Pse ky sulm ndaj shiave?

Pse ky sulm ndaj shiave?

Pse ka kaq shumë urrejtje edhe sot e kësaj dite për shiat? Pse duhet të derdhet gjithë ky arsenal sulmesh dhe akuzash ndaj tyre? Nëse nuk duam të ndjekim medhhebin e tyre pse të paktën duhet të shfryjmë në mënyrë kaq brutale për ta?

Pyetje këto që gjithkush ia shtron vetes. Cila është përgjigjja? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve më lejoni të bëj një paralelizëm historik sado i papërputhshëm qoftë për disa.

Në kohën e imam Ahmedit mu’tezilinjtë ishin bërë të fuqishëm dhe kishin vënë diktatin e tyre mbi shtetin në çështjet fetare duke përhapur dhe propaganduar me të madhe bidatin famëkeq të krijimit të Kuranit dhe hulefatë abasinj nën ndikimin e mu’tezilive i detyruan njerëzit të pranojnë një bidat të tillë dhe e futën umetin në një debat krejt të pa nevojshëm. Një temë për të cilën nuk kishte folur as Profeti e as sahabet dhe as tabiinët. Në kushte të tilla të një provokimi të tillë fillimisht dijetarët sunnij nuk u prononcuan pasi vetë të folurit për një temë të tillë ishte diçka e re dhe e panevojshme. Mirëpo zjarri i kësaj fitne u rrit dhe u përhap kaq shumë sa që ishte e pamundur të qëndroje asnjanës aq më tepër që një konkluzion i tillë se Kurani, fjala e Allahu ishte i krijuar ishte diçka e gabuar atëherë në kushte të tilla dijetarët e sunneti u detyruan të pozicionoheshin se Kurani është fjala e Allahut dhe prej dijes së Tij, atribute të Tij këto të pa krijuara, ndaj dhe Kurani ishte i pa krijuar.

Kur imam Ahmedi debatoi me mu’tezilinjtë iu përgjigj se ju për këtë mendim nuk keni asnjë argument as ajet dhe as hadith dhe ata iu përgjigjën se as ti nuk ke ndonjë ajet apo hadith që të thotë se Kurani nuk është i krijuar. Dhe kështu që imam Ahmedi iu përgjigj atyre duke ju thënë: heshtni që të heshtim!

Dhe unë duke marrë shkas nga kjo thënie e tij po them përderisa ka prej sunnive që bëjnë thirrje për bashkim mbi baza krejt të paqëndrueshme dhe përderisa shiat përfitojnë nga kjo dhe madje bëjnë edhe propagandë në medhhebin e tyre edhe aty ku s’ka shia me doktrinat e tyre të vjetra, atëherë pse kërkoni të heshtim ne. Ashtu si imam Ahmedi me shokë nuk heshtën për të mos lënë që bidati i mu’tezilinjëve të përhapej pa masë dhe njerëzit të dinin të vërtetën ashtu edhe ne vegjëlia e hoxhallarëve sunnij nuk mund të heshtim, aq më tepër kur flamurtarë të kësaj ideje utopike bëhen njerëz me reputacion në mes sunnive. Nuk mund të heshtim para një rreziku që cenon kredon tonë. Nuk dua të hyj në njohuritë e tyre apo nijetin, atë e di vetëm Allahu por ne e ndjejmë si përgjegjësi para Allahut se nuk mund të lihen njerëzit e thjesht që të bëhen pre e propagandës shiite, gjë që edhe ndodh.

Zotërinj hoxhallarë dhe intelektualë sunnij, nëse mendoni se ne kemi halle më të mëdha sesa të përçajmë umetin, gaboheni. Jeni ju që me thirrje të tilla të pastudiuara mirë po përçani sunnitë, që përbëjnë shumicën absolute të këtij umeti për gjoja bashkim me një pakicë që duan tu përdorin si trampolinë për propagandën e tyre.

Që të jem objektiv po e them se ka vërtetë njerëz të mirë dhe të sinqertë mes shiave që e duan një gjë të tillë, por sa janë ata dhe çfarë ndikimi kanë në shoqëritë e tyre? Pyetje që ju duhet t’ia bëni vetes.

Ne duam bashkim ose së paku bashkëpunim, por jo duke shkelur mbi atë që ne e kemi më të shtrenjtë: akiden tonë. Nuk bëjmë dot pazar me gjëra për të cilat ne besojmë se qëndron shpëtimi ynë, sado literalist qofshim, është e pamundur, qoftë teorikisht, por edhe praktikisht të ngremë një bashkëpunim me shiat kur ata vazhdojnë të ruajnë akidet e tyre kontradiktore me të tonat.

Ju të nderuar hoxhallarë të bashkimit që jeni kundërshtarë të ‘literalizmit vehabist’ a nuk viheni edhe vetë në po të njëjtat pozita literaliste kur thoni se ne na bashkojnë me shiat parime të tilla si shehadeti, Kurani, Suneti etj. A thua vallë sikur bëhet fjalë vetëm për emra apo tituj të përbashkët dhe jo për përmbajtjen e tyre?! Nëse do të provosh pak të gërmosh në secilën prej këtyre parimeve tek sunnijtë dhe shiat do të gjesh mospërputhje thelbësore të kategorisë së parë! Atëherë për çfarë bashkimesh imagjinare na flisni?!

Doni bashkim! Ja tek e keni një model nga një një shia i mençur:

Ja seç thotë Musa El-museui në librin e tij ‘Eshia ue Et-tes’hih’ fq.8-9 në parathënie, duke shprehur mendimin e tij për bashkimin:

…Dhe mbas gjithë kësaj ishte e natyrshme që te unë të formohej ideja drejt korrigjimit të shiave në disa prej doktrinave të tyre apo disa prej punëve. Sidomos ato të cilat kanë shkaktuar përçarjen me sektet e tjera islame. Por që edhe në vetvete binin në kundërshtim me shpirtin e Islamit dhe logjikën e drejtë. Këto gjëra, siç besoj, kanë qenë dhe janë fatkeqësi për medhhebin shiit, sepse kanë prishur prestigjin e tij, kanë rrafshuar shenjat e tij në botën islame, madje në gjithë botën. Në njëjtën kohë besoj se tregimi i shkaqeve nuk mjafton për zgjidhjen e problemit, por patjetër duhen paraqitur zgjidhje praktike, dhe kërkoj prej të gjithë shiave kudo në botë t’i përmbahen atyre, nëse duan të mirën e kësaj bote dhe botës tjetër.

Kam arritur në një konkluzion të prerë, në studimet e mia për përçarjen që ekziston mes shiave imamije dhe sekteve të tjera islame, se kjo përçarje nuk ka ardhur si rezultat i Hilafetit mbas Profetit (salallahu alejhi ue selem) apo se imam Aliu është më parësor në çështjen e Hilafetit se kushdo tjetër, sepse unë shoh shiat zejdi, që përbëhen nga një grup i madh që i kalon të disa milionët, të besojnë në përparësinë që ka pasur Aliu për Hilafetin mbas të Profetit fisnik dhe megjithatë dashuria, vëllazëria dhe harmonia i karakterizon ata me sunnijtë. Pra shkaku kryesor i përçarjes mes shiave imamij dhe sekteve të tjera islame nuk është çështja e Hilafetit, por është pozicioni që mbajnë shiat ndaj Hulefave rrashidin, fyerja e tyre. Një gjë të tillë nuk e gjejmë tek shiat zejdi dhe disa sekte të tjera. Nëse shiat imamije do të ishin mjaftuar me sjelljen e zejdive; mosmarrëveshjet do të ishin pakësuar dhe distanca e ndarjes do të ishte shkurtuar. Por shiat imamije sulmuan Hulefat rrashidin duke i sharë dhe poshtëruar dhe kështu plasi fitnja.

E kam lutur Allahun në skajet e natës dhe të ditës që të më frymëzoj dijen dhe mprehtësinë dhe të më jap forcë dhe sukses për të shpënë më tutje misionin e reformimit, drejt të cilit kam ecur që në vitet e rinisë dhe si rezultat i atyre lutjeve të sinqerta qe ky libër i im:

‘Shiat dhe korrigjimi: përplasje në mes shiave dhe shiizmit’ të cilin ua paraqes sot të gjithë shiave në çdo kohë dhe vend.

Kjo është një thirrje për shiat, që del nga besimi tek Allahu dhe feja e Tij Islame e përjetshme dhe nga besimi tek forca e myslimanëve dhe fisnikëria e njeriut.

Kjo është një thirrje që fton në rrugët e reformave të mëdha për të mbyllur çarjen sektare mes shiave dhe grupimeve të tjera islame, njëherë e përgjithmonë derisa të bëhet Kiameti.

Kjo është një klithmë për hir të Allahut që shiat të zgjohen nga gjumi i thellë që i ka kapur që këtu e njëmijë e dyqind vjet më parë, kjo është historia e përleshjes së dhimbshme mes myslimanëve deri në ditët tona.

Kjo është thirrja e arsyes dhe e besimit drejtuar shiave për të larguar nga vetja pluhurin e viteve dhe të revoltohen në mënyrë të pa tolerueshme dhe të mos presin udhëheqësit medhhebor të cilët ishin ata që i shkaktuan atyre këtë prapambetje të madhe në jetën fetare, mendore dhe shoqërore.

Dhe kështu mua më shtyn besimi dhe ndjenja e obligimit të këshilloj miliona shia që të lexojnë këtë libër.

“ Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: “Unë jam vetëm paralajmërues”.[1]

Allahu thotë gjithmonë të vërtetën. [2]

Më pas autori trajton këto tema në librin e tij:

Imameti dhe Hilafeti

Ku tregon se përplasja në mes shiave dhe shiizmit filloi kur shiat devijuan kuptimin e shiizmit nga dashuria për Imam Aliun dhe Ehli bejtin në fyerjen e Halifëve të drejtë dhe sharjen e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të imam Aliut dhe familjes së të tij në mënyrë indirekte. (fq. 11-65)

Et-tekije (fshehja e besimit)

Ai thotë: Unë besoj prerazi se nuk ka ndonjë popull në botë që ta ketë poshtëruar dhe përulur vetveten më shumë sesa shiat veten e tyre duke pranuar idenë e tekijes dhe të vepruarit me të. (fq. 67-79)

Imam El-mehdi (fq. 81-105)

Ekstremizmi (fq. 107-119)

Vizita e turbeve të imamëve (fq.121-129)

Vetërrahja e trupave ditën e ashures (fq.131-139)

Dëshmia e tretë (në ezan) (fq.141-145)

Martesa e përkohshme (fq.147-155)

Sexhdja mbi baltën Husejniane (një copë balte e pjekur nga dheu i Qerbelasë) (fq.157-163)

Terrorizmi (fq. 165-173)

Namazi i xhumasë (fq. 175-179)

Deformimi i Kuranit (fq. 181-189)

Bashkimi ndërmjet dy namazeve (fq. 191-193)

Rikthimi (fq.195-201)

El-beda (fq.203-209)

Korrigjimi, në mes pranimit dhe refuzimit (fq. 211-218)

Autori në librin e tij nuk bën thirrje për tu kthyer në sunni por për reformë të brendshme në mes shiave si dhe pikat ku ai e sheh se është gabuar.

Natyrisht që ne si sunni kemi rezerva edhe ndaj disa gjërave të tjera që autori nuk i ka cekur në librin e tij por e përgjithshmja është se një njeri i tillë vlen ta përgëzosh dhe t’ia shtrish dorën e bashkëpunimit me dëshirë. Sepse ai më mirë se kushdo tjetër e ka parë se ku qëndron çarja e madhe që vetë shiat në shekuj kanë krijuar me pjesën tjetër të umetit.

Jo pa qëllim e përmenda këtë libër, për vetë faktin se autori nuk e identifikon veten si sunni por si shia dhe aq më tepër për prejardhjen e tij familjare dhe pozitën e saj mes shiave, për përgatitjen e lartë intelektuale të këtij njeriu dhe pozitën që ai gëzon.

Si përfundim do të thosha: të më ndjenë ata shia të moderuar për postimet e më tejshme, sado të dhimbshme që të jenë, por ka ardhur koha për t’i shkuar të vërtetës deri në fund dhe për reflektuar.

Allahu qoftë përkrah jush të gjithë ju o myslimanë që kërkoni të vërtetën!


[1] Sure En-neml: 92.

[2] Libri: ‘Eshia ue Et-tes’hih’ fq.8-9.

Published in: on 1 Janar, 2009 at 1:10 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/pse-ky-sulm-ndaj-shiave/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: