Amoraliteti i homoseksualizmit
Në debatin rreth homoseksualizmit, zhvilluar së fundi në mediat shqiptare, në shumicën e rasteve argumentet pro apo kundra tij shumë pak përqendrohen në anën etike apo morale të këtij fenomeni. Pavarësisht se refuzimi i homoseksualizmit dhe neveria ndaj tij, në thelb dihet që vjen nga morali dhe kultura që kultivon pjesa dërmuese e shoqërisë, e megjithatë ky referim etik pothuajse anashkalohet, duke u hedhur kështu më së shumti në anë të tjera të debatit, siç është ajo të drejtave të njeriut, ana sociale, biologjike dhe mjekësore e tij. Ndërkohë, dihet katërçipërisht nga të gjithë debatuesit se ky debat ka lindur dhe zhvillohet pikërisht për anën (a)morale të tij.
Cila është arsyeja që ana më thelbësore e këtij debati lihet mënjanë? Arsyeja është e qartë, mbrojtësit e këtij fenomeni qëllimisht e anashkalojnë këtë aspekt madje për ta kjo është ana më e dobët e “homofobëve”, të cilët, sipas tyre, me refuzimin që i bëjnë homoseksualizmit për arsye etike, tregojnë arkaizmin e tyre, mungesën e kulturës dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut!
Askush sot nuk dëshiron të përballet me të tilla akuza dhe të etiketohet si arkaik, i pakulturuar dhe intolerant, sepse tashmë këto gjëra trajtohen si blasfemi ndaj demokracisë liberale dhe normave etike që përcjell “feja e shekullarizmit”. Të ngrihesh në emër të një morali që në thelb dhe origjinë buron nga feja do të thotë, sipas këtyre njerëzve, të cenosh gjënë më të vyer dhe më të shenjtë që ka arritur sot njerëzimi, e që është ndarja e religjionit nga morali publik dhe zgjedhja e lirë e njerëzve, pra do të thotë të jesh kundra lirisë dhe pro skllavërisë! Referimi për normat e moralit shoqëror dhe individual duhet të jetë i vetzgjedhur, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një çështje kaq individuale dhe private sa ç’është veprimtaria seksuale e njeriut. Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në shtratin e tjetrit, se çfarë bën ai.
E gjithë kjo filozofi mbrojtëse ndaj homoseksualizmit, mbështet mbi pikëpamjen se, njeriu është masa dhe kriteri i çdo gjëje. Por, nocioni “njeri” në këtë rast nuk ka si qëllim llojin njerëzor si tërësi, por çdo njeri më vete si subjekt i veçantë, pra merret me mend se edhe masa matëse e çdo gjëje ngelet relative dhe subjektive. Pa më të voglin dyshim kështu është.
Kjo filozofi nuk është aspak e re, ajo i ka rrënjët në Greqinë antike e ndoshta edhe më tej. Një nga promovuesit më të famshëm të saj ishte Protagora, ky sofist thoshte se: “Njeriu është masa e të gjitha gjërave.” Kjo pikëpamje u shtri nga nxënësit e tij edhe në fushën e etikës, ata “mendonin se nuk ekzistonte asnjë e drejtë që të ketë një vlerë të ngjashme për të gjithë. Ajo që njerëzit e quajnë e drejtë nuk është veçse një tërësi parimesh që, në kohë dhe në rrethana të caktuara, janë vërtetuar si të dobishme dhe të mira për vetë ata.”
Sokrati, filozofi i cili besonte në një moral universal, nuk nguroi të ironizojë me këta sofistë në mënyrën më therëse. Njëherë ai për pikëpamjen e Protagorës se, njeriu është masa e të gjitha gjërave tha: “Fare mirë mund të thoshte se edhe derri, majmuni, apo cilado kafshë tjetër, është masa e të gjitha gjërave!” Dhe ai kishte të drejtë. Nëse nuk ka një kod moral të njëjtë për të gjithë njerëzit, atëherë çfarë e bën të pavërtetë ironinë e Sokratit?!
-Njeriu si qenie e gjallë dhe jo e domosdoshme në ekzistencën e kësaj bote, vlerën më të madhe dhe më të qenësishme të tij ka pikërisht jetën dhe ekzistencën e tij. Çdo gjë e cila për njeriun ka vlerë mbështet pikërisht mbi këtë vlerë, që është ekzistenca e tij. Kështu që çdo instinkt njerëzor, i cili është shkak për ekzistencën e njeriut dhe vazhdimësinë e tij në jetë, merr një vlerë parësore për të dhe është në funksion të kësaj vlere. Për shembull ushqimi fizik për njeriun nuk do të kishte vlerën që ka, nëse ai nuk do të ishte një nga arsyet më madhore të vazhdimësisë së jetës së tij në këtë botë. Duke pasur një rëndësi të tillë, të pazëvendësueshëm, ushqimi jo vetëm që është një nevojë e domosdoshme fiziologjike për njeriun, por njëkohësisht është edhe një kënaqësi dhe shije e këndshme fizike për të. Mirëpo padyshim, është absurde të mendosh se vlera ushqimore është vënë në funksion të kënaqësisë, pasi kënaqësia trupore nuk është domosdoshmëri për ekzistencën e njeriut, por natyrshëm, është vlera jetësore ajo që ushqimi ka, arsyeja pse ushqimi është bërë i këndshëm dhe joshës për njeriun. Duke u nisur nga kjo logjikë, fare lehtë ne kuptojmë arsyen pse një njeri nuk mund të ushqehet me diçka vrasëse edhe pse ajo mund të jetë e këndshme dhe joshëse për të. Në të njëjtën mënyrë edhe seksualizmi njerëzor ka diçka më primare dhe më të rëndësishme sesa një kënaqësi e thjeshtë trupore, për vetë faktin se marrëdhënia seksuale qëndron në themelin primar të gjenezës njerëzore. Kështu që akti seksual si funksion parësor të tij ka riprodhimin dhe vazhdimësinë e llojit, pikërisht për këtë ai është gjendur dhe ekziston. Si i tillë ai përbën një vlerë madhore për njeriun. Ta ndash këtë vlerë jetike nga kënaqësia epshore që e shoqëron atë duke mbivlerësuar këtë të fundit, do të thotë të mbivlerësosh vdekjen karshi jetës, mos ekzistencën karshi ekzistencës. Nëse jeta është vlera parësore që kanë qeniet e gjalla në këtë botë, atëherë edhe shkaqet që e mbajnë gjallë këtë vlerë marrin po të njëjtën pozitë. Kështu pra dhe vlera që marrin shkaqet ekzistenciale të njeriut janë në themel të moralit njerëzor, ndërsa kënaqësitë trupore në funksion të tij.
-Në këtë kontekst logjik, jeta e njeriut dhe shkaqet që e mbajnë atë në ekzistencë kanë vlerë jo vetëm për të si individ, por edhe për vetë shoqërinë njerëzore dhe për ekzistencën e llojit të saj. Për këtë dhe Zoti apo shoqëria njerëzore (për ata që nuk besojnë në Zot) kanë vendosur ligje dhe norma të cilat nuk lejojnë (apo kufizojnë) përdorimin e gjërave që shkatërrojnë jetën njerëzore. Çdo njeri është një qenie më vete dhe gëzon liri të plotë për ta jetuar dhe gëzuar jetën e tij, por në të njëjtën kohë jeta e tij, duam apo s’duam, është e ndërvarur dhe ndërvar edhe jetë të tjera njerëzish, kështu që liria e tij nuk mund të cenoj qoftë për së afërmi apo për së largu ekzistencën e llojit njeri. Kështu që, përderisa një njeri si individ pranon të jetoj në shoqërinë e llojit të vet, ai është i detyruar të jap një pjesë të lirisë së tij individuale, pikërisht edhe për të tilla gjëra intime, siç është kënaqësia ushqimore apo ajo seksuale, sepse ato përbëjnë një nga arsyet madhore të ekzistencës njerëzore.
Shoqëria njerëzore si një e tërë, ka detyrimin për ta mbajtur në jetë individin, si pjesë e pandashme e saj, me të gjitha mundësitë që ajo ka. Po kështu edhe vetë individi ka si detyrim të mos cenoj drejtpërdrejtë apo tërthorazi, së afërmi apo së largëti, qoftë edhe me sjelljen apo moralin e tij seksual, vazhdimësinë e bashkësisë njerëzore. Kështu që asnjë individ, sado i lirë që të ndjehet ai, nuk ka të drejtë të dëmtoj, të vërë në pikëpyetje, apo në rrezik ekzistencën e llojit njerëzor, për hir të lirisë apo shijeve të tij individuale, duke promovuar si normal homoseksualizmin e tij. Natyrisht, asnjë njeri nuk mund të detyrojë dikë tjetër që ai të ketë domosdoshmërish një jetë seksuale riprodhuese, sepse kjo është një detyrim kolektiv i bashkësisë njerëzore, ku mjafton të plotësohet nga një pjesë e saj, por në të njëjtën kohë shoqëria njerëzore nuk mund të pranojë kurrsesi homoseksualizmin si vlerë të saj, sepse vetëm thjesht si akt, ai fyen një nga vlerat më madhore të ekzistencës njerëzore. Njerëzimi në mënyrë të ngjashme, nuk mund të pranojë si vlerë p.sh. vetëvrasjen edhe pse në fund të fundit në një këndvështrim tepër të ngushtë kjo është një zgjedhje e lirë individuale. Ashtu siç edhe nuk mund të pranojë, po për të njëjtat arsye -e më tej- edhe zoofilinë. Pra, në këtë kontekst edhe homoseksualizmi nuk mund t’i paraqitet shoqërisë njerëzore si akt normal dhe të kërkohet të pranohet si i tillë në shoqëri edhe pse ai përbën një zgjedhje personale. Kështu që, heteroseksualizmi njerëzor është e vetmja vlerë seksuale absolute e racës njerëzore, sepse është i vetmi akt seksual që ka kuptim natyror dhe ekzistencial.
Mbrojtësit e homoseksualizmit ndonëse janë të detyruar të pranojnë se ky akt shterpësie nuk është ekzistencial, pavarësisht kësaj, ata pretendojnë se ai është natyral dhe i lindur! Edhe pse një pretendim i tillë është tejet i pabazë, ai edhe nëse do të pranohej si i tillë, nuk e bën atë të natyrshëm. Sepse asnjë akt apo instinkt, që dëmton shoqërinë njerëzore apo çon drejt zhdukjes së jetës, nuk mund të konsiderohet kurrsesi si i natyrshëm, edhe pse individ të caktuar mund të lindin me të. Pas kësaj –nga ky këndvështrim- pak rëndësi ka nëse kjo konsiderohet si sëmundje apo sjellje e padenjë morale.
-Përveç këtij dimensioni natyror ekzistencial që homoseksualizmi thyen, ai po ashtu thyen një tjetër dimension mbi të cilin mbështet etika dhe morali i shoqërisë njerëzore, e që është etika e trashëguar kulturore dhe fetare për heteroseksualizmin. Kështu për shembull incesti, ndonëse është një akt heteroseksual, moralisht ai konsiderohet si pervers dhe nuk pranohet të jetë legjitim në shoqërinë njerëzore. Nëse në shoqërinë njerëzore ekzistojnë edhe të tilla kufizime morale, brenda vetë aktit heteroseksual, atëherë çfarë mund të jetë tjetër homoseksualizmi, që nuk është i tillë, vetëm se një shfrenim hedonist seksual amoral. Është tejet absurde të pranosh si perverse, sjellje të tilla seksuale si incesti apo edhe zoofilia dhe të përjashtosh prej tyre homoseksualizmin! Për të mbrojtur këto sjellje seksuale perverse mund të jepen, prej atyre që i pëlqejnë ato, pothuajse të njëjtat argumente që jepen edhe për të mbrojtur homoseksualizmin. Dhe këtu nuk ka asnjë çudi dhe të paqenë. Këto sjellje seksuale sot janë po aq ekzistente sa edhe vetë homoseksualizmi. Nëse mbrojtësit e këtij të fundit do të këmbëngulin, në mënyrë absurde se, përqindja e homoseksualëve është më lartë, gjë që edhe sikur të jetë e vërtetë, nuk i bën ata të kalojnë cakun e të qenit pakicë në mes heteroseksualëve, kështu që, një fakt i tillë nuk mund të shërbej për të përligjur moralisht homoseksualizmin dhe anatemuar perversitetet e tjera seksuale në pakicë.
Ne kemi të drejtë të pyesim se cili është kriteri moral që vlerëson se incesti dhe zoofilia janë ekstreme të papranueshme, ndërsa homoseksualizmi jo?
A nuk është pra pikërisht trashëgimia kulturore e fetare e shumicës dërrmuese të njerëzimit, kriteri që bën vlerësimin e të moralshmes dhe të pamoralshmes? Po i njëjti kriter moral është edhe ai që dënon homoseksualizmin si pervers, pa asnjë dallim në ndalim, nga fenomene të tilla perverse si incesti dhe zoofilia.
Ndërsa arsyetimi i “evolucionit të familjes”, i ndonjërit që kërkon të hedhë poshtë moralin fetar si pikë referimi për amoralitetin e homoseksualizmit duke dashur tu mbushë mendjen besimtarëve në Zot, është tejet absurd. Ky arsyetim niset nga pikëpamje të njëanshme, materialiste, të cilat mohojnë origjinën hyjnore të fesë, ku sipas të cilave njeriu ka ekzistuar njëherë e një kohë kur e rregullonte jetën e tij pa fe. E ndërsa për besimtarët, feja është bashkëshoqëruese e përhershme e njerëzimit, që në gjenezë të tij. Për më tepër nuk është vetëm kjo arsyeja, pse dënohet homoseksualizmi nga njerëzit e besimit, por edhe autoriteti moral i padiskutueshëm, që normat fetare kanë gëzuar në mes besimtarëve në të gjitha kohërat. Mirëpo sa për t’i dhënë përgjigje këtij arsyetimi pavend, na duhet të kujtojmë këta njerëz që kanë harruar se, megjithëse qeliza bazë e shoqërisë ka ndryshuar, ajo përsëri ka ngelur heteroseksuale, ashtu siç ka qenë që në fillimet e saj, qoftë edhe me origjinë shtazarake –sipas darvinistëve-, ndryshe nuk do të mbetej familje me gjithë ndryshimet e saj në kohë.
-Ligjet e ndryshme njerëzore i janë nënshtruar dhe i nënshtrohen vazhdimisht në kohë ndryshimit, për shkak të ndryshimit të interesave njerëzore si dhe për shkak se asnjë normë e shpikur nga njeriu nuk mund të jetë një tabu e paprekshme. Për këtë dhe normat morale publike në shoqërinë njerëzore, të tilla si seksualiteti, nuk mund t’i lihen tekave individuale të çdo njeriu e çdo brezi më vete. Pikërisht këtu është e domosdoshme të ndërhyjë një autoritet më i lartë se ai njerëzor, ku vlerat morale të vendosura prej Tij nuk mund cenohen. Është kjo një nga arsyet pse homoseksualizmi në të gjitha kulturat është pakicë ose edhe vende vende nuk njihet fare. P.sh. antropologu Dr. Neil Whitehead dhe Briar Whitehead shprehen për këtë se:
“Nëse homoseksualizmi në mënyrë domethënëse është i ndikuar nga gjenet, ai do të ishte shfaqur në të gjitha kulturat. Por, në njëzet e nëntë nga shtatëdhjetë e nëntë kultura të vëzhguara nga Ford-i dhe Beach-i në 1952, homoseksualizmi ishte një gjë e rrallë ose inekzistent.” (My Genes Made Me Do it. Chapter 6)
Identiteti social i njeriut përcaktohet nga bindjet dhe sjellja e tij.
Sipas pikëpamjes biologjike darviniste, njeriu nuk është gjë tjetër veçse një shtazë e evoluar, i cili si paraardhës të tij më të afërt ka majmunin dhe si kushërinjtë të largët të gjithë banorët e tjerë të xhunglës…
Të gjitha këto krijesa frymore, veç instinkteve të lindura, padyshim që kanë edhe sjellje sociale në shoqëritë ku ato jetojnë, sjellje këto që kushtëzohen nga ambienti dhe rrethanat ku gjinden. Sipas klasifikimit evolucionist, kuptohet se, sjelljet sociale të qenieve të gjalla ndryshojnë në bazë të shkallës së inteligjencës dhe zhvillimit mendor të tyre. Sipas kësaj pikëpamje, njeriu është kafsha që ka nivelin më të lartë të sjelljeve sociale mes qenieve të gjalla. Pra njeriu është kafsha më e prirë për t’iu larguar instinkteve të lindura dhe për t’iu përshtatur sjelljeve sociale në përputhje me normat etike e ligjore të cilat ai vetë i ka vendosur, pra për t’i vënë fre shtazërisë së tij. Në këtë drejtim, nëse njeriu dallohet nga kafshët, kjo vjen pikërisht nga respektimi që ai u bën këtyre normave. E thënë ndryshe, është sjellja ajo që e ka bërë njeriun ai që është sot. Kjo sjellje –gjithmonë sipas kësaj pikëpamje- ka sjellë edhe evoluimin gjenetik dhe biologjik të gjësë së gjallë. Për rrjedhojë është e natyrshme të mendosh sesa më shumë të evoluojë sjellja sociale e njeriut, bashkë me etikën dhe ligjet njerëzore, aq më shumë do të evoluojë edhe trupi i tij biologjik, për t’iu përgjigjur pikërisht sjelljes së tij; edhe pse tashmë çuditërisht duket se ky evolucion është ndalur. Por gjithsesi kjo logjikë evoluimi nuk e përjashton as mundësinë që edhe regresi të jetë i mundshëm. Në momentin që njerëzit apo ajo pjesë e shoqërisë njerëzore do të bien dakord, me hir ose me pahir, për tu sjellë si paraardhësit e tyre të supozuar, ata do të bëhen të tillë. Nëse jo në planin biologjik, pasi evolucioni –sipas tyre- nuk mund të kthehet më mbrapsht drejt formave më primitive, atëherë në planin social dhe atë shpirtëror një kthim mbrapsht është gjithmonë i mundshëm. Kështu pra, ne “njerëzve social” do të na duhet këtej e tutje për hir të humanitetit biologjik dhe lirisë absurde të individit, të jetojmë në një komunitet me “kafshët sociale”, fakt që gjithsesi nuk është aspak i këndshëm dhe rrezikon përhapjen e mëtejshme të kësaj epidemie.
Natyrshëm pra, duke u nisur nga pikëpamja evolucioniste për botën e gjallë, është e pashmangshme të mendosh se, sjellja sociale e njeriut nuk mund të ndahet me thikë nga ajo e instiktive e tij. Në fund të fundit njeriu, pavarësisht origjinës së tij biologjike, nga Zoti apo kafshët, nga Hyji apo nga majmuni, identiteti i tij social mbetet ai që dëshiron vetë ai të jetë. E pra si e tillë, sjellja e njeriut në shoqëri, është çështje besimi dhe botëvështrimi vetjak dhe jo biologjik apo gjenetik. Nëse dikush lumturohet dhe është krenar pse ai rrjedh nga majmunët, apo kushërinjtë e tjerë të pyllit, dhe do të sillet si ata, është zgjedhja e tij të identifikohet dhe të sillet si i tillë. Në fund të fundit, a nuk thonë njerëzit për ata që nuk respektojnë normat e moralit njerëzor se: Nëse nuk të vjen turp, bëj çfarë të duash!
j.topulli
Lini një Përgjigje