TË DUASH ISLAMIN

TË DUASH ISLAMIN

Amër Halid

Hyrje

Lavdërimet i përkasin vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e udhëzim kërkojmë. Allahut i lutemi të na fal gabimet tona dhe mbrojtje i kërkojmë çdo e keqe që ne mbartim në vetët tona, e po ashtu edhe nga pasojat e prapësive tona. Atë që Allahu e udhëzon askush nuk mund ta shpjerë në humbje dhe atë që Ai e lë në humbje për të nuk do të gjesh asnjë udhëzues.

A tu tregoj për një tregti fitimprurëse

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël.”[1]

Ky është vetëm një ajet, por në fakt e gjithë surja Et-teube ka në të ajete të cilat i nxisin besimtarët të punojnë për fenë e tyre.

O besimtarë, vihuni në lëvizje për fenë tuaj…

O besimtarë, jetoni për Islamin…

O besimtarë, ndihmojeni Islamin…

“Nëse ju nuk e ndihmoni atë, Allahu tashmë e ka ndihmuar”[2] “Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë”[3] Lëvizni për fenë tuaj, luftoni për hir të Allahut.

Këto ajete na nxisin që të luftojmë për hir të Allahut, por jo gjithmonë ekziston mundësia për të luftuar, sidoqoftë lufta mund të bëhet në forma të tjera. Në çdo vend dhe në çdo kohë njerëzit duhen ftuar për te Zoti dhe duhen udhëhequr për tek Ai, “Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë”.

Lufto për hir të Allahut kur je akoma i ri dhe pa preokupime, kur akoma je student në universitet, kur akoma detyrimet e tua janë të pakta…

Lufto për hir të Allahut kur je i mbingarkuar me përgjegjësi dhe familje…

Lufto për hir të Allahut kur je i rënduar nga borxhet dhe hallet…

Lufto në çdo kohë për hir të Tij…

“Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit! Sikur fitorja të ishte e afërt dhe udhëtimi i shkurtër, ata do të të pasonin ty. Por iu duk rrugë e largët.”[4] nëse rruga do të ishte e shkurtër dhe çështja e lehtë “ata do të të pasonin ty. Por iu duk rrugë e largët.”

Ajo që kërkohet nga besimtarët është që të bëhen udhërrëfyes të së vërtetës për njerëzit, udhërrëfyes për në fenë e vërtetë. Kjo është një punë e vështirë dhe një barrë e rëndë, ndaj kërkohet entuziazëm i madh për Islamin. Çështja nuk mjafton që ti vetëm të falesh dhe të agjërosh në muajin e Ramazanit dhe pas Ramazanit të mos duash të dish më për fenë! Ramazani qe një periudhë që të mbushi me besim, por ty o vëlla, akoma Islami nuk të ka kapluar zemrën. Duhet të bëjmë dallim ndërmjet këtyre dy gjerave, ndërmjet faktit që unë jam i përkushtuar ndaj Islamit dhe faktit që unë jam i devotshëm. Ka një dallim të madh mes këtyre dy gjërave. Një grua, për shembull, mund të jetë e mbuluar, nuk lë asnjë namaz pa e falur në xhami, nuk i shpëton as edhe një rekat teravi, dhe e kërkon dijen në çdo vend, e megjithatë ajo nuk i është përkushtuar Islamit. Po kështu edhe burri, po përse? Ti nuk e di se që të jesh i devotshëm do të thotë të jetosh për Islamin, t’i përkushtohesh atij.

Një ditë në namazin e sabahut në muajin e Ramazanit më erdhën dy të rinj dhe njëri prej tyre më tha: unë sa herë që unë bëhem i devotshëm, përsëri kthehem aty ky isha. Tre herë më ka ndodhur deri tani kjo gjë, dhe çdo herë jam kthyer në gjendjen e mëparshme. Ndërsa tjetri më tha: unë që në fillim të Ramazanit përpiqem, por e ndej se nuk mundem ta vazhdojë këtë rrugë.

Desh Allahu që në të njëjtën ditë kur unë po haja iftar të dëgjoj se një vajzë e re çdo Ramazan, apo çdo gjashtë muaj mbulohej dhe më pas përsëri kthehej në gjendjen e mëparshme.

Thelbi i problemit

Problemi qëndron në këtë pikë o vëllezër: ti përpiqesh të jesh i devotshëm duke qenë larg përkushtimit tënd ndaj Islamit. Patjetër që duhet të jetosh për Islamin dhe të ndjesh se Islami është një pjesë e qenies tënde. Nëse në gjakun tënd nuk rrjedh: “Unë e dua Islamin, e dashuroj atë dhe dua që njerëzit të lidhen me Allahun”; devotshmëria është e pasaktë, sepse nuk mund të ketë devotshmëri nëse nuk ia kushton jetën Islamit.

Kuptimi i të qenit i devotshëm

Të jesh i devotshëm do të thotë që e gjithë qenia jote të jetë e zhytur në dashurinë për fenë dhe të dëshirosh që të gjithë njerëzit të jenë të lidhur fort me Allahun. Ajetet e Kur’anit një nga rolet që ato kanë është edhe të mbjellin në shpirtin tënd dashurinë për devocionin. A je ti një i dashuruar mbas fesë tënde, apo thjesht një namaz, ca pika lot dhe gjithçka mbaron me kaq?! Nëse gjendja është e tillë dhe ti nuk ndjen se Islami ka pushtuar tërë qenien tënde, atëherë ti ke një islam të mangët. Mendo sikur xhamitë të mbusheshin me njerëz që falen, aq sa të mos ketë vend dhe ku njerëzit qajnë dhe përgjërohen para Zotit dhe ti përsëri nuk e ndjen dashurin e Islamit. Nuk ndjen nevojën që edhe njerëzit, të gjithë njerëzit ta duan Islamin si ti, atëherë dije ti nuk je një njeri i dobishëm për Islamin. Gjendja e myslimanëve do të vazhdojë të mbetet ashtu siç është, e prapambetur dhe nuk ka për të pasur shpresë vetëm se me njerëz të cilët e dashurojnë Islamin, ashtu siç duan familjet dhe fëmijët e tyre, ndryshe nuk do të ketë ndonjë përmirësim.

Shembuj të të dashuruarve pas Islamit

Vështroni në shembujt e atyre njerëzve që dashuruan Islamin! Shikoni atë burrin që jetoi në një fshat të vogël, në të cilën Allahu dërgoi dy Profetë dhe më pas çoi edhe një të tretë! Të gjithë i lexoni ajetet e sures Jasin “Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!”[5]

Në një fshat të vogël gjendeshin tre Profetë… E çfarë duan më shumë se kaq?! A nuk mjafton kjo?! Një njeri atje në atë fshat e kuptoi Islamin dhe në veten e tij tha: Islami nuk është përgjegjësi vetëm e Profetëve, por edhe unë duhet që të bëhem pjesë e kësaj përgjegjësie, sepse edhe unë jam përgjegjës për të edhe unë duhet të kem rolin tim në këtë fe. Islami nuk është përgjegjësi vetëm e dijetarëve të El-ez’herit dhe as vetëm e një predikuesi, çdo njeri është përgjegjës për Islamin. Çdo kujt i takon që të bëhet thirrës për mikun e tij… për kolegun e punës… patjetër duhet që edhe ti të ndjesh veten si përgjegjës për Islamin.

Një njeri dhe një qëndrim

Fshati për të cilin po flasim kishte tre Profetë, por lexo me vëmendje ajetin që vjen më pas: “Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar”[6] Një njeri…tha një njeri, dhe erdhi nga skaji i qytetit. Në Kur’an nuk ka fjalë të tepërta, çdo fjalë në të ka një kuptim dhe qëllim të caktuar. Fjala “nga skajet e qytetit” është një fjalë e rëndësishme që na tregon se ky burrë nuk heshti dhe nuk mund të heshte.

“Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha: “O populli im, ndiqni të dërguarit! Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë! Përse të mos e adhuroj unë Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë? Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin. Unë, atëherë do të isha me siguri në humbje të dukshme. Unë i kam besuar Zotit tuaj”[7]

Ai filloi t’i drejtohej të tre Profetëve për tu thënë atyre: unë jam me ju dhe plotësisht dakord me atë që ju thoni.

Përqendrohuni te fjalët e këtij njeriu, sesi ai ndjehej. Ai në fillim iu drejtua popullit dhe më pas u tha Profetëve: “Unë i kam besuar Zotit tuaj” pastaj u kthye nga njerëzit dhe u tha atyre: “andaj, më dëgjoni!”. Shikoni sesi fjala më dëgjoni shpreh atë që ai ka në zemër, ai dëshiron që të gjithë njerëzit ta dëgjojnë.

Shpalle dhe Ne na takon përçimi i lajmit

Vëllezër! Feja është e bukur dhe lidhja me Allahun gjithashtu është e bukur… Unë nuk po i them këto fjalë që disa njerëz të entuziazmohen së tepërmi dhe të thonë: O burra t’i tërheqim njerëzit në fe edhe sikur të mos duan… Jo… Islami nuk përhapet kështu. Islami është butësi, mëshirë, dhembshuri, dashuri dhe afrim i njerëzve, por me urtësi dhe këshilla sa më të mira.

E rëndësishme është se unë dua që njerëzit të jenë të lidhur me Allahun, dua që të gjithë njerëzit ta duan Zotin e tyre. Dhe kjo të bëhet me mënyrat më të mira, më të buta, më të përshtatshme dhe unë të vazhdoj në punën time në mënyrë të natyrshme. Shikoni tek ai njeriu që tha:”Unë i kam besuar Zotit tuaj andaj, më dëgjoni!” atë vrau populli i tij “iu tha: “Hyr në Xhenet!”. Pasi e vranë “iu tha: “Hyr në Xhenet!” dhe pasi ai hyri në Xhenet shikoni çfarë tha: “Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im”! Populli i tij që e vrau! Po, por ai u donte të mirën njerëzve. Çështja nuk është që unë vetëm tu tregoj njerëzve të vërtetën dhe ata më pas të hyn në Zjarr, por unë dua që të gjithë njerëzit të hyn në Xhenet. Ai donte që të pendohej dhe ata e vranë “iu tha: “Hyr në Xhenet!” Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im, se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!”[8] A gjendet mes nesh një ndjesi e tillë për Islamin?!

Një zog dashuron Islamin

Profeti Sulejman (alejhi selam) kishte një ushtri me zogj nga të gjitha llojet dhe një ditë pa se në vendin ku duhet të ndodhej një nga zogjtë e shumtë ai nuk ndodhej aty, ai duhet të qëndronte aty, por ai mungonte, ai zog ishte pupëza: “Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu,”[9] Ku është pupëza? Pse ajo mungon?

Pupëza duke ardhur pa nga larg disa njerëz që i përkuleshin diellit. Pupëza kishte një takim ku do të mblidheshin te Profeti Sulejman (alejhi selam), por ajo pa se kishte disa gjëra më parësore. Pupëza nuk dëshironte që të shoh njerëz që rrinë larg Zotit dhe të shikonte punën e saj duke prezantuar para Sulejmanit (alejhi selam), ndaj e pa si më të udhës faktin që të shikonte se çfarë bënin këta njerëz?! Fluturoi nga Jemeni në Palestinë… shikoni sesi pupëza preokupohet për çështjen e besimit, ndërsa ne sot shohim njerëz që nuk duan të jenë thirrës për tek Allahu! Shohim sesi një motre myslimane i vjen turp të ftoj fqinjën e saj dhe një vëlla mysliman nuk dëshiron të ftoj shokun e tij në fe! Shoku i tij nuk beson dhe nuk falet dhe kjo aspak atë nuk e preokupon! Ai e di se shoku i tij bën imoralitet, pi alkool dhe drogohet dhe qesh e luan me të dhe nuk mendon sesi ta afrojë atë te Zoti, ç’është kjo o vëllezër?! Ç’janë këto zemra që nuk drithërohen për Islamin?! Ç’janë këto zemra që nuk u djeg xhani për fenë e tyre?!

Pupëza që e dashuronte fenë e saj mbërriti te Sulejmani (alejhi selam) dhe i tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Aja zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor.”[10] Ajo kishte një fron madhështor… Imagjino, pupëza për shkak të interesimit të madh hyri deri atje sa pa fronin e mbretëreshës, që ta informonte Sulejmanin më së miri për çdo gjë, sepse ajo ishte e preokupuar me fenë e saj “Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre,”[11]

Imagjino… pupëza i thotë këto fjalë “duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut,”[12] Imagjino… sesi kjo krijesë e vogël zemrën e ka më të nxehtë sesa zemra jote “ Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut“. Pupëza habitet nga ky veprim, sesi ata nuk i përkuleshin Allahut, Allahu ta dhurojë këtë mirësi o pupëz! “Ai Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë”[13] Ushqimi i këtij shpendi ndodhet i fshehur në tokë ndaj dhe përmend njohjen që ka për Allahun nga realiteti i ushqimit të tij, “Ai i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi.” Pupëza përmendi fronin e mbretëreshës, që na bën të kujtojmë Fronin (Arshin) e Allahut, ndaj dhe thotë: “Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!”[14] Qe nga urtësia e Allahut që ky vend të jetë vendi i sexhdes, për të kujtuar sesi i digjej zemra e pupëzës për fenë e Zotit, po ne ku e kemi këtë zjarr? Ah sikur të kishim mes nesh njerëz si kjo pupëz… Ah sikur të kish të tillë që si pupëza tu digjej zemra për këtë fe ashtu siç i digjej kësaj pupëze… Jo si ata që kur falin teravitë në Ramazan kujtojnë se kanë bërë gjithçka që u kërkon feja. Synimi madhor duhet të jetë që unë të jetoj për fenë time… Unë e dua fenë e Allahut… Unë e dua fenë e Allahut.

Mësoje o vëlla se Allahu e pat urdhëruar Xhibrilin (alejhi selam) që ai të shkatërronte një fshat me gjithë ç’kishte në të. Ai i tha: O Zot! Në mes tyre gjendet robi yt filani, që të adhuron dhe bie në sexhde për Ty, e që nuk i ndahet adhurimit dhe përmendjes Tënde!

-Zoti i tha: O Xhibril prej tij filloje!

-O Zot si?

-Atij nuk i është mrrolur njëherë fytyra për Mua.

E pra këtij njeriu nuk i ishte vrenjtur fytyra për shkak të atyre gjynaheve që bëheshin në atë vend.

Nëse në një vendbanim banorët e atij vendi bëjnë gjynahe dhe mes tyre ka një njeri që falet dhe i bindet Allahut, por ai nuk këshillon për punë të mira dhe nuk i kritikon punët e këqija dhe nuk i shkon në mendje t’i afrohet as komshiut të tij, Allahu do t’i dënoj të gjithë.

Ku është ai që do t’i afrojë njerëzit dhe t’i mëshiroj ata dhe të thotë: Unë nga dashuria që kam për fenë time e dua namazin e teravive dhe çdo herë do të marr me vete një nga shokët e mi dhe do të filloj me të rrugën për të thirrur tek Allahu?

Kujto o vëlla

Fjalën e Allahut që tha për këtë njeri: Atij nuk i është mrrolur njëherë fytyra për Mua. Tamam si ai që do t’i afrojë njerëzit, por i trembet punës së tij, kompanisë së tij apo ka frikë për shtëpinë e tij… Me të filloje!

Islami i Umer in Hatabit (radijallahu anhu)

Shikoni sesi ishte Umeri në fillimet e Islamit, ai i largonte njerëzit nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), saqë nëse shihte ndonjë njeri duke folur me Profetin e shtynte atë me forcë për ta larguar. Por ai nuk mjaftohej me kaq, njëherë Profeti (salallahu alejhi ue selem) doli natën duke dëshiruar që të falej pranë Qabesë, ndërkohë ai sheh Umerin që e ndiqte nga pas, Profeti iu kthye dhe i tha: “O Umer, a nuk më ndahesh as natën dhe as ditën?!”. Dhe megjithatë ne shohim sesi Profeti që e donte fenë e tij i lutej Allahut: “O Allah jepi krenari Islamit me një nga dy Umerët: Umer in Hatab ose Amër in Hisham.” [15] Këta dy njerëz ishin ata që më së shumti e dëmtonin Islamin, por pavarësisht këtij fakti Profeti (salallahu alejhi ue selem) lutej për ta… Shih sesi Profeti këmbëngulte që edhe ata t’i ftonte në fe…

Një ditë Umer ibn Hatabi po ecte rrugës dhe shikon një grua myslimane që po përgatitej për të emigruar në Etiopi dhe e pyet duke i thënë: Për ku kështu o robëreshë e Allahut?! Dhe gruaja i tha: Do të largohem me fenë time nga ju.” Për herë të parë zemra e tij u zbut dhe pasi e pa i tha: Pasha Allahun nuk ke pse e lë tokën tënde! Kthehu o robëreshë e Allahut dhe mos kij frikë!” Gruaja pasi dëgjoi këto fjalë ndjeu një shpresë se Umeri do të bëhej mysliman. Ajo shkoi tek i shoqi dhe i tha se çfarë i kish ndodhur me Umerin dhe bashkëshorti i saj iu përgjigj: A shpreson se Umeri do të bëhet mysliman?! Pasha Allahun Umeri nuk ka për tu bërë mysliman derisa të bëhet mysliman gomari i Hatabit!

Pa mendo se çfarë opinioni kishin për Umerin myslimanët e parë. Kur ndonjë prej skllaveve të Umerit bëhej myslimane ai e rrihte atë derisa lodhej dhe skllavja besimtare i thoshte: Shiko se çfarë bëri Allahu me ty! Ti u lodhe ndërsa unë jo… Shiko o vëlla sesi kjo skllave donte ta prekte Umerin dhe ndjenjat e tij…

Umeri, ai që i sajonte vetes zota prej hurme dhe kur kishte uri e hante ata…

Dita e parë e Islamit të tij

Një ditë prej ditësh Umeri zhveshi shpatën dhe vendosi të vrasë Profetin (salallahu alejhi ue selem) dhe tha me vete: Dhe për sa kohë Muhamedi do të vazhdojë të na vërë ne në provë? Nxori shpatën, një veprim ky që as Ebu Xhehlu nuk e bënte, dhe vendosi të vrasë Profetin (salallahu alejhi ue selem) publikisht. Gjatë rrugës për të shkuar në vendin ku mblidhej Profeti me shokët e tij ai u takua me një mysliman që nuk e tregonte veten dhe e pyeti: Për ku kështu o Umer?

Umeri i tha: Po shkoj te Muhamedi për ta vrarë.

Dhe myslimani i tha: Nëse do ta bësh një gjë të tillë atëherë familja e Abdulmtalibit do të të vrasë.

Umeri i tha: E shoh se ke të drejtë.

Muslimani: A të them diçka më të mirë sesa të vrasësh Muhamedin?

Umeri: Çfarë?

Muslimani: Shko te jot motër sepse ajo ndjek Muhamedin.

Umeri: A e paska bërë një gjë të tillë?!

Myslimani: Po.

Atëherë Umeri u drejtua për në shtëpinë e së motrës. Në shtëpinë e së motrës së Umerit, Fatimes, gjendej vetë ajo, i shoqi i saj Seid in Zejd si dhe Habab ibn El-eret. Umeri trokiti në derë dhe Hababi nxitoi të fshihej në shtëpi, Fatimeja habi derën dhe Umeri i tha: Më kanë thënë se ti ke dalë nga feja (je bërë myslimane). Dhe Fatimeja i tha: O Umer! Po sikur e vërteta të mos ishte në fenë tënde? Dhe Umeri iu përgjigj duke e goditur me shuplakë aq fortë sa i çau buzën dhe i ranë vathët nga veshët. Në atë çast afrohet i shoqi, Seid ibn Zejd dhe i thotë: O Umer! Po sikur e vërteta të mos ishte në fenë tënde? Umeri e shtyu me forcë dhe godiste në fytyrë, Fatimeja mundohej ta mbronte të shoqin nga goditjet e Umerit. Në këto momente të kësaj përpjekje Fatimes i bie nga dora një fletë e shkruar. Umeri i thotë: Ma jep mua atë fletë! Dhe ajo i thotë: Atë nuk e prek me dorë vetëm se njerëzit e pastër, e ndërsa ti je i pisët. Shko dhe lahu më parë! Umeri qetësohet dhe shkon të lahet dhe më pas e merr fletën e shkruar dhe në të shfaqet surja Taha. Kur Umeri shikon ajetet e kësaj sureje ndryshon rrënjësisht… Sa e sa herë i kemi lexuar ne këto ajete.

“Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar, por që të jetë kujtesë për atë që ka frikë (nga Allahu). Ai është zbritur nga Krijuesi i Tokës e i qiejve të lartë. I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij). Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë. Edhe nëse ti flet me zë të lartë, (është e kotë, sepse) Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta. Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.”[16] Pa i mbaruar ajetet e kësaj sureje Umeri tha: Ku është Muhamedi? Unë dua të bëhem mysliman.

Imagjino se çfarë ndryshimi! Umeri shkon në vendin ku mblidheshin Profeti me shokët e tij, në shtëpinë e El-Erkam ibn El-Erkam, hyn në shtëpi dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) e mbërthen nga rrobat dhe i thotë: “A nuk ka ardhur koha që të bëhesh mysliman o i biri i Htabit?!” Dhe Umeri i tha: Dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut. Në atë moment shtëpia u trondit nga thirrjet Allahu Ekber! Të gjithë ata që ishin aty thërrisnin: Allahu ekber! Pa kaluar as edhe pak çaste që Umeri ishte bërë mysliman thotë: O i Dërguari i Allahut a nuk jemi në të vërtetën?!… shiko sesi i digjte zemra Umerit…

Unë e përmenda gjithë këtë histori për tu mbërritur te kjo fjalë edhe për ata shpirtra që mendojnë se Islami është vetëm kryerja e disa riteve adhurimi.

Nëse feja do të ishte vetëm kryerja e disa riteve adhurimi, atëherë kush do t’i afronte njerëzit tek e vërteta?!

-Umeri thotë: O i Dërguari i Allahut a nuk jemi në të vërtetën?!

-Po si jo. I thotë, Profeti (salallahu alejhi ue selem).

-A nuk janë ata në të kotë?

-Ai i thotë: Po si jo.

-Atëherë Umeri i thotë: Përse atëherë fshihemi?!

-Çfarë mendon ti o Umer?! I përgjigjet Profeti.

– Ai i thotë: Që tani të dalim dhe të shpallim se Allahu është më i madhi dhe se nuk ka hyj tjetër veç Allahut.

-Profeti i tha: O Umer ti je dalluesi (el-faruk), Allahu me ty do të dalloj të vërtetën nga e kota.

Ai u emërtua me emrin el-faruk që ditën që hyri në Islam. Më pas ata dolën nga shtëpia e El-erkamit në dy rreshta në njërën ishte në krye Umer ibn Hatab dhe në tjetrën Hamza ibn Abdulmutalib. Prej tyre dëgjohej fjala Allahu ekber, dhe Meka oshtinte nga zërat e tyre dhe bashkë me zërat e tyre bashkohej dhe zëri i Profetit (salallahu alejhi ue selem).

Një tjetër qëndrim

Umeri që nga koha që u bë mysliman dashurinë për Islamin e kishte të zjarrtë. Dhe ja një tjetër qëndrim i tij ditën kur ai u bë mysliman, kur myslimanët dolën haptazi për tu sjellë rreth Qabes. Umeri donte që të gjithë njerëzit ta merrnin vesh se ai ishte bërë mysliman, ai thotë: Thash me vete: Pasha Allahun do tu tregojë të gjithë kurejshëve se unë u bëra mysliman.

Shikoni se çfarë qëndrimi mbajti Umeri, për të qenë shembull që njerëzit e devotshëm të mos ndihen të ndruajtur, që gruaja që mos ketë turp pse mban mbulesë dhe të mos ketë frikë tu flasë shoqeve të saj, që njeriu të mos ketë ndrojtje tu thotë miqve të tij se kjo është haram dhe kjo është hallall, nga frika se po tallen dhe po luajnë me të. Vëlla, ty patjetër duhet të të vlojë zemra për fenë tënde.

Kur Umeri u bë mysliman shkoi tek Ebu Xhehli dhe i trokiti derës dhe derën ia hapi vetë Ebu Xhehli dhe Umeri i tha: A nuk e ke marrë vesh o Ebu Xhehl?!

Çfarë,- tha ai?

Dhe Umeri i tha: Unë dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Qofsh i mallkuar gjithë ditën! Ma trazove ditën, i tha Ebu Xhehli dhe i mbylli derën.

Por Umeri nuk u mjaftua me kaq ai donte të bënte diçka për fenë e tij ndaj shkoi diku tjetër, shkoi tek Ebu Sufjani dhe i trokiti derës. Ebu Sufjani hapi derën dhe Umeri i tha: A e more vesh o Ebu Sufjan se çfarë ka ndodhur?!

-Dhe ai tha: Çfarë ka ndodhur?

– Umeri iu përgjigj: Unë dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

-Qofsh i mallkuar gjithë ditën, i tha Ebu Sufjani Umerit dhe i mbylli derën.

Askush prej tyre nuk hyri në debat me Umerin, askush nuk donte të përballej me të, të gjithë i ndruheshin atij. Shihni sesi Umeri do t’i lajmëroj të gjithë njerëzit se ai u bë mysliman dhe për këtë nuk i frikësohet fjalëve të askujt, sepse ai e di që është në të vërtetën. Ai e besoi të vërtetën, e pranoi atë dhe dashuroi atë. Ndaj ai donte që këtë të vërtetë ta ndante me të gjithë njerëzit. Më pas ai pyeti se kush ishte ai njeri që më së shumti në Meke merrej me përhapjen e lajmeve dhe i thanë se ishte një njeri që quhej Xhemil ibn Muamer. Umeri shkoi te ky njeri dhe duke dashur t’i jap një motiv sa më nxitës i tha: A të tregoj diçka, por të mos ia thuash njeriut? Dhe ai i tha: Thuaje o Umer. Dhe Umeri i tha: Unë dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Umeri tregon dhe thotë: Ai nuk priti as ta përfundoja fjalën, por menjëherë filloi të rendte dhe të bërtiste: O kurejsh, i biri i Hatabit është bërë mysliman. Mua më shkoi nëpër mend, thotë Umeri, se ata do të mblidheshin në Qabe dhe kështu që nxitova drejt saj.

Shikoni o njerëz sesi Umerit nuk i vjen turp ta shpall islamin e tij, ndaj edhe ti o vëlla mos u druaj për shkak të përkushtimit dhe devocionit tënd ndaj fesë. Dhe ti o motër mos ki turp për shkak të mbulesës tënde, mos kini turp o njerëz t’i ftoni të tjerët në Islam. Umeri mbërriti te Qabeja para tyre dhe ai tregon se ata pasi u mblodhën filluan të më goditnin por edhe unë ua ktheja, e kështu vazhdoi kjo nga mëngjesi deri në drekë, derisa erdhi Ukbetu ibn Ebij Muit. Ndërkohë unë isha lodhur dhe më kishin lënë forcat, u ngrita me forcë dhe kapa Ukben dhe e shtriva përdhe dhe pasi e vura poshtë u vura gishtat në sy dhe i thashë: Thuaj atyre të largohen nga unë ndryshe t’i nxora sytë! Dhe ai u tha atyre: Largohuni nga i biri i Hatabit. Ata u larguan nga unë dhe kështu që unë u ktheva në shtëpi, por mua nuk më zinte gjumi derisa i mblodha fëmijët e mi dhe u thashë atyre: Unë nuk kam për t’iu folur derisa të dëshmoni se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Shikoni përkushtimin e këtij njeriu, shikoni sesi këtij njeriu i ziente zemra për Islamin, ai nuk mund të flinte pa i futur edhe fëmijët e tij në Islam. Dhe e gjitha kjo ndodhte ditën e parë që ai u bë mysliman! E si i bëhet hallit tonë që kemi me dhjetëra vjet në Islam dhe as nuk bëjmë gjë për fenë e Allahut! Kur Umeri u tha fëmijëve të tij këto fjalë djali tij i vogël Abdullahi i tha: O baba, unë kam një vit që jam mysliman. Ai atëherë e kapi atë dhe filloi ta rrihte duke i thënë: A ma ke fshehur mua islamin?! A e ke lënë tët atë në humbje?! Po sikur të kish vdekur në kufr a do më kishe lënë?! Dhe Abdullahi i përgjigjet: Por unë kisha frikë nga ty! Abdullahi tregon: Sa herë që ai e kujtonte këtë gjë edhe pas shumë vitesh zinte dhe më rrihte dhe më thoshte: A po e lije tët atë në humbje o i biri i Umerit?!

Kjo ishte dita e parë në Islam në jetën e Umerit dhe zelli dhe dashuria për këtë fe arrin deri në një gradë të tillë!

Ebu Dher El-gifari

Ky njeri erdhi te Profeti (salallahu alejhi ue selem) nga fisi Gifar, një fis që për Kurejshët nuk kishte ndonjë vlerë, sepse ata ishin një fis banditësh ndaj dhe Kurejshët nuk i vlerësonin. Kur Ebu Dheri dëgjoi për Profetin erdhi tek ai dhe pranoi Islamin dhe i tha: Dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Profeti i tha Ebu Dherit: Kthehu te populli yt dhe ftoi ata në Islam. Por Ebu Dheri iu përgjigj: Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim! Nuk kam për tu kthyer derisa të bërtas te Qabeja se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Ai tha këto fjalë pa e marrë parasysh frikën ndaj kurejshëve dhe kështu që shkoi pranë Qabesë dhe me zërin e tij më të lartë thirri: O Kurejsh! Unë dëshmoj se nuk ka hyj tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ata që ishin aty iu çuan dhe filluan ta rrihnin keq. Ebu Dheri kthehet tek Profeti dhe i thotë: Pasha Allahun unë nesër përsëri do të dal dhe do të bërtas po me këto fjalë.

Shiko sesi shprehet Ebu Dheri kur thotë: “do të bërtas me këto fjalë”, çka tregon sesa i fortë ishte besimi i tij në zemër, sesa ai e donte Islamin dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte veten për të. Ai nuk i kishte frikë kurejshët dhe as dhunën e tyre dhe e gjithë kjo sepse ai donte që dritën tua shpinte të gjithë njerëzve dhe që ata të hynin në fenë Allahut grupe grupe.

Ukbetu ibn Nafi

Kur Ukbetu ibn Nafi e përfundoi misionin e tij të hapjes së vendeve të reja karshi Islamit u ndal në breg të detit, përballë oqeanit Atlantik, dhe tha: O det, pasha Allahun sikur ta di se pas teje do të ketë përsëri tokë do të kisha kaluar, që edhe atë t’ia nënshtrojë Allahut!

Nëse do të dija që do të gjeja tokë tjetër do të kisha hyrë drejt teje, për të përhapur Islamin dhe që njerëzit të adhuronin kudo vetëm Allahun, Zotin e botëve.

Dhe vërtetë pas atij oqeani të madh kishte përsëri tokë, e që sot quhet Amerikë.

Duhet ta mësoni o vëllezër se zemrat për të cilat ka nevojë Islami nuk janë ato zemra që preokupimin dhe çështjen kryesore kanë vetëm të ngrënët dhe të pirët, të pasurit fëmijë dhe bërit qejf me miqtë dhe shokët. Islami do zemra që preokupimin i parë dhe i fundit i tyre të jetë Allahu, i Dërguari i Tij dhe thirrja për në këtë fe.

Një dijetarë thotë: O mysliman! Nëse do viheni në lëvizje për Islamin me një ndjenjë më të ftohtë sesa ajo që ndjeni kur keni fëmijët tuaj duke iu vdekur nëpër duar; nuk keni për të arritur askund.

Nëse ndjenjat e tua për Islamin janë më të ftohta sesa atë çka ndjen kur para teje dergjet yt bir me temperaturë dyzet gradë dhe të vdes nëpër duar, asnjë dobi nuk ke për t’i sjellë Islamit. Ndjenjat e tua për Islamin duhet të jenë më të forta dhe më të zjarrta. Nëse babai yt do të ishte duke vdekur në mes të natës dhe ti do jesh i detyruar të marrësh mjekun, do ta kishe bërë. E pra, edhe ndjenjat për fenë tënde duhet të jenë më të forta sesa kjo.

Allahu i madhëruar thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij,”[17]

Të thërresësh njerëzit për tek Allahu dhe t’i afrosh ata të adhurojnë Zotin të vetëm është xhihad për hir të Allahut. Nëse myslimani nuk e bën një gjë të tillë, atëherë le të presë se çdo t’i ndodh atij “atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” [18]

Ai që i do këto tetë gjëra që u përmendën, dhe që të gjitha janë të lejuara, më shumë sesa Allahun, Profetin dhe thirrjen për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij le të durojë atë që do t’i vijë mbi shpinë. E gjithë kjo për disa gjëra që që të gjitha janë të lejuara, e si i bëhet halli për ata që duan gjëra të ndaluara?! Ai i do ato më shumë sesa Allahun, Profetin dhe thirrjen për tek Allahu!

Ebu Bekri (radijallahu anhu) nga dashuria e madhe për Islamin dhe zjarrmia që kish për të thoshte: “Pasha Allaun, nuk flija që të shikoja ëndrra.”

E pra, nuk kam kohë të fle që të shoh ëndrra ndërkohë që unë jetoj për fenë time. “E as nuk kam ndenjur pagjumë dhe të kem qenë i shkujdesur.” Unë nuk kam kohë të merrem me imagjinata për bukuritë dhe kënaqësitë e kësaj bote, për pasuri, gra e të tjera si këto.

Shikoni ato vajza që rrinë pesë a gjashtë orë duke imagjinuar për të fejuarin e ardhshëm, ndërkohë që asaj i duhen edhe të paktën pesë apo gjashtë vjet për tu martuar! Por, kjo është një kohë që atyre u shkon kot në jetë, sepse ato nuk ndjejnë preokupim tjetër veç kësaj.

Jo më larg se dje kishte një grup të rinjsh që ecnin nëpër rrugë me flamuj duke ngritur zërin dhe shkaktuar zhurmë dhe kur dikush i tha njërit prej tyre: Pse e bëjmë këtë? Ai iu përgjigj: Po pse a kemi gjë tjetër se çfarë të bëjmë?!

Umer ibn Hatabi thoshte: “Kur të fle?!” nuk kam kohë të fle “Nëse fle natën do të lë detyrimin që kam ndaj Zotit tim. Nëse fle ditën do të lë detyrimin që kam ndaj popullit!” Kur të fle?! Umerit i ikte fytyra kur në mes myslimanëve pllakoste uria dhe shtereshin furnizimet ushqimore, ai refuzonte që të hante tjetër gjë veç bukë me vaj dhe kripë, derisa iu nxi lëkura. Ky fenomen shfaqet edhe në librat e historisë që flasin për të, disa thonë se ai e kishte lëkurën të bardhë, disa të tjerë thonë se ai ishte ezmer! Ai në të vërtetë ishte i bardhë, por kur ndodhi kriza e urisë në mes myslimanëve atij i thoshin: Ha o prijësi i besimtarëve. Dhe ai u përgjigjej: A të ha, ndërkohë që umeti i Muhamedit nuk ka çfarë të hajë?!” Deri atje kishte arritur puna me këtë njeri, saqë shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem) thoshin: I luteshim Allahut ta largonte krizën e urisë nga myslimanët, vetëm për shkak se kishim frikë për Umerin.

Ku e ke zjarrminë për Islamin, o vëlla?!

Ku janë ato zemra që digjen nga dashuria për këtë fe?! Ata që duan të jetojnë për Islamin?! Zemra që preokupimin dhe çështjen e tyre kryesore kanë të shohin Islamin të lartësuar mes njerëzve.

Kur çifutët hynë në tokat tona dhe pushtuan xhaminë El-aksa, në atë ditë ata këndonin një këngë. Këtë këngë nëse do ta dëgjosh do të të mërzitet jeta dhe do të dëshpërohesh së tepërmi. A dini se çfarë thoshte kënga e tyre?! Ata thoshin: Muhamedi vdiq dhe la pas tij vajza.

Kjo nuk ishte një sharje për gratë, por qe një fyerje për burrat. Një fjalë që vret tepër dhimbshëm: Muhamedi vdiq dhe la pas tij vajza.

O vëlla unë nuk po t’i them këto fjalë që të shkosh e të thyesh ndonjë gjë apo të dëmtosh ndonjë njeri, por po t’i them që zemra jote të mbushet me dashurinë për Islamin, që ti të jesh i preokupuar për fenë tënde. Dëgjo se çfarë ka thënë Salahudin Ejubi: “Si të më qeshet ndërkohë xhamia El-aksa është e robëruar?!” E si pra gëzohesh ti me këtë botë dhe nuk punon për fenë tënde?! Nuk të djeg fare shpirti për të?!

El-bera’u ibn Azib

Ai ishte një njeri që e dinte të gjithë Kur’anin Fisnik përmendësh dhe në betejën e Jemames ai dha shembullin e tij personal. Në fillim të betejës myslimanët patën humbje përballë Musejleme gënjeshtarit dhe ushtrisë së tij. El-bera’u thirri me zë të lartë: Unë jam një mbartës i keq i Kur’anit nëse Islami humbet për shkakun tim.

Shiko o vëlla se çfarë thotë ky njeri: Unë jam hafizi më keq i Kur’anit në këtë botë nëse Islami do të humbasë në krahun tim.

Çështja nuk është vetëm falesh apo jo, por çështja është që Islami është pjesë e imja.

Hasan El-basriu thotë: Islami do të vijë Ditën e Kiametit për të shfletuar fytyrat e njerëzve, për të parë se kush e ka ndihmuar dhe kush e ka lënë në baltë. Do të kalojë pranë një njeriu do ta shohë dhe to thotë: Ky më ka poshtëruar. Dhe do të kalojë pranë një tjetri do ta shohë dhe do të thotë: Ky më ka ndihmuar. Dhe kështu do të kalojë para njerëzve derisa të arrijë para Umer ibn Hatabit. Ai do ta kapë për dore Umerin dhe do ta ngrejë lart dhe do të thotë: O Zot, isha i huaj derisa ky njeri u bë mysliman.

Këto fjalë i thotë Hasan El-basriu dhe jo unë.

Imagjino Islami Ditën e Kiametit do të thotë: O Zot, isha i huaj derisa ky njeri u bë mysliman.

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Ne kemi qenë të nënshtruar derisa Umeri u bë mysliman.” Kemi qenë të nënshtruar derisa Umer ibn Hatabi u fut në Islam!! O vëlla kush e ka Islamin kaq të shtrenjtë?! Kush e do Islamin në këtë mënyrë?! Kush i dëgjon këto fjalë dhe mendon: Çfarë të bëj unë për Islamin?! Çfarë kërkohet prej meje që unë të bëj për fenë time?! Çfarë kërkohet për mua që unë të bëj për vëllezërit e mi?!

Prej teje kërkohet që ta afrosh vëllanë tënd për tek Allahu, shokun tënd mos e lërë në dorë të shejtanit dhe të epsheve. Prej teje duhet që me mënyrën më të mirë dhe më të bukur tu flasësh njerëzve në punë, t’i tërheqësh sa më butë vëllezërit e tu në namaz, fqinjët e të tjerë. Prej teje kërkohet që ashtu siç mendon për të ardhmen tënde të mendosh edhe për Islamin, ta vësh në punë mendjen tënde se çfarë të bëj unë për fenë time?! A ke ëndërruar ndonjëherë natën në jetën tënde se çfarë do të bësh për fenë tënde?!

Ka shumë gjëra që ti mund të bësh

Për shembull ti mund t’i dhurosh ndonjë shokut tënd që nuk falet ndonjë kasetë që nxitë për namazin, ndoshta ajo bëhet shkak që ai të udhëzohet. Diçka të mirë dhe të bukur që e ke dëgjuar në xhami mund tua thuash njerëzve që janë me ty në punë. Etika jote është predikimi më i mirë që ti mund të bësh. Të jesh i kujdesshëm gjithmonë me moralin dhe edukatën tënde, në paraqitje, në pastërtinë tënde… sepse ti kështu u përcjell njerëzve një imazh të bukur për Islamin dhe njerëzit e tij të devotshëm. Çështja numër një që ti duhet t’i kushtosh rëndësi është edukata dhe morali yt. O vëllezër nëse dëshironi që të ftoni njerëzit në këtë fe preokupimi juaj kryesor duhet të jetë etika juaj, etika juaj, etika juaj. Dhe çështja e dytë, t’i duash njerëzit. Ti nëse i do njerëzit do të kujdesesh për ta, por nëse nuk i do dhe nuk ndjen ndonjë gjë për ta nuk ke për t’ia arritur asaj që do.

Një ditë Profeti (salallahu alejhi ue selem) shkoi te një fëmijë çifut që po jepte shpirt dhe e ftoi në Islam. Këtu lind pyetja: Çfarë i interesonte Profetit, se hyn apo jo ky fëmijë në Islam?! Ajo dëshira e fortë që njerëzit të udhëzohen e shtynte atë. Djali hyri në Islam dhe Profeti doli nga shtëpia e tij i qeshur, djali më pas vdiq. Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: “I lavdëruar qoftë Allahu, që e shpëtoi nga zjarri nëpërmjet meje.”

Shih sesi gëzohej Profeti, dhe pse? Sepse e shpëtoi atë nga zjarri! Ndaj dhe ne duhet të sillemi me njerëzit me këtë mendësi dhe jo si ai që i thotë vetes: Çfarë më duhet mua, në dashtë Allahu le ta fus në Xhehenem! Jo, ne duhet të duam për ta udhëzimin dhe të themi: O Zot udhëzoji ata! O Zot udhëzoje filanin!

Unë njoh një njeri që shkoi në umre vetëm për tu lutur për shokun e tij që Allahu ta udhëzonte. Ai tregon: Kur u ktheva e gjeta atë tjetër njeri, e gjeta të lidhur me Allahun ndërkohë që kishte qenë shumë larg Tij.

Nëse nuk ke zjarrmi për Islamin ti do të thyesh menjëherë pas devocionit që ke, nuk ke për të vazhduar dot gjatë. Patjetër duhet që Islami të jetë çështja e jetës tënde, preokupimi yt duhet të jetë të afrosh njerëzit për tek Allahu i Lartësuar. Nëse nuk e bën këtë, do të rrëshqasësh dhe do të jesh përgjegjës për Islamin.

Dua ta mbyll me dy fjali

Të parën e ka thënë një nga shokët e Profetit, e ka thënë El-bera’u (radjiallahu anhu). Dua që kjo fjalë të ngulitet në mendjen tënde. Në një nga luftërat ai tha: “Unë do vdes duke e lënë Islamin krenar.” Pra, unë nuk kam për të vdekur duke mos e lënë Islamin fitimtarë dhe në situata të favorshme.

Thuaj: Unë do vdes duke e lënë Islamin krenar në vendin tim të punës.

Thuaj: Unë do vdes duke e lënë Islamin krenar në shtëpinë time.

Thuaj: Unë do vdes duke e lënë Islamin krenar në fisin tim.

Le të jetë halli yt më i madh si ta lësh Islamin krenar.

Fjalinë e dytë me të cilën dua ta mbyll e ka thënë Ebu Bekri (radijallahu anhu) edhe kjo është një fjalë e bukur që duhet të mbetet në mendje. Ai tha: “A do të dobësohet feja duke qenë unë gjallë?!” Pra, a është e arsyeshme që feja të dobësohet dhe unë të vazhdoj të jetojë?! Shikoni se me ç’zemër dhe ç’ndjenja e kishin mbushur jetën këta njerëz karshi Islamit!

Përpiqu me atë që ke mundësi qoftë edhe pak

Asnjërit mos t’i duket vetja i vogël dhe të thotë unë nuk kam njohuri të mjaftueshme nga feja që të thërras njerëzit. Duhet ta dish se Ebu Bekri kur hyri në Islam nuk kishte shumë njohuri nga Islami, dhe ndoshta ndonjëri prej nesh sot ka më shumë të dhëna sesa ai në ato momente. Por ama prej tij hynë në Islam shtatë prej dhjetë të përgëzuarve me Xhenet dhe kjo sepse ai posedonte një ndjenjë të zjarrtë dhe dashuri të lartë për fenë. E ç’kishte Umeri më shumë ditën që ai u bë mysliman?! Nuk kish asgjë më shumë sesa dashurinë për këtë fe dhe dëshirën për ta përhapur atë. Nëse ti do të kesh dashurinë dhe dëshirën për këtë fe të lartë, nëse ti do të jesh i frikësuar për njerëzit që ata të mos hynë në zjarr, por do që ata të hynë në Xhenet, nëse ti do që bashkë me familjen, miqtë dhe të gjithë të dashurit e tu të jesh në Xhenet, nëse e do të gjithë këtë, patjetër që ndjenjat e tua karshi fesë tënde duhet të jenë të zjarrta. Duhet patjetër që ti të punosh për këtë fe, të thërrasësh të gjithë ata që i do në këtë fe. Duhet që zemra jote të mbushet me zjarrmi për këtë fe. Ku i dihet, ndoshta Allahu të jep sukses dhe ti bëhesh shkak që njerëzit që do të udhëzohen nëpërmjet teje.

El-muthena ibn Harithe

Ky njeri është një nga komandantët e ushtrive myslimane në një nga betejat e shumta të tyre. Muslimanët ishin drejtuar drejt Persisë, për ta çliruar atë. Ata kishin mbërritur në kufijtë e këtij shteti dhe kishin filluar betejën me persët. El-muthena e kish ndarë ushtrinë e tij në grupe, mes tyre edhe një në të majtë dhe një në të djathë të fushës së betejës. Çdo fis e kish pozicionuar në një vend të caktuar, krahu i djathtë i përkisnin fisit Benu Bekr. Beteja filloi në avantazh të myslimanëve duke i vënë ata fillimisht në pozitë superiore, por për fat të keq krahu i djathë ishte i dobët. Sa herë që myslimanët arrinin një fitore ata e humbitnin atë për shkak të Benu Bekrit që ndodheshin në krahun e djathtë. Ata e kishin motivimin për të luftuar të dobët dhe përpjekjen të pakët, zellin ndaj fesë nuk e kishin shumë të ndezur në zemrat e tyre, ndaj dhe humbja u vinte myslimanëve nga krahu i tyre. El-muthena nuk gjeti rrugë tjetër vetëm se tu dërgonte një letër fisit Benu Bekr për të ngritur motivimin në zemrat e tyre. Ai u dërgoi atyre një copë të vogël letre dhe shkroi në të një mesazh të shkurtër duke iu thënë: Nga El-muthena ibn Harithe për Benu Bekrin: Mos i turpëroni myslimanët! Mos i turpëroni myslimanët! Mos i turpëroni myslimanët!

Thuhet se më pas fitorja erdhi për shkak të Benu Bekrit. Vetëm me këto fjalë u shndërruan në luanë që i përpinë persët dhe kështu myslimanët e morën fitoren nga krahu i Benu Bekrit.

Tani po të them o motër: Po ju betohem juve për Allahun! Mos i turpëroni myslimanët! Mjaftojnë gjendja në të cilën ata janë!

Të drejtohem ty o besimtarë i devotshëm

Mos i turpëro myslimanët me edukatën tënde të keqe, me ngeljet e tua në provime, me pamjen tënde joserioze, me neglizhencën tënde ndaj pastërtisë! Mos i turpëro myslimanët me sjelljen tënde të keqe me njerëzit! Mos mendo se ti jeton vetëm për devotshmërinë tënde dhe nuk e vret mendjen për njerëzit.

O vëllezër! Mos i turpëroni myslimanët! Jetoni për Islamin dhe jetoni me Islam! Jeto o vëlla dhe qëllimi yt të jetë: Ditën kur do të vdes do ta lë Islamin të ngritur, të shtrenjtë dhe të lartësuar. Pasha Zotin, kjo është jeta më e bukur në këtë botë, gjëja më e mirë që ti mund të bësh në jetën tënde për hir të Allahut, puna më drejtë që ti bën në këtë botë është të punosh për Të. Është ajo punë të cilin Allahu do ta pranojë, është ajo punë ku Ai të ka vënë ty në shërbim të fesë së Tij, është ajo punë ku njerëzit i kthehen Allahut nëpërmjet teje. Kjo është më e mirë për ty sesa malli më i shtrenjtë në botë, që Allahu të të bëj ty një çelës mirësie për njerëzit, një njeri të suksesshëm në ndihmë ndaj jetimëve dhe fukarenjve.

O vëlla mos jeto vetëm për vete, por jeto për njerëzit dhe me njerëzit!

Mos kryej një adhurim, një vepër të mirë dhe ti mbetesh ashtu siç ke qenë. Punët e mira le të të ndryshojnë si njeri ndryshe nga ai që ishe më parë! Puno me Allahun dhe bëj tregti me Të, sepse kjo është puna e mirë dhe tregtia e vërtetë fitimprurëse…

Lutje

O Zot Ty të takojnë lavdet, ashtu siç e meriton Fytyra jote Madhështore, dhe madhëria e pushtetit Tënd!

O Zot, o më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve, o më Bujari i të gjithë bujarëve, o më Fisniku i të gjithë fisnikëve, o Madhështor, o i Gjithëfuqishëm, o i Plotpushtetshëm, o Ai që në duart e Tij ka pushtetin e qiejve dhe të tokës. O Ai që bën që nata të hyjë tek dita dhe dita të hyjë tek nata. Që e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën e nxjerr prej së gjallës. O Ai që je Mbreti i mbretërve, që i jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë. O Ai që ndryshon gjendjen e një populli kur ata nisin ta ndryshojnë vetë atë.

O Allah! Bekoje dhe nderoje zotnin tonë Muhamedin në mes të të parëve dhe në mes të të fundmëve. O Zot bekoje dhe nderoje në shoqërinë më të lartë deri në Ditën e Kiametit. O Allah na bëj të paqësorë me miqtë e Tu dhe luftë kundra armiqve të Tu. Të duam me dashurinë Tënde atë që Ti e do dhe të jemi të ashpër për hir Tëndin ata që të Ty kundërshtojnë. O Allah na përdor për të ndihmuar fenë Tënde, na përdor dhe mos na zëvendëso me të tjerë, na udhëzo dhe bëj që edhe ne të bëhemi shkak për udhëzimin e të tjerëve. O Allah udhëzoji njerëzit nëpërmjet nesh. O Allah ndreqi të rinjtë mysliman. O Allah fali gjynahet tona, mbuloi mangësitë tona, mëshiroje dobësinë tonë, forcoje pamundësinë tonë, na jep librin nga e djathta jonë, na e lehtëso llogarinë tonë, merr në mbikëqyrje çështjen tonë dhe shpëtoi shpirtrat tanë, shpëtoi shpirtrat tanë.

O Allah bëji fitimtarë myslimanët si në ditën e Hendekut. O Allah ji me ne dhe jo kundra nesh, planifiko për ne dhe jo kundra nesh.

O Zot ji për ne i Butë, i Dhembshur dhe mëshiroje umetin e mikut Tënd Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). O Ai i Cili u vjen në ndihmë dhe shpëtim myslimanëve na ndihmo, o Shpëtimtar na shpëto. O Shpëtimtar shpëtoji të rinjtë mysliman dhe umetin e të dashuri tënd Muhamed (salallahu alejhi ue selem).

O Allah çliroje xhaminë El-aksa nga robëria, çliroje xhaminë El-aksa nga robëria. O Ai që kthehu Jusufin tek i ati ktheje xhaminë El-aksa në duart e myslimanëve. O Ai që ktheu Musain tek e ëma ktheje xhaminë El-aksa në duart tona. Na bëj të falemi në këtë xhami o Allah ose të martirizohemi në pragjet e saj, o Zot i botëve. O Allah që ke zbritur Librin, ke vënë në lëvizje retë, ke mposhtur fraksionet armike, mposhti sionistët pushtues, tronditi ata dhe na jep fitoren. Mëshirën Tënde kërkojmë prej teje o Allah për vëllezërit tanë palestinezë, Mëshirën Tënde për njerëzit e dobët dhe nevojtarë në atë vend. O Allah ata janë këmbëzbathur ndaj mbarti me fuqinë Tënde, të varfër ndaj jepu pasuri, të frikësuar ndaj jepu siguri, të zhveshur ndaj vishi ata, të uritur ndaj ushqeji ata. O Allah bëhu me ta dhe jo kundra tyre, bëhu me ta dhe jo kundra tyre. O Zot ruaje nderin e tyre dhe të grave të tyre. O Zot ndihmoji ata dhe trondite tokën nën këmbët e armiqve të tyre dhe armiqve tanë. O Zot forcoji dhe bëji të qëndrueshëm, pranoji martirët e tyre. Fali nënat e martirëve, dhe mos na bëj ne fajtorë karshi tyre për pamundësinë tonë. O Allah na ndihmo të zgjojmë rininë tonë, rregulloje gjendjen tonë dhe gjendjen e gjithë myslimanëve.

O Allah ne tek Ty ankohemi për dobësinë dhe pamundësinë tonë, për poshtërimin që njerëzit na bëjnë. Ti je Zoti i të gjithë botëve, Ti je Zoti i të dobëtëve, Ti je Zoti ynë, në duart e kujt na ke lënë o Zot i botëve. O Zot, nëse Ti nuk je i zemëruar me ne për ne asgjë tjetër nuk ka rëndësi, largoje zemërimin dhe trishtimin Tënd ndaj nesh dhe ndaj të gjithë myslimanëve. Umeti i të dashurit Tënd Muhamed o Allah, të rinjtë kanë humbur, gratë janë prishur dhe gjynahet janë shtuar dhe tokat e myslimanëve janë pushtuar. Mëshiroje umetin e Muhamedit o Allah, mëshiroje dhe ndihmoje. Kreno Islamin dhe myslimanët, kreno myslimanët, kreno myslimanët, o i Plotmadhërishëm dhe i Nderuar.

O Zot kjo është lutja jonë dhe prej Teje kërkojmë përgjigjen Tënde, te Ty mbështetemi se nuk ndryshim dhe as forcë vetëm se nëpërmjet Allahut, të Lartit dhe të Madhërishmit. Dhe lutja jonë e fundit është se lavdet dhe falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.


[1] Et-teube:38.

[2] Et-teube:40.

[3] Et-teube:41.

[4] Et-teube:41, 42.

[5] Jasin:14.

[6] Jasin: 20.

[7] Jasin: 20-25.

[8] Jasin: 26-27.

[9] En-neml: 20.

[10] En-neml: 22-23.

[11] En-neml: 24.

[12] En-neml: 24, 25.

[13] En-neml: 25.

[14] En-neml: 26.

[15] Bidajetu ue nihajetu 3/30.

[16] Taha: 1-8.

[17] Et-teube:24.

[18] Et-teube:24.

Published in: on Janar 1, 2009 at 1:30 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/te-duash-islamin/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: