Përgjigje ndaj disa argumenteve shiite

Përgjigje ndaj disa argumenteve shiite

Allahu duke përmendur veprimin e çifutëve na jep mësim, një mësim të mirë ne myslimanëve në Kuran kur thotë:

Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.[1]

Prandaj habitem me Besnik hasan shala kur këmbëngul që salavati për Profetin (salallahu alejhi ue selem) nuk i përfshin gratë e tij duke marrë për bazë vetëm hadithin e salavatit ibrahimije ku thuhet familjen e tij dhe lë hadithin tjetër që e transmeton po Buhariu dhe përmenden gratë e Profetit!

Transmeton Buhari (3369), Muslimi (407), Nesaiu (1294) nga Ebu Humejd Es-saidi (radija llahu anhu) se ata (sahabet) thanë: o i dërguari i Allahut si të bëjmë salavatet ndaj teje? Dhe i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: thoni: O Allah! Bekoje Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç e ke bekuar Familjen e Ibrahimit dhe jep begati për Muhamedin dhe gratë e tij dhe pasardhësit e tij ashtu siç i ke dhënë begati familjes (al) së Ibrahimit, Ti me të vërtetë i lavdëruari i madhërishmi.

Mirëpo Besnikut mesa duket nuk i pëlqeu ky transmetim dhe këmbëngul tek ai ku nuk përmenden gratë. Atëherë lind pyetja nëse Buhari për shiat merret në konsideratë dhe hadithet në të janë autentike, atëherë pse marrin njërin dhe lënë tjetrin? Nëse nuk e dini që Buhariu e ka transmetuar edhe këtë hadith, atëherë ky është një problem i juaj, që në fakt tregon padijen tuaj. Por nëse e dini dhe zgjidhni vetëm atë që ju pëlqen kjo tregon kryeneçësi dhe kokëfortësi, dhe tregon në fakt atë që e kemi thënë edhe më parë këtu, unë dhe shumë të tjerë që shiat shkojnë mbas qejfit të tyre dhe nuk ndjekin të gjitha argumentet e sakta. Dhe me të drejtë ajeti i më sipërm u përshtatet më së miri atyre. Për ne sunijtë që të dy hadithet janë të sakta dhe biem në salavat për Profetin edhe me këtë edhe me atë. Për ne nuk janë kontradiktore, është fare e qartë këtë hadith e transmeton një sahabi dhe tjetrin një sahabi tjetër. Në njërin transmetim Profeti ka thënë vetëm familja (al) që për ne janë edhe gratë ndërsa në tjetrën i ka përmendur gratë direkt si dhe pasardhësit e tij. Ku qëndron kontradikta këtu, a nuk ju lejoka Profetit që salavatet njëherë t’i thotë të zgjeruara dhe një herë të përmbledhura? U nuk bëjnë edhe njerëzit në përgjithësi kështu me shumë fjalë të tyre, madje edhe vetë Allahu i madhëruar në disa ajete po për të njëjtën gjë i jep më të zgjeruara ngjarjet ose diçka tjetër dhe në disa ajete të tjera të përmbledhura. Çfarë ka këtu për të mos u pranuar? Është kaq e qartë kjo çështje saqë është mund i tepërt ta shpjegosh, siç po bëj unë këtu. Ty dy hadithet jo vetëm që nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin por përkundrazi shpjegojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Mirëpo mesa duket kemi të bëjmë me njerëz që sahih Buhari për ta nuk është vetëm se ilmihali apo ndonjë libër tjetër! Me që se ka përmendur ai libri tjetër këtë atëherë nuk qenka i saktë, apo edhe nuk qenka as tek Buhari! Prandaj o Besnik bën mirë t’i kthehesh sahih Buharit në shqip meqë edhe në Kosovë mund të gjesh të përkthyer dhe shikoje vetë me sytë e tu meqë ndoshta nuk i beson sunnijtë si puna ime dhe na jep përgjigje për këtë hadith ju përmendet salavati edhe për gratë? Dhe mos u hidh nga një degë në tjetrën, sepse më burrnore është të heshtësh apo të pranosh gabimin sesa të dredhosh. Burrave nuk u kanë hije kësi lloj gjërash!

O Besnik, po të drejtohem ty por si qëllim i kam tërë shiat shqiptarë në këtë listë. A nuk është absurde të fusni tek Ehli bejti vetëm Fatimen, Aliun, Hasanin dhe Husejnin (radijallahu anhum) duke marrë vetëm një pjesë të argumenteve dhe braktisur të tjerat?! A ka vend ku të rrijë që ju të futni Fatimen tek ehli bejti dhe të lini jashtë nënën e saj Hadixhen si grua të Profetit?! Nëse thoni se kështu janë argumentet! Është kaq absurde kjo këmbëngulje! Po a nuk qenë të gjitha ato argumente që të solla dhe me referenca madje se gratë janë prej ehli bejtit dhe se ju shiat e keni gabim kokë e këmbë kur mendoni ndryshe. Unë të solla mendimet e sunijve për këtë punë kurse ti vazhdon akoma të thuash se mendimi e sunnijve është ndryshe? A nuk e kupton sa qesharak bëhesh në sytë e gjithë kësaj liste me mbi njëmijë anëtarë? Unë e pata guximin ta pranojë për punën e rrethimit Vjenës, mbasi u konsultova me referenca të tjera, që e pata gabim, ndërsa ti jo! Mua nuk më intereson që të dal unë fitimtarë në këtë debat me shiat, por dua të dal në shesh e vërteta, ndaj dhe nuk e kam problem ta pranoj të vërtetën qoftë edhe kundra meje. Por ti dhe të gjithë shiat a jeni të gatshëm ta bëni një gjë të tillë?! Shyqyr Zotit ne nuk e kemi pjesë të besimit tonë tekijen ndaj dhe po ju flasim hapur atë çka besojmë në zemra, pa e fshehur atë. A nuk është momenti që ta braktisni shiizmin sepse tek sunnijtë nuk keni për ta humbur dashurinë ndaj ehli bejtit por do të fitoni edhe dashurinë ndaj sahabeve. Mos më thuaj se ne i duam sahabet! Dhe nëse është kështu ti e di fare mirë sesa është numri i atyre sahabeve që ju i doni! Do të më thuash se jo të gjithë sahabet janë njëlloj, gjë që ne dimë do të më thuash se mes tyre ka pasur edhe munafikë! Dhe unë po të them se ata që kanë qenë munafikë, kanë qenë qafira që shfaqnin islamin dhe si të tillë as për ne dhe as për ju nuk janë sahabe. Ti je në gjendje të më thuash se kush kanë qenë të gjithë ata munafikë? Jo, sepse as ti e as unë nuk e dimë emrat e tyre. Nëse më argumentohesh me gabime të disave prej tyre, kjo së pari nuk është argument se ata kanë qenë mynafik dhe së dyti a je i sigurtë ti se çdo gjë që ke lexuar kundra tyre është e vërtetë? A mos kujton ti se vetëm ndaj Profetit shpifin hadithe të gënjeshtra dhe ndaj sahabeve nuk bëjnë të njëjtën gjë?! Përkundrazi! Por edhe nëse ka pasur ndonjë prej tyre që ka bërë gabime të mëdha, këta nuk janë shumica, dhe ne e lusim Allahun që t’i fali dhe mëshiroj. Mos harro o Besnik se ishin ata njerëz që Allahu i bëri sebep që unë dhe ti t’i themi vetes myslimanë sot. Ata nuk ishin katër, njëmbëdhjetë apo njëzet apo… por ishin me mijëra, mos harro se vetëm kur ata i dhanë besën Profetit nën pemë ‘bejatu riduan’ ishin rreth 1400 vetë dhe Allahu thotë për ta në Kuran se ata i kanë dhënë besën Allahut, e ndërsa Profeti thotë se nuk kanë për të hyrë në zjarr inshallah asnjë nga ata që i kanë dhënë besën atij atje (Muslimi 2496) e shikon pra se ata kanë qenë shumë. E sa të tjerë nuk qenë me ta dhe prapë ishin sahabet e tij. Po a nuk thotë Muhamed ibn Hanefije, i biri i Aliut jo nga Fatimja, e pyeta tim atë: kush janë njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)? Dhe ai tha: Ebu Bekri. Dhe pas tij? Tha: Umeri, dhe pata droje se mos pas tij thoshte Osmani dhe i thashë: dhe pastaj ti. Dhe ai tha: unë nuk jam vetëm se një njeri prej myslimanëve. Hadithin e transmeton Buhariu (3671). A merrni për bazë këtë hadith ju? Natyrisht që jo! Pse ai është ke Buhari, është i saktë! Të transmetosh hadithe të dobta për Aliun dhe të na i ofroni si të sakta, kjo nuk është ndershmëri. Aliun ne e duam edhe pa këto hadithe të dobëta që ju tregoni, po ju a e doni Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe të tjerët siç i duam ne ata? Ne çdo kujt i japim vendin e vetë pa ja ngrënë hakun dhe pa ja rritur vlerën më tepër seç e ka, kjo është drejtësia dhe e vërteta dhe jo siç bëni ju.

Këtu shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje edhe shumë sunnijve të cilët pa dashur, dhe pa i verifikuar mirë burimet historike dhe transmetimet u kanë hyrë në hak ku më pak e ku më shumë disa prej Sahabeve, madje edhe ndonjë sahabi të nderuar si Osmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

O njerëz a dini se më keni të bëni?! Me njerëzit më të mirë mbas Profetit, ndaj mos pranoni çdo gjë që thuhet për ta pa e verifikuar, vërtetë ata nuk ishin engjëj por ama ishin njerëzit më të mirë, shumë më të mirë se ne që rrimë dhe i shajmë ata sot! O Allah na bëj prej atyre që thonë:

Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”[2]


Besniku thotë:

Jo, dmth ate qe eshte permendur ne Kur’an dhe Hadithe si ”
Ehl ul-Bejt ” ato (grat tjera) nuk jane- dhe per kete deshmojne edhe
vet grat e Pejgamberit s.a., qe e kane treguar ne shume raste

(hadithe) se ato nuk u perfshine nga Pejgamberi s.a., me Ehli
Bejtin .

Përgjigje:

Ku i ke faktet e sakta për këtë që thua?

Besniku thotë:

Cka eshte thene per martesen e Aliut me Fatimen r.a. :
I Dërguari i Allahut s.a., i ka thënë gjithashtu Aliut : ” Ti je
vëllai im në këtë jetë dhe tjetrën .”2

Përgjigje:

Kuptimi i këtij hadithi nuk ka asgjë të keqe të që të bjeri ndesh me akiden e Ehli Sunnetit. Por edhe ky hadith nuk është i saktë. Transmetohet nga Tirmidhiu (3720) dhe nga El-hakim (3/14). Në zinxhirin e këtij transmetimi gjenden njëri pas tjetrit dy transmetues të dobët: Hakim ibn Xhubejr, (i dobët, akuzohet për shiitë) dhe Xhumej ibn Umejr (i dobët). Ndaj dhe Albani e ka vendosur te libri i haditheve të dobëta (nr. 351)

Besniku thotë:

” Ky është vëllai , trashëguesi dhe zëvendësi im ndër ju ; prandaj
dëgjojeni dhe bindjuni . ”

Përgjigje:

Edhe ky hadith është i dobët madje shejh Albani për të thotë se është i shpifur në librin e tij ‘Silsiletu el-ehadith ed-daife ue meudua’ (nr.4932). Transmetohet nga Ibn Xheriri në tefsirin e tij në komentin e ajetit Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt. (26:214) si dhe El-bezari, Ebu Nuajm dhe Ibn Asakir etj. Ibn Kethiri tek Tefsiri i tij përmend një nga këto rrugë transmetimi dhe në fund thotë: me këtë kontekst e përcjell vetëm Abdul-Gafar ibn El-kasim dhe ai është braktisur (nga dijetarët, metruk) gënjeshtarë shiitë, Ali ibn el-medini dhe të tjerë e kanë akuzuar për shpifës hadithesh.[3] Aq më tepër që ky hadith është ca i gjatë dhe tregon një ngjarje që ka ndodhur në Mekë ku Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka mbledhur farefisin e tij Beni Hashim rreth 40 vetë dhe ndër të tjera u ka thënë edhe këto fjalë! Ibn Tejmije kur i përgjigjet këtij hadithi thotë se ka hadith duket që nga përmbajtja që është i sajuar për vetë faktin se Beni Hashim në atë kohë as nuk mbërrinin dyzet (40) vetë dhe as nuk ishin hamës të mëdhenj siç thuhet në ngjarjen e plotë të këtij hadithit.[4] Po kështu Albani përmend se në disa nga këto transmetime as që përmendet fjala ‘zëvendësi im’ (halifetiij), transmetime të cilat në fakt janë pak më të mira se ky më sipërmi.

Besniku thotë:

Ai , paqe pastë mbi të dhe familjen e tij , doli t’i takonte shokët e tij me një buzëqeshje të gjerë në
fytyrë . Abdur-Rahman ibn Aufi e pyeti përse ishte gëzuar aq shumë .
Ai s.a., u përgjigj : ” Për shkak të lajmit të mirë që sapo mora nga Zoti im lidhur me
VELLAIN – KUSHERIRIN tim dhe VAJZEN time (Fatimen).

Përgjigje:

Këtë hadith e transmeton El-hatib el-bagdadij në librin e tij ‘Tarihul Bagdad’ (4/210) dhe më pas ai thotë: transmetuesit e këtij hadithi, çka në mes Bilalit dhe Umer ibn Muhamdit (shtatë vetë) që të gjithë janë të panjohur. Po ashtu Edh-dhehebiu në ‘Mizan el-itidal’[5] (nr. 8900) kur flet për njërin nga transmetuesit e këtij hadithi (Musa ibn Ali el-kureshij) thotë: Nuk dihet se kush është, dhe haberi është i gënjeshtërt….(përmend zinxhirin e transmetimit të hadithit në fjalë) isnadi i tij është errësira (dhulumat). Po kështu edhe Ibn Xheuzi në librin e tij ‘El-meuduat’[6] e ka konsideruar si të shpifur, madje vetë libri në fjalë i Ibn Xheuzit ka mbledhur të tilla hadithe. Albani e ka vendosur këtë hadith tek libri i tij për hadithet e dobëta (nr. 4942) madje e ka konsideruar si të shpifur.

Besniku thotë:

” Kur Zonja e tërë grave në Xhennet u martua me Prijësin e familjes së
Profetit , i Dërguari tha : ” O Ummi Ejmen ! Sillma tim vëlla . ”
Ajo pyeti : “Ai është vëllai yt e ti do ta MARTOSH me tët bijë ?! ”
Ai tha : ” Po , o Ummi Ejmen .” Ajo e thirri Aliun brenda . 3

Përgjigje:

Ndonëse edhe ky hadith nuk përbën ndonjë problem për akiden tonë dhe as kundërshton mendimin dhe besimin që ne kemi për Aliun, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Këtë hadith e transmeton El-hakim (3/159) dhe Ibn Asakir nga Esma bint Umejs (radijallahu anha) e cila thotë: isha në martesën e Fatimes, vajzës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe kur u gdhimë erdhi i dërguari i Allahut tek dera dhe tha: ” O Ummi Ejmen !

Dhe ç’është më forta është se autori i librit ‘El-muraxheat’ në shënimin në fund të faqes thotë: Edhe Dhehebīu e ka cituar në Telkhīs, duke ia pranuar vërtetësinë. Kjo është një gënjeshtër pasi Dhehebiu në fakt ka thënë: Por hadithi është gabim sepse Esmaja natën e martesës së Fatimes ka qenë në Habeshe. Shejh Albani e ka vendosur edhe këtë hadith tek libri i tij për hadithet e dobëta (nr. 4940). megjithatë qoftë ai qoftë edhe unë për hir të amanetit të së vërtetës po i citoj fjalët e tij: Nuk gjej në isnadin e tij ndonjë defekt të dukshëm, pasi transmetuesit janë të besueshëm, vetëm nëse ka ndërprerje në mes Ebu Jezid El-medenij dhe Esmasë. Pasi në tek isnadi i Ibn Asakirit ai thotë: Esmaja ka thënë…dhe kjo ka pamjen e irsalit (ndërprerje). Allahu e di më së miri.

Këtë gjë e citova për të treguar se edhe përmbajtja merret parasysh në verifikimin e hadithit, si në rastin konkret.

Besniku thotë:

Shumë herë Profeti s.a., i drejtohej Aliut dhe thoshte : ” Ky është
vëllai , kushëriri e dhëndrri im , dhe BABAI I PASARDHESVE të
mi .”4

Përgjigje:

Ebu Merjem ibn Muhamed El-adhamij në librin e tij ‘El-huxhexh ed-damiga’ thotë: këtë e ka përmendur në nr. 12914 (të librit Kenzul umal) dhe ka bërë shenjë për dobësinë e tij duke thënë: Në të gjendet Ismail ibn Jahja. Ebu Merjem thotë: në mes transmetuesve janë katër Ismail ibn Jahja… (dhe i përmend ata me emra)… dy të parët janë gënjeshtarë, i treti i braktisur (nga dijetarët, metruk) dhe i katërti i panjohur siç tregohet kjo ‘El-mizan’ dhe ‘Et-tehdhiib’ e të tjerë. Pra u bë e qartë se hadithi është i gënjeshtërt nga cilido transmetues qoftë.[7]

Besniku thotë:

” Ti je vëllai , shoku dhe shoqëruesi im në Xhennet .”

Përgjigje:

Këtë hadith e transmeton El-hatib el-Bagdadi në librin e tij ‘Tarihul Bagdad’ (10/640). Shejh Albani e ka vendosur tek hadithet e dobëta (nr. 4943) duke thënë se hadithi është i shpifur (meudu), në të gjendet transmetuesi Uthman ibn Abdurrahman el-kureshij el-uekasij për të cilin Ibn Haxher ka thënë: i braktisur (metruk), Ibn Me’in e ka konsideruar si gënjeshtar.

Besniku thotë:
Per Ehli-Bejtin cka eshte thene: Muhibb ed-Din et-Taberiu në er-Rijad un-Nedireh, vëll. II, fq 189
nga Ebu Bekri : ” E pashë të Dërguarin e Allahut s.a., të hynte në
një çadër teksa mbështetej mbi një hark arab. Në çadër ndodheshin
Aliu , Fatimja , Hasani dhe Huseini . Atëherë , ai tha : ” O myslimanë ! Të gjithë ju ! Unë jam në paqe me atë që është në paqe me njerëzit që ndodhen në këtë çadër, në luftë me këdo që është në
luftë me ta , dhe jam wali-u i cilitdo që i merr për wali ata . S’i do ata veçse ai që është i një prejardhjeje të lumtur dhe lindjeje fisnike . E s’i urren ata veçse ai që është i një prejardhjeje të
mjerë dhe lindjeje të ulët .”

Përgjigje:

Ky hadith është përmendur në librin e mësipërm pa zinxhir transmetimi (sened, isnad) dhe si i tillë nuk merret për bazë. Pasi zinxhiri i transmetimit apo i quajtur ndryshe si isnad (ose sened) është prova që tregon burimin e hadithit, prej tij bëhet edhe vlerësimi për saktësinë e tij ose jo. Wali në këtë rast ka kuptimin e mikut dhe të miqësisë e dashurisë, pra unë jam mik me cilindo që i merr ata për miq dhe i do ata. Kjo fjalë dhe kjo përmbajtje do të sqarohen më gjatë në hadithin e Gadir Khum-it inshallah. Por ajo që vlen për tu përsëritur këtu është se edhe ky hadith nuk bie ndesh me atë çka sunnijtë besojnë për Aliun dhe familjen e tij.

Besniku thotë:

Hakimi në el-Mustedrek us-Sahihejn , vëll. III, fq 329 me sened
nga Ebi Abdil-Lah el-Xhedeliu nga nga Ebu Dheri i cili tregon : ” Ne i njihnim hipokritët (munafikët) vetëm nga përgënjeshtrimi i tyre i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij s.a., të mbeturit pas në namazet e tyre , dhe urrejtja e tyre ndaj Ali ibn Ebi Talibit .”

(Hakimi pohon se hadithi është i saktë (sahih) sipas kushteve të Muslimit .

Përgjigje:

Së pari Ebi Abdilah El-xhedeli, për të Ibn Haxher thotë se është i besueshëm, akuzohet për shiitë. Fakti që El-hakim thotë se hadithi është sipas kushteve të Muslimit, nuk përkon me realitetin pasi kjo do të thotë se ky transmetues është prej transmetuesve që gjenden në Sahih Muslim por në fakt nuk është kështu. El-mizi në ‘Et-tehdhib el-kemal’ tregon se hadithet e këtij njeriu gjenden tek Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu ndaj dhe nuk mund të themi se ky hadith është sipas kushteve të Muslimit. Po ashtu në zinxhirin e këtij trysmetimi tel Elihakim gjendet edhe një transmetues me emrin Is’hak ibn Bishr El-kahilij për të cilin Dhehebiu në ‘Mizan El-itidal’ përmend disa prej dijetarëve siç është Ebu Bekr ibn Ebu Shejbeh, Ebu Zura, Ed-darekutniu të cilët e kanë konsideruar gënjeshtar dhe shpifës hadithesh.[8] Një tjetër hadith i ngjashëm me këtë transmetohet nga Ebu Seid Ell-khudrij tek Tirmidhiu (nr. 3717) por edhe ai ka isnad të dobët, dhe Albani për të thotë: Isnad shumë i dobët.[9] Allahu e di më së miri.

Besniku thotë:

Nuk ka asnjë dyshim se i Dërguari i Allahut , paqe pastë mbi të dhe
pasardhësit e tij , i ka lënë Aliut një trashëgimi dijeje e urtie sa
ajo që u ka lejuar Fuqiploti profetëve të Tij e wasi-ve për të
trashëguar, saqë i Dërguari i Allahut s.a., tha : ” Unë jam qyteti i
diturisë e Aliu është porta e tij ; ndaj , ai që kërkon dije le të
vijë nga porta .”

Përgjigje:

Së pari për këtë hadith ka pasur mendime të ndryshme mes dijetarëve sunnij për saktësinë ose jo të tij duke u nisur vetëm nga Isnadi. Këtë hadith e ka saktësuar:

1-El-hakim në ‘El-mustedrek’,[10] ndërsa e ka konsideruar si të mirë (hasen, nivel i pranueshëm por poshtë sahihut):

2-El-alai,[11]

3-Ibn Haxher,[12] në ‘Lisan el-mizan’ ai thotë: ky hadith ka rrugë të shumat transmetimi në ‘Mustedrek-un’ e El-hakimit, ndaj gjëja më e pakët është që ky hadith të ketë një origjinë dhe kështu që nuk e nevojshme që për të të thuhet se është i shpifur (meudu).[13]

4-Po kështu edhe Es-sakhaui dhe

5-Esh-sheukani janë të mendimit se hadithi është i mirë.[14]

Ndërsa dijetarët që e kanë konsideruar atë si të dobët janë:

1-Buhariu i cili e ka mohuar dhe madje ka thënë: nuk ka rrugë të sakta transmetimi,[15]

2-Tirmidhiu,[16] ndërsa

3-Ibn Hibani ka këtë mendim: kjo thënie nuk origjinë në hadithet e Ibn Abasit, as Muxhahidit, as El-amash, as Ebu Muaujies. Kushdo që e ka treguar këtë hadith e ka vjedhur (alegori për transmetuesin e hadithit pa sened) atë nga Ebu Es-salti edhe nëse i ka ndryshuar isnadin…ky hadith nuk ka origjinë nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).[17]

4-El-ukelji i cili thotë: nuk ka hadith të saktë me këtë përmbajtje.[18]

5-Ed-darekutni i cili thotë: hadith mudtarib (konfuz në isnad apo përmbajtje) i pa saktë.[19]

E kanë konsideruar si meudu (të shpifur):

1-Ibn El-xheuzi në ‘El-meuduat’ (1/533).

2-Dhehebiu i cili e ka kundërshtuar saktësimin e El-hakimit duke thënë: por jo vallahi është i shpifur.[20]

3-Ibn Tejmije. [21]

4-Abdurrahman El-mualimi.[22]

5-Albani në ‘Silsiletu Ed-daife’ (nr. 2955).[23]

Për më tepër hollësi rreth transmetimeve të këtij hadithi dhe diskutimit të tyre mund t’i ktheheni librit të Albanit si dhe librit të Ebu Abdulaziz Halifetu El-keurai[24]

Veç të tjerash ky hadith ka edhe përmbajtjen problematike. Ja seç thotë për të Ibn Tejmije: hadithi ‘Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e saj’ është akoma më i dobët dhe më i ligsht, ndaj dhe ai futet tek hadithet e shpifur edhe pse e ka transmetuar Tirmidhiu. Ibn Xheuzi e ka përmendur këtë dhe ka bërë të qartë se të gjitha rrugët e transmetimit të tij janë të shpifura. Gënjeshtra dallohet që nga vetë përmbajtja. Nëse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ishte qyteti i diturisë dhe nuk ka pas vetëm se një derë e nuk e ka përcjell dijen prej tij vetëm se një njeri! Atëherë qenka bllokuar çështja e Islamit (vetëm tek një njeri)! Ndaj dhe myslimanët kanë rënë dakord se nuk mund të lejohet që dija nga ai (Profeti) të vijë vetëm nga një person, por duhet që ata që e përcjellin këtë dije të arrijnë në muteatir,[25] me lajmin e të cilëve arrihet dija për të panjohurën. Nga lajmi i një njeriu nuk përftohet dije vetëm se me fakte mbështetëse, fakte të cilat nuk mund të gjenden apo mund të jenë të panjohura për shumicën e njerëzve ndaj dhe për ta nuk mjafton për të arritur dijen e Kuranit dhe sunneteve muteuatir. Nëse ata (shiat) thonë: ai i vetmi është i pagabueshëm (ma’sum) dhe përftohet dija me lajmin e tij. Atyre (shiave) i thuhet: së pari na duhet dija që ky njeri është i pagabueshëm. Dhe pagabueshmëria e tij nuk vërtetohet thjesht nga përmendja e lajmeve të tij para se të njihet pagabueshmëria e tij, sepse kjo është një rreth vicioz dhe nuk pranohet me unanimitet, e as nuk ka unanimitet (njëzëshmëri) për këtë gjë… Nëse qyteti i dijes nuk do të kishte portë tjetër veç tij, as pagabueshmëria e tij dhe as gjë tjetër nga feja nuk do të ishte vërtetuar. Ndaj bëhet e qartë se këtë hadith ka shpifur ndonjë heretik (zindik) injorant që ka kujtuar se po i bën lëvdatë (Aliut), dhe në fakt është rrugëkalimi i heretikëve për të sulmuar fenë Islame, nëse fenë e ka përcjell vetëm një person.

Ky (hadith) madje bie në kundërshtim me realitetin që njihet pa pikë dyshimi (muteuatir). Të gjitha vendeve të Islamit u ka shkuar dija nga Profeti jo nëpërmjet Aliut. Sa për Mekën dhe Medinen kjo është më se e qartë, po kështu edhe Shami dhe Basra. Banorët e këtyre (dy vendeve) pak kanë transmetuar nga Aliu. Dijen më të shumtë të tij e gjejmë në Kufe, e megjithatë banorët e Kufes e njihnin Kuranin dhe Sunetin që para se në pushtet të vinte Osmani dhe jo më Aliu. Fukahat (dijetarët, juristët) e Medines e morrën dijen në kohën e Umerit. Mësimdhënia e Muadhit dhe qëndrimi i tij në Jemen ka qenë shumë më tepër se Aliu. Ndaj dhe jemenasit kanë transmetuar shumë më tepër nga Muadhi sesa nga Aliu. Shurejhu (gjykatës i njohur) dhe tabiinë të tjerë të mëdhenj e kanë marrë dijen nga Muadh ibn Xhebeli. Kur Aliu erdhi në Kufe Shurejhu ishte gjykatës në të. Ai dhe Abidetu Es-selmani e kanë marrë dijen nga tjetër kush, dhe kështu dija e Islamit është përhapur nëpër vende para se Aliu të vinte në Kufe.[26]

Ndërsa Ibn Hazmi duke iu kundërvënë dikujt që thoshte se Aliu kishte më tepër dije, thotë: ka njeri nuk ka thënë të vërtetën. Dija e një sahabi njihet në dy mënyra dhe s’ka të tretë. E para: nga fetvatë dhe transmetimet e shumta. E dyta: përdorimi i shpeshtë i tij nga ana e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Është absurde dhe e pavlerë që Profeti (salallahu alejhi ue selem) të përdorte një njeri që s’ka pas dije, kjo është dëshmia më e madhe për dijen dhe njohjen e saj. Ne kemi parë dhe gjetur se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka vënë Ebu Bekrin për tu prirë në namaz në prezencë të tij gjatë gjithë kohës që ai qe i sëmurë, dhe të gjithë sahabet e mëdhenj ishin prezent, si Aliu, Umeri, Ibn Mes’udi, Ubej ibn Kab etj, e megjithatë atë e vuri mbi të gjithë.[27]

Çka e kundërshton edhe më tepër përmbajtjen e këtij hadithi, si dhe faktin që shiat besojnë se Aliu dinte gjëra të cilat nuk i dinin sahabet është edhe vetë fjala e Aliut (radijallahu anhu) kur është pyetur: A ju ka veçuar ju i dërguari i Allahut me ndonjë gjë?[28] Dhe ai tha: Nuk kemi gjë tjetër veç Librit të Allahut dhe këtë fletushkë nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) ku (thuhet): Medinja është haram nga Airi deri… (Buhari nr.1870), ndërsa në transmetim tjetër po tek Buhari (nr.111) ai thotë: Jo, përveç librit të Allahut dhe kuptim që i është dhënë një njeriu mysliman dhe çka kam në këtë fletushkë. Dhe e pyeta çka në atë fletushkë? Ai tha: shpagimi i gjakut, lirimi i robit dhe se nuk vritet një mysliman për një kafir. Dhe po përsëri tek Buhari (nr. 3047) ai betohet duke thënë: Jo, pasha Atë që shpërthen farën dhe krijoi njeriun nuk di veç kuptimit që Allahu i jep një njeriu në Kuran dhe çka në këtë fletushkë… ndërsa tek Muslimi thuhet se ai mbajti hutbe dhe tha: Kush pretendon se ne kemi diçka tjetër që e lexojmë veç Librit të Allahut dhe kësaj fletushke, dhe fletushka ishte e lidhur në millin e shpatës së tij, vetëm se ka gënjyer. Në të ka…(nr. 1370). Kjo thënie e Aliut (radijallahu anhu) është nga më të saktat. Atë e ka transmetuar Buhariu disa herë në librin e tij po ashtu Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxha, Ahmedi etj. Kjo thënie autentike nga Aliu është një nga argumentet më të forta kundra të gjithë pretendimeve shiite se Aliu dhe pasardhësit e tij (radijallahu anhum) kanë trashëguar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem) një dije të cilën nuk e njeh askush veç tyre!


[1] Sure El-bekare:85

[2] Sure El-hashr:10.

[3] Tefsir Ibn Kethir vol.3 fq. 468.

[4] Minhaxhu es-sune

[5] Vol. 4 fq.215

[6] Vol.1 fq.400.

[7] ‘El-huxhexh ed-damiga li nakd katabul muraxhaat.

[8] Shih gjithashtu Lisan el-mizan, El-kamil fi ed-duafa etj.

[9] Sunen Et-tirmidhi botim me verifikim të Albanit, Mektebetul Mearif Riad.

[10] Vol. 3 fq. 126.

[11] En-nakd es-sahih lima i’turide alejhi min ehadith el-masabih, fq. 55.

[12] Shih për këtë El-leali el-mesnua i Sujutit (1/334).

[13] Vol.2 fq. 123.

[14] Shih El-mekasid el-haseneh nr.189 dhe El-feuaid el-mexhmua fq. 349.

[15] Shih El-ilel el-kebir Li-tirmidhi (2/942) dhe El-mekasid el-haseneh nr.189

[16] I cili edhe ka thënë: hadith gariib (i vetëm) munker (i papranueshëm) El-xhamia Et-tirmidhi (nr.3723)

[17] Shih ‘El-mexhruhin’ (2/94, 152)

[18] Ed-duafa (3/150)

[19] El-ilel (3/248)

[20] Shih El-mizan (1/415, 3/668) dhe Telhis El-mustedrek (3/126) Dhehebiu e qorton ashpër El-hakimin për saktësimin e këtij hadithi.

[21] Minhaxh es-sune (7/515) Ehadith el-kusas fq. 62 etj.

[22] Në recensionin e El-feuaid el-mexhmua të Sheukanit fq.349.

[23] Shih edhe Daif el-xhamia nr. 1322.

[24] Tahrixh hadith ena medinetul ilmi ue ali babuha (55 faqe A4)

[25] Muteatir, një numër tepër i madh njerëzish saqë është e pa mundur që të gjithë ata të gënjejnë apo të gabojnë.

[26]Minhaxh sunneh (7-8/ 515) ndërsa botimi i ri (4/372).

[27] El-fasl fil milel ue nahl (4/212).

[28] Sipas transmetimit të Ahmedit ndërsa tek Buhariu: a keni ndonjë libër tjetër?(nr.111) apo: prej shpalljes diçka tjetër? (nr.3047)

Published in: on Janar 1, 2009 at 1:24 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/pergjigje-ndaj-disa-argumenteve-shiite/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: