Ne myslimanët dhe ‘të tjerët’

Ne myslimanët dhe ‘të tjerët’

”Të tjerët” një term që më gris veshin, dhe sidomos kur mendësinë që mbart ky term e dëgjoj në formë jehone edhe nëpër luginat e Islamit dhe myslimanëve. Jo se kam ndonjë alergji nga termat e huaj, vetëm pse janë të huaj edhe kur thonë të vërtetën, por nuk e duroj dot faktin sesi një term dhe një mendësi joislame kërkon të zëvendësoj një term islam në radhën e myslimanëve. Një term që sido që të vërtitemi nuk mund ta zëvendësojmë dot, vetëm nëse bëjmë kompromise me besimin tonë! Nëse nuk ka në përdorimin e këtij termi ‘të tjerët’ aspak kompromis, atëherë është diplomaci ose hipokrizi! Quheni si të doni!

Besoj e kuptoni se e kam fjalën për termin ”kafir”. Pa hyrë në komente etimologjike të kësaj fjale dhe të realitetit që ajo zbulon, të gjithë e dimë se kujt individëve iu drejtohemi ne me këtë fjalë, shkurt një jomyslimani. Nuk e di pse disa prej nesh ngurrojnë t’i emërtojnë gjërat me emrat e tyre të vërtetë, me emra të cilët vetë Zoti i ka quajtur. Nuk besoj se këtu në këtë forum ka ndonjë mysliman që të mos dijë suren El-kafirun. A e keni menduar ndonjëherë se kur Allahu urdhëron duke thënë: Thuaj! Kujt i drejtohet?! Nëse edhe ne sot e kësaj dite besojmë se jemi prej atyre që u drejtohen këto fjalë, cilët janë ata ‘pala tjetër’, pra kafirunët të cilëve ne duhet tu deklarojmë se ne nuk adhurojmë atë që ata adhurojnë? Nëse veç myslimanëve në këtë botë ka edhe ”të tjerë”, a janë ata kafirunët për të cilët flet ajeti? Apo mos vallë ata janë vetëm një specie e rrallë që vazhdon të jetojë nëpër xhungla apo në shkretëtirë, e që vazhdon tu falet diellit dhe hënës apo latit dhe uzasë? A nuk hyn te kafirunët edhe kravatat e lindjes dhe perëndimit? Nëse po, ngelet të përcaktoni se kush janë idhujt e tyre!

Morali dhe edukata duhet të jenë pjesë e pandarë e një myslimani, ato janë një obligim i rëndësishëm, por në këtë moral nuk bën pjesë hipokrizia dhe as lajkatimi. Nuk flas këtu thjesht për një sjellje dhe aparencë të pështirë si ajo e hipokrizisë, por për një mendësi të menduari që kurrsesi nuk duhet të ekzistoj mes nesh. E kush mund ta përshkruaj më mirë sesa Allahu një moral të tillë:

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!…..

Kështu pra, ti mos iu bind përgënjeshtruesve.

Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.[1]

Mendime të ndryshme ka pasur rreth kuptimit të këtij ajeti, që sidoqoftë nuk janë larg njëra-tjetrës, por le t’i shohim më mirë ato siç na i ka pasqyruar Ibn Xheuzi në tefsirin e tij:[2]

E para: do të dëshironin sikur të bëje lëshime që edhe ata të bënin lëshime.

E dyta: do të dëshironin sikur t’i lajkatoje me fenë tënde dhe ata të të lajkatonin me fenë e tyre.

E treta: do të dëshironin sikur të bëje kufr dhe ata do të bënin kufr.

E katërta: do të dëshironin të tregoheshe i butë me ta dhe ata do të tregoheshin të butë me ty.

E pesta: do të dëshironin të shtireshe dhe silleshe si hipokrit që edhe ata të silleshin kështu me ty.

E gjashta: do të dëshironin tu serviloseshe me fenë tënde dhe ata do të serviloseshin me fenë e tyre. Ata kanë kërkuar që t’i adhuroje idhujt e tyre njëfarë kohe që edhe ata ta adhuronin Allahun njëfarë kohe.

E shtata: do të dëshironin që t’i mbaje më pranë dhe ata të të mbanin më pranë.

Sa do të ndryshme mund të duken këto interpretime ato kanë një kah të vetëm.

Ibn Xherir Et-tabari, Tefsiri i të cilit përbën enciklopedinë më të shquar e më të hershme të këtij lëmi, duke komentuar këtë ajet thotë: O Muhamed paganët dëshironin që: sikur ti me fenë tënde të ishe i butë me ta; duke iu përgjigjur atyre në animin tënd ndaj idhujve të tyre, dhe kështu ata do të ishin të butë me ty në adhurimin që ti i bën Hyjit tënd. Allahu thotë për këtë (në një tjetër ajet): Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.[3] Shenkiti duke mbështetur mendimin e Ibn Xheririt thotë: Për saktësinë e këtij mendimi dëshmon edhe shkaku i zbritjes së sures El-kafirun ku Allahu zbriti: Thuaj: “O ju kafirun! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni.”

Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.

Një ajet i madh, ashtu si të gjitha ajetet e Kuranit, që në pak fjalë përmbledh për mua të gjitha situatat që shumë prej nesh vihen në to, kush më pak e kush më tepër detyrohemi të bëjmë rolin e diplomatit kur përplasemi me ata ”të tjerët”, mirëpo problemi më i madh qëndron kur kjo diplomaci e kalon cakun e saj për tu kthyer në një mendësi, për tu kthyer në një sistem vlerash me të cilat ne duhet të gjykojmë kafirunët si të ”tjerët”.

Në shumë debate që zhvillohen rreth Islamit dhe ne jemi pjesë publike e tyre më duket sikur në shumë raste ne jemi më inferiorët, gjithmonë debatin e drejtojnë ‘të tjerët’. Ata vendosin platformën e tyre mbi të cilën ne duhet të ndeshemi, ai është ringu i tyre mbi të cilin ne duhet t’i përballojmë ata. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga dobësitë tona. Këtu nuk e kam fjalën për dobësinë e mospërgatitjes, por për atë dobësi që na e krijon tapeti mbi të cilin ne pranojmë të diskutojmë.

Një krenari historike dhe legjendare ne na jep forcë të përballemi me ”të tjerët”, por ashtu si ai heroi i mitologjisë i cili ishte gjithmonë fitimtarë kur mbante këmbët në tokë dhe kur largohej prej saj humbiste, ashtu edhe ne pikërisht në momentin që pranojmë të tërhiqemi në tapetin e kundërshtarit e kemi të humbur betejën. Në një situatë të tillë hyn në lojë diplomacia e cila në këtë rast nuk të bën kurrë fitimtarë përveç se të mund të të shpëtoj erzin! Ne duhet patjetër, në mos kundërshtarin, veten ta ulim në tokë dhe të mos debatojmë nga platformat e tyre, nuk kam për qëllim këtu që ne t’i tërheqim ata në platformën tonë pasi ata kurrsesi nuk do ta pranonin diçka të tillë, por ne duhet t’i tërheqim nga platforma e tyre në një platformë të përbashkët që ndonëse është më e vogël se platforma e gjithsecilit mjafton për të debatuar dhe për të dalë fitues. Në të të kundërt do të detyrohemi t’i lajkatojmë që të na lajkatojnë dhe Allahu na urdhëron një ajet më parë duke thënë: mos iu bind përgënjeshtruesve! Po nëse i bindemi? Ajetet në vazhdim nuk na tregojnë se çfarë humbim apo fitojmë! Allahu na urdhëron që të mos hipim në ringun e tyre, por të përballemi me këmbë në tokë, dhe urdhri i tij mjafton…apo jo?

Por mos mendoni se Allahu nuk na e ka thënë se çdo të ndodh nëse ne anojmë në tapetin e tyre, mjafton ta kërkoni nëpër Kuran dhe do ta gjeni…

Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.

Do të kishe anuar pak…vetëm pak…! Nuk u bëka fjalë vetëm për bindje, por për anim … Kjo është një nga sekretet e dobësisë sonë, nëse arrijmë ta kuptojmë, por edhe ta ndjejmë.

E pra nuk bëhet fjalë që një këmbë mund ta mbajmë në tokë dhe tjetrën në tapetin e tyre, urë nuk mund të bëhemi në mes dy botëve antagoniste. Urat janë të parat ato që i shërbejnë armikut dhe të parat që shkatërrohen nga mbrojtësit. Brigjet që bashkojnë këto ura të brishta janë të largët dhe nën to kalojnë lumenj të mëdhenj dhe të vrullshëm dhe vetë koha është e destinuar t’i shkatërroj.

Por ura mund të vendosen dhe i kemi ato të ligjëruara, por jo në çdo pikë të bregut, por aty ku lumi është më i ngushtë, më i qetë dhe më i cekët. Aty ku nuk rrezikohen që ato të shemben dhe të përpihen nga dallgët e lumit, aty ku mund të kalohet edhe në këmbë pa pasur nevojë edhe për urë.

E kuptoni pra se nuk mund të luftojmë mbi të tilla ura të brishta dhe jo më në anën tjetër të bregut…


[1] Ajetet 4, 8-9, të sures El-kalem.

[2] Zadul mesir, suretul kalem.

[3] Sure El-isra: 74.

Published in: on 1 Janar, 2009 at 12:25 am  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2009/01/01/ne-myslimanet-dhe-te-tjeret/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: