Ramazani sfidon globalizmin

Ramazani sfidon globalizmin

Dr. Neha Katrexhi

Një Ramazan i ri po vjen për myslimanët dhe ata vazhdojnë të ngelen mbrapa dhe të jenë të përçarë, edhe si rezultat i ngjarjeve politike që ndodhin sot në botë. Do të gjesh njerëz mes nesh të cilët e përkrahin këtë forcë botërore e cila kërkon ta vendosë veten në piedestalin e një perëndie të re dhe kërkon të qeverisë dhe nënshtrojë me politikat e saj mbarë popujt dhe kombet, duke futur hundët edhe në punët e brendshme të tyre. Ndërsa në krahun tjetër qëndrojnë besimtarët të cilët nuk pranojnë t’i nënshtrohen politikës së skllavërisë dhe poshtërimit. Politikë kjo që shoqërohet me zhdukjen e identitetit të lirë islam, identitet i cili nuk beson veçse se tek një Zot i vetëm, i Cili qeveris këtë univers në bazë të ligjeve dhe rregullave që Ai vetë i ka vendosur.

Nën hijen e një kontradikte të tillë po mendoja për Ramazanin e këtij viti, dhe pashë në të disa kuptime të reja të cilat nuk i kisha vënë re më parë, pashë në këtë muaj një ligjërim të ri sfidues, nga i cili mund të nxirret një argument i ri për njëshmërinë e Krijuesit dhe depërtimin absolut të Tij në sundimin e kësaj bote që vetë e krijoi.

Ky ligjërim sfidues nuk kufizohet vetëm tek muaji Ramazan, por një njeri që mediton mund ta dallojë atë tek të gjitha adhurimet në Islam, ndonëse në Ramazan ai është më i dukshëm. Nëse për shembull do të mendojmë për Haxhin do të gjejmë në të elemente si vëllazëria dhe bashkëpunimi për hir të Allahut të cilat sfidojnë globalizmin, i cili propagandon individualizmin dhe braktisjen e tjetrit. Këtë bashkëpunim dhe vëllazëri nuk mund ta dallojmë tek të gjithë myslimanët sepse ky adhurim, që është Haxhi, nuk është i obliguar për të gjithë por vetëm për ata që kanë mundësi. Ndërsa adhurimi i agjërimit në muajin Ramazan karakterizohet nga një llojshmëri adhurimesh gjithëpërfshirëse, kjo llojshmëri shfaqet shumë bukur në agjërimin e ditës dhe faljet e natës, në lëmoshën që jepet, në bashkëpunimin për të mira e të tjera të kësaj natyre. Gjithëpërfshirja dhe universaliteti i këtij muaji shfaqet në forcën që ai ka për të bashkuar myslimanët në mbarë botën kudo që janë, dhe ripërtëritjen e besimit të tyre, madje edhe myslimanët gabimtarë, tek Allahu i Madhëruar, duke treguar në këtë mënyrë universalitetin e Islamit, të pakapshëm dhe të pa rivalizueshëm nga çfarë do bindje apo doktrinë njerzore, sado e zhvilluar dhe përparuar qoftë ajo. Prej këtu lindën edhe meditimet e mia sesi Ramazani sfidon globalizmin.

Në Ramazan shfaqet gjithësundimi i Allahut ndaj robërve të Tij. Muslimani në këtë muaj ripërtërinë besën e tij ndaj Allahut të vetëm e të pashoq, Atij të cilit i nënshtrohen të gjitha ligjet e kësaj bote dhe botës tjetër. Ky besim dhe nënshtrim ndaj Allahut shfaqet në dy rregulla thelbësore, që janë bindja dhe adhurimi; “Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as nuk dua që ata të më ushqejnë Mua.” [1] ky adhurim është bazuar në lirinë e zgjedhjes, adhurim i cili nuk i privon zgjedhësit të drejtën e tij për të shijuar jetën e kësaj bote por nuk ia largon përgjegjësinë që ai duhet të mbajë për shpërblimin apo ndëshkimin e tij. Dhe kjo në bazë fjalës së Allahut: Nuk ka asnjë detyrim në fe. Vërtet, Rruga e Drejtë është bërë e qartë nga rruga e gabuar.[2]

Kjo gjë bie ndesh me qeverisjen e globalizmit, e cila u imponohet njerëzve me forcë dhe pa dëshirë, nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve të cilat vetë ata i kanë sajuar dhe të cilat nga njëra anë nuk i sigurojnë njeriut nivelin më të ulët të jetesës së ndershme, dhe nga ana tjetër u japin mundësi të pakufizuar një pakice njerëzish të kontrollojnë dhe shfrytëzojnë pasuritë njerëzore, intelektuale dhe materiale në interes të tyre, pa u dhënë atyre si shpërblim asgjë përveç poshtërimit, cinizmit dhe indiferencës.

Në Ramazan gjithashtu haptazi sfidohet globalizmi ideor i cili propagandon idetë liberale perëndimore për të shijuar të gjitha kënaqësitë dhe epshet trupore dhe materiale pa asnjë lloj kontrolli dhe vetpërgjegjësie. Ata pretendojnë se çlirimi i epsheve e ndihmon njeriun të gjejë lirinë dhe lumturinë e tij, ndërkohë që agjërimi vërteton se lumturia dhe liria e vërtetë nuk gjendet tek kënaqësitë epshore por tek kufizimi i tyre. Profeti i Islamit thotë: Biri i Ademit enën më të keqe që mbush është barku i tij, atij i mjaftojnë pak kafshata për të mbajtur veten, por nëse nuk mundet atëherë le të mbush një të tretën me ushqim, një të tretën me lëngje dhe një të tretën ta lërë me ajër. [3]

Për këtë arsye shumë prej studiuesve të hershëm dhe të sotëm këmbëngulin se lumturia nuk gjendet tek të shijuarit e kënaqësive trupore por tek kontrolli dhe vendosja e tyre në vendin e duhur, çka nuk e zhvesh njeriun nga ana njerëzore e tij. Një dijetarë mysliman për të theksuar këtë fakt ka thënë: E gjithë lumturia e njeriut qëndron në faktin sesa ai e kontrollon vetveten, dhe ndërsa fatkeqësia sesa e kontrollojnë dëshirat dhe epshet atë. Një tjetër argument bashkëkohor që fakton se nuk ekziston një lidhje e domosdoshme ndërmjet mirëqenies materiale dhe lumturisë është edhe konstatimi që një studiues perëndimor i ka bërë kësaj gjëje, Robert Rajt studiues në Universitetin e Pensilvanisë thotë: Nuk ekziston ndonjë lidhje e pandarë ndërmjet pasurisë, mirëqenies materiale dhe lumturisë, pasi është vënë re se njerëzit në shtetet e varfra janë më të lumtur sesa ata në shtetet e pasura, të cilat ofrojnë të gjitha shërbimet për një mirëqenie materiale.

Në Ramazan gjithashtu do të gjejmë një tjetër element i cili sfidon globalizmin ekonomik, i cili përpiqet të vendosë një sistem të vetëm, të bazuar mbi individualizmin dhe braktisjen e tjetrit, dhe zhytjen e tij në borxhe dhe taksa pa fund, duke shtuar kështu varësinë dhe varfërinë e këtij njeriu dhe në të njëjtën kohë shton pasurinë dhe shfrytëzimin e padronëve të perëndimit. Kjo ideologji pajton me idenë se kapitalizmi bazohet mbi ligjin e xhunglës, ku më i forti jeton dhe më i dobëti vdes. Ndaj nuk është habi që në perëndimin ekonomik të ndeshësh zëra të cilët çirren se një miliard e njerëzve të varfër, që jetojnë në botën e tretë, siç u pëlqejnë t’i quajnë vendet e pazhvilluara ekonomike, janë të tepërt ndaj dhe duhet të shpëtojmë prej tyre, sepse jeta u përket atyre që janë më të fortë. Agjërimi i Ramazanit i kundërvihet kësaj teorie, duke theksuar se i varfëri ka të drejtën e tij në pasurinë e të pasurit, pjesë e cila duhet të jepet nëpërmjet Zekatit apo sadakasë, Allahu i Madhëruar thotë: Dhe në pasurinë e tyre është e drejta për lypësin dhe të privuarin.[4]

Merr Sadaka (e Zekat) nga pasuria e tyre me qëllim që t’i pastrosh dhe t’i bësh të dëlirë me anë të saj.[5]

Këtë përgjegjësi personale për besimtarin e sqaron mjaft mirë i Dërguari i Allahut kur e këshillon atë që të japë tepricën e pasurisë për atë që nuk ka: Kush do prej jush që ka një kafshë transporti tepër le ta përgatisë atë për atë që nuk ka, dhe kushdo që ka ushqim të tepërt le ta përgatisë atë për atë që nuk ka.[6]

Kjo praktikë është vlefshme për çdo kohë, por në Ramazan ajo bëhet edhe më e detyruar, për vetë hadithet e shumta të cilat nxisin për të ofruar iftar për agjëruesin dhe për të dhënë sadaka për të mjerët dhe të varfrit. Në traditën profetike tregohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte një njeri bujar, por ai bëhej edhe më bujar në Ramazan, kur Xhibrili vinte tek ai dhe të dy bashkë ata mësonin Kuranin.[7]

Kjo për sa i përket ushqimit dhe sadakasë që jepet për të vobektit dhe të mjeranët, ndërsa për sa i përket Zekatit, dhënia e tij nga shumë myslimanë në kohën e Ramazanit kontribuon në pakësimin e vuajtjeve të shtresës së varfër të popullsisë dhe aktivizon qendrat bamirëse që merren me përkrahjen sociale të njerëzve në nevojë.

Në Ramazan do të gjejmë një tjetër sfidë ndaj globalizmit social i cili përpiqet ta largojë njeriun nga familja dhe shoqëria e tij, ta kthejë atë në një individ që jeton vetëm për vete. Dhe vjen Ramazani për të krijuar atë bashkim familjar rreth sofrës së ushqimit dhe për të ripërtërirë edhe njëherë unitetin familjar, dhe për të treguar se myslimani i qëndron besnik sistemit shoqëror i cili bazohet në dashurinë e pjesëtarëve të familjes për njeri-tjetrin, për të treguar se myslimani kërkon kënaqësinë e Zotit të botëve, i Cili ka përcaktuar për të, pikësynimet e tij në jetë.

Nëse do të shohim gruan, e cila është një nga shtyllat e shtëpisë myslimane, ajo gjatë Ramazanit e sfidon më tepër sistemin globalist i cili kërkon ta obligoj atë me parime të cilat refuzojnë familjen tradicionale, e cila ngrihet mbi parësinë e burrit dhe bindjen ndaj tij. Dhe gruaja në këtë muaj sado e preokupuar që të jetë me punë të tjera përpiqet me të gjitha forcat për t’i servirur familjes së saj një ushqim të këndshëm dhe të shijshëm, pa e vrarë aspak mendjen për ata që mendojnë se puna e saj shtëpiake është një ulje për nderin dhe fisnikërinë e saj.

Nëse do të shohim burrin dhe kryefamiljarin e shtëpisë do ta gjejmë atë gjatë muajit Ramazan tek takohet përditë me familjen e tij rreth sofrës së iftarit, për të ripërtërirë praktikën e dashurisë dhe mëshirës mbi të cilën ngrihet familja myslimane. Ky takim i përditshëm një mujor u jep një kënaqësi të veçantë pjesëtarëve të familjes, dhe në veçanti fëmijëve të cilët mund të vuajnë këtë mungesë takimesh ngjatë gjithë vitit, ndaj dhe me të drejtë një poet thotë:

Nuk është jetim ai që prindërit e kanë lënë të braktisur

sepse ata u ndanë nga jeta

por jetim është ai që gjen një nënë dhe baba që s’pyesin për të

Po ashtu gjatë këtij muaji do të shohim sesi marrëdhëniet shoqërore ndërmjet myslimanëve do të shtohen dhe përmirësohen me anë të vizitave të shumta e të ndërsjella, për të treguar edhe njëherë rëndësinë e lidhjes mes myslimanëve, lidhje të cilën së tepërmi Islami e kërkon. Kjo lidhje shfaqet në forma të ndryshme, si për shembull:

  1. Mbushja e xhamive me myslimanë nga të gjitha grupmoshat, dhe origjinat, duke vërtetuar kështu barazinë ndërmjet gjithë myslimanëve. Të gjithë ju jeni pasardhës të Ademit, dhe Ademi u krijua nga dheu, më i miri prej jush tek Allahu është ai që më tepër është i devotshëm. Një arab nuk është më i mirë sesa një joarab, vetëm devotshmëria i vlerëson njerëzit.[8]
  2. Harmonia ndërmjet myslimanëve dhe mos shqetësimi i tjetrit me fjalë apo me vepra, siç mëson edhe Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të,: Nëse ndonjë prej jush agjëron, mos të thotë fjalë të shëmtuara dhe të mos bëj veprime të pahijshme, dhe nëse ndokush e sulmon atë apo e fyen, le t’i thotë: unë agjëroj.[9]
  3. Nxitja e brendshme që ka një besimtarë për të gëzuar dhe kënaqur vëllezërit e tij besimtarë nëpërmjet ndihmës dhe veprave bamirëse vullnetare. Si për shembull dhënia iftar një besimtari që agjëron, Profeti thotë: Kushdo që i jep iftar një agjëruesi, ai do të shpërblehet sa ai, duke mos iu pakësuar asnjë shpërblim edhe atij që agjëron.[10]

Nga përvoja është konstatuar se asgjë nuk mund të krahasohet në këtë botë me kënaqësinë shpirtërore që ndjen kur ti u jep gëzim apo ngushëllim njerëzve të tjerë. Këtë kënaqësi që ndjen kur të tjerëve u dhuron diçka e kanë pranuar edhe studiues perëndimorë, por dallimi ndërmjet nesh dhe atyre qëndron në faktin se ata e kufizojnë lëmoshën në dhënien e disa dollarëve, për të shlyer disi ndjesinë e keqardhjes dhe fajit që ata mund të ndjejnë karshi të varfërve. Robert Rajt shprehet: Nëse ty nuk të zë gjumi për shkak të trishtimit se një fabrikë në Sirilanka është mbyllur dhe punëtorët e saj kanë ngelur në rrugë si rezultat i një ngadalësimi të lehtë që ka prekur globalizmin, këtu ka një rrugë të cilën nëse e ndjek mund të shlyesh ndjesinë e keqe që të jep një fakt i tillë, dhe kjo duke i dhuruar para ndonjë fondacioni bamirës që merret me shpërndarjen e ushqimit për shtresat më të varfra në botë.


[1] Sure Edh-dharijat: 56-57.

[2] Sure El-bekare:256.

[3] Transmeton Tirmidhiu: 2380.

[4] Sure Edh-dharijat: 19.

[5] Sure Et-teube:103.

[6] Transmeton Muslimi nr.1728.

[7] Hadith i cili transmetohet nga Buhari nr.1902.

[8] Pjesë nga Hutbja e lamtumirës të Profetit , Sirretu ibn Hisham.

[9] Transmeton Muslimi 1151.

[10] Transmeton Tirmidhi 807.

Published in: on 1 Janar, 2009 at 1:15 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/ramazani-sfidon-globalizmin/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: