Zhvlerësimi i argumenteve shiite

Zhvlerësimi i argumenteve shiite

Allahu duke përmendur veprimin e çifutëve na jep mësim, një mësim të mirë ne myslimanëve në Kuran kur thotë:

Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.[1]

Prandaj habitem me Besnik hasan shala kur këmbëngul që salavati për Profetin (salallahu alejhi ue selem) nuk i përfshin gratë e tij duke marrë për bazë vetëm hadithin e salavatit ibrahimije ku thuhet familjen e tij dhe lë hadithin tjetër që e transmeton po Buhariu dhe përmenden gratë e Profetit!

Transmeton Buhari (3369), Muslimi (407), Nesaiu (1294) nga Ebu Humejd Es-saidi (radija llahu anhu) se ata (sahabet) thanë: o i dërguari i Allahut si të bëjmë salavatet ndaj teje? Dhe i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: thoni: O Allah! Bekoje Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç e ke bekuar Familjen e Ibrahimit dhe jep begati për Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç i ke dhënë begati familjes (al) së Ibrahimit, Ti me të vërtetë i lavdëruari i madhërishmi.

Mirëpo Besnikut mesa duket nuk i pëlqeu ky transmetim dhe këmbëngul tek ai ku nuk përmenden gratë. Atëherë lind pyetja nëse Buhari për shiat merret në konsideratë dhe hadithet në të janë autentike, atëherë pse marrin njërin dhe lënë tjetrin? Nëse nuk e dini që Buhariu e ka transmetuar edhe këtë hadith, atëherë ky është një problem i juaj, që në fakt tregon padijen tuaj. Por nëse e dini dhe zgjidhni vetëm atë që ju pëlqen kjo tregon kryeneçësi dhe kokëfortësi, dhe tregon në fakt atë që e kemi thënë edhe më parë këtu, unë dhe shumë të tjerë që shiat shkojnë mbas qejfit të tyre dhe nuk ndjekin të gjitha argumentet e sakta. Dhe me të drejtë ajeti i më sipërm u përshtatet më së miri atyre. Për ne sunijtë që të dy hadithet janë të sakta dhe biem në salavat për Profetin edhe me këtë edhe me atë. Për ne nuk janë kontradiktore, është fare e qartë këtë hadith e transmeton një sahabi dhe tjetrin një sahabi tjetër. Në njërin transmetim Profeti ka thënë vetëm familja (al) që për ne janë edhe gratë ndërsa në tjetrën i ka përmendur gratë direkt si dhe pasardhësit e tij. Ku qëndron kontradikta këtu, a nuk ju lejoka Profetit që salavatet njëherë t’i thotë të zgjeruara dhe një herë të përmbledhura? U nuk bëjnë edhe njerëzit në përgjithësi kështu me shumë fjalë të tyre, madje edhe vetë Allahu i madhëruar në disa ajete po për të njëjtën gjë i jep më të zgjeruara ngjarjet ose diçka tjetër dhe në disa ajete të tjera të përmbledhura. Çfarë ka këtu për të mos u pranuar? Është kaq e qartë kjo çështje saqë është mund i tepërt ta shpjegosh, siç po bëj unë këtu. Të dy hadithet jo vetëm që nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin por përkundrazi shpjegojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Mirëpo mesa duket kemi të bëjmë me njerëz që Sahih Buhari për ta nuk është vetëm se ilmihali apo ndonjë libër tjetër! Me që se ka përmendur ai libri tjetër këtë atëherë nuk qenka i saktë, apo edhe nuk qenka as tek Buhari! Prandaj o Besnik bën mirë t’i kthehesh Sahih Buharit në shqip meqë edhe në Kosovë mund të gjesh të përkthyer dhe shikoje vetë me sytë e tu meqë ndoshta nuk i beson sunnijtë si puna ime, dhe na jep përgjigje nëse do, për këtë hadith ku përmendet salavati edhe për gratë? Dhe mos u hidh nga një degë në tjetrën, sepse më burrnore është të heshtësh apo të pranosh gabimin sesa të dredhosh. Burrave nuk u kanë hije kësi lloj gjërash!

O Besnik, po të drejtohem ty por si qëllim i kam tërë shiat shqiptarë në këtë listë. A nuk është absurde të fusni tek Ehli bejti vetëm Fatimen, Aliun, Hasanin dhe Husejnin (radijallahu anhum) duke marrë vetëm një pjesë të argumenteve dhe braktisur të tjerat?! A ka vend ku të rrijë që ju të futni Fatimen tek ehli bejti dhe të lini jashtë nënën e saj Hadixhen (radijallahu anha) si grua të Profetit?! Nëse thoni se kështu janë argumentet! Është kaq absurde kjo këmbëngulje! Po a nuk qenë të gjitha ato argumente që të solla dhe me referenca madje se gratë janë prej Ehli bejtit dhe se ju shiat e keni gabim kokë e këmbë kur mendoni ndryshe. Unë të solla mendimet e sunijve për këtë punë kurse ti vazhdon akoma të thuash se mendimi e sunnijve është ndryshe? A nuk e kupton sa qesharak bëhesh në sytë e gjithë kësaj liste me mbi njëmijë anëtarë? Unë e pata guximin ta pranojë për punën e rrethimit Vjenës, mbasi u konsultova me referenca të tjera, që e pata gabim, ndërsa ti jo! Mua nuk më intereson që të dal unë fitimtarë në këtë debat me shiat, por dua të dal në shesh e vërteta, ndaj dhe nuk e kam problem ta pranoj të vërtetën qoftë edhe kundra meje. Por ti dhe të gjithë shiat a jeni të gatshëm ta bëni një gjë të tillë?! Shyqyr Zotit ne nuk e kemi pjesë të besimit tonë tekijen ndaj dhe po ju flasim hapur atë çka besojmë në zemra, pa e fshehur atë. A nuk është momenti që ta braktisni shiizmin sepse tek sunnijtë nuk keni për ta humbur dashurinë ndaj Ehli bejtit por do të fitoni edhe dashurinë ndaj sahabeve. Mos më thuaj se ne i duam sahabet! Dhe nëse është kështu ti e di fare mirë sesa është numri i atyre sahabeve që ju i doni! Do të më thuash se jo të gjithë sahabet janë njëlloj, gjë që ne dimë do të më thuash se mes tyre ka pasur edhe munafikë! Dhe unë po të them se ata që kanë qenë munafikë, kanë qenë qafira që shfaqnin Islamin dhe si të tillë as për ne dhe as për ju nuk janë sahabe. Ti je në gjendje të më thuash se kush kanë qenë të gjithë ata munafikë? Jo, sepse as ti e as unë nuk i dimë emrat e tyre. Nëse më argumentohesh me gabime të disave prej tyre, kjo së pari nuk është argument se ata kanë qenë munafik dhe së dyti a je i sigurt ti se çdo gjë që ke lexuar kundra tyre është e vërtetë? A mos kujton ti se vetëm ndaj Profetit shpifin hadithe të gënjeshtra dhe ndaj sahabeve nuk bëjnë të njëjtën gjë?! Përkundrazi! Por edhe nëse ka pasur ndonjë prej tyre që ka bërë gabime të mëdha, këta nuk janë shumica, dhe ne e lusim Allahun që t’i fali dhe mëshiroj. Mos harro o Besnik se ishin ata njerëz që Allahu i bëri sebep që unë dhe ti t’i themi vetes myslimanë sot. Ata nuk ishin katër, njëmbëdhjetë apo njëzet apo… por ishin me mijëra, mos harro se vetëm kur ata i dhanë besën Profetit nën pemë në ‘bejatu riduan’ ishin rreth 1400 vetë dhe Allahu thotë për ta në Kuran se ata i kanë dhënë besën Allahut, e ndërsa Profeti thotë se nuk kanë për të hyrë në zjarr inshallah asnjë nga ata që i kanë dhënë besën atij atje (Muslimi nr.2496) e shikon pra se ata kanë qenë shumë. E sa të tjerë nuk qenë me ta dhe prapë ishin sahabet e tij. Po a nuk thotë Muhamed ibn Hanefije, i biri i Aliut jo nga Fatimja, e pyeta tim atë: kush janë njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)? Dhe ai tha: Ebu Bekri. Dhe pas tij? Tha: Umeri, dhe pata droje se mos pas tij thoshte Osmani dhe i thashë: dhe pastaj ti. Dhe ai tha: unë nuk jam vetëm se një njeri prej myslimanëve. Hadithin e transmeton Buhariu (nr.3671). A merrni për bazë këtë hadith ju? Natyrisht që jo! Pse ai është ke Buhari, është i saktë! Të transmetosh hadithe të dobta për Aliun dhe të na i ofroni si të sakta, kjo nuk është ndershmëri. Aliun ne e duam edhe pa këto hadithe të dobëta që ju tregoni, po ju a e doni Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe të tjerët siç i duam ne ata? Ne çdo kujt i japim vendin e vetë pa ja ngrënë hakun dhe pa ja rritur vlerën më tepër seç e ka, kjo është drejtësia dhe e vërteta dhe jo siç bëni ju.

Këtu shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje edhe shumë sunnijve të cilët pa dashur, dhe pa i verifikuar mirë burimet historike dhe transmetimet u kanë hyrë në hak ku më pak e ku më shumë disa prej Sahabeve, madje edhe ndonjë sahabi të nderuar si Osmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

O njerëz a dini se më keni të bëni?! Me njerëzit më të mirë mbas Profetit, ndaj mos pranoni çdo gjë që thuhet për ta pa e verifikuar, vërtetë ata nuk ishin engjëj por ama ishin njerëzit më të mirë, shumë më të mirë se ne që rrimë dhe i shajmë ata sot! O Allah na bëj prej atyre që thonë:

Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”[2]


Besniku thotë:

Jo, dmth ate qe eshte permendur ne Kur’an dhe Hadithe si ”
Ehl ul-Bejt ” ato (grat tjera) nuk jane- dhe per kete deshmojne edhe
vet grat e Pejgamberit s.a., qe e kane treguar ne shume raste

(hadithe) se ato nuk u perfshine nga Pejgamberi s.a., me Ehli
Bejtin .

Përgjigje:

Ku i ke faktet e sakta për këtë që thua?

Besniku thotë:

Cka eshte thene per martesen e Aliut me Fatimen r.a. :
I Dërguari i Allahut s.a., i ka thënë gjithashtu Aliut : ” Ti je
vëllai im në këtë jetë dhe tjetrën .”2

Përgjigje:

Kuptimi i këtij hadithi nuk ka asgjë të keqe që të bjeri ndesh me akiden e Ehli Sunnetit. Por edhe ky hadith nuk është i saktë. Transmetohet nga Tirmidhiu (nr.3720) dhe nga El-hakim (3/14). Në zinxhirin e këtij transmetimi gjenden njëri pas tjetrit dy transmetues të dobët: Hakim ibn Xhubejr, (i dobët, akuzohet për shiitë) dhe Xhumej ibn Umejr (i dobët). Ndaj dhe Albani e ka vendosur te libri i haditheve të dobëta (nr. 351)

Besniku thotë:

“Ky është vëllai , trashëguesi dhe zëvendësi im ndër ju ; prandaj
dëgjojeni dhe bindjuni . ”

Përgjigje:

Edhe ky hadith është i dobët madje shejh Albani për të thotë se është i shpifur në librin e tij ‘Silsiletu el-ehadith ed-daife uel meudua’ (nr.4932). Transmetohet nga Ibn Xheriri në tefsirin e tij në komentin e ajetit Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt. (26:214) si dhe El-bezari, Ebu Nuajm dhe Ibn Asakir etj. Ibn Kethiri tek Tefsiri i tij përmend një nga këto rrugë transmetimi dhe në fund thotë: me këtë kontekst e përcjell vetëm Abdul-Gafar ibn El-kasim dhe ai është braktisur (nga dijetarët, metruk) gënjeshtarë shiitë, Ali ibn el-medini dhe të tjerë e kanë akuzuar për shpifës hadithesh.[3]

Aq më tepër që ky hadith është ca i gjatë dhe tregon një ngjarje që ka ndodhur në Mekë ku Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka mbledhur farefisin e tij Beni Hashim rreth 40 vetë dhe ndër të tjera u ka thënë edhe këto fjalë! Ibn Tejmije kur i përgjigjet këtij hadithi thotë se ky hadith duket që nga përmbajtja që është i sajuar për vetë faktin se Beni Hashim në atë kohë as nuk mbërrinin dyzet (40) vetë dhe as nuk ishin hamës të mëdhenj siç thuhet në ngjarjen e plotë të këtij hadithit.[4] Po kështu Albani përmend se në disa nga këto transmetime as që përmendet fjala ‘zëvendësi im’ (halifetiij), transmetime të cilat në fakt janë pak më të mira se ky më sipërmi.

Besniku thotë:

Ai , paqe pastë mbi të dhe familjen e tij , doli t’i takonte shokët e tij me një buzëqeshje të gjerë në fytyrë . Abdur-Rahman ibn Aufi e pyeti përse ishte gëzuar aq shumë .
Ai s.a., u përgjigj : ” Për shkak të lajmit të mirë që sapo mora nga Zoti im lidhur me
VELLAIN – KUSHERIRIN tim dhe VAJZEN time (Fatimen).

Përgjigje:

Këtë hadith e transmeton El-hatib El-bagdadij në librin e tij ‘Tarihul Bagdad’ (4/210) dhe më pas ai thotë: transmetuesit e këtij hadithi, çka në mes Bilalit dhe Umer ibn Muhamedit (shtatë vetë) që të gjithë janë të panjohur. Po ashtu Edh-dhehebiu në ‘Mizan el-itidal’[5] (nr. 8900) kur flet për njërin nga transmetuesit e këtij hadithi (Musa ibn Ali el-kureshij) thotë: Nuk dihet se kush është, dhe haberi është i gënjeshtërt….(përmend zinxhirin e transmetimit të hadithit në fjalë) isnadi i tij është errësira (dhulumat). Po kështu edhe Ibn Xheuzi në librin e tij ‘El-meuduat’[6] e ka konsideruar si të shpifur, madje vetë libri në fjalë i Ibn Xheuzit ka mbledhur të tilla hadithe. Albani e ka vendosur këtë hadith tek libri i tij për hadithet e dobëta (nr. 4942) madje e ka konsideruar si të shpifur.

Besniku thotë:

“Kur Zonja e tërë grave në Xhennet u martua me Prijësin e familjes së
Profetit , i Dërguari tha: ” O Ummi Ejmen ! Sillma tim vëlla . ”
Ajo pyeti : “Ai është vëllai yt e ti do ta MARTOSH me tët bijë ?! ”
Ai tha : ” Po , o Ummi Ejmen .” Ajo e thirri Aliun brenda . 3

Përgjigje:

Ndonëse edhe ky hadith nuk përbën ndonjë problem për akiden tonë dhe as kundërshton mendimin dhe besimin që ne kemi për Aliun, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Këtë hadith e transmeton El-hakim (3/159) dhe Ibn Asakir nga Esma bint Umejs (radijallahu anha) e cila thotë: isha në martesën e Fatimes, vajzës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe kur u gdhimë erdhi i dërguari i Allahut tek dera dhe tha: ” O Ummi Ejmen !

Dhe ç’është më forta është se autori shiitë i librit ‘El-muraxheat’ në shënimin në fund të faqes thotë: Edhe Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs, duke ia pranuar vërtetësinë.

Kjo është një gënjeshtër pasi Dhehebiu në fakt ka thënë: Por hadithi është gabim sepse Esmaja natën e martesës së Fatimes ka qenë në Habeshe.

Shejh Albani e ka vendosur edhe këtë hadith tek libri i tij për hadithet e dobëta (nr. 4940). megjithatë qoftë ai qoftë edhe unë për hir të amanetit të së vërtetës po i citoj fjalët e tij: Nuk gjej në isnadin e tij ndonjë defekt të dukshëm, pasi transmetuesit janë të besueshëm, vetëm nëse ka ndërprerje në mes Ebu Jezid El-medenij dhe Esmasë. Pasi tek isnadi i Ibn Asakirit ai thotë: Esmaja ka thënë…dhe kjo ka pamjen e irsalit (ndërprerjes). Allahu e di më së miri.

Këtë gjë e citova për të treguar se edhe përmbajtja merret parasysh në verifikimin e hadithit, si në rastin konkret.

Besniku thotë:

Shumë herë Profeti s.a., i drejtohej Aliut dhe thoshte : ” Ky është
vëllai , kushëriri e dhëndrri im , dhe BABAI I PASARDHESVE të
mi .”4

Përgjigje:

Ebu Merjem ibn Muhamed El-adhamij në librin e tij ‘El-huxhexh ed-damiga’ thotë: El-mutekij el-hindi këtë e ka përmendur në nr. 12914 (të librit Kenzul umal) dhe ka bërë shenjë për dobësinë e tij duke thënë: Në të gjendet Ismail ibn Jahja. Ebu Merjem thotë: në mes transmetuesve janë katër vetë që quhen Ismail ibn Jahja… (dhe i përmend ata me emra)… dy të parët janë gënjeshtarë, i treti i braktisur (nga dijetarët, metruk) dhe i katërti i panjohur siç tregohet kjo në ‘El-mizan’ dhe në ‘Et-tehdhiib’ e të tjerë. Pra u bë e qartë se hadithi është i gënjeshtërt nga cilido transmetues qoftë.[7]

Besniku thotë:

” Ti je vëllai , shoku dhe shoqëruesi im në Xhennet .”

Përgjigje:

Këtë hadith e transmeton El-hatib el-Bagdadi në librin e tij ‘Tarihul Bagdad’ (10/640). Shejh Albani e ka vendosur tek hadithet e dobëta (nr. 4943) duke thënë se hadithi është i shpifur (meudu), në të gjendet transmetuesi Uthman ibn Abdurrahman el-kureshij el-uekasij për të cilin Ibn Haxher ka thënë: i braktisur (metruk), Ibn Me’in e ka konsideruar si gënjeshtar.

Besniku thotë:
Per Ehli-Bejtin cka eshte thene: Muhibb ed-Din et-Taberiu në er-Rijad un-Nedireh, vëll. II, fq 189 nga Ebu Bekri : ” E pashë të Dërguarin e Allahut s.a., të hynte në
një çadër teksa mbështetej mbi një hark arab. Në çadër ndodheshin
Aliu , Fatimja , Hasani dhe Huseini . Atëherë , ai tha : ” O myslimanë ! Të gjithë ju ! Unë jam në paqe me atë që është në paqe me njerëzit që ndodhen në këtë çadër, në luftë me këdo që është në luftë me ta , dhe jam wali-u i cilitdo që i merr për wali ata . S’i do ata veçse ai që është i një prejardhjeje të lumtur dhe lindjeje fisnike . E s’i urren ata veçse ai që është i një prejardhjeje të mjerë dhe lindjeje të ulët .”

Përgjigje:

Ky hadith është përmendur në librin e mësipërm pa zinxhir transmetimi (sened, isnad) dhe si i tillë nuk merret për bazë. Pasi zinxhiri i transmetimit apo i quajtur ndryshe si isnad (ose sened) është prova që tregon burimin e hadithit, prej tij bëhet edhe vlerësimi për saktësinë e tij ose jo. Wali në këtë rast ka kuptimin e mikut dhe të miqësisë e dashurisë, pra unë jam mik me cilindo që i merr ata për miq dhe i do ata. Kjo fjalë dhe kjo përmbajtje do të sqarohen më gjatë në hadithin e Gadir Khum-it inshallah. Por ajo që vlen për tu përsëritur këtu është se edhe ky hadith nuk bie ndesh me atë çka sunnijtë besojnë për Aliun dhe familjen e tij.

Besniku thotë:

Hakimi në el-Mustedrek us-Sahihejn , vëll. III, fq 329 me sened
nga Ebi Abdil-Lah el-Xhedeliu nga nga Ebu Dheri i cili tregon : ” Ne i njihnim hipokritët (munafikët) vetëm nga përgënjeshtrimi i tyre i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij s.a., të mbeturit pas në namazet e tyre , dhe urrejtja e tyre ndaj Ali ibn Ebi Talibit .”

(Hakimi pohon se hadithi është i saktë (sahih) sipas kushteve të Muslimit .

Përgjigje:

Së pari Ebi Abdilah El-xhedeli, për të Ibn Haxher thotë se është i besueshëm, akuzohet për shiitë. Fakti që El-hakim thotë se hadithi është sipas kushteve të Muslimit, nuk përkon me realitetin pasi kjo do të thotë se ky transmetues dhe të tjerët janë prej transmetuesve që gjenden në Sahih Muslim por në fakt nuk është kështu. El-mizi në ‘Et-tehdhib el-kemal’ tregon se hadithet e këtij njeriu gjenden tek Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu ndaj dhe nuk mund të themi se ky hadith është sipas kushteve të Muslimit. Po ashtu në zinxhirin e këtij transmetimi tek El-hakim gjendet edhe një transmetues me emrin Is’hak ibn Bishr El-kahilij për të cilin Dhehebiu në ‘Mizan El-itidal’ përmend disa prej dijetarëve siç është Ebu Bekr ibn Ebu Shejbeh, Ebu Zura, Ed-darekutniu të cilët e kanë konsideruar gënjeshtar dhe shpifës hadithesh.[8] Një tjetër hadith i ngjashëm me këtë transmetohet nga Ebu Seid El-khudrij tek Tirmidhiu (nr. 3717) por edhe ai ka isnad të dobët, dhe Albani për të thotë: Isnad shumë i dobët.[9] Allahu e di më së miri.

Besniku thotë:

Nuk ka asnjë dyshim se i Dërguari i Allahut , paqe pastë mbi të dhe
pasardhësit e tij , i ka lënë Aliut një trashëgimi dijeje e urtie sa
ajo që u ka lejuar Fuqiploti profetëve të Tij e wasi-ve për të
trashëguar, saqë i Dërguari i Allahut s.a., tha : ” Unë jam qyteti i
diturisë e Aliu është porta e tij ; ndaj , ai që kërkon dije le të
vijë nga porta .”

Përgjigje:

Së pari për këtë hadith ka pasur mendime të ndryshme mes dijetarëve sunnij për saktësinë ose jo të tij duke u nisur vetëm nga Isnadi.

Këtë hadith e ka saktësuar:

1-El-hakim në ‘El-mustedrek’,[10]

Ndërsa e ka konsideruar si të mirë (hasen, nivel i pranueshëm por poshtë sahihut):

2-El-alai,[11]

3-Ibn Haxher,[12] në ‘Lisan el-mizan’ ai thotë: ky hadith ka rrugë të shumta transmetimi në ‘Mustedrek-un’ e El-hakimit[13], ndaj gjëja më e pakët është që ky hadith të ketë një origjinë dhe kështu që nuk e nevojshme që për të të thuhet se është i shpifur (meudu).[14]

4-Po kështu edhe Es-sakhaui dhe

5-Esh-sheukani janë të mendimit se hadithi është i mirë.[15]

Ndërsa dijetarët që e kanë konsideruar atë si të dobët dhe të shpifur janë:

1-Buhariu i cili e ka mohuar dhe madje ka thënë: nuk ka rrugë të sakta transmetimi,[16]

2-Tirmidhiu,[17] ndërsa

3-Ibn Hibani ka këtë mendim: kjo thënie nuk origjinë në hadithet e Ibn Abasit, as Muxhahidit, as El-amash, as Ebu Muaujies. Kushdo që e ka treguar këtë hadith e ka vjedhur (alegori për transmetuesin e hadithit pa sened) atë nga Ebu Es-salti edhe nëse i ka ndryshuar isnadin…ky hadith nuk ka origjinë nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).[18]

4-El-ukelji i cili thotë: nuk ka hadith të saktë me këtë përmbajtje.[19]

5-Ed-darekutni i cili thotë: hadith mudtarib (konfuz në isnad apo përmbajtje) i pa saktë.[20]

6-Ibn El-xheuzi në ‘El-meuduat’ (1/533).

7-Dhehebiu i cili e ka kundërshtuar saktësimin e El-hakimit duke thënë: por jo vallahi është i shpifur.[21]

8-Ibn Tejmije. [22]

9-Abdurrahman El-mualimi.[23]

10-Albani në ‘Silsiletu Ed-daife’ (nr. 2955).[24]

Për më tepër hollësi rreth transmetimeve të këtij hadithi dhe diskutimit të tyre mund t’i ktheheni librit të Albanit si dhe librit të Ebu Abdulaziz Halifetu El-keuari.[25]

Veç të tjerash ky hadith ka edhe përmbajtjen problematike. Ja seç thotë për të Ibn Tejmije: hadithi ‘Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e saj’ është akoma më i dobët dhe më i ligsht, ndaj dhe ai futet tek hadithet e shpifur edhe pse e ka transmetuar Tirmidhiu. Ibn Xheuzi e ka përmendur këtë dhe ka bërë të qartë se të gjitha rrugët e transmetimit të tij janë të shpifura. Gënjeshtra dallohet që nga vetë përmbajtja. Nëse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ishte qyteti i diturisë dhe nuk ka pas vetëm se një derë e nuk e ka përcjell dijen prej tij vetëm se një njeri! Atëherë qenka bllokuar çështja e Islamit (vetëm tek një njeri)! Ndaj dhe myslimanët kanë rënë dakord se nuk mund të lejohet që dija nga ai (Profeti) të vijë vetëm nga një person, por duhet që ata që e përcjellin këtë dije të arrijnë në muteatir,[26] me lajmin e të cilëve arrihet dija për të panjohurën. Nga lajmi i një njeriu nuk përftohet dije vetëm se me fakte mbështetëse, fakte të cilat nuk mund të gjenden apo mund të jenë të panjohura për shumicën e njerëzve ndaj dhe për ta nuk mjafton për të arritur dijen e Kuranit dhe sunneteve muteuatir. Nëse ata (shiat) thonë: Ai (Aliu) i vetmi është i pagabueshëm (ma’sum) dhe përftohet dija me lajmin e tij. Atyre (shiave) i thuhet: së pari na duhet dija që ky njeri është i pagabueshëm. Dhe pagabueshmëria e tij nuk vërtetohet thjesht nga përmendja e lajmeve të tij para se të njihet pagabueshmëria e tij, sepse kjo është një rreth vicioz dhe nuk pranohet me Ixhma (unanimitet), e as nuk ka unanimitet (njëzëshmëri) për këtë gjë… Nëse qyteti i dijes nuk do të kishte portë tjetër veç tij, as pagabueshmëria e tij dhe as gjë tjetër nga feja nuk do të ishte vërtetuar. Ndaj bëhet e qartë se këtë hadith ka shpifur ndonjë heretik (zindik) injorant që ka kujtuar se po i bën lëvdatë (Aliut), dhe në fakt është bërë rrugëkalimi i heretikëve për të sulmuar fenë Islame, nëse fenë e ka përcjell vetëm një person.

Ky (hadith) madje bie në kundërshtim me realitetin që njihet pa pikë dyshimi (me muteuatir). Të gjitha vendeve të Islamit u ka shkuar dija nga Profeti jo nëpërmjet Aliut. Sa për Mekën dhe Medinen kjo është më se e qartë, po kështu edhe Shami dhe Basra. Banorët e këtyre (dy vendeve) pak kanë transmetuar nga Aliu. Dijen më të shumtë të tij e gjejmë në Kufe, e megjithatë banorët e Kufes e njihnin Kuranin dhe Sunetin që para se në pushtet të vinte Osmani dhe jo më Aliu. Fukahat (dijetarët, juristët) e Medines e morrën dijen në kohën e Umerit. Mësimdhënia e Muadhit dhe qëndrimi i tij në Jemen ka qenë shumë më tepër se Aliu. Ndaj dhe jemenasit kanë transmetuar shumë më tepër nga Muadhi sesa nga Aliu. Shurejhu (gjykatës i njohur) dhe tabiinë të tjerë të mëdhenj e kanë marrë dijen nga Muadh ibn Xhebeli. Kur Aliu erdhi në Kufe Shurejhu ishte gjykatës në të. Ai dhe Abidetu Es-selmani e kanë marrë dijen nga tjetër kush, dhe kështu dija e Islamit është përhapur nëpër vende para se Aliu të vinte në Kufe.[27]

Ndërsa Ibn Hazmi duke iu kundërvënë dikujt që thoshte se Aliu kishte më tepër dije, thotë: Ky njeri nuk ka thënë të vërtetën. Dija e një sahabi njihet në dy mënyra dhe s’ka të tretë. E para: nga fetvatë dhe transmetimet e shumta. E dyta: përdorimi i shpeshtë i tij nga ana e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Është absurde dhe e pavlerë që Profeti (salallahu alejhi ue selem) të përdorte një njeri që s’ka pas dije, kjo është dëshmia më e madhe për dijen dhe njohjen e saj. Ne kemi parë dhe gjetur se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka vënë Ebu Bekrin për tu prirë në namaz në prezencë të tij gjatë gjithë kohës që ai qe i sëmurë, dhe të gjithë sahabet e mëdhenj ishin prezent, si Aliu, Umeri, Ibn Mes’udi, Ubej ibn Kab etj, e megjithatë atë e vuri mbi të gjithë.[28]

Çka e kundërshton edhe më tepër përmbajtjen e këtij hadithi, si dhe faktin që shiat besojnë se Aliu dinte gjëra të cilat nuk i dinin sahabet është edhe vetë fjala e Aliut (radijallahu anhu) kur është pyetur: A ju ka veçuar ju i dërguari i Allahut me ndonjë gjë?[29] Dhe ai tha: Nuk kemi gjë tjetër veç Librit të Allahut dhe këtë fletushkë nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) ku (thuhet): Medinja është haram nga Airi deri… (Buhari nr.1870), ndërsa në transmetim tjetër po tek Buhari (nr.111) ai thotë: Jo, përveç librit të Allahut dhe kuptim që i është dhënë një njeriu mysliman dhe çka kam në këtë fletushkë. Dhe e pyeta çka në atë fletushkë? Ai tha: shpagimi i gjakut, lirimi i robit dhe se nuk vritet një mysliman për një kafir.

Dhe po përsëri tek Buhari (nr. 3047) ai betohet duke thënë: Jo, pasha Atë që shpërthen farën dhe krijoi njeriun nuk di veç kuptimit që Allahu i jep një njeriu në Kuran dhe çka në këtë fletushkë…

Ndërsa tek Muslimi thuhet se ai mbajti hutbe dhe tha: Kush pretendon se ne kemi diçka tjetër që e lexojmë veç Librit të Allahut dhe kësaj fletushke, dhe fletushka ishte e lidhur në millin e shpatës së tij, vetëm se ka gënjyer. Në të ka…(nr. 1370).

Kjo thënie e Aliut (radijallahu anhu) është nga më të saktat. Atë e ka transmetuar Buhariu disa herë në librin e tij po ashtu Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxha, Ahmedi etj. Kjo thënie autentike nga Aliu është një nga argumentet më të forta kundra të gjithë pretendimeve shiite se Aliu dhe pasardhësit e tij (radijallahu anhum) kanë trashëguar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) një dije të cilën nuk e njeh askush veç tyre!

Përgjigje ndaj një postimi tjetër të Besnikut

Besniku thotë:
Po te doje njeriu , mundet me gjete mija gjana te tmerrshme ne
librat sunni dhe mijera gjana te tmerrshme ne librat Shiite , po cka
me ba ? A thua se fene e bejne librat e autoreve e jo praktika e
njerezve dhe bindjet e ndergjegjshme .

Përgjigje:

Kjo është e vërtetë por ama mes librave të shiave ke për të gjetur dhjetë herë më tepër dhe këtë edhe mund ta vërtetoj nga librat më kryesor shia si për shembull El-kafi, libri më i mirë i shiave, sipas tyre, në hadith.

Po, fenë e bëjnë njerëzit, por autorët na tregojnë faktet, dhe bindjet e njerëzve duhet të bazohen diku, dhe këto pikërisht janë librat, ndaj dhe ne kur flasim mbështetemi tek librat.

Duhet të bësh dallim mes gabimeve të individëve dhe mes akides së një grupi, kjo është tepër e rëndësishme. Nëse shohim individët është e vërtetë se mes sunnijve dhe shiave do të gjejmë plotë njerëz me gabime individuale, por ama ne sunnijt flasim për gabime të shiave në total, për akide të shtrembëta dhe plotë gjëra të tjera dhe jo për gabime individësh të cilat nuk pasohen nga pjesëtarët e tjerë të asaj bashkësie. Besoj se dallimi është i qartë, ndaj dhe unë këtu nuk kam sjellë fakte thjesht individësh por fakte nga dijetarët shia të cilët paraqesin doktrinën shiite, si për shembull kur përmenda autorin e ‘faslu hitab-it’. Ai në atë libër nuk ka sjellë thjeshtë mendimin e tij për Kuranin por ka sjellë me qindra rivajete nga ata që ju i merrni për bazë si dhe me dhjetëra emra dijetarësh shiitë se Kurani është i falsifikuar ndërsa mes sunnijve nuk ke për të gjetur gjëra të tilla të ngjashme. Askush në mes sunnijve nuk ka shkruar një libër të ngjashëm si ai i mësipërmi, edhe nëse mes librave të tyre paska aq rivajete që të lekan përshtypjen se Kurani qenka i ndryshuar. Unë e kam sqaruar edhe më parë këtë pikë duke thënë se transmetimet e sunijve ose janë të sakta dhe kanë për qëllim ajetet e anuluara ose janë të pasakta dhe nuk merren për bazë. Sa herë duhet ta përsërisë këtë! Fakti që ato nuk merren për bazë është se siç e kam thënë: tek asnjë prej atyre dijetarëve sunij që madje i kanë treguar këto transmetime nuk i ka shkrepur në kokë të formuloj ndonjë akide si ajo e shumë dijetarëve shia për Kuranin, dhe jo më të shkruaj libër për të mbrojtur diçka të tillë! Ndaj dallimi është tepër i qartë dhe më duket bajat që po e përsëris, nëse nuk e kupton këtë lloj logjike nuk kam ç’të bëj besoj lexuesve të tjerë, u është bërë e qartë kjo. Mirëpo pse ju shiat i mëshoni këtij fakti është e kuptueshme, sepse nuk keni rrugë tjetër mbrojtje. Kur dikush akuzohet për diçka, për tu mbrojtur bën kundra akuzë, mirëpo e kuptove besoj dallimin mes asaj çka gjendet në librat sunnij dhe mes asaj çka besojnë vetë shiat. Kaq të vështirë e keni ta pranoni këtë fakt për të cilin ne nuk kemi shpifur?!

Besniku thotë:

Pasha Allahun , sikur me te
sjellur ketu transmetimet sunnite (madje nga libra “sahih”) per
tehrif ne Kur’an etj , kishte me te ike mendja , se mbushin vellime
librat dhe komentet qe jane shkruar per to .

Përgjigje:

A mos mendoni ju se unë nuk e di për çfarë e keni fjalën? I di fort mirë shumë prej argumenteve tuaja të kësaj kategorie ndaj mos kujto se po bën gjë tjetër veçse po ngre pa e kuptuar ndoshta, një tymnajë ‘frikësuese’ ndaj së cilës nuk kemi frikë. Do të ishe më mirë që të bëje po të njëjtën gjë që bëmë ne me ju. Nëse mundesh?! Pra të na tregosh ndonjë autor sunij apo disa me peshë i cili të ketë këtë akide, se Kurani është i ndryshuar, apo edhe ndonjë libër të ngjashëm si ai Et-tabersit (faslul khitab), në këtë rast po do të keni mundësinë ta mbroni disi veten. (Ue ena lekum dhalike! Hejhate ..hejhate)

Ne jemi në pritje të kësaj gjëje! Besoj kërkesa është e qartë, nuk duam rivajete nga jomasuminët (të gabueshmit) por grup dijetarësh sunnij ku shprehin një akide të tillë, pra shkurt diçka që i përputhet asaj për të cilën ne kemi akuzuar shiat. Pra kërkesa ime është tepër precize. Unë e kam të qartë se ju nuk dini gjëra të tilla, pasi mes sunijve nuk ka gjëra të tilla, dhe nëse do të sillni ndonjë gjë do të bëni po atë për të cilën ne i kemi dhënë përgjigje, ndaj dhe s’ka vlerë përgjigja juaj.

Besniku thotë:
Ti shkruan kunderargumente ndaj trasmetimeve te cituara nga shiitet
prej librave suni , per me vertetuar ti me ato pikpamjen sunite .
Cfare kuptimit ka kjo ? Dihet ajo pune se ne librat suni ka me pasur
transmetime te tille, ndryshe sunnite do ishin shiite edhe vete .
Edhe po te mos kishte , ata do t’i sajonin , per me mbeshtete
qendrimin e vet .

Përgjigje:

Normal. Mirëpo shiat sjellin shenja e tregues nga librat sunni për të vërtetuar që pikëpamjet e tyre nuk janë të pambështetura e që nuk janë jo-Islame. Dhe këtu qëndron gabimi, pasi ata kërkojnë të vërtetojnë nëpërmjet librave sunnij dhe për sunijtë ajo që nuk mund të vërtetohet prej librave të tyre. Sa për atë se sunnijtë shpikin transmetime, ta kesh të qartë se shyqyr Zotit ne e kemi një dije që është dija e isnadit, shpikje kjo ekskluzive e sunijve, me të cilën dallojmë shapin prej sheqerit. Dije që në fakt shiat e kanë kopjuar nga sunijtë dhe e kanë filluar ta praktikojnë, praktikë i thënçin, nën presionin sunnij diku nga shekulli i katërt i hixhrit. Aq më tepër që kjo akuzë e sajimit rëndon më tepër mbi shiat sesa mbi sunnijtë

Besniku thotë:

Argumentet shiitet i kane ne librat e tyre me transmetuesit e tyre
dhe nuk varen prej librave suni me ndertu shkollen e vet . Ato
thjesht japin disa (shume madje) shenja e tregues nga librat sunni,
per te treguar se kane te drejte. Ashtu sic bejn muslimanet me
Biblen e sotme, ku ka akoma shenja te qarta se Jezusi nuk asht Zot
por njeri . Tjeter mandej se kristianet citojne pjese te tjera nga
po ajo bibel ku thueth se ai eshte Hyj e biri i Zotit etj etj . Tash
edhe ti rrin e bjen argumente nga librat sunni me hedhe poshte
bindjet Shiite , cka esht nonsense . Kupton ?

Përgjigje:

Krahasimi do të ishte i drejtë po të kishte ngjashmëri mes nesh dhe atyre në këtë pikë që thua por në rastin tonë është ndryshe:

E para: se transmetimet e sakta sunnite që ju sillni për të argumentuar medh’hebin tuaj, nuk janë aspak të tilla, pra ato nuk mbështesin shkollën tuaj shiite por shkollën tonë sunnite të pozitës që ka Ehli bejti tek ne dhe që nuk arrin në gradën e të pagabueshmëve (ma’suminëve). Ndërsa tek të krishterët vetë Bibla është kontradiktore në shumë raste ndaj dhe është e mundur të gjenden argumente të tilla, ndërsa në sunnetin e saktë të Profetit kjo nuk ndodh, pra të gjitha e kanë një fill që i bashkon.

E dyta: shumë prej transmetimeve sunnite me të cilat ju argumentoheni nga librat sunnij nuk janë të sakta dhe si të tilla nuk merren për bazë tek sunnijtë, ndaj është e kotë të na i përmendni. Ndërsa për të krishterët e tërë Bibla është e pranuar dhe e saktë ndaj dhe mund tua inponosh ato argumente.

E treta: unë që sjell argumente sunnite të tjera për të hedhur poshtë doktrinat tuaja që ju mundoheni ti bazoni tek librat tanë, këtë e bëj për dy arsye a) për të treguar se ju nuk keni argumente në to b) për t’ia sqaruar ndonjë sunniti që nuk di dhe mund të bjeri viktimë e padijes së tij, kur shikon të tilla gjëra.

E katërta: sa për librat shiitë do të kemi rast inshallah të flasim edhe për to, vetëm do të desha të dija se kush është për ju libri më i saktë, pas Kuranit, siç është për shembull për ne Sahih Buhari? El-kafi apo nehxhul belaga?

Besniku thotë:

Ti ke thene midis te tjerash se grate e Pejgamberit jane Ehli bejt .
Kete s’ta ndalon askush me e besu e kjo nuk te nxjerr prej islamit ,
sic po i nxjerr ti shiitet.

Përgjigje:

Unë nuk i nxjerrë të gjithë shiitët nga Islami, fundja kush jam unë, unë vetëm jam duke shprehur këtu citimet dhe mendimet e dijetarëve sunnij, herë duke i cituar drejt për drejtë dhe herë duke sjellë kuptimin e tyre, nuk kam nxjerrë gjë nga xhepi im që se ka thënë askush para meje! Ndaj dhe do të shohësh në të gjitha postimet e mia shumë referenca, të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Por që në shumë prej atyre gjërave që ju thoni ka kufër këtë se luan as topi.

Besniku thotë:

Po nji pytje desha me ta be : Si ka
mundesi qe Ehli bejti me luftu pergjakshem me Ehli bejtin , derisa
te vriten me dhjetra mijera vete (kujto luften e nisur nga Umm ul-
Mu’minin Aishja r.a., ndaj kalifit legjitim Aliut a.s.) ?

Përgjigje:

Kjo nuk është argument se ato nuk janë prej ehli bejtit!

Për ne që të gjithë ata (Allahu i mëshiroftë) nuk janë njerëz të pagabueshëm. Por gabimi i tyre nuk është i asaj natyre që mendoni ju shiat, por ai qe ixhtihad prej tyre dhe nuk është njësoj ixhtihadi i gabuar me gabimin e gjyhaneve, si për shembull shirku, zinaja, vjedhja, vrasja pa të drejtë, mashtrimi, shpifja …etj.

Lufta që ka ndodh mes atyre sahabeve ka qenë në një situatë tepër të koklavitur, një gjendje pështjellimi, fitne e madhe që u shkaktua mbas vrasjes së Osmanit (radijallahu anhu) dhe të jesh i bindur se edhe ti edhe unë mund të kishim gabuar në të tilla momente të pa qarta dhe madje shumë më tepër se sahabet. Ndaj po të them se sunnijt besojnë se gabimet e tyre në ato ngjarje erdhën nga ixhtihadi i tyre për mirë dhe ndaj duhet që ne ta vëmë veten tonë në ato situata, gjë që është e vështirë, dhe pastaj të gjykojmë. Është kollaj të lexosh ngjarjet, pa ditur edhe sa të sakta janë, dhe pastaj të gjykosh! Është njëfarësoj e ngjashme me tifozët që gjykojnë lojtarët në fushë nga ekrani i televizionit mbasi është bërë ndeshja, natyrisht shumë më e koklavitur se kaq.

Besniku thotë:

Si ka mundesi qe Allahu t’i pastroje disa njerez nga ndytesia e mekateve
dhe keta njerez te bejne mekate aq te renda sa Ai s.v.t., t’i
kercenoje ashper e madje te zbrese sure per to (psh. Surja Tahrime
dhe disa ajete te Sures Ahzab etj )?

Përgjigje:

Pikë së pari në materialin që çova e bëra të ditur seç kuptojmë ne me pastrim mëkatesh nga ajeti, ku shpjegova dëshirën e Allahut, ndaj kjo logjikë ju imponohet juve dhe jo neve.

Së dyti për çfarë mëkatesh të rënda për gratë e Profetit e ke fjalën, për të cilat Allahu paska zbritur sure dhe ajete për to? Mos e ke fjalën gjë për fillimin e sures Tahrim kur flitet për ngjarjen e Aishes dhe të Hafsës? Ku qëndron kërcënimi për të cilin ti flet?

Në suren Ahzab mos e ke fjalën gjë për ajetin 30: O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për All-llahun është shumë lehtë.

Këtu qëndron kërcënimi nëse i kryejnë dhe jo sepse i kanë kryer, siç kuptohet nga fjalët e tua! Aq më tepër që ky ajet është para ajetit të pastrimit (33), pra nëse marrim komentin tuaj për ajetin ky kërcënim ka vlerë mbas zbritjes së ajetit 33 të sures Ahzab.

Së treti a mos do të thuash se kërcënimi në këtë ajet e përfshin daljen gabim të Aishes në Basra dhe luftën e devesë?! Mos e dhëntë Zoti, mos mendon se Aishja ka për tu ndëshkuar ashpër, në bazë të këtij ajeti, për shkak të kësaj ngjarje?! Shpresoj që nuk mendon kështu!

Besniku thotë:
Nuk ka njeri ne historin Islame qe ta kete mohuar hadithin mutevatir qe Pejgamberi s.a.a., ka thene : ” Po ju le dy gjera me peshe (thekalejn) , te cilave po ju
permbajtet nuk do ju lejne te rreshqisni kurre: Kur’anin dhe
pasardhesit e mi (itre) – Ehli Bejtin tim . Ato nuk do te ndahen
deri sa te me takojne tek ” Haudi.” Grate e Profetit nuk jane itre
(pasardhese) , po per nje cast ta zeme se jane . Hadithi thote se
Kur’ani nuk do ndahet nga Ehl-i Bejti deri ne dite te gjykimit . Pra
ne cdo kohe muslimanet duhet t’i drejtohen Ehli Bejtit me i marre
mësimet e drejta per te mos rreshqitur . Tani, po te jen grate e
nderuara te Profetit s.a., Ehli bejt , cka do bahet kur te vdesin
ato , (ngase nuk kan lind femije ) ? Kush asht Ehli bejt pas vdekjes
se tyre? Kujt t’i drejtohen muslimanet ?

Përgjigje:

Së pari, Kjo sipas akides tuaj, dhe jo asaj tonës pasi Profeti ne na ka lënë sunnetin e tij, që e mësojmë si nëpër libra ashtu edhe nga dijetarët që e njohin atë. Aq më tepër që për cilin Ehli bejt e keni fjalën ju pasi edhe njëmbëdhjetë imamët tuaj kanë vdekur, ndërsa i dymbëdhjeti (i fshehuri sipas jush) nuk ka kontakt me ju? Pra nga e merrni fenë ju sot? Madje që nga vdekja e Hasan El-askeriut, këtu e qindra vjet përpara?

Së dyti hadithi i thekalejnit nuk ka të njëjtin kuptim tek të dy palët, dhe ndoshta ndonjëherë tjetër inshallah do ta shpjegojmë gjatë kuptimin e tij për ne.

Së treti Ehli bejti për ne janë të gjithë pasardhësit e Profetit (salallahu alejhi ue selem) qoftë nga Hasani apo nga Husejni dhe jo vetëm disa, dymbëdhjetë sipas ithna asherijve, pesë sipas el-muhamedijes (për këta i fundit qe Muhamed ibn Abullah ibn Hasan i cili nuk ka vdekur), katër sipas kejsanijes, po prapë pesë sipas el-bakirijes (për këta i fundit ishte Muhamed el-bakir), gjashtë sipas en-navusijes (për këta i fundit qe Xhafer es-sadik që sipas tyre nuk ka vdekur dhe ai është Mehdi), shtatë për esh-shemtijen (për këta imamët rrjedhin nga Muhamed ibn Xhafer), shtatë edhe për Ismailijen (Ismaili i biri Xhaferit, ku një prej dy sekteve të tyre besojnë se ai nuk ka vdekur)…etj.[30] Dhe çka është më e rëndësishmja, ata për ne nuk janë ma’sumin (të pagabueshëm). Madje edhe vetë shiat nuk e thonë këtë. Pasi pagabueshmërinë e kufizoni vetëm tek ata që i quani imam, pra vetëm ata që sipas jush kanë qenë imamë. Pasi është absurde të mendosh se të gjithë pasardhësit e Profetit janë pa gjynahe, pasi realiteti është dëshmues më i qartë për këtë, ndaj dhe ju e kufizoni pasimin tek njëmbëdhjetë të ‘pagabueshmit’ dhe jo tek të gjithë pasardhësit. Atëherë nëse është kështu, ku t’i gjejmë ne ata sot? Do të thoni ju tek librat dhe dijetarët që i njohin thëniet e tyre. Erdhët pra tek fjalët tona! Ne u themi se sunneti i Profetit i ruajtur nga dijetarët dhe librat është më parësor se çdo gjë tjetër dhe se për ne Allahu e ka plotësuar fenë pa ja marrë shpirtin Profetit (salallahu alejhi ue selem). Pra as ju nuk e merrni fenë vetëm nga Ehli bejti i gjallë. Pastaj për ne, siç e kam thënë edhe më parë Ehli bejti është më i gjerë sesa tek ju dhe jo vetëm katërshja apo njëmbëdhjetshja. Dhe kështu që nëse vdesin gratë nuk do të thotë se s’ka Ehli bejt tjetër, dhe s’ngeli njeri nga ku ta marrim fenë!

Së katërti Ehli bejti për ne, madje edhe ata që për ju, përbëjnë njëmbëdhjetë imamët, nuk janë ata që i besoni ju. Pjesën më të madhe të atyre transmetimeve që thuhen për ta në librat shiite janë gënjeshtra që ju janë veshur atyre dhe ata nuk i kanë thënë. Ky është besimi ynë që edhe mund tua provojmë.

Besniku thotë:
Mandej , perse nuk je pergjigje faktit qe ka permend Muhsini nga
ajeti 3:61 dhe shenimi i Sherif Ahmetit ne faqen 89 te Kur’anit me
perkthim ne shqip
. Ajeti thote : ” E kush te kundershton ty ne
ceshtjen e tij (Isait) pasi te eshte bere e ditur e verteta , ti
thuaj : ” ejani t’i therrasim BIJTE TANE DHE BIJTE TUAJ ,
GRATE TONA DHE GRATE TUAJA , VETE NE DHE VETE JU , mandej
sinqerisht te lutemi per mallkim , dhe mallkimin nga ana e Allahut
ta hedhim kunder genjeshtareve ? ” Sherif Ahmeti shkruan : “Pejgamberi u tha dhe doli me FAMILJEN e vet ; me Hysejnin ngryk , Hasanin perdore, Fatimes pas tij , dhe Aliu pas…” Ka dhjetra transmetime mbi kete rast ne librat sunij (shfletoje ti nga
jugu I shqiperis). Pse nuk i mori Pejgamberi s.a.a., grate e veta
ose te preferuaren prej tyre te pakten , Hazreti Ajshen r.a., sa me
kene brenda kuptimit te ajetit ?

Përgjigje:

A thua se vetëm ky qenka argumenti më i fuqishëm që nuk i qenkam përgjigjur unë! Po të tjerat?!

Së pari siç do ta shohësh edhe në këtë postim unë mundohem tu përgjigjem atyre argumenteve që mund të konsiderohen si kundra akides tonë sunnite dhe jo edhe ato që ne i pranojmë. Ashtu siç nuk i përgjigjem as edhe shumë ligjërimeve emocionale, pasi ato nuk përbëjnë argument.

Plus që nuk e pashë të nevojshme pasi as ajeti dhe as hadithi në fjalë nuk përbëjnë ndonjë problem për akiden tonë dhe as që mbështet atë të tuajën, hadithi i ngjan hadithit të rrobës dhe ka pak shumë të njëjtin koment.

Së dyti ajeti nuk është argument se vetëm ata janë ehli bejti.

Së treti Me gratë o ka për qëllim vetëm Fatimen, ose gratë e tij. Le të pranojmë të parën pasi këtë e mbështet edhe veprimi i Profetit. Pse e bëri një gjë të tillë? sepse ata i kishte më të afërt nga gjaku pasi dhembshuria për ta dhe sfida me mallkimin ndaj tyre është më madhe dhe sidomos tek fëmijët e vegjël siç qe Hasani me Husejnin. Dhe kjo në fakt është argument për vërtetësinë e Profetësisë së tij për tu treguar atyre të krishterëve se ja tek i keni parasysh fëmijët e mijë, duke futur edhe nipat këtu, ndaj edhe ju bëni një gjë të tillë. Dihet se njeriut shumë herë më tepër i dhimbsen fëmijët dhe të afërmit e tij sesa vetja e tij ndaj dhe në ajet vetja përmendet e fundit. Dhe sipas disa komenteve vetja këtu është Profeti bashkë me Aliun, pasi të tjerë më të afërm në ato momente nuk kishin ngelur gjallë, përveç Abasit, por ai nuk qe në gradën e Aliut. Dhe nga gratë qe vetëm Fatimja pasi vajzat e tjera tij në atë kohë i kishin vdekur.

Ibn Tejmije duke shpjeguar qëllimin e ajetit thotë: fjala e Allahut: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju,” pra burrat tanë dhe burrat tuaj, e pra burrat të cilët janë prej llojit tonë në fe dhe në gjak dhe burrat që janë prej llojit tuaj, apo qëllimi është tek ngjashmëria vetëm në të afërmit, sepse Ai tha: bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja . Përmendi fëmijët, gratë dhe burrat, pra u morr vesh se Ai donte më të afërtit tanë prej grave dhe burrave dhe prej fëmijëve të fisit. Për këtë arsye edhe thirri Hasanin dhe Husejnin prej bijve, dhe thirri Fatimen prej grave dhe Aliun prej burrave të tij, ai nuk kish njerëz më të afërm të fisit sesa ata, ata ishin edhe ata që ai i mbuloi me rrobë. Dhe lutja për mallkim (mubahale) kryhej vetëm se me më të afërmit për të. Sepse nëse do të kishte bërë mubahale me ata (të krishterët), me më të largëtit në fis, edhe nëse janë më të mirë tek Allahu, nuk do të ishte arritur qëllimi. Por qëllimi qe që ata të thërrisnin më të afërmit ashtu siç ai do të thërriste më të afërmit e tij. Dhe shpirti ndjen më tepër dhembshuri për të afërmit sesa për të tjerët.[31]

E megjithatë ky ajet dhe ngjarja në fjalë flet për mubahalen (lutjen për mallkim ndaj gënjeshtarit) dhe jo se kush janë ehli bejti e kush jo. Për të tillë rast këta njerëz kërkoheshin dhe këta mori edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) e këtu nuk ka asgjë që kufizon ehli bejtin. Ndërsa po të themi se këtu kihen për qëllim gratë e tij dhe Allahu thotë që Profeti të marrë edhe gratë, e ndërsa Profeti mori vetëm Fatimen të bijën dhe dy djemtë e saj dhe dhëndrin, (që qe edhe djali i xhaxhait të tij) dhe në transmetimet e sakta nuk përmenden gratë ndonëse në ajet ato përmenden. A mos bëri ndonjë gabim këtu Profeti?! Jo aspak, sepse nëse Profeti do të kishte kuptuar një urdhër të prerë nga kjo gjë do ta kishte bërë, por vetë fakti që ai nuk e bëri tregon se nuk qe i detyruar t’i nxirrte të gjithë. Aq më tepër që qëllimi arrihej me ata që mori Profeti, madje dhe tepër mjaftueshëm, kështu që nuk qe e nevojshme. Allahu e di më së miri.

Në fakt shiat me këtë ajet dhe ngjarje argumentohen më shumë për tjetër gjë sesa e përdorin si argument se kush është ehli bejti, siç përdorin për shembull ajetin e pastrimit.

Besniku thotë:
Mandej pse nuk e ke permendur ajetin 42:23 dhe pyetjen qe i bejne
sahabet Pejgamberit s.a.a., se kush jane anetaret e familjes tende
qe na eshte bere dashuria obligim per ta . Ka dhjetra e dhjetra
hadithe qe tregojne se ai u pergjigj : Aliu, Fatimja, Hasani dhe
Huseini .

Përgjigje:

Ajeti në fjalë:

Përkthimi i Sherif Ahmedit Thuaj: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, vetëm se respektin e dashurisë për hir të farefisnisë (akraballëkut)”.

Hasan Nahit (bot. 2)Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit (për mua) për hir të farefisnisë (që kemi).”

I Fethi Mehdiut: Thuaj: “Nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndaj të afërmëve”.

I Telat Sulës “Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj juve për këtë, përveç që të jeni të mirë me mua për afërsinë time me ju.”

Pra vetëm përkthimi i Fet’hi Mehdiut i përgjigjet kuptimit tënd dhe atij shiit të ajetit. Ndërsa tre përkthimet e tjera i përgjigjen komentit të shumicës së komentatorëve sunij. Megjithatë edhe ashtu si e ka përkthyer Fet’hi Mehdiu nuk përbën ndonjë problem aq më tepër që nuk bie aspak ndesh me akiden tona. Ajeti është i pranueshëm me të dyja kuptimet. Ndërsa sa për atë se ka me dhjetëra hadithe që tregojne se ai u pergjigj: Aliu, Fatimja, Hasani dhe Huseini. Kjo nuk është e vërtetë. Këtë hadith e transmeton Tabarani dhe Ebu Hatim nga Ibn Abasi: ku thuhet; kur zbriti ky ajet Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit për hir të farefisnisë.” I thanë: o i dërguari i Allahut kush janë ata të cilët ka urdhëruar Allahu për dashuri ndaj tyre? Dhe ai tha: Fatimja dhe djemtë e saj, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Ky është transmetimi i Ebu Hatimit ndërsa i Tabaranit është ashtu siç e citove ti. Hadithi në fjalë edhe nëse do të ishte i saktë nuk përbën asnjë problem për ne sunijtë që unë u dashkam ta citoj. Megjithatë hadithi nuk është i saktë, të tillë e ka konsideruar Ibni Kethiri në tefsirin e tij, Ibn Haxheri në Fethul Bari (v.8 fq.724) ku thotë: isnadi (zinxhiri i transmetimit) i tij është i dobët, dhe është i pavlerë pasi kundërshton hadithin e saktë.

Po ashtu edhe shejh Albani në Silsiletu daife (nr.4974) duke e cilësuar këtë hadith si të pa vërtetë, pasi ai është i pasaktë jo vetëm për shkak të zinxhirit të transmetimit, por edhe për dy arsye: e para se siç e kanë cekur edhe të tjerët ai bie në kundërshtim me transmetimin i saktë që jep Buhariu (nr.4818) nga Ibn Abasi i cili u pyet për këtë ajet përveç respektit për hir të farefisnisë dhe Seid ibn Xhubejri (nxënësi i Ibn Abasit), u përgjigj: të afërmit janë Al-i i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe Ibn Abasi tha: u nxitove, Profeti (salallahu alejhi ue selem) me çdo bark të kurejshëve ka pas afërsi, dhe tha: veç që ju të më doni për shkak të afërsisë.

Dhe së dyti se surja Esh-shura është zbritur në Mekë kur Hasani dhe Husejni nuk kishin lindur akoma. Ibn Kethiri thotë: përmendja se ajeti zbriti në Medine është diçka e largët sepse ajo është Mekase dhe në atë kohë Fatimja (radijallahu anha) nuk kishte fare fëmijë, sepse ajo është martuar me Aliun (radijallahu anhu) pas Bedrit në vitin e dytë të hixhretit. Komenti i vërtetë i këtij ajeti është ai që ka dhënë Ha(i)bri (dijetari) i umetit dhe terxhumani (interpretuesi) i Kuranit, Abdullah ibn Abasi (radijellahu anhuma) siç e ka transmetuar këtë Buhariu. Dhe ne nuk e mohojmë porosinë për Ehli bejtin dhe urdhrin për tu sjellë mirë me ta, për t’i respektuar dhe nderuar sepse ata janë pasardhës nga një familje e pastër, nga familjet më fisnike që janë gjendur në sipërfaqe të tokës, si nga pozita ashtu edhe nga prejardhja, dhe sidomos kur ata janë pasues të Sunnetit të saktë, të qartë dhe të dukshëm, profetik, ashtu siç kanë qenë të parët e tyre si Abasi dhe bijtë e tij, Aliu dhe pasardhësit e tij, Allahu qoftë i kënaqur ndaj të gjithëve.[32]

E shikon pra që nuk kam pas arsye që ta përmendja këtë ajet. Ti Besnik, Muhsini etj. bazoheni, mesa shoh unë shpesh tek libri El-Muraxhaat, i përkthyer në shqip nga Edin Lohja, (i pa botuar) dhe që e mbani nëpër kompjuterët tuaj si bateri të makinës tuaj propagandistike shiite. Kjo duket qartë sepse ju kur sulmoni përdorni këtë libër, dhe kur sulmoheni heshtni. Këtu del qartë se kush bën copy & paste! Pothuaj shumica e argumenteve që sillni këtu i merrni nga ai libër, libër që në fakt unë kam folur që në fillim për të se çfarë malli është, ndaj mos turpëroni veten me të se ja sesi dalin në shesh gafat e autorit të librit. Unë nuk lodhem shumë për t’iu përgjigjur haditheve tuaja (përveç përkthimit) pasi i kam përgjigjet të gatshme nga shumë materiale që kam në arabisht për këtë libër dhe të tjerë. Ndaj nuk e di çdo të bëni kur t’iu shkarkohet bateria! Unë nuk kam për të hequr dorë inshallah, dhe avash avash sa herë që ju të sillni argumente nga ai libër dhe të tjerë edhe unë do tu kthej përgjigje. Nuk bëhet fjalë këtu thjesht për të mbrojtur veten por ehli sunetin, këtu ballafaqohen provat e medh’hebit shiitë ndaj atij sunnitë ndaj dhe unë e ndjej si obligim t’i shkoj deri në fund këtij debati si për ju ashtu edhe për shumë sunnij që na ndjekin. Allahu më dhëntë forcë ta kryejë me sukses këtë punë!

Besniku thotë:

Ti po behesh shume qesharak dhe
misionarist i ndezur kur po thua se ata nuk besojne ne Kur’an etj

Përgjigje:

Këtë ta kam faktuar dhe do ta vazhdojë ta faktojë. E rëndësishme është të mos bëhem gënjeshtarë. Nëse ti nuk je prej tyre të mjafton të përjashtosh veten dhe të distancohesh prej atyre shive që e bëjnë këtë.

Besniku thotë:
Kurre ne kete forum e as ne libra shiite nuk kam pa qe ndonje te
shaje sunizmin dhe perqeshe shkollat sunite , t’i akuzoje me lloj-
lloj shpifjesh dhe t’i nxjerre nga feja .

Përgjigje:

Këtë do ta faktoj se qëndron ndryshe, shih materialet në vazhdim.

Besniku thotë:

C’t’e keqe ka me ndjeke familjen e Profetit s.a., ne vend te sahabeve pa perjashtim? As nuk
mendoj se ka dic te keqe te ndjeken sahabet pa perjashtim , po pse
t’iu germusesh shiijve pse ndjekin Aliun?

Përgjigje:

Të gjithë shokët e Profetit kanë pasur një besim, mospajtimet që ata kanë pas mes vetes nuk janë në pikat e besimit, ndaj dhe të gjithë ishin vëllezër. Ndërsa ju që pretendoni se ndiqni Aliun në të vërtetë nuk e ndiqni atë, por vetëm se një Ali dhe ehli bejt imagjinar. Nuk ka asgjë të keqe të ndjekësh as sahabet dhe as Aliun, por e vërteta është se ata nuk ndahen, përsa i përket njohjes së fesë. Për ne Aliu dhe pasardhësit e tij kanë akide sunnite dhe jo ithnaasherije dhe as ismailije, e as druzije, e as bektashije, e as nusejrie, e as …etj. Aliun e vërtetë do ta gjeni tek sunnijtë dhe librat e tyre dhe jo tek rafidhat dhe gënjeshtrat e tyre. Ne dallojmë kaq shumë nga njeri-tjetri, sa që është e pamundur në një situatë të tillë të mund të bashkohemi. Vetë ky diskutim e tregon këtë pamundësi, e sa e sa të tilla janë bërë në historinë islame dhe bëhen akoma. Dhe rezultati shumë herë është po i njëjtë, askush nuk luan nga pozitat e veta! Pse vallë? Dikush duhet ta ketë gabim! Disa njerëz të lodhur nga këto debate edhe duke mos qenë në brendi të shumë fakteve që diskutohen, thonë se duhet të heqim dorë sepse nuk kemi për të nxjerrë gjë! Jo, nuk është kështu, njeriu duhet ta bazojë besimin e tij mbi fakte të qarta dhe të pa kontestueshme, bëhet fjalë për ahiret këtu dhe jo për dynja. Feja nuk është në çdo gjë si alternativat politike, zgjedh këtë pëlqej dhe s’ka problem, dhe këtë fakt e mbështesin ajete të Allahut dhe hadithe të Profetit.

Besniku thotë:

Ne hadithe shiitet nuk ka shembuj , ne lidhje me Pejgamberin s.a.,
se ai ka qene njeri i zakonshem qe GABON , se ai ka gabuar dhe
sahabet (shoket) e tij e kan permiresuar ! asha .

Përgjigje:

Ti ndoshta ke për qëllim të hapësh një front tjetër diskutimi, siç bën zakonisht që hidhesh nga një degë në degën tjetër, dhe ndoshta ke për qëllim që ne të themi se nuk ka dhe ti pastaj fët e fët do na tregosh për shembull hadithin e kryqëzimit të palmave!

Për ne Profeti (salallahu alejhi ue selem) ishte ashtu siç thotë Allahu në Kuran:

Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë..”.[33]

Ai ishte më i miri njerëzve, mëshirë e dërguar për mbarë botët, besniku i Allahut në mesazhin e Tij, i ruajtur nga Allahu, MA’SUM (i pa gabueshëm, ashtu si edhe profetët e tjerë)…etj.

Në hadithet shiite madje ka më shumë se kaq, se Aliu qe më i mirë se Profeti (salallahu alejhi ue selem). Ni’metullah El-xhezairi (shiitë) tregon në librin e tij ‘El-enuar en-numanijetu’ se Profeti ka thënë: Më janë dhënë tre gjëra dhe Aliu më shoqëron në to, dhe Aliut i janë dhënë tre gjëra në të cilat unë nuk e shoqëroj. I thanë: o i dërguari i Allahut cilat janë ato tre gjëra në të cilat Aliu të shoqëron? Dhe ai tha: Flamuri i hamdit (lavdërimit) më përket mua dhe Aliu është ai që e mban atë, Keutheri më përket mua dhe Aliu është ai që shpërndan ujin, Xheneti dhe zjarri më përkasin mua dhe Aliu është ai që bën ndarjen në to. Ndërsa ato të tria që i janë dhënë atij dhe në të cilat unë nuk e shoqëroj janë: atij i është dhënë trimëri e cila mua nuk më është dhënë si ajo, atij i është dhënë Fatime zahra grua dhe mua nuk më është dhënë një si ajo, atij i janë dhënë dy djem Hasani dhe Husejni dhe mua nuk më janë dhënë si ata të dy’ [34]

Aliu qenka më trim se Profeti…?! Këto janë gënjeshtrat gjë gjenden në librat shiite. Do të thotë ndonjëri por kjo mund të mos jetë sahih për ta! Bukur fort atë duam edhe ne të na e provojnë që është e tillë!

Ndërsa për ne ka vlerë e kundërta ajo që vetë Aliu sunnij dhe jo Aliu shiit imagjinar ka thënë siç e transmeton Imam Ahmedi (nr.656): Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Të na shihnit në Ditën e Bedrit! Kërkonim mbrojtje tek i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Ai qëndronte më pranë armikut se të gjithë ne. Atë ditë, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte më i fuqishmi nga ne.”

Besniku thotë:

Pejgamberi s.a., Ehli Bejtin e ngrit ne nivel , kur thot :
” Keni kujdes ! Ahlul-Bejti im eshte si anija e Nuhut . Kush hyp ne
te – do te shpetoje , ndersa kush mungon – do te fundoset ” .
El Mustadrek nga Hakimi ,pjesa III , f.151 . Janabi’el-
Muveddeh ,f .30 dhe 370 . El-sava’ik el-Muhrika nga ibn Haxheri ,
f.184 dhe 234 (ka edhe rreth 250 burime te tjera , edhe Nasirudin
Albani e ka konfirmuar)

Përgjigje:

Nuk e di se ç’vlerë ka të thuash ka edhe rreth 250 burime te tjera, kur që të gjitha këto burime e kanë marrë nga i njëjti vend?! Pse nuk përmend edhe nja 1000 libra shqip ku mund të jetë përmendur ky hadith dhe 10’000 në anglisht…! Është njëlloj si të thuash këtë hadith e transmeton Buhariu dhe pastaj të citosh me dhjetëra libra ku është përmendur po i njëjti transmetim! Nëse hadithi është i saktë apo i dobët përmendja në shumë libra nuk e bën atë më të saktë apo nga i dobëti në të saktë, shumësia e librave kanë vlerë kur hadithi ka rrugë të shumta transmetimi në libra të ndryshëm, dhe me zinxhirë të ndryshëm, ama po pati po të njëjtin zinxhir përmend një milion libra po të duash, s’ka asnjë lloj vlere për saktësisë ose jo të tij. Se mos ia kanë haberin shiat nga shkenca e hadithit! Kjo është tamam për të hedhur hi syve, për të mbushur mendjen e naivëve se shiat kanë të drejtë! Përmendja nga shumë autorë nuk do të thotë se të gjithë ata e pranojnë për të vërtetë.

Sa i përket hadithit në fjalë ai është i dobët. Transmetohet nga disa sahabe por që të gjitha rrugët e transmetimit janë tepër të dobëta. Këtë gjë e përmend Ibn Kethiri në tefsirin e tij,[35] po ashtu edhe Albani e ka konsideruar si të dobët tek ‘Daiful xhamia es-sagir’ në dy vende nr. 1974 (fq.286) dhe nr. 5247 (fq.758) si dhe në librin ‘sislsiletu ed-daife’n nr. 4503, po ashtu tek ‘Mishkatul mesabih’ nr. 6174. Tani a kam të drejtë të të pyes ku e ka konfirmuar Albani? Dhe thonë pastaj se shiat nuk gënjejnë! Natyrisht jo Besniku që shkruan këtu, por ata nga të cilët e ka marrë Besniku! Allahu e di më së miri.

Le ta konsiderojmë për një moment sahih këtë hadith. Çka në të që nuk pajton me akiden e Ehli sunnetit? Asgjë, përderisa për ne vizioni ynë për ehli bejtin nuk pajton me vizionin e shiave.

Besniku thotë:

Ta leme anash mendimin e Shiiteve ose te juaja per hadithet ne
fjalesi te ( Buhariut libr. I kreu 3 had. 114), tani te pyesim per
vet permbajtjen e hadithit ,athua nuk eshte diskutabile kur : Ibn
Abasi kishte thene : ” Eshte tragjedi e madhe qe as’habet e penguan
te derguarin-Muhamedin s.a.a.., qe te shkruaj nje udhezim . ” !?
Ketu nuk eshte ne pyetje se cka ka deshiruar te shkruaj Pejgamberi
s.a., Por kundershtimi ndaj kerkeses se tij !!!?
Allahu thote : ” O ju besimtarë, respektojeni All-llahun dhe respektojeni të dërguarin, e mos i çoni kot veprat tuaja ! ” 47-33 .
Dhe tjetra : ” Kur Allahu ka vendosur per nje ceshtje , ose i
derguari i Tij , nuk i takon asnje besimtari dhe asnje besimtareje
qe ne ate ceshtje te tyre personale te bejne ndonje zgjidhje
tjeterfare . E kush kundershton Allahun dhe te derguarin e Tij , ai
eshte larguar shume larg se vertetes . ” 33-36 .
Athua nuk eshte urdheri i Pejgamberit s.a., edhe urdheri i Allahut !?
Pra , cilin arsyetim do ta pranoj personi i logjikshem ?
Athua , tani edhe per kete te vertete shiitet duhet ti ndeshkojme ?

Përgjigje:

Unë ta dhashë një herë përgjigjen për këtë. Megjithatë ai ishte mendimi i Ibn Abasit dhe as i Ebu Bekrit dhe as i Umerit dhe as i Aliut!

Unë nuk e kuptoj çfarë do të vërtetosh me këtë se sahabet janë gabimtarë? E kush ka thënë për ta se janë të pagabueshëm?! Për ne të gjithë njerëzit janë të gabueshëm, përveç Profetit (salallahu alejhi ue selem). Atëherë kam një pyetje: Ky gabim i sahabeve në çfarë pozite i vendos ata? Konkretisht për ju shiat? Në të gabueshëm! Kjo nuk është ndonjë gjë që ne nuk e pranojmë. Apo mos diçka më tepër?!

Besniku thotë:

ende nuk jemi ne gjendje ta kuptojme se Imam Mehdiu eshte
djali i Imam Hasan ibn Aliut a.s. .

Përgjigje:

E pse duhet të jetë Mehdiu i biri tij, kur burime të ndryshme madje shiite thonë se Hasan El-askeriu nuk pati fëmijë! Po ashtu edhe shiat, janë ndarë në kushedi sa grupe dhe nuk janë vetëm ithnasherinjtë ata që presin Mediun e gjallë por edhe të tjerë dhe për ata nuk qe i biri i Hasanit por të tjerë, ndaj pse ju qenkeni më parësor se ata? Pse jeni më shumë se ata dhe se keni më shumë literaturë dhe rivajete që e thonë këtë?!

Do t’i vijë radha inshallah edhe kësaj teme, avash avash, se unë nuk kam materiale të gatshme shqip që të bëj copy & paste, ndaj dhe përgjigjet e mia vonohen disi.
Sa për hadithin e Gadir kum-it dhe atë të thekaljenit që Besniku i përmend, do ti vij radha inshallah për t’i shpjeguar.

Besniku thotë:
Po, esht per te ardhur keq qe shumica nuk jan te vetedijshem per te
qenit e ketyre haditheve , por edhe me e keqja e saje eshte se
shumica I mohojn dhe citojne vetem hadithin e Hakimit ne Mustadrakun
e tij te cilat Ebu Hurejre e percjell : “Ju le dy gjera , nese i
permbaheni nuk do te bredhni pas meje ajo eshte Libri i Allahut dhe
sunneti im ” .

Përgjigje:

Sa për sqarim, hadithin ku Profeti thotë se ju kam lënë Kuranin dhe Sunetin tim e ka saktësuar Albani (sahi el-xhamia nr. 2937, 3232)

Ky nuk është hadithi i vetëm që ne citojmë. Madje hadithi që ne më shpesh citojmë përkundrazi është hadithi i njohur i Irbad ibn Sarije që Imam Neueuiu e ka përmendur tek dyzet hadithet, hadithi i njëzet e tetë: …Me të vërtetë kush do të jetoj prej jush do të shoh shumë mosmarrëveshje. Dhe ju e keni obligim Sunnetin tim dhe Sunnetin e Khalifëve të drejtë. Kapuni pas tij me dhëmballë dhe ruajuni nga çështjet e shpikura sepse çdo bidat (risi) është një humbje. (hadithi është i saktë, Ebu Daudi 3991, Trimidhiu 2676, Ahmedi etj.)

Besniku thotë:

Hadithi tjeter : ” Mos cendroni para tyre , mos u largoni nga ata ,
mos I mesoni ata nga se ata dijn me shume se ju etj ” .

Përgjigje:

Kjo është pjesë e një transmetimi të hadithit të thekalejnit, vetëm se këtë shtesë e transmeton Et-taberani (El-muxhem el-kebir nr.2615) me zinxhir të dobët transmetimi. El-hejthemi kur e ka përmendur në ‘El-mexhmua ez-zeuaid’ (kapitulli Fadlu ehlil bejt) ka thënë se në senedin e tij është një transmetues i dobët dhe ai është Hakim ibn Xhubejr. Po për këtë transmetues Ibn Haxher thotë në ‘Takrib et-tehdhib’: i dobët, akuzohet për shiitë.

Vetëm se këtu dua të qartësoj diçka se në hadithin në fjalë nuk është përmendur shumësi por dyshësi ku thotë: mos i dilni para atyre të dyve dhe shkatërroheni, dhe mos i mësoni ata të dy sepse ata të dy janë më të ditur se ju..

Nga përkthimi që ka sjellë Besniku këtu dhe nga copëtimi i hadithi të lë të kuptosh sikur këto fjalë janë vetëm për Ehli bejtin ndërsa në fakt ato janë për Kuranin dhe Ehli bejtin, ndaj dhe është përdoru dyshësi dhe jo shumësi siç është treguar këtu. Sidoqoftë hadithi është daif (i dobët).

Besniku thotë:
Me tej ka thene : ” Ehli bejti im eshte si porta e pendimit te
izraeliqanet ” kush do qe te hyje do t’u falen (gjynahet).


Përgjigje:

Hadithi i mësipërm është hadithi i anijes së Nuhut i cili në disa nga rrugët e transmetimit të tij përmend këtë shtesën por vetëm tek Et-tabarani. Siç e cekëm edhe më parë ky hadith është i dobët madje kjo shtesë është edhe më e dobët pasi nuk përmendet tek të gjitha rrugët e hadithit të anijes së Nuhut.

Besniku thotë:
Tani edhe nje here per te qene me i kjarte per Ehli Bejtin 33-33 kush
jan ata ( gjinia ) po e filloj edhe njehere .
Ne Kur’anin Famelarte shprehja arabe UNNE jan te gjinis FEMRORE .
citoj :
33-28 ” …….in kuntUNNE
33-29 “… ve in kuntUNNE
33-30 ” ………. minkUNNE
33-31 “……… minkUNNE
33-32 ” ………….lestUNNE
Tani ne fillim te kesaj sureje per grat thuhet : 33-33 ” …fiii
bujutikUNNE
Per gjinin mashkullore eshte perdorur termi ” KUM ”
Tani te shohim per EHLI BEJTIN si thuhet :
33- 33 ” …ehlelbejti ve jutahhireKUM .
Shprehja ” KUM ” eshte e gjinis M A SH K U LL O R E . , ngase nen
ABA, , pelerinen , qarshaf , shumica jane mashkuj , ( kater
mashkuj : hz. Muhammedi, Aliu ,Hasani ,Hyseini dhe nje femer hz.
Fatimja s.a ) .
Cdo pretendim se ajeti ne teresi 33:33. flet per grat e Pejgamberit
s.a., eshte e pa baze (asha) , ngase nuk jan perfill gjinit
gramatikore .
Per me tej eshte skjaruar si nga Muhsini dhe ne postimin tim
paraprak .

Përgjigje:

Së pari kune është në fillim të ajetit 33 dhe jo sures, surja dhe ajeti nuk janë e njëjta gjë. Gabim i vogël do të thuash! Ashtu mund të jetë …

Së dyti është kaq absurde që këmbëngulni për të hedhur poshtë jo mua por të gjithë ata dijetarë që unë përmenda dhe të thuash është pa bazë komenti se në to futen gratë! A mos vallë ti dhe Muhsini jeni më të ditur se ata që përmenda unë?! Dhe e mohon kategorikisht duke thënë asha, (në fakt thuhet hasha dhe jo asha)!

Së treti gjinia mashkullore nuk përdoret vetëm kur shumica është burra por edhe kur pakica është burra mes një shumice grash. Madje nga dijetarët e tefsirit të solla argument nga Kurani kur Allahu i drejtohet gruas së Ibrahimi i thotë: E gruaja (Sara) e tij (Ibrahimit) rrinte në këmbë dhe qeshi, e Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut me Jakubin. Ajo tha: “E mjera unë, si do të lindë unë kur jam e vjetëruar, kurse ky burri im është i shtyer më moshë, vërtet kjo është gjë e çuditshme?!”. Ata i thanë: “Si, mos po çuditesh me caktimin e Zotit?” Mëshira e All-llahut dhe bekimi i Tij qoftë me ju o familje e shtëpisë (së Ibrahimit)! (sure Hud: 71-73)

Siç shihet edhe nga konteksti se këtu po flitet për Sarën gruan e Ibrahimit. Engjëjt i drejtohen asaj e megjithatë përdorin gjininë mashkullore dhe thonë: alejkum ehlel bejt. Pse? E shpjeguam dhe në një postim më parë përse, sepse futet edhe Ibrahimi në këtë ligjëratë. Dhe po kështu edhe në ajetin 33 të sures Ahzab futet Profeti bashkë me gratë pasi ai është kreu i Ehli bejtit, po ashtu futen edhe katërshja për të cilën folëm, dhe për të gjitha këto arsye është përdorur gjinia mashkullore. E përsëris edhe njëherë në gjuhën arabe pavarësisht sesa meshkuj apo femra ka në një grup të caktuar përdoret gjinia mashkullore dhe jo vetëm kur janë shumicë meshkujsh.

Së katërti i gjithë konteksti në fjalë flet për gratë para kësaj pjese ajeti dhe pas kësaj, dhe të thuash se gratë e Profetit nuk hynë fare këtu është tamam si të bësh një gropë në mes të ujit! Apo e thënë pak më shqip një vrimë në ujë! Aq më tepër që nuk është argumenti gjuhësor që i shtyn shiat ta bëjnë këtë sesa hadithi, pasi sikur të mos qe hadithi askush nuk do mund të këmbëngulte se gratë nuk hynë këtu. Kësaj i thonë kokëfortësi, madje ta heqësh veten edhe më të ditur se sahabet për një gjuhë të cilën ata i dinin më mirë sesa edhe gjuhëtarët e sotshëm është absurditet! Të lutem Besnik, mëso arabishten ashtu siç duhet dhe mos i mësho kot më kot gjërave që nuk i di.

Së pesti e përmenda edhe më parë dhe solla edhe argument nga librat e gjuhës dhe po e përsëris se fjala Ehl kur thuhet në gjuhën arabe kupton drejtpërdrejtë në radhë të parë gruan dhe edhe ata që banojnë me të në një shtëpi. Konkretisht Ehl-(banorë, pjesëtarë) bejt (shtëpi, banesë) pra banorë e shtëpisë, pjesëtarët e shtëpisë. A janë gratë apo nuk janë gratë banoret e shtëpisë?! Ndërkohë që as Fatimja dhe as burri dhe dy fëmijët e saj nuk ishin banorë të shtëpisë, megjithatë ata futen nga ana gjuhësore, gjithmonë, mbas grave dhe atyre me të cilët ti banon. Kështu që nga ana gjuhësore të përjashtosh gratë e Profetit nga ajeti do të thotë të tallesh me gjuhën arabe! Në fakt tallesh me veten se nuk të merr kush për bazë! Vallahi vetëm se këtu në listë shumica këtu nuk dinë arabisht se po të dinin do ta shikoje sesa qesharak bëhesh me këtë këmbëngulje të pa kuptimtë. Gjuhëtari arab Er-ragib (v.503 h.) në librin e tij nga më të mirët në shpjegimin gjuhësor të fjalëve të Kuranit thotë: … Ehl-i i burrit në origjinë përdoret për ata që i bashkon një banesë e vetme, më pas ky kuptim është tejkaluar me të dhe thuhet ehli bejti i burrit për ata që i bashkon farefisi. (fq.36)

Kjo nga ana gjuhësore, ndërsa nga ana fetarë është cekur më parë. Madje nuk ka asnjë argument të saktë nga ana fetare që të bëj përjashtimin e grave që kuptohet nga ana gjuhësore e fjalës Ehli Bejt. Dhe këtë e sqaruam me fakte.

Është kaq absurde që po i përsëris këto gjëra, por çfarë të bëj me njerëz të tillë. (arabët përdorin një shembull për këtë dhe thonë: aneze ue in taret! Pra: fluturon edhe në qoftë kec!)

Në postimin Gabimet në materialin: Ajeti i Pastrimit dhe Ehl ul-Bejti kam përmendur për një transmetim nga Aliu se nuk e kam gjetur në librat sunnij. Më pas e gjeta këtë transmetim dhe ky është citimi i Lohjes:

Saherë që anëtarët e Ehl ul-Bejtit e shihnin të nevojshme ta theksonin rangun e tyre të veçantë shpirtëror, ata i referoheshin me krenari këtij ajeti. Për shembull, Imam ‘Alīu iu referua atij gjatë rastit të Fedekut, apo konsultimit për zgjedhjen e khalīfit, pas vdekjes së ‘Umerit. Prijësi i Besimtarëve shtroi këtë argument: “A është shpallur për ndonjërin prej jush ajeti i pastrimit?” Kur ata thanë ‘jo’, ai vazhdoi: “Anëtarët e Ehl ul-Bejtit janë të mbuluar me virtyte të shumta, sepse Kur’ani thotë: {Allahu dëshiron ta largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë deri në skaj}. Allahu pra e ka larguar nga ne tërë ndytësinë, të jashtme e të brendshme, dhe na ka fiksuar në rrugën e së vërtetës dhe së drejtës.” (Gājet ul-Merām, f. 295)

Përgjigja:

Më pas e gjeta këtë hadith tek ‘Tenzih esh-sheriatu el-merfuatu an el-ehadith esh-sheniatu el-meuduatu’ i autorit Ali El-kenani (v. 963 h.) libri në fjalë trajton hadithet e shpifura (meudu) që ka përmendur Ibn Xheuzi në librin e tij ‘El-meuduat’ (hadithet e shpifura). Këtë hadith e transmeton El-ukejli në librin e tij që flet për transmetuesit e dobët ‘ed-duafa’ dhe për këtë hadith ai thotë: ky hadith nuk ka bazë nga Aliu. Po kështu edhe Ibn Xheuzij akuzon njërin nga trasmetusit (Zafir ibn Sulejman) se ai mund ta ketë shpifur këtë hadith aq më tepër që e transmeton nga një njeri i panjohur. I të njëjtit mendim është edhe Ibn Haxher.[36] Ndaj shtoheni edhe këtë hadith në radhën e haditheve të pavlerë me të cilat argumentohen shiat!

Allahu A’lem ue Ahkem!

__._,_.___


[1] Sure El-bekare:85

[2] Sure El-hashr:10.

[3] Tefsir Ibn Kethir vol.3 fq. 468.

[4] Minhaxhu es-sune

[5] Vol. 4 fq.215

[6] Vol.1 fq.400.

[7] ‘El-huxhexh ed-damiga li nakd katabul muraxhaat.

[8] Shih gjithashtu Lisan el-mizan, El-kamil fi ed-duafa etj.

[9] Sunen Et-tirmidhi botim me verifikim të Albanit, Mektebetul Mearif Riad.

[10] Vol. 3 fq. 126.

[11] En-nakd es-sahih lima i’turide alejhi min ehadith el-masabih, fq. 55.

[12] Shih për këtë El-leali el-mesnua i Sujutit (1/334).

[13] Shejh Albani pasi citon këto fjalë thotë se hadithi tek Hakimi nuk ka vetëm se dy rrugë transmetimi!

[14] Vol.2 fq. 123.

[15] Shih El-mekasid el-haseneh nr.189 dhe El-feuaid el-mexhmua fq. 349.

[16] Shih El-ilel el-kebir Li-tirmidhi (2/942) dhe El-mekasid el-haseneh nr.189

[17] I cili edhe ka thënë: hadith gariib (i vetëm) munker (i papranueshëm) El-xhamia Et-tirmidhi (nr.3723)

[18] Shih ‘El-mexhruhin’ (2/94, 152)

[19] Ed-duafa (3/150)

[20] El-ilel (3/248)

[21] Shih El-mizan (1/415, 3/668) dhe Telhis El-mustedrek (3/126) Dhehebiu e qorton ashpër El-hakimin për saktësimin e këtij hadithi.

[22] Minhaxh es-sune (7/515) Ehadith el-kusas fq. 62 etj.

[23] Në recensionin e El-feuaid el-mexhmua të Sheukanit fq.349.

[24] Shih edhe Daif el-xhamia nr. 1322.

[25] Tahrixh hadith ena medinetul ilmi ue ali babuha (55 faqe A4)

[26] Muteatir, një numër tepër i madh njerëzish saqë është e pa mundur që të gjithë ata të gënjejnë apo të gabojnë.

[27]Minhaxh sunneh (7-8/ 515) ndërsa botimi i ri (4/372).

[28] El-fasl fil milel ue nahl (4/212).

[29] Sipas transmetimit të Ahmedit ndërsa tek Buhariu: a keni ndonjë libër tjetër?(nr.111) apo: prej shpalljes diçka tjetër? (nr.3047)

[30] Shih për më tepër El-ferk bejne el-firek

[31] Për më tepër shih Minhaxhul sune vol.4 fq. 138, botim i ri . 1424 h. Dar el-fejsalije.

[32] Tefsir Ibn Kethir

[33] Sure El-kehf:110

[34] Gjithashtu këtë e përmend edhe El-mexhlisi duke shtuar edhe disa gjëra të tjera në librin e tij ‘Bihar El-enuar fq.511 botim i vjet. Indi)

[35] Vol.4 fq.145. ai pasi jep njërin nga ato transmetime thotë: ky me këtë sened është i dobët.

[36] ‘Tenzih esh-sheriatu el-merfuatu an el-ehadith esh-sheniatu el-meuduatu’ vol. 1 fq.359. bot. 1981 Bejrut.

Published in: on 1 Janar, 2009 at 12:57 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/zhvleresimi-i-argumenteve-shiite/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: