ata nuk i fusin vajzat e Fatimes dhe Aliut! Nuk fusin as fëmijët e tjerë të Aliut, qofshin djem këta apo vajza! Dhe jo vetëm kaq por edhe tre vajzat e tjera të Profetit! A vend ku të rri kjo?

Ju takon juve të gjykoni!

Dhe ai për të cilin Allahu nuk ka caktuar dritë, për të nuk ka aspak dritë.

Materiali i Edin Q. Lohja

Ajeti i pastrimit (āje et-tat’hīr) është një nga provat tekstuale për papërlyeshmërinë e Ehl ul-Bejtit, i cili dëshmon pastërtinë e tyre të plotë dhe pozitën e tyre unike: {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33).

Fjala rixhs në këtë ajet, e përkthyer si ‘ndytësi’, në gjuhën arabe ka kuptimin e papastërtisë, qoftë të jashtme apo të brendshme, kjo e fundit duke qenë sinonim i mëkatit. Fjala rixhs është përdorur në Kur’an me të dyja këto kuptime. Papastërtia e jashtme është ajo që nënkuptohet në ajetin: {Cofëtira, gjaku i derdhur, e mishi i derrit – janë të gjitha ndytësi} (6:145). Përkundrazi, është papastërtia e brendshme ajo që nënkuptohet në ajetin: {E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e sures) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë} (9:125).

Në ajetin ku flitet për heqjen e ndytësisë dhe papastërtisë nga Ehl ul-Bejti, fjala rixhs s’mund të interpretohet si referim ndaj papastërtisë së jashtme, përderisa tërë muslimanëve u kërkohet t’i heqin papastërtitë trupore si një obligim fetar; kjo pra, s’është diçka që vlen ekskluzivisht për Ehl ul-Bejtin, ndërkohë që ajeti e tregon qartë dhënien e një merite të veçantë për ta nga Allahu. Për më tepër, shmangia e ndytësisë dhe papastërtisë nuk numërohet si virtyt që sipas Kur’anit karakterizon një grup të veçantë njerëzish. Për pasojë, që ajeti të jetë i kuptueshëm, fjala rixhs duhet të merret në kuptimin e ndotjes së brendshme të shpirtit.

Dëshira dhe qëllimi i Allahut për ta larguar të gjithë ndytësinë nga Ehl ul-Bejti është në suazën e tërë skemës së krijimit, në atë që Allahu dëshiroi që brenda rendit të Tij pjesëtarët e asaj Shtëpie të jenë të çliruar nga çdo papapastërti e të stolisur me papërlyerje. Po t’ia referonim dëshirën e Allahut çështjeve të ligjit dhe dispozitave të tij, kuptimi do të ishte se në sferën ligjore ata nuk do të kryenin shkelje apo përlyenin veten. Është e qartë se një kuptim i tillë do të ishte i papranueshëm, sepse shmangia e mëkatit dhe heqja e të papastrës është një obligim fetar universal, imponimi i të cilit nuk i jep nder apo status të posaçëm askujt. Ai mesiguri nuk do ta bënte Profetin (s) t’i përvishej veprimit të paprecedent të mbledhjes së anëtarëve të Ehl ul-Bjetit të tij pas dyerve të mbyllura, e t’u hidhte atyre një mbulojë (kisa’) përsipër.

Shpallja e ‘ajetit të pastrimit’ fitoi vëmendje të madhe në kohën e Profetit (s) mes shokëve të tij, dhe grupi i përzgjedhur të cilëve u drejtohej ky ajet dhe shenjtëria e pastërtia e të cilëve u bë diçka e pranuar nga të gjithë, u bënë të njohur si ‘njerëzit e mbulojës’ (ehl ul-kisa’). Saherë që anëtarët e Ehl ul-Bejtit e shihnin të nevojshme ta theksonin rangun e tyre të veçantë shpirtëror, ata i referoheshin me krenari këtij ajeti. Për shembull, Imam ‘Alīu iu referua atij gjatë rastit të Fedekut, apo konsultimit për zgjedhjen e khalīfit, pas vdekjes së ‘Umerit. Prijësi i Besimtarëve shtroi këtë argument: “A është shpallur për ndonjërin prej jush ajeti i pastrimit?” Kur ata thanë ‘jo’, ai vazhdoi: “Anëtarët e Ehl ul-Bejtit janë të mbuluar me virtyte të shumta, sepse Kur’ani thotë: {Allahu dëshiron ta largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë deri në skaj}. Allahu pra e ka larguar nga ne tërë ndytësinë, të jashtme e të brendshme, dhe na ka fiksuar në rrugën e së vërtetës dhe së drejtës.” (Gājet ul-Merām, fq 295)

Po i referohemi ngjarjeve të shpalljes së ‘ajetit të pastrimit’ nga disa prej burimeve më autentike të sunnive.

Sejjid Ebū Bekr Shihabuddīn el-Shāfi’ī transmeton në veprën e tij Kitāb Rushfet us-Sa’di min Bahr ul-Fadā’il Benī Nebī el-Hadī (Dārul-Ilmije, Egjypt, 1303 H) Kr. I, fq 14-19, nga Tirmidhīu, Hākimi, Ibn Xherīri, Ibn Mundhīri, Ibn Mardawejhi, Bejhekīu, Ibn Ebī Hātimi, Taberānīu, Ahmedi, Ibn Kethīri, Muslimi, Ibn Ebī Shejbe dhe Samhudīu, se ky ajet u shpall për pesë personat e përfshirë nën pelerinë: të Dërguarin e Allahut (s), Hazreti Fātimenë, Imam ‘Alīun, Imam Hasanin e Imam Huseinin.

Shumë transmetues kanë regjistruar ngjarjen e harrīre-s*. Mes tyre, Imam Tha’lebīu në Tefsīr, Imam Ahmedi në Musned, dhe Ibn Athīri në Xhāmi ul-Usūl, duke cituar nga Sahīh-u i Tirmidhīut (shih më poshtë) dhe i Muslimit, transmetojnë nga gruaja e Profetit (s), Ummi Seleme, që thotë: “I Dërguari i Allahut (s) ishte në shtëpinë time kur Fātimeja i solli një pjatë harrīre. Në atë çast ai ishte ulur në verandën e tij ku zakonisht flinte. Ai kishte një pelerinë Khajberi nën këmbë. Unë po falesha në dhomën time. Profeti (s) i tha Fātimesë të thërriste burrin e djemtë e saj. Pas pak, ‘Alīu, Hasani dhe Huseini erdhën brenda dhe hëngrën harrīren. Xhibra’īli erdhi e i shpalli Profetit ajetin: {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, O Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33). Atëherë, i Dërguari i Allahut (s) i mbuloi të gjithë me pelerinën e tij, ngriti duart nga qielli, dhe tha: ‘O Allah, këta janë Ehl ul-Bejti im. Largoje çdo papastërti nga ata, e pastroji me një pastrim të përkryer.’ Ummi Seleme thotë se ajo lëvizi përpara e deshi të hynte nën pelerinë duke thënë: ‘O i Dërguari i Allahut, a të vi dhe unë?’ Profeti (s) u përgjigj: ‘Jo, qëndro në vendin tënd, ti je në të mirë’.”

Fakhr ed-Dīn Rāzīu shton në Tefsīr ul-Kebīr, se Profeti (s) tha: “Ju janë hequr të gjitha mëkatet” e “Ju janë dhënë mbulojet e bekimeve.”

Hazreti ‘Āisheja thotë: “Një mëngjes, i Dërguari i Allahut (s) doli nga shtëpia e tij i mbuluar me një mbulojë (kisa’) leshi të zi. Pas pak hyri Hasani, dhe Profeti e futi nën mbulojë. Pastaj erdhi Huseini i cili u fut aty. Më pas erdhi Fātimeja dhe ai e morri edhe atë nën mbulojë. Pastaj erdhi ‘Alīu dhe u fut nën mbulojë, dhe atë çast i Dërguari (s) recitoi: {Allahu dëshiron që të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të plotë}”. Kjo transmetohet në Sahīh Muslim: Kitāb Fadā’il us-Sahābeh, vëll. VII, fq 130, nr. 4450; Musned Ahmed: Baki Musned el-Ensār, nr. 24132; Sahīh ul-Tirmidhī: Kitāb el-Adab, n 2738; Sunen Ebū Dā’ūd: Kitāb el-Libas, n 3513; Tefsīr ul-Keshshāf i Zemakhsherīut vëll. I, fq 370 (ajeti 3:61); Tefsīr Durr ul-Menthūr i Sujūtīut, vëll. V, fq 198; Jenābī ul-Muwedde e Sulejmān el-Kundūzī Hanefīut, Kreu LV, fq 174 (bot. Stambollit); Mustedrek us-Sahīhejn e Hākimit, vëll. III, fq 159; dhe et-Tāxh el-Xhāmi’ li’l-Usūl e Prof. Mensūr ‘Alī Nassīfit, vëll. III, fq 333.

‘Umer ibn Ebū Seleme, djali i umm ul-mu’minīn Ummi Selemes, thotë: “Ajeti i pastrimit u shpall në shtëpinë e Ummi Selemes. I Dërguari i Allahut (s) thirri Fātimenë, Hasanin, Huseinin, dhe ‘Alīu ishte pas tij. Pastaj ai i mbuloi ata me një pelerinë (kisa’) dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im, prandaj largoje ndytësinë e mëkatit prej tyre e pastroji ata!” Atë çast, Ummi Selemja pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A jam unë mes tyre?” Ai (s) u përgjigj: “Ti je në vendin tënd dhe je në të mirë.” Ky hadīth transmetohet në Sahīh-un e Tirmidhīut (red. nga Ibn Arabī el-Mālikī, bot. Egjyptit), Kitāb et-Tefsīr, vëll. II, fq 200, nr. 3129, Kitāb el-Menākib, vëll. II, fq 308, nr 3719; Xhāmi ul-Usūl e Ibn ul-Athīrit, vëll. I, fq 101; Rijād un-Nedire e Muhibb et-Taberīut, vëll. II, fq 188. Në hadīthin 3806 tek Sahīh Tirmidhī, Kitāb el-Menākib, vëll. II, fq 309, kjo citohet drejtpërdrejt nga Ummi Seleme. Ajo pohon se Profeti (s) mbuloi Hasanin, Huseinin, ‘Alīun dhe Fātimenë me pelerinën e tij dhe tha: “O Zot! Këta janë Ehl ul-Bejti im dhe të zgjedhurit e mi. Largoje mëkatin prej tyre dhe pastroji ata!” Umm Seleme thotë: “E pyeta Profetin: ‘A jam unë mes atyre?’ Ai u përgjigj: ‘Ti je në të mirë’.” Tirmidhīu komenton: “Ky hadīth është sahīh dhe i mirëdokumentuar; ai është më i miri që citohet në këtë kontekst.”

Pastaj, Tirmidhīu citon Enes bin Mālikun, që thotë se i Dërguari i Allahut (s) për gjashtë muaj me rradhë kalonte pranë derës së Fātimesë çdo herë që ngrihej për të falur sabahun dhe thonte, “Është koha e namazit, o Ehl ul-Bejt! {Allahu padyshim dëshiron ta largojë të gjithë papastërtinë nga ju, O Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.” Këtë e transmeton edhe Taberānīu në Xhāmi’ ul-‘Usūl, vëll. IX, fq 156, Hākimi në el-Mustedrek, vëll. III, fq 158; Dhehebīu në Telkhīs, vëll. II, fq 150; Ahmedi në Musned, vëll. III, fq 285; Ibn Kethīri në Tefsīr, vëll. III, fq 495 dhe el-Bidāje we’n-Nihāje, vëll. IV, fq 438; Taberīu në Tefsīr, vëll. XXII, fq 6; Sujūtīu në Durr ul-Menthūr, vëll. V, fq 199; el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-Ummāl, vëll. VII, fq 102; Ibn es-Sebāghu në Fusūl ul-Muhimme, fq 8; Ibn ul-‘Athīri në Usd ul-Ghābeh, vëll. V, fq 521; el-Kundūzī el-Hanefī në Jenābī ul-Muwedde, Kreu LV, fq 174 (bot. Stambollit); el-Hasakānī në Shewahīd ut-Tenzīl, vëll. II, fq 32; el-Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 168, dhe Baladhūrīu në Ansāb ul-Ashrāf, vëll. II, fq 104.

Gjithashtu, Sujūtīu në Tefsīr Durr ul-Menthūr, transmeton nga Ebū Sa’īd el-Khudrīu se kur u zbrit ajeti {Dhe urdhëroje familjen tënde të falë namaz} (20:132), Profeti (s) për tetë muaj me rradhë, shkonte tek dera e ‘Alīut në kohën e faljes dhe thonte: “Është koha për namaz, Allahu ju mëshiroftë! {Allahu ka për qëllim që të heqë nga ju tërë ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}.” (Shih dhe Tefsīr-in e Rāzīut)

Në komentimin e ajetit 33:33, Sujūtīu shkruan: “Ibn Xherīri, Hākimi, dhe Ibn Mardawejhi transmetojnë se Sa’di tha: ‘Shpallja [e ajetit 33:33] zbriti mbi të Dërguarin e Allahut (s). Atëherë, ai solli ‘Alīun, Fātimenë, dhe dy djemtë e saj nën pelerinën e tij. Pastaj, ai tha: O Allah! Këta janë familja ime dhe Ehl ul-Bejti im!’”

Përkthyesi i Kur’anit në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti e ka kaluar në heshtje komentin e kësaj pjese të ajetit 33:33, duke mos e përmendur se kush janë familja e Pejgamberit, por ai s’e ka fshehur të vërtetën në sqarimin e shkurtër të ajetit 3:61, në fq 89. Në paragrafin e tretë të shënimit, gjatë përshkrimit të ngjarjes së Mubāhile-s, ai pohon: “…Pejgamberi u tha dhe doli me familjen e vet; me Huseinin ngryk, Hasanin përdore, Fatimen pas tij, e Aliu pas.” Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Botëve.

Tahāwīu transmeton në Mushkil el-Athār, vëll. I, fq 336: “Umm Seleme thotë: ‘Kur u shpall ajeti fisnik, në shtëpi nuk ndodhej askush përveç Xhibra’īlit, të Dërguarit të Allahut (s), Fātimesë, Hasanit, Huseinit dhe ‘Alīut. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, a jam unë nga Ehl ul-Bejti?” Ai u përgjigj: “Vërtet, ti ke vepra të mira tek Zoti.” Sa do të doja të kishte thënë ‘po’. Ajo do të kishte qenë për mua më e çmuar se gjithçka mbi të cilën ndriçon dielli.” Tahāwīu përmend 11 hadīthe me të njëjtin kuptim, të cituara nga Umm Seleme me zinxhirë të ndryshëm transmetimi. Ai po ashtu citon dy hadīthe me këtë formë: “Çdo mëngjes, i Dërguari i Allahut vinte tek dera e Fātimesë dhe thërriste ‘Es-selāmun aleikum, o Ehl ul-Bejt. Allahu ka për qëllim të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju’.” Pastaj, ai shton: “Gjithashtu, ajo që transmetohet në lidhje me këtë tregon se ajeti i pastrimit është për nder të tyre.” (Shih fq 332-339)

Ahmedi transmeton nga Shedded ibn Ebū Ammāri: “Shkova tek Wāthile ibn el-Aska’i me disa të tjerë. Ata përmendën ‘Alīun. Kur u ngritën për të ikur, ai më tha: “A të të përmend diçka që e pashë ta bënte i Dërguari i Allahut (s)?” Unë i thashë, “Sigurisht!” Ndaj, ai tha: “Iu afrova Fātimesë për ta pyetur atë për ‘Alīun. Ajo tha: ‘Drejtoju të Dërguarit të Allahut.’ Prandaj, e prita atë (s). Më në fund, i Dërguari i Allahut (s) erdhi me ‘Alīun, Hasanin, dhe Huseinin; këta kishin kapur secili njërën dorë të tij. Kur arriti, ai e uli ‘Alīun dhe Fātimenë para vetes, kurse Hasanin e Huseinin mbi kofshë. Pastaj ai hodhi pelerinën e tij mbi ta, dhe recitoi ajetin: {Allahu ka për qëllim që të largojë çdo papastërti nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}, dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im! Dhe Ehl ul-Bejti im gëzon më shumë të drejta.” (Musned, vëll. IV, fq 107)

Tefsīr-in e tij të njohur të Kur’anit, ed-Durr ul-Menthūr, në zbërthimin e këtij ajeti, Xhelāl ed-Dīn es-Sujūtīu transmeton nga Ibn ‘Abbāsi: “Për nëntë muaj rresht e vura re të Dërguarin e Allahut (s) të vinte tek dera e ‘Alīut pesë herë në ditë, në kohët e namazit, dhe të thërriste: ‘Paqja qoftë me ju, o Ehl ul-Bejt, dhe bekimet e mëshira e Allahut! {Allahu dëshiron të largojë nga ju ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}; është koha e namazit, Allahu ju bekoftë!’ ” (Po ashtu: Ahmedi në Musned, vëll. I, fq 330; Nesā’īu në Khasā’is ‘Alī, fq 11; Muhibb et-Taberīu në Rijād un-Nedire, vëll. II, fq 269; Hejthemīu në Mexhmā’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 119, 207, el-Genxhī el-Shāfi’ī në Kifājet et-Tālib, Kreu 100, fq 232, ku jepen 6 hadīthe të sakta).

Ebū’l-Hamrā’i, një tjetër sahab i Profetit (s), transmeton se: “Për tetë muaj me rradhë në Medine, i Dërguari i Allahut (s) shkonte tek dera e ‘Alīut për çdo namaz të sabahut. Ai i vendoste duart në secilën anë të derës dhe thërriste: ‘Es-Salāt! Es-Salāt! {Allahu dëshiron që të largojë gjithë ndytësinë prej jush, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}’.” (Sujūtīu në Durr ul-Menthūr, vëll. V, fq 198; Ibn ul-Athīri në Usd ul-Ghābeh, vëll. V, fq 174; Hejthemīu në Mexhmā’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 169, ku autori përcjell një hadīth të ngjashëm edhe nga Ebū Barzah.)

Vini re me kujdes, lexues të çmuar, se Profeti (s) i nderuar e ka veçuar hazreti Ummi Selemen – gruan e tij, nga Ehl ul-Bejti. Këtë e dëshmojnë edhe hadīthet e hazreti Āishes, Umer ibn Selemes, Ibn ‘Abbāsit, Enes ibn Mālikut.. etj, cituar më lart. Transmetohet në Sahīh Muslim e Xhāmi ul-Usūl, se Hasan ibn Samrāi pyeti Zejd ibn Arkamin: “Kush janë Ehl ul-Bejti? A janë gratë e Profetit (s) mes tyre?” Ai u përgjigj, “Jo! Gruaja jeton me të shoqin për ca kohë, pastaj ai e divorcon atë dhe ajo kthehet tek i ati dhe fisi i saj.” (Sahīh Muslim: Kitāb Fadā’il Sahābeh, vëll. VII, fq 124, nr 4425). Gjithashtu, nëse kjo pjesë e ajetit do t’u drejtohej grave të Profetit (s), do të ishte përdorur veta e dytë e shumësit në gjininë femërore, e jo veta e dytë e shumësit në gjininë mashkullore (‘ankunne në vend të ‘ankum, dhe jutahhirekunne në vend të jutahhirakum).

Në disa raste, Profeti (s) ua shpjegoi muslimanëve kuptimin e këtij ajeti kur ua tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e tij. Ebū Sa’īd el-Khudrīu transmeton hadīthin e të Dërguarit të Allahut (s): “Ky ajet është shpallur për pesë persona: mua, ‘Alīun, Fātimenë, Hasanin dhe Huseinin; {Allahu dëshiron që të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}.” (Ibn Xherīri, Ibn Ebū Hatimi dhe Taberānīu. Po ashtu, Imam Tha’lebīu në Tefsīr, Ibn Merdewejhi, dhe Bejhekīu në Sunen, nga Ummi Seleme.)

Taberānīu citon në Mu’xhem ul-Kebīr Imam Hasanin, duke thënë: “Jini korrektë ndaj çështjeve tona; neve jemi sundimtarët tuaj… ne jemi po ai Ehl ul-Bejt për të cilët Allahu ka thënë: {Allahu dëshiron të largojë nga ju tërë ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.” (vëll. III, fq 93, bot. 2-të, Maktabe Ibn Tejmijje). Hejthemīu e citon këtë hadīth në Mexhma’ uz-Zewā’id nga Taberānīu, dhe pohon: “Transmetuesit e këtij hadīthi janë të besuar.” (vëll. IX, fq 172) Ai përfshihet edhe në shumë libra të tjerë, si Shewahīd ut-Tenzīl nga Hasakānī, vëll. II, fq 32 (bot. 1-rë, 1411 H.), Ibn Kethīri në Tefsīr, vëll. III, fq 495 (Dār ul-Ma’rife, 1412), Ibn ‘Asākiri në Tarīkh Dimeshk, vëll. XIII, fq 270 (Dār ul-Fikr, 1415)…

Së fundi, po citojmë hadīthin relevant të Profetit të përcjellur nga Ibn ‘Abbāsi:

“Allahu Fuqiplotë i ndau njerëzit në dy grupe, dhe më vendosi tek më të mirët. Ai tha: {Sa u përket atyre të djathtëve … ata janë nën drunjë pemësh pa gjemba!} (56:27-8), e {Të majtit janë në nxehtësinë e zjarrit dhe ujin përvëlues!} (56:42) Unë jam prej të djathtëve e jam vërtet më i miri ndër ta.

Pastaj Allahu i ndau njerëzit në tre grupe, e më vendosi prapë tek më të pastrit prej tyre. Ai tha: {E ata të djathtit, kush janë ata të djathtit? Po të majtit, kush janë të majtit? Ndërsa të përparmit janë në ballë} (56:8-11). Dhe unë jam më i miri i atyre që janë në ballë.

Pastaj Allahu i ndau njerëzit në popuj dhe fise, e më vendosi mua tek më të mirët. Ai tha: {O njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin, dhe më i miri ndër ju tek Allahu është ai që është më i përzotshëm} (49:13). Dhe unë jam më i përzotshmi e më i miri ndër njerëz, e megjithatë nuk krekosem për këtë.

Pastaj Allahu i ndau njerëzit në të afërm dhe familje e më vendosi mua në më të virtytshmen e të gjitha familjeve, sepse Ai tha: {Allahu dëshiron të heqë të gjithë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33). Unë dhe Ehl ul-Bejti im atëherë, jemi të pastruar nga të tëra ndytësitë dhe të mbrojtur nga mëkatet.” (Sujūtī, ed-Durr ul-Menthūr, vëll. V, fq 199)


[1] Duke pranuar një përqindje të mundshme sado të vogël gabimi që ndodh me kërkimin në këtë mënyrë.

[2] Tabakat el-kubra vol.8 fq. 199. Bejrut 1968.

[3] Ke tefsiri i Xhelalejni ai thotë: Ehli elbejt pra gratë e Profetit.

[4] Tefsir Fet’hul Kadir

[5] Tefsir Bahr el-ulum

[6] Tefsir El-keshaf

[7]Tefsir Zadul mesir, në disa transmetime jepet kjo gjë ndërsa tek shumica vetëm tregohet ngjarja nga Umi Seleme pa thënë se ky ajet zbriti për ata të katërt.

[8] Tefsir El-bagaui

[9] Tefsir Zadul mesir

[10] El-uexhiz

[11] Ruhul meani.

[12] Bahr el-muhiit

[13] El-muharer el-uexhiz

[14] Mefatihul gajb

[15] Nudhum ed-durur

[16] Enuar tenzil ue esrar et-tauil

[17] Medarik et-tenzil ue hakaik et-tauil

[18] Irxhad el-akl es-selim ila mezaja el-katb el-kerim

[19] El-xheuhair el-hisan fi tefsir el-kuran

[20] Et-tahrir ue tenuir

[21] Eduaul bejan

[22] Shih El-mu’xhem eluesit madetu bate fq. 78.

[23] Sure el-hixhr:68

[24] Et-tahrir ue tenuir

[25] Shih Takrib et-tehdhib për të gjithë transmetuesit, vetëm për të parin (Ibn Humejd) që nuk gjendet aty.

[26] Në materialin e Lohjes është cituar nr. 3806 si numri hadithit, ky numër i korrespondon hadithit në fjalë sipas renditjes që i kanë bërë në programin kompjuterik nga firma El-alemije (sakhr & harf).

[27] Po ashtu e ka përmendur edhe Ebu Xhafer, shih lisan el-arab, dhe taxhul arus.

[28] Tefsir Zadul mesir

[29] Tefsir i Ibn Xherir Et-tabari.

[30] Mu’xhem el-mufredat elfadh el-kuran fq.212. madetu rixhs.

[31] En-nihaje fi garib el-hadith ue el-ether. Vol.2 fq.184, madetu rixhs.

[32] Fq. 330 madetu rexhese.

[33] Sure el-enam:145.

[34] Sure el-maide:90.

[35] Taxhul arus.

[36] Ky është babai i Ebu el-muadil-it që vetë është i besueshëm por për të atin e tij nuk dihet gjë.

[37] El-maide: 67.

[38] Shih Tirmidhi 3046, hadithi është i mirë (hasen) shih Sahih Tirmidhi të Albanit.

[39] El-maide:6

[40] El-bekare:185

[41] En-nisa:26.

[42] En-nisa:28

[43] Tefsir el-kebir ose ndryshe Mefatihul gajb

[44] Vol.3 fq. 640.

[45] Shih Ibn Xheri dhe Ibn Kethirin.

[46] Traskimtimi i emrit në Hasan ibn Samrāi siç është përmendur në material është gabim. Kështu është kur nuk përkthehen materialet nga burimi origjinal por gjuhë mbas gjuhe!!!

[47] Tefsiri i Ibn Kethirit v.3. fq. 641

[48] Sherh Sahih Muslim vol.15 fq. 175 bot. darul marife Bejrut 2000.

[49] Sure nur: 26

[50] Sure hud: 73

[51] Tehrir ue tenuir

[52] Për më tepër mund të shohës Tehdhib el-kemal, tehdhib et-tehdhib, lisan mizan, el-mexhruhin..etj.

[53] Es-sihah 4/1672

[54] Lisan El-arab 11/31 madetu ehl

[55] Muxhem El-uesit madetu al fq.33 bot.1989.

[56] Sure Ali-imran:33

[57] Sure El-gafir:46

[58] Këtë transmetim Er-ragibi e ka përmendur pa sened dhe pa referencë nga e ka marrë!

[59] Muxhem mufredat elfadh el-kuran, fq 37 bot 1997. darul kutub el-ilimje

[60] Sure El-kasas: 29.

[61] Tefsir Mexhmea el-bejan vol.4 fq.211

[62] Vol. 2 fq. 139 bot Nexhef 1386 h.

[63] Vol. 4 fq. 126 bot. Kum.

[64] Vol.7 fq.95, sure El-kasas.

[65] Esh-shia ue ehlil bejt. Fq. 18

[66] Fethul Kadir sure El-ahzab.

[67] Buhariu 2637.

[68] Sure El-ahzab ajeti 33. vol. 3. fq. 637 me Hyreje të Abdulkader Arnautit.

[69] Hadithi është sahih. Shih sahih Tirmidhi i Albanit.

[70] Sure El-azab:56

[71]Sherh fehul kadir li ibn Humam (2/274), Umdetul karij (7/339)

[72] El-mexhmua i Neveviut (3/466), Fethul Bari (11/160)

[73] Mexhmua fataua ibn tejmeje (22/460) dhe xhelau el-efham ibn kajim (109)

[74] Munteka sherhuj mueta lil baxhi (2/153)

[75] Temhidi (17/302-303)

[76] Ahkam el-kuran (3/623)

[77] Mexhmua fataua ibn tejmeje (22/461)

[78] El-insaf lil merdaui (2/79)

[79] Sunen el-kubra (2/151-152)

[80] Sunen el-kubra (2/151-152)

[81] El-mexhmua neveviut (7/466)

[82] Leuamia el-enuar (1/50)

[83] Sherhu sahih muslim (4/368)

[84] El-insaf lil merdaui (2/79)

[85] El-mufredat

[86] E kemi përmendur më parë

[87] Shih El-mexhmua neveviut (7/466) etj.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 10:38 pm  Lini një Koment  

AGJËRIMI I ASHURES TEK SHIAT

AGJËRIMI I ASHURES TEK SHIAT

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Thuhet se Isai alejhi selam ka thënë: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t`ju masin të tjerët. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t`i thuash vëllait tënd: “Dale të të heq lëmishten nga syri”, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd. (Mateu 7:1-5)

Pak rëndësi ka nëse e ka thënë Isai alejhi selam këtë apo jo. Këto fjali në vetvete mbartin urtësi kushdo qoftë thënës i tyre. Nëpërmjet këtyre fjalëve unë doja tu tregoja një mësim të mirë këtyre njerëzve të çuditshëm, këtyre shiave të cilët nuk lënë metodë pa zgjedhur për përligjur bidatet e tyre të shëmtuara. Po ç’është më e keqe duan të zhvlerësojnë një normë të fesë, siç është agjërimi i ditës së Ashures duke u argumentuar nga librat e të krishterëve dhe të çifutëve! Do t’i këshilloja që para se t’ia fillonin kësaj pune t’i hidhnin një sy rreshtave të më sipërm, sepse ndoshta një nga gjërat që mund të përfitosh nga librat e tyre është pikërisht urtësia e mësipërme!

Në një material që postua këtu u tentua të hidhet pluhur mbi vërtetësinë e haditheve sunnite që flasin për ligjërimin e agjërimit të ditës së ashures në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem).

Metoda objektive islame me të cilën dijetarët islam operojnë prej shekujsh me hadithet është ajo që quhet ‘nakd err-rriuajat’ (kritika e transmetimeve) dhe jo aludimet që nxirren nga librat e të krishterëve, çifutëve apo ateistëve! Shkenca e hadithit tek sunnijtë është zhvilluar në mënyrë të atillë saqë ai që e njeh apo e studion atë do të mahnitet me metodat tepër të kualifikuara dhe origjinale që dijetarët e hershëm të Islamit kanë ndjekur për ruajtjen e Sunnetit. Me mijëra muhadithinë kanë bërë atë që edhe sot e kësaj dite nuk e bëjnë as kompjuterët; kanë ruajtur, klasifikuar, kulluar, kontrolluar, verifikuar me qindra mijëra transmetime, për tu bërë kështu argument i gjallë i mrekullisë Kuranore, i mrekullisë Muhamedane. Allahu premtoi, dhe premtimi i Tij është hak, se do ta ruaj këtë fe nëpërmjet ruajtjes së Uahjit, Kuranit, por edhe Sunnetit pasi ai është pjesë e pa ndarë dhe bashkëshoqërues i Kuranit. Ndaj me gjithë përpjekjet për ta deformuar këtë pjesë të Uahjit, nuk ia kanë arritur qëllimit.

Është e vërtetë se gjenden plotë hadithe jo autentike por kjo nuk do të thotë se këto hadithe kanë mundur tu shpëtojnë dijetarëve dhe të depërtojnë madje edhe në librin më të saktë të haditheve, në atë të Buhariut! Tregohet se njëherë para Harun Rreshidit patën sjellë një njeri i cili akuzohej se kishte shpifur shumë hadithe dhe do ta dënonin për këtë. Ai duke mos gjetur rrugëdalje tjerët i thotë Harunit sesi do t’i gjesh ato katër mijë hadithe që unë kam sajuar nëse më vret?! Dhe Haruni i përgjigjet: Kush je ti para Ebu Is’hak El-fizarit dhe Adullah ibn Muberekut, që kanë për t’i nxjerrë ato një për një…

Subhan Allah! Këto fjalë të Harunit nuk ishin një hiperbolë por një realitet. Ai që lexon jetën e shumë prej muhadithënëve do të shoh edhe më tepër se kaq dhe do të bindet se ata qenë prej kolosëve të Islamit që ruajtën këtë fe.

Shiat janë nga sektet që marrin vesh më pak nga kjo shkencë dhe është dashur që transmetimet sunnite, konkretisht për agjërimin e ashures, t’i kritikonin në bazë të transmetimeve ashtu siç sunnijtë bëjnë me transmetimet e shiave apo edhe të vetë sunnijëve. Mirëpo siç e kam thënë edhe më parë dhe po e shpreh këtu ndryshe: ata janë njerëz që nuk janë në gjendje t’i hipin atij kali! Dhe a e dini përse? Jo sepse shkenca e hadithit është ndonjë lloj magjie që e mësojnë dhe e praktikojnë vetëm sunnijtë, por sepse po ta zbatojnë ata atë shkencë mbi librat e tyre, jo Buhariut që nuk i afrohen, por do të duhet sipas vetë fjalëve të dijetarëve të tyre të hedhin poshtë shumicën dërmuese të transmetimeve mbi të cilat ata bazojnë shiizmin e tyre! Ndaj nuk guxojnë t’i hyjnë kësaj loje të ”rrezikshme” që trondit ekzistencën e medh’hebit shiitë… nuk po zgjatem në këtë pikë pasi është një temë më vete që ndoshta do të kemi kohë ta trajtojmë, nëse Allahu na lehtëson dhe na jep forcë.

Le të shohim tani seç thonë vetë librat shiitë për agjërimin e ashures:

Së pari duhet thënë, siç edhe e kam cekur më parë, që librat e tyre janë kontradiktorë me vetveten pasi në po të njëjtin libër madje; gjen dy transmetime që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe nuk është e mundur të gjendet pajtim mes tyre, përveç tekijes kuptohet. Kur dijetarët shia gjenden përball situatave të tilla ku disa transmetime lejojnë diçka dhe disa të tjera e ndalojnë, një nga përgjigjet e shpeshta që japin është se ato transmetime janë thënë në momente tekije! Paçka se shpesh herë vetë përmbajtja e tekstit e kundërshton këtë interpretim! Nëse tregon diçka kjo gjë, tregon pikërisht atë se këtyre njerëzve tekija iu rrjedh nëpër gjak. Ajo është shpëtimtarja e tyre me të cilën nuk e lënë të jap shpirt medh’hebi i tyre i pa themeltë.

Së dyti unë këtu do të paraqes vetëm ato transmetime shiite që flasin për agjërimin e ashures. Dhe më duhet ta përsëris nuk e di për të satën herë, le të dali një shiitë të paktën dhe të argumentoj me fakte që këto transmetime nuk janë të vërteta, apo janë të dobëta, ashtu siç bëmë ne me transmetimet sunnite që shiat argumentoheshin me to! Nëse nuk ka nga ata burra mes jush, atëherë mbyllni gojën dhe heshtni sepse kjo është tekija më e mirë që mund të bëni dhe madje të merrni sevap për të!

Buhariu i shiave El-kulejni në librin e tij El-kafi (nr. 6 fq. 291) transmeton nga Ebu Xhafer se ai ka thënë: Allahu ka bërë obligim për njerëzit pesë gjëra, ata morën katër dhe lanë një. I thashë (transmetuesi): A do mi tregosh ato mua, u bëfsha kurban për ty? Dhe ai tha: Namazi. Njerëzit nuk dinin si të faleshin, zbriti Xhibrili, alejhi selam dhe tha: O Muhamed, tregoju atyre kohët e namazeve të tyre. Më pas zbriti zekati dhe tha: O Muhamed, tregoju atyre për zekatin e tyre ashtu siç u tregove për namazin e tyre. Më pas zbriti agjërimi dhe i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue alihi kur qe dita e ashures dërgoi (të lajmëronte) në fshatrat përreth dhe ata agjëruan atë ditë. Dhe zbriti (agjërimi) muaji i Ramazanit ndërmjet Shabanit dhe Sheualit. Më pas zbriti Haxhi…

Po kështu El-kulejni në kapitullin: ‘Uxhuh es-seum’ (llojet e agjërimit, fq. 86) transmeton një hadith të gjatë nga Ali ibn Husejn, (djali i Husejnit që mbeti gjallë nga masakra e Kerbelasë pasi ishte i sëmurë dhe nuk luftoi) i cili i shpjegon Zuhriut llojet a agjërimit dhe ndër të tjera i thotë: Ndërsa përsa i përket agjërimit të cilin i lejohet njeriut të zgjedhë (të agjërojë apo jo): është agjërimi i ditës së xhuma, ditës së enjte, agjërimi i ditëve të bardha, agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit pas muajit Ramazan, agjërimi i ditës së Arafatit dhe agjërimi i ditës së ashures, të gjitha këto njeriu është i lirë të zgjedhë; nëse do agjëron nëse do nuk agjëron.

Çudi vetë i biri i Husejnit nuk e konsideruaka si shpifje e umeuijëve agjërimin e ashures…! Ah harrova tekijen, sepse Zuhri ishte sunnij.

Tani hidhemi tek një libër tjetër i rëndësishëm i shiave dhe ky është: El-istibsar i Et-tusit, një nga katër librat bazë të shiave:

Nga Ebu Adullahi (Husejni) transmeton nga Aliu alejhi selam se ai ka thënë: Agjëroni ashuren, nëntën dhe dhjetën sepse ajo shlyen gjynahet e një viti. ( vol.2 fq.134)

Nga Ebu El-hasan (Aliu) tha: I dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka agjëruar ditën e ashures. ( po aty)

Nga Xhaferi nga i ati i tij alejhima selam tha: Agjërimi i ditës së ashures shlyen një vit. ( po aty)

Po kështu në një tjetër libër shiash: Mustedrek el-uesail të Et-tabersi (vol. 1 fq. 594) transmetohet nga Aliu radijallahu anhu se ka thënë: Agjëroni ditën e ashures, nëntën dhe dhjetën, që të jeni brenda, sepse ajo shlyen vitin që ka qenë më parë edhe nëse ndonjëri prej jush nuk e di dhe ha le ta plotësojë agjërimin.[1]

Siç e shihni pra shiat janë tepër subjektiv dhe as fenë e tyre nuk e njohin dhe duan pastaj të na e shesin sapunin për djathë.

Këtu dy mundësi ka: ose këto transmetime nuk janë sakta dhe i kanë shpifur edhe këto Beni Umeje dhe shiat gabimisht i kanë futur nëpër librat e tyre! A e pranojnë vallë një gjë të tillë?! Ose transmetimet janë të sakta dhe atyre u ka humbur një rast i mirë për të shlyer gjynahet e një viti!

Ndërsa përsa i përket akuzës se sunnijtë janë ata që kanë sajuar lloj-lloj hadithesh për vlerën e kësaj dite dhe se në të barka e Nuhut u ndal në Malin e Arafatit, se zjarri u bë i ftohtë dhe i padëmshëm për Ibrahimin dhe se Isai u ngjit në qiell, nuk tregon gjë tjetër vetëm se paditurinë e këtyre njerëzve si me medh’hebin sunnij po ashtu edhe me atë shiitë ose hedhje hi syve.

Dijetari shiitë Et-tusi në një nga katër librat bazë të shiave ‘Tehdhib el-ahkam’ transmeton nga Ebu Xhafer se ka thënë: Anija e Nuhut ka ngecur mbi El-xhudij ditën e ashures dhe Nuhu i urdhëroi ata që ishin me të, njerëz dhe xhin që ta agjëronin atë ditë. Ebu Xhaferi alejhi selam tha: A e dini se çfarë është kjo ditë? Kjo ditë është dita që Allahu beri të pendohej Ademi dhe Havaja dhe kjo është dita të cilën Allahu ka hapur detin për bijtë e Israilit dhe e mbyti faraoni dhe ata që qenë me të, kjo qe dita që Musai alejhi selam triumfoi mbi faraonin, kjo qe dita që në të lindi Ibrahimi alejhi selam, kjo qe dita që Allahu ia bëri të pendohej populli i Junusit, kjo qe dita që ka lindur Isai i biri Merjemes… (vol.4 fq.300)

Po kështu shiiti Ebul Kasim Ali ibn Musa ibn Taus ka thënë: kanë ardhur transmetime të shumta që nxisin në agjërimin e kësaj (dite).[2] Këto transmetime i kanë përmendur dijetarë shia në librat e tyre si El-hur El-amilij[3], Jusuf El-bahrani[4] etj. Tani unë me të drejtë pyes, paçka se deri tani pyetjet e mia kanë ngelur pa përgjigje: pse na akuzoni ne sunnijtë për gjëra që nuk e dini nëse ne i konsiderojmë të sakta apo jo, ndërkohë që ju vetë i keni nëpër librat tuaj bazë të shiizmit ithnaasherij? A ka ndonjë që përgjigjet? (Fe la hajate men tunadii! Kulubuhum mejite!)

Dhe ç’është më e forta se transmetimet shiite që ndalojnë agjërimin e ditës së Ashures kanë rrugë transmetimi të dobëta ndërsa ato që e ligjërojnë atë janë të forta siç kuptohet kjo nga shiiti Muhamed Rida el-husejni El-hairi në librin e tij: ‘Shpëtimi i Umetit qëndron në ngritjen e ngushëllimeve për Husejnin dhe imamët”!!! (Nexhatul ume fi ikametul aza alel husejn uel eimetu) fq. 145, 146, 148. botuar në Kum të Iranit 1413 h.

O shia ka ndonjë njeri objektiv prej jush! A nuk e shikoni sesi ju janë verbuar sytë e zemrës para syve të ballit!

Ndërsa tani po u tregoj vetëm një transmetim, të shpifur natyrisht, nga Xhafer Es-sadik rahimehullah për mos agjërimin e kësaj dite që të shikoni vetë se çfarë besojnë këta njerëz për ne sunnijtë:

Nga Ubejd ibn Zirare i cili pyet Ebu Abdullahin (a) për agjërimin e ditës së ashures dhe ai i thotë: Kush e agjëron atë ka për të pasur kësmet nga agjërimi i asaj dite kësmetin e Ibn Merxhanes dhe familjes së Zijadit. I thashë: e ç’kësmet kanë ata nga kjo ditë? Ai tha: Zjarrin, Allahu na ruajt nga zjarri dhe nga punët që të afrojnë tek zjarri.[5]

A e morët vesh o sunnij naivë se çfarë shpërblimi keni ju, sipas shiave, që agjëroni këtë ditë?! Shpërblimin e atyre që vranë Husejnin radijallahu anhu!

Sa për pyetjen absurde që u bë se çfarë do të kishte bërë Profeti (salallahu alejhi ue selem) nëse do të kishte jetuar edhe në kohën kur u vra Husejni? Duke dashur me këtë pyetje të përligj bidatet që bëjnë shiat në ditën e ashures. Pyetje të kësaj natyre bëhen duke u bazuar në historinë jetës të një personi që e njeh mirë dhe duke bërë analogji me ngjarje të ngjashme në kohën e jetës së tij. Ngjarja e Husejnit nuk ka fare ngjashmëri me çfarë ka ndodhur në kohën e Profetit ndaj dhe përgjigjja e kësaj pyetje absurde është se nëse Profeti do të ishte gjallë as Husejni e as Aliu dhe as Uthmani (radijallahu ahum) nuk do të ishin vrarë dhe do të ishim rehat edhe ju edhe ne. Mirëpo nëse ka një farë ngjashmërie ajo ka me historinë vrasjes së Hamzait (radijallahu anhu) dhe kuptohet Profeti do të vepronte siç veproi me Hamzain. Nuk shpalli ditë zie të përvitshme dhe as nuk urdhëroi që njerëzit të rrihnin vetveten e bidate të tjera si këto…

Profeti (salallahu alejhi ue selem) ndërroi jetë dhe feja u vulos një herë e përgjithmonë. Gjithçka është e mirë apo e keqe do ta gjejmë përgjigjen në Kuran dhe Sunnet ndaj pyetje të tilla janë të kota!

Ai që ka sy le të shohë! Ai që ka vesh le të dëgjojë! Ai që ka mendje le të logjikojë! Ai që ka zemër le të reflektojë! E ndërsa ai që nuk i ka të gjitha këto në errësirë le të vazhdojë!

Allahu na ruajt në fenë e tij! Amin!


[1] Po ashtu shih edhe Xhamiu ehadith esh-shia 9/475.

[2] Ikbal el-amal fq.558, botim darul kutub el-islamije Teheran.

[3] Uesail esh-shia 7/337.

[4] El-hadaik en-nadhire 13/371

[5] El-kafi kapitulli Seum Arafe ue ashura fq. 146.

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 10:33 pm  Lini një Koment  
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.