Në kërkim të një statusi moral për Komunitetin Musliman të Shqipërisë
Në një verset kuranor Zoti i mëson besimtarët se duhet t’i luten Atij, që ata vetë të mos bëhen shkaktarë për mosbesimin e njerëzve. Duhet të thënë se në historinë e njerëzimit, në shumicën e rasteve nuk janë besimtarët ata që bëhen shkak që njerëzit të mos përudhen në rrugën e Zotit, por përgjithësisht shkaqe që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me ta. Megjithatë ky verset kuranor e pohon si të vërtetë një fakt të tillë, çka do të thotë se në çaste dhe periudha të caktuara historike, vetë besimtarët mund të bëhen shkak që njerëzit të mos i afrohen besimit apo të kenë një qasje negative ndaj fesë dhe bashkësisë që e mbart atë. Shkaku në këtë rast duket se janë gabimet apo fajet e vetë besimtarëve, sepse verseti në fjalë e mbyll lutjen duke i kërkuar falje Zotit, si për të kërkuar që pasojat e këtyre gabimeve apo fajeve, të mos rëndojnë mbi shoqërinë dhe vetë besimtarët që kanë rënë në të tilla pozita.
Me gjithë përpjekjet e panumërta, individuale dhe kolektive që janë bërë dhe bëhen nga radhët e besimtarëve muslimanë për të përmirësuar imazhin moral dhe fetar të institucionit që i përfaqëson, ngjarjet e fundit kanë zhytur edhe më thellë në pellgun e amoralitetit profan kupolën drejtuese të Bashkësisë Islame të Shqipërisë. Pavarësisht justifikimeve, shfajësimeve, përgënjeshtrimeve dhe mbartjes së fajit jashtë strukturave të institucionit, kupola drejtuese e KMSH ka treguar në këto vite në mënyrë permanente, pa asnjë ekuivok se, ata janë në të vërtetë “çakalli që bën namin” ndërkohë që “ujku” të cilin fajësojnë për çdo gjë, as që ekziston. Masa e problemeve që shkaktohen nga abuzimet e shumta, sektarizmi dhe mungesa totale e funksionimit normal të institucionit, është në përmasa ajsbergike, saqë ajo çka bëhet publike herë pas here në media, është vetëm maja e tij e dukshme. Është shumë e hidhur për ne si besimtarë, pjesë e kësaj bashkësie, të pohojmë diçka të tillë, por është e pamundur që ne “të fshihemi pas gishtit” duke justifikuar apo heshtur ndaj një amoraliteti të tejskajshëm, që vetëm me fenë dhe besimin nuk ka lidhje.
Denoncimi që ne si besimtarë muslimanë duhet t’i bëjmë të keqes mes nesh, është në funksion pikërisht të ndryshimit të saj, është vepër konkrete e cila shoqëron lutjen e mësipërme, që Zoti të na falë dhe të mos na bëjë shembull të keq për mbarë shoqërinë ku jetojmë. Kostoja e rëndë morale, të cilën duhet të mbartë feja islame në këto troje shqiptare nga të tilla skena të turpshme, është ajo për të cilën duhet të shqetësohemi shumë më tepër ne si muslimanë, sesa ruajtja e një “status quo-je” fiktive të një normaliteti dhe moraliteti të shtirur nga ana e drejtuesve të KMSH dhe disa arnuesve dytësorë të nivelit të xhamive.
E vërteta është se KMSH ka vite që është kapluar nga një krizë institucionale. Forumet e saj, për nga mënyra sesi funksionojnë, nuk mund të gjejnë paralelizëm vetëm se me epokën e diktaturës komuniste, e kjo situatë është qartësisht e dallueshme për çdo vëzhgues të kujdesshëm që gjendet jashtë këtij komuniteti, e jo më për atë mori të madhe besimtarësh të cilët kanë vite që e përjetojnë me dhimbje këtë realitet. Mënyra sesi u zhvillua mbledhja e fundit të Këshillit të Përgjithshëm në KMSH, është një shembull tipik sesi është dhunuar dhe dhunohet në mënyrë të vazhdueshme statuti i këtij institucioni, i cili edhe pse ka probleme të rënda, përsëri është shkelur me të dyja këmbët nga të gjitha klanet brenda këtij institucioni, si nga akuzuesit edhe nga të akuzuarit.
E vërteta e dytë e hidhur, më e shëmtuar sesa e para, është fakti se KMSH është kthyer në një çerdhe hajdutësh, injorantësh, mediokrësh, intrigantësh, karrieristësh, burracakësh, aq sa tashmë në radhën e besimtarëve askush më nuk beson se atje mund të lindë dhe rritet e mira. Kjo krizë e autoritetit moral të këtij institucioni ka shkaktuar një hendek të pakapërcyeshëm mes masës së besimtarëve nga njëra anë dhe kupolës administrative nga ana tjetër, e cila nga ana e saj jeton në një izolim rehatie nga hallet e besimtarëve, e ngjashme kjo me atë gjendjen që jetonin perandorët kinezë brenda mureve të “qytetit të ndaluar”. Të vetmet njohje të kufizuar që kanë këta njerëz me besimtarët e xhamive, janë daljet publike për Bajram dhe skandalet që plasin herë pas herë në këtë institucion. Përfundimisht kjo kupolë nuk gëzon asnjë tagër moral përfaqësimi për besimtarët muslimanë të Shqipërisë dhe për më keq, ka marrë me pa të drejtë përfaqësimin ligjor të tyre para shtetit dhe opinionit publik shqiptar. Për vërtetësinë e kësaj që thashë gjithçka mund të testohet me një anketim të thjeshtë në xhamitë e kryeqytetit apo edhe e qyteteve te tjera kryesore të Shqipërisë.
Problematika e fundit që duket se rrezikon seriozisht KMSH në ditët që do të vijnë, është një sektarizëm ekstremikisht hermetik që kërkon të instalojë vetveten në këtë institucion, nga lart poshtë. Ky sektarizëm, të cilin për hir të një reflektimi shpresëpritës po tregohemi të rezervuar për ta emëruar, edhe pse në dukje i pastër dhe i papërlyer me abuzimet e shumta në KMSH, ka heshtur dhe ka lejuar deri më sot që për hir të marrjes nën kontroll të institucionit, të lejojë me paturpësi shkeljet e njëpasnjëshme statusore si dhe abuzimet e klaneve mafioze brenda KMSH-së. Është e vështirë të përtypësh tani faktin sesi këta njerëz pasi kanë penetruar në mënyrë joparimore brenda mureve të godinës së KMSH, do të bëjnë pastrime dhe spastrime të së keqes brenda dhe jashtë kësaj godine, kur vetë ata asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin deri më sot, përkundrazi janë bërë palë herë pasive dhe herë aktive e zgjatjes të së keqes brenda këtij institucioni. Shkaku real i kësaj bashkëfajësie, me të gjithë të akuzuarit brenda KMSH, është pikërisht interesi i ngushtë sektar, i cili vepron sipas parimit “qëllimi justifikon mjetin.” Për këtë arsye edhe nëse KMSH do të rregullojë një ditë imazhin e saj të përdhosur publik, si institucion ku nuk abuzohet më me vakëfet dhe pronat e muslimanëve, ajo rrezikon të blindohet në një godinë njëngjyrëshe, përjashtuese ndaj çdo spektri dhe ngjyrimi të ndryshëm të sunizmit shqiptar. Nëse këto agjenda sektariste nuk bëhen realiste për mjedisin shqiptar dhe nuk pranojnë faktin se Zoti ka dashur që ky vend të ketë këtë diversitet mendimesh, rrymash dhe pikëpamjesh, do të dështojnë në rrugë e sipër për të montuar artificialisht një ideologji, të ashtuquajtur liberale dhe tradicionale, e cila në fakt s’ka të bëjë asgjë me traditën e Islamit shqiptar, pas të cilit mundohen të pozojnë.
Institucioni përfaqësues i muslimanëve të Shqipërisë për mbarëvajtjen e tij dhe për krijimin e një profili moral dhe fetar të qëndrueshëm, ka nevojë për një gjithëpërfshirje demokratike të të gjithë spektrit sunit shqiptar, ashtu siç ka nevojë për pastërtinë morale të tij. Vetëm kur në KMSH të vendosen rregulla loje të barabarta për të gjithë njëlloj dhe të respektohen me ndershmëri ato, vetëm kur kriteret do të kufizohen në ato parimore, morale, fetare, profesionale dhe intelektuale, vetëm atëherë KMSH do të pushojë së qeni një arenë e grindjeve klanore për pushtet, dominim sektar dhe administrativ të besimtarëve muslimanë. Nga shteti shqiptar nuk kërkohet më shumë sesa të garantojë efektivisht këtë mbarëvajtje, duke mos u bërë palë me asnjë. Ndërsa margjinalizimi i grupimeve të caktuara dhe favorizimi i disa të tjerëve, mund të prodhojë në të ardhmen bastione të përjashtuarish, gjë që do të do të krijojë premisat e një çarje të thellë në mes myslimanëve shqiptar, e që nuk ka ekzistuar më parë, duke mos harruar faktin se ky proces do të mund të zhvillohet shumë më shpejt sesa ai i urbanizimit të shoqërisë shqiptare, i cili do të mund të zbuste sadopak fazat kritike nëpër të cilat mund të kalojnë këto bastione, sot për sot inekzistente.
20/09/2010
Justinian Topulli