Mëshira e dhuruar, dashuria dhe mbrojtja e Profetit

Mëshira e dhuruar, dashuria dhe mbrojtja e Profetit (paqja qoftë mbi të).

Përgatiti: Dr. Abdullah Ali Basfar

Parathënie

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, uratat dhe bekimet më të mira qofshin për Profetin, që u dërgua mëshirë për të gjitha krijesat; Muhamedin, familjen, shokët dhe gjithë pasuesit e tij.

Të fyesh të Dërguarin e Zotit, Muhamedin (paqja qoftë mbi të), do të thotë të fyesh vetë Zotin, Librin dhe Fenë e Tij të drejtë, do të thotë të marrësh nëpër gojë dinjitetin e të gjithë profetëve. Allahu i Lartësuar, jetën e Profetit tonë e ktheu në një pasqyrë, ku u reflektuan shëmbëlltyrat e të gjithë profetëve, dhe Kuranin, një libër ku u reflektuan të gjithë librat e zbritur më parë, e fenë e tij, një xhevahir ku gjetën shëmbëllimin e tyre të gjitha vlerat e mëparshme. Muhamedi (paqja qoftë mbi të) ishte me të vërtetë udhërrëfyesi për tek Allahu i Lartmadhëruar, ndaj këtu qëndron edhe rreziku që mbart me vete, ofendimi i dinjitetit të këtij Profeti.

Popujt islamë kanë treguar gjithmonë me devocion, se janë të gatshëm të vetësakrifikohen për të mbrojtur dhe ruajtur nderin dhe dinjitetin e të dërguarit të Allahut, e prijësit të atyre që shkuan dhe do të vijnë, dinjitetin e të dashurit të Zotit. Të gjithë pa përjashtim, dijetarë dhe predikues, të mëdhenj dhe të vegjël, burra dhe gra, kanë shprehur secili me mënyrën e tij dashurinë që mbartin në zemrat e tyre për këtë njeri, dashuri, të cilën e kanë humbur shumë njerëz në lindje dhe në perëndim. Ndoshta ajo që ndodhi, ishte një sprovë nga Allahu për të treguar dashurinë tonë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), dashuri, të cilën e kemi lënë shumë pas dore. Le t’i tregojmë pra botës mbarë, lindjes dhe perëndimit se kush ishte ai burrë, ata duhet të pranojnë se nuk mund të tallen me shenjtërinë e fesë, profetëve dhe librave të shenjtë, dhe duhet të ulin hundën para madhështisë së këtij Profeti fisnik, para dashurisë së madhe dhe nderimit të lartë që ndjejnë të gjithë muslimanët për të.

Të gjitha ato përpjekje që ndodhën anekënd botës për të mbrojtur dhe ruajtur nderin e dinjitetin e Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe për t’iu përgjigjur armiqve të kësaj feje, ishin me të vërtetë në vija të përgjithshme, një arritje e madhe që duhet vlerësuar.

Shkroi: Dr. Abdullah Ali Basfar

Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut është një detyrim

Allahu i Lartësuar në librin e Tij thotë: Thuaju (O Muhamed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin e prishur.”[1]

Në këtë ajet, Allahu u tërheq vërejtjen besimtarëve se do të ndëshkohen dhe do të konsiderohen si njerëz të prishur, nëse ato që përmenden në ajet janë më të dashura për ta sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta për kauzën e Tij, ndaj dhe nga kjo kuptohet se është e detyrueshme që dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Zotit, duhet të jetë parësore ndaj çdo gjëje.

Enes ibn Malik na tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Askush prej jush nuk ka besuar, përderisa mua nuk më do më tepër se fëmijët dhe prindërit e tij dhe se gjithë njerëzit.[2]

Ky hadith është një nga argumentet më të qarta që na obligon dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Një besimtar nuk e meriton të plotë emrin e besimit dhe nuk mund të futet në radhën e të shpëtuarve Ditën e Gjykimit, nëse dashurinë më të madhe nuk ia kushton Profetit (paqja qoftë mbi të). Profeti jo pa qëllim përmendi fëmijën dhe prindin, pasi ata janë krijesat më të dashura për njeriun dhe ndoshta më të dashura se vetja e tij, e pavarësisht këtij fakti, që një musliman të plotësojë islamin dhe besimin e tij, duhet t’i japë përparësi dashurisë së Profetit ndaj dashurisë së çdokujt, sado i dashur qoftë ai për të.

Kuptimi i fjalëve: Askush prej jush nuk ka besuar, do të thotë se besimi i tij nuk është plotësuar, pra bëhet fjalë për besimin e plotë dhe jo për themelin e besimit. Dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është një nga detyrimet e besimit, dhe kushdo që e lë mangët, ka lënë pas dore një nga këto detyrime të Islamit. Themelet e besimit nuk mund të ekzistojnë pa dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), ashtu siç nuk ka as edhe një musliman që në zemrën e tij, të mos ndjejë dashuri ndaj tij, qoftë edhe pak. Nëse dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) nuk ekziston absolutisht, atëherë kjo dëften se edhe besimi nuk ekziston tek një njeri i tillë, sa më shumë të pakësohet kjo dashuri, aq më tepër pakësohet edhe besimi, dhe sa më shumë të shtohet, aq më tepër shtohet edhe besimi. Një njeri që të arrijë gradën e lartë të një besimtari të plotë, duhet që patjetër të përpiqet me të tëra forcat për të zbatuar atë që dëshiron Allahu dhe i Dërguari i Tij, qofshin këto fjalë e vepra, apo edhe njohuri e bindje. Sa herë që njeriu përpiqet të arrijë këto obligime, aq herë ai ngjitet një shkallë më lart drejt besimit, e aq më tepër ai ndjen ëmbëlsinë e besimit. Sa herë që njeriu neglizhon në kryerjen e detyrimeve të besimit me të cilat është obliguar, aq herë edhe kjo lë pasoja negative në besimin e tij, për pasojë, edhe në dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Rritja e dashurisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me rritjen e besimit, ashtu si edhe rënia e tij, sjell rënien e besimit, siç edhe u përmend. Ekziston vërtet një lidhje e ngushtë mes dashurisë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe besimit, asnjëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën, nëse njëra shtohet, rrjedhimisht shtohet edhe tjetra, e po kështu edhe anasjelltas.

Enesi gjithashtu tregon se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Tre janë ato gjëra, të cilat nëse gjenden tek një njeri, ai me të vërtetë ka ndjerë ëmbëlsinë e besimit: Allahu dhe i Dërguari i Tij duhet të jenë më të dashur për të se kushdo tjetër, ata të cilët i do, i do vetëm për hir të Allahut dhe urren t’i kthehet mosbesimit, ashtu siç nuk do të dëshironte të hidhej edhe në zjarr.[3]

Abdullah ibn Hisham, një shok i Profetit tregon: Ne ishim me Profetin (paqja qoftë mbi të) dhe ai kishte kapur për dore Umer ibn Hatabin, dhe Umeri i thotë atij: O i Dërguari i Allahut! Ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime. Profeti (paqja qoftë mbi të) i thotë: Jo, pasha Atë, i Cili ka në dorë shpirtin tim, unë duhet të jem më i dashur për ty edhe se vetja jote. Umeri atëherë i thotë: Po, pasha Allahun, tani (e mbrapa) unë të dua më tepër edhe se vetja ime. Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: Tani po, o Umer.[4]

Ky hadith përforcon atë që u theksua edhe në dy hadithet e mëparshme, se besimtari do të arrijë vërtetësinë e besimit, kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) të jetë për të edhe më i dashur se vetë shpirti i tij që ka në trup. Kjo është edhe pika kulmore e dashurisë, aty ku shuhen pasionet dhe dëshirat vetjake, përpara dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të). Kjo dashuri vihet në provë atëherë kur dëshirat dhe pasionet njerëzore, përplasen me urdhrat e Profetit (paqja qoftë mbi të), asaj që i jepet përparësi, asaj edhe i takon vlerësimi më i madh.

Dijetari Ibn Haxher El-askelani duke komentuar këtë hadith, shprehet se Imam El-hatabi ka thënë: Dashuria e njeriut ndaj vetes është diçka natyrale dhe dashuria ndaj dikujt tjetër, është një zgjedhje e cila ka shkaqet e saj. Profeti (paqja qoftë mbi të) kishte për qëllim pikërisht dashurinë që zgjidhet, pasi ajo natyrale është e lindur dhe nuk mund të ndryshohet.

Më pas Ibn Haxher duke komentuar fjalët e Imam El-hatabit thotë: Kështu që përgjigjja e parë që dha Umeri ishte një shfaqje e së natyrshmes, më pas, ai nëpërmjet argumentit e kuptoi se Profeti (paqja qoftë mbi të) ishte më i dashur për të edhe se shpirti i tij. Kjo, sepse është pikërisht kjo dashuri, shkaku i cili do të shpëtojë shpirtin e tij nga vuajtjet e kësaj bote dhe asaj të përtejme, ndaj dhe shprehu atë që vetë zgjodhi, duke marrë në këtë rast edhe aprovimin e Profetit (paqja qoftë mbi të) me fjalët: Tani po, o Umer. Pra, tani e kuptove dhe shprehe atë që duhej.[5]

Ja kështu e shprehnin shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) dashurinë dhe respektin ndaj tij, pa u sforcuar dhe pa u shtirë, jo vetëm flisnin me fjalë të dashura dhe të bukura ndaj tij, por dashurinë që kishin për të, e treguan me fakte reale nga vetë jeta e tyre, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

SHEMBUJ NGA DASHURIA E SHOKËVE TË PROFETIT (paqja qoftë mbi të)

Shembulli më i madh në histori sesi tregohet dashuria ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, është shembulli i bashkëshoqëruesve të Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të).

Prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebu Talib, kur është pyetur se si e shprehnin ata dashurinë ndaj të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të), tha: Të dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të) e donim më tepër sesa pasurinë, fëmijët, baballarët dhe nënat tona, e donim edhe më tepër se ujin e ftohtë, kur të thahet fyti nga etja.

Të shumta janë ngjarjet që pasqyrojnë dashurinë e madhe të shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të) ndaj tij, dashuri që i kalonte caqet e vetvetes. Një prej këtyre është edhe shembulli që na tregohet nëpër librat e historisë, për Zejd ibn Ed-dethine. Uruetu ibn Zubejr tregon: Kur paganët e Mekës e nxorën jashtë tokës së shenjtë Zejd ibn Ed-dethinen për ta vrarë në vendin e quajtur Ten’im, Ebu Sufjani, që në atë kohë ishte akoma idhujtar i tha Zejdit: Të kërkoj që për hir të Allahut të më thuash të vërtetën, o Zejd! A dëshiron që në vendin tënd këtu tani të ishte Muhamedi ai që do të ekzekutohej, dhe ti të ishe pranë familjes tënde? Zejdi iu përgjigj: Pasha Allahun, unë nuk do të dëshiroja që Muhamedi edhe atje ku është t’i hynte qoftë edhe një gjemb, e unë të isha pranë familjes sime. Ebu Sufjani thoshte: Nuk kam parë asnjë njeri që të donte dikë, ashtu siç e donin shokët e Muhamedit, Muhamedin.[6]

Abdullah ibn Mes’udi tregon: Një herë një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, çfarë mund të thuash për një njeri, i cili e ka dashur dikë, por nuk ka arritur të shoqërohet me të? I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: Njeriu do të jetë me atë që do.[7] Po kështu, Ebu Musa, një tjetër shok i Profetit, thotë: Profeti (paqja qoftë mbi të) u pyet: Njeriu e do dikë por nuk e shoqëron dot? Dhe ai u përgjigj: Njeriu do të jetë me atë që do.[8]

Një tjetër ngjarje që tregon se si shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) për hir të dashurisë që kishin për të, ishin të gatshëm të sakrifikoheshin për ta mbrojtur, është edhe veprimi që bëri Ebu Duxhane në betejën e Uhudit, duke dalë para Profetit (paqja qoftë mbi të) si mburojë njerëzore e ku gjithë shigjetat binin mbi të dhe jo mbi Profetin (paqja qoftë mbi të).[9] Po kështu, edhe Ebu Talha tek qëndronte para Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe thoshte: O i Dërguari i Allahut, le të vritem unë në vendin tënd. Ditën e Uhudit duart e Ebu Talhës u sakatuan nga shigjetat tek mbronte të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të). Dhe kur Profeti (paqja qoftë mbi të) pas tij ngrinte kokën për të parë, ai i thoshte: O i Dërguari i Allahut, ule kokën që mos të të kapë ndonjë shigjetë, le të vritem unë në vendin tënd. Dita e betejës së Uhudit ka qenë me të vërtetë një ditë me të tilla vetëflijime.

Imam El-bejheki dhe Ibn Is’hak përcjellin në librat e tyre se një gruaje nga fisi Beni Dinar i qe vrarë në betejën e Uhudit i ati, vëllai dhe burri. Kur atë e lajmëruan për vdekjen e tyre, ajo pyeti: Si është i Dërguari i Allahut? Asaj iu përgjigjën: Mirë është, ashtu siç do të dëshiroje të jetë, e qoftë lëvduar Allahu për këtë. Ajo tha: Ma tregoni, sepse unë dua ta shoh vetë atë. Kur ajo e pa, tha: Çdo fatkeqësi me ty është më e lehtë![10]

Theubani ishte një nga shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) i cili e donte shumë Profetin, dhe nuk rrinte dot larg tij. Një ditë ai erdhi tek Profeti (paqja qoftë mbi të) me çehre të ndryshuar dhe i Dërguari i Allahut i tha: Çfarë ta ka ndryshuar çehren? Ai iu përgjigj: O i Dërguari i Allahut! Nuk jam i sëmurë dhe nuk kam asnjë dhimbje, veçse unë nuk rri dot pa të parë dhe nuk ndjehem mirë derisa të të takoj. Mu kujtua bota e përtejme dhe kam frikë se nuk do të të shoh më. Ti do të ngrihesh lart me Profetët, e unë edhe nëse do të hyj në Xhenet, do të jem në një vend shumë poshtë teje, e nëse nuk hyj në Xhenet nuk do të të shoh kurrë më. Dhe Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet: E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) profetët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata![11]

Një dashuri të tillë mund ta shohim edhe në ngjarjen e Hixhretit (emigrimit) të Profetit (paqja qoftë mbi të) nga Meka në Medine, kur Profeti e përgëzoi Ebu Bekrin se ai do të ishte shoqëruesi i tij në këtë udhëtim, ndërkohë që Ebu Bekri priste që Profeti (paqja qoftë mbi të) t’i jepte leje që ai ta shoqëronte atë. I Dërguari i Allahut i tha: O Ebu Bekër, Allahu më dha leje të emigroj dhe të dal (nga ky vend). Ebu Bekri i tha: O i Dërguari i Allahut, dua të të shoqëroj. Dhe ai iu përgjigj: Do të më shoqërosh. Kur Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj kështu, Ebu Bekrit filluan t’i rridhnin lot nga gëzimi që do të ishte në shoqërinë e Profetit (paqja qoftë mbi të). Ishte po ky njeri, i cili gjatë këtij udhëtimi bashkë me Profetin (paqja qoftë mbi të), u fsheh në guvën e malit Theur, tek pa në të një gropë, vuri këmbën e tij në të, nga frika se mos pengohej Profeti (paqja qoftë mbi të), por brenda saj qëlloi një akrep, i cili e pickoi dhe lotët filluan t’i rridhnin nga dhimbja, e ai përpiqej të ruante të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të).

I Dërguari i Allahut shkoi në Medine dhe banorët e saj dolën për ta pritur atë me një gëzim të madh, ata filluan të këndonin duke thënë:

Agoi Hëna e plotë mbi ne, nga lugina e Uedasë

Ty o Zot të qofshim falë sa të jenë ditët e dynjasë

O i ardhuri midis nesh urdhrit tënd do ti vijmë nga pas

Ti Medinen e nderove, mirë se vjen o mirëdash!

Ditën e Bedrit, Profeti (paqja qoftë mbi të) e shtyu me shkop në bark një prej shokëve të tij që quhej Seuad ibn Gazije. Seuadi tha: O i Dërguari i Allahut më vrave, e Allahu të ka dërguar me të drejtën. Profeti (paqja qoftë mbi të) i tha: Merre hakun që të takon, o Seuad! Kur Seuadi u mat të merrte hak i tha: Ti më re në bark kur unë e kisha të zbuluar, ndaj ma zbulo edhe ti mua barkun tënd, që ta marr hakun tamam. Profeti (paqja qoftë mbi të) e zbuloi trupin e tij të bekuar dhe Seuadi e përqafoi fort dhe duke qarë e puthi. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) e pyeti: Ç’të shtyu ta bësh këtë? Dhe ai iu përgjigj: O i Dërguari i Allahut, unë kam frikë se kjo ditë do të jetë dita e fundit e jetës sime, ndaj dhe desha që gjëja e fundit që do të prekja në këtë botë, të ishte trupi yt.

Në kohën kur u krye marrëveshja e Hudejbijes, idhujtarët e Mekës dërguan një delegacion për këtë marrëveshje dhe ata u çuditën kur panë diçka që kurrë më parë nuk e kishin parë. Kur Profeti (paqja qoftë mbi të) merrte abdes, ujin që binte nga duart e tij, shokët e tij bënin të gjitha përpjekjet për ta pritur me duart e tyre dhe shpeshherë edhe shtyheshin kush e kush ta priste i pari, e ai që ngelte pa gjë, me duart e lagura të shokut të tij, nga ai ujë, fërkonte fytyrën e tij. Kur delegacioni u kthye, iu tregoi Mekasve: O njerëz, ata njerëz që ne pamë nuk e lënë ujin të bjerë nga duart e tij, e si mund të lënë që t’i derdhet gjaku mbi tokë?!

Në Haxhin e lamtumirës, Profeti (paqja qoftë mbi të) rroi flokët dhe kur berberi përfundoi anën e djathtë të kokës, Profeti (paqja qoftë mbi të) ua zgjati ato, shokëve të tij. Shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) u shtynë si asnjëherë tjetër, kush e kush të merrte diçka prej tyre, të gjithë donin të kishin diçka prej flokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të). Kur mbaroi edhe ana e majtë e kokës, Profeti thirri mes shokëve Ebu Talhën, që në betejën e Uhudit, vuri në rrezik jetën e tij për hir të Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe ia dha atij, ato flokë.

Është e vërtetë se e kemi për detyrë ta duam Profetin e Allahut (paqja qoftë mbi të), e si mos ta duam një njeri të tillë që baba dhe nëna ime iu bëfshin kurban!

Ai është i dashuri që të gjithë njerëzit e duan

Ai është njeriu që cilësitë e tij lëvduan

Ai është miku që nga malli për të edhe devetë lënguan

Dhe nga lugina e Akikut me vrap rendnin për ta shikuar.

Vëlla musliman! Ne nuk duhet të na e kalojë deveja me dashurinë e saj për Profetin (paqja qoftë mbi të).

Enesi tregon se një njeri erdhi tek Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe e pyeti: Kur do të bëhet Kiameti, o i Dërguari i Allahut? Ai i tha: E çfarë ke përgatitur ti për atë ditë? Ai iu përgjigj: Nuk kam përgatitur për atë ditë agjërime, lëmoshë dhe falje të shumta, por unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: Ti do të jesh me atë që do.[12]

Enesi vazhdon dhe thotë: Ne u gëzuam shumë si asnjëherë tjetër, kur Profeti (paqja qoftë mbi të) tha: Ti do të jesh me atë që do. Unë e dua Profetin (paqja qoftë mbi të), Ebu Bekrin dhe Umerin dhe shpresoj që dashuria ime të bëjë të jem pranë tyre, ndonëse nuk kam bërë ato që kanë bërë ata.[13]

Nuk kishte sesi të mos gëzoheshin shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) me këtë hadith, kur ata e donin Allahun dhe të Dërguarin e Tij kaq shumë.

Rebia ibn Kab, një nga shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) qëllonte që rrinte shpesh me Profetin dhe një ditë i solli Profetit enën me ujë, nga ku ai do të merrte abdes. I Dërguari i Allahut pasi mori abdes, iu drejtua Rebias dhe i tha: Kërko (çfarë të duash)! Dhe çfarë mendoni se kërkoi ky njeri nga Profeti?! Ai i tha: Dua që të jem në shoqërinë tënde në Xhenet? E pra, nuk i kërkoi atij asgjë që kishte të bënte me këtë botë, por kërkoi diçka shumë më të lartë. Dhe Profeti (paqja qoftë mbi të) i tha: Ndoshta do diçka tjetër? Rebia i tha: Kjo është ajo që dua. Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: Ndihmo veten tënde me sexhde të shumta.[14]

Një ditë, Ebu Bekri pas vdekjes së Profetit (paqja qoftë mbi të) takon Umerin dhe i thotë: Eja me mua të shkojmë tek Umu Ejmen, dadoja e të Dërguarit të Allahut dhe t’i bëjmë një vizitë asaj, siç bënte edhe Profeti (paqja qoftë mbi të). Kur mbërritën tek ajo dhe u ulën, Umu Ejmen filloi të qajë. Ebu Bekri dhe Umeri i thonë: “O Umu Ejmen, përse qan? Ajo që ka përgatitur Allahu për Profetin e Tij, është shumë më e mirë. Ajo u tha: “E di se ajo që ka përgatitur Allahu është më e mirë për Profetin e Tij, por ajo që më bën të qaj është se shpallja u ndërpre nga qielli.” Kur dëgjuan fjalët e saj, edhe ata të dy filluan të qanin.”[15]

Një dashuri kaq të madhe për Profetin (paqja qoftë mbi të), do ta gjejmë edhe tek brezat e mëvonshëm, siç është rasti i Imam Malikut, i cili kur përmendej Profeti (paqja qoftë mbi të) në prezencë të tij, ndryshonte çehre. Një herë miqtë e tij e pyetën për këtë gjë, dhe ai u përgjigj: Nëse ju do të kishit parë atë që unë kam parë, nuk do të ma merrnit për të madhe. Unë kam parë Muhamed ibn El-mundhir, lexues i famshëm i Kuranit dhe mësuesi i Imam Malikut, që kur përmendej në prezencë të tij Profeti (paqja qoftë mbi të), qante aq shumë, saqë ne na vinte keq për të, dhe kjo sepse zemrën e kishte të lidhur me Profetin (paqja qoftë mbi të). Por madhërimi që imam Maliku i bënte Profetit (paqja qoftë mbi të) nuk mbaronte me kaq, ai kishte edhe një mënyrë të veçantë. Kur ai jepte mësimin e haditheve të Profetit (paqja qoftë mbi të), lahej dhe pastrohej, vishte rrobat më të mira dhe ulej në vendin e caktuar ku lexoheshin hadithet e Profetit (paqja qoftë mbi të), dhe një gjë të tillë, nuk e bënte kur jepte mësimin e fikhut.

Po kështu, edhe një tjetër dijetar i hershëm, siç qe Amir ibn Abdullah ibn Zubejr, nipi i djalit të hallës së Profetit (paqja qoftë mbi të), kur i Dërguari i Allahut përmendej në prezencë të tij, qante aq shumë, sa nuk i ngelte më lot për të derdhur.

Kështu pra e donin të parët tanë të mirë të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të), sepse të tillë ishin këta njerëz.

A E DUAM NE PROFETIN (paqja qoftë mbi të) APO JO?

Muslimanët në ditët e sotme nuk po ndjekin të njëjtën rrugë si të parët e tyre dhe nuk po shfaqin ashtu siç duhet dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Ne bëjmë dallim mes dashurisë së tij dhe pasimit, ka njerëz që i japin përparësi vetëm dashurisë dhe lënë mënjanë pasimin, ashtu siç ka edhe të tillë që i japin përparësi pasimit dhe lënë mënjanë dashurinë ndaj tij. Ajo që mund të thuhet në këtë rast, është se nuk mund të ekzistojë një dashuri e vërtetë dhe e sinqertë, nëse kjo nuk shoqërohet me pasim. Nëse vërtet je i sinqertë në dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), atëherë ti duhet ta pasosh dhe ta marrësh për shembull atë, sepse çdo njeri që e do dikë, e shfaq këtë me bindjen ndaj tij, dhe ndjekja e Sunetit të Profetit është fryti i kësaj dashurie.

Nëse me të vërtetë ne e duam me gjithë shpirt Profetin, e nëse lotët që derdhim kur dëgjojmë për të nuk janë lot krokodili, atëherë nuk ka sesi ne të mos jemi pasues të denjë të rrugës së tij, ashtu siç edhe na ka këshilluar Profeti (paqja qoftë mbi të) për këtë: Kapuni mbas tij (Sunetit) me dhëmballë. Ky është krahasim që tregon sesa fort duhet të lidhemi me rrugën e tij, dhe kjo duke lexuar jetën, karakteristikat, cilësitë, virtytet dhe mrekullitë e tij. Vetëm kështu mund ta mbushim zemrën tonë me dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), shenjë e së cilës është pasimi i shembullit të tij. Çdokush prej nesh le të meditojë mbi hadithin profetik të përmendur pak më parë: Njeriu do të jetë me atë që do, dhe le të shohë se me kë do që ai të jetë?!

Ai që do njerëzit e prishur dhe të dalë nga rruga e Zotit, ai do të ngjallet bashkë me ta, ai që do jobesimtarët do të ngjallet bashkë me ta. E ai që do Profetin tonë, Muhamedin (paqja qoftë mbi të), ai do të jetë bashkë me të në Xhenet. Lind pyetja: Për çfarë dashurie po flasim ne?! Ne po flasim për atë dashuri që shfaqën shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) ndaj tij, dhe ata që erdhën mbas tyre dhe jo për ndonjë dashuri tjetër. Ne kemi për qëllim atë dashuri, fryti i së cilës tregohet me pasimin e shembullit të Profetit (paqja qoftë mbi të), mbrojtjen e rrugës së tij, të krenuarit me të, thirrja për në të, e edukimi me virtytet e këtij Profeti. E tillë ishte dashuria e shokëve të Profetit, një dashuri frytdhënëse që në ditët e para të saj, në ato ditë kur shkëlqeu ai diell mbi këtë botë dhe e mbushi atë plotë dritë dhe shkëlqim.

Lindi shpresa e udhëzimit dhe gëzimi përfshiu

Të gjithë luginat dhe shtigjet ngado që ishin

E bija e Uehbit i dhuroi me duar të bardha njerëzimit

……………………………………………….

Në një thënie autentike profetike, tregohet se Profeti (paqja qoftë mbi të) bëri një vizitë në varreza dhe pasi iu dha selam të vdekurve, tha: Do të dëshiroja të takoja vëllezërit e mi. Dhe shokët i thanë: A nuk jemi ne vëllezërit e tu? Ai tha: Ju jeni bashkëshoqëruesit e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë ata, të cilët më besuan pa më parë.[16]

Po ashtu, Ebu Hurejra përcjell tek ne, se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) kur bëri njëherë vizitë në varreza tha: Paqja qoftë mbi ju, o banorët besimtarë të këtij vendi. Dhe ne, me caktimin e Zotit, kemi për tu ardhur pas. Sa do të kisha dëshiruar të shikoja vëllezërit tanë! A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguari i Allahut? –i thanë shokët e tij. E ai u tha: Ju jeni bashkëshoqëruesit e mi, ndërsa vëllezërit tanë akoma nuk kanë ardhur. Shokët i thanë: Si do t’i njohësh pjesëtarët e Umetit tënd, o i Dërguari i Allahut, kur ata ende nuk kanë ardhur?! Dhe ai iu tha: Nëse një njeri ka një kalë balash mes një tufe me kuaj të zinj, a do njihte ai kalin e tij? Ata i thanë: Posi jo o i Dërguari i Allahut! Dhe ai u tha: Besimtarët do të vijnë (ditën e gjykimit) me gjymtyrë të bardha si shkak i abdesit, dhe unë do të jem para tyre tek baseni i madh (haudi). Disa prej njerëzve do të zbohen nga baseni im, ashtu siç zbohet deveja pa zot dhe unë do tu thërras: Ejani! Afrohuni! Por do të thuhet: Ata ndryshuan pasi ti nuk ishe më dhe unë do të them: Larg, larg meje![17]

Dhe kështu nëse ne jemi të sinqertë me fenë tonë dhe në dashurinë ndaj Profetit dhe pasojmë Sunetin e tij, ne do të jemi në radhën e vëllezërve të tij.

O Zot, mbushi zemrat tona me dashurinë për Ty dhe dashurinë për Profetin Tënd! O Zot, na bëj ne ta duam të Dërguarin tënd më shumë se fëmijët tanë, të afërmit tanë, pasurinë tonë dhe mbarë njerëzit, për hir të mëshirës Tënde, na e prano lutjen, o Mëshiruesi më i Madh.

PSE E DUAM PROFETIN (paqja qoftë mbi të)

Këtu po shtroj një pyetje, e cila mund tu shkojë nëpër mend disa njerëzve, të cilët ndoshta nuk e kanë kuptuar domethënien e faqeve të mëparshme të këtij libri. Kjo pyetje është: Pse ne e duam Profetin (paqja qoftë mbi të)?

Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta gjeni në mënyrë të përmbledhur në faqet që shkuan, por megjithatë, unë do të mundohem që në këto rreshta, ta shpreh më qartë dhe më shkurt atë.

Ne e duam Profetin (paqja qoftë mbi të) për një sërë arsyesh dhe disa nga këto arsye janë:

1- Ne e duam Profetin (paqja qoftë mbi të) sepse dashuria për të është një shfaqje e dashurisë për Allahun e Madhëruar. Dashuria për Allahun është themeli i dashurisë në fe. Allahu vetëduhet sepse Ai është Zoti, është Qenia e Përsosur Supreme. Çdo dashuri që ka të bëjë me fenë, është në vartësi të dashurisë së Allahut, siç është dashuria ndaj profetëve, engjëjve, njerëzve të mirë dhe veprave e moraleve të mira gjithashtu, të cilat Allahu i do dhe i pëlqen. Të gjitha këto dashuri janë të lidhura pas dashurisë për Allahun. Profetin (paqja qoftë mbi të) ne e duam për hir të Allahut dhe po ashtu, ne i bindemi urdhëresave të tij, po për hir të Allahut. ”Thuaj: Nëse e doni Allahun, më pasoni mua që Allahu tu dojë juve”.[18] Dashuria ndaj Allahut nuk mund të ndahet nga dashuria për Profetin e Tij, dhe dashuria ndaj Profetit, nuk mund të ekzistojë pa ndjekur rrugën dhe fenë e tij. Sa më shumë të ndjekë besimtari rrugën dhe ligjin e Profetit, aq më shumë shtohet edhe dashuria e tij për të, e aq më shumë ai e do Allahun e Madhëruar.

2- Ne e duam Profetin tonë, sepse Allahu e donte atë dhe e pati zgjedhur dhe nderuar në mes tërë krijesave të Tij. Zoti e zgjodhi atë për të qenë i Dërguari i Tij dhe e bëri atë vulën e profetëve dhe më të zgjedhurin e krijesave. Uathile ibn El-eska tregon se e ka dëgjuar Profetin (paqja qoftë mbi të) të thotë: Allahu zgjodhi Kinanen ndërmjet bijve të Ismailit, zgjodhi Kurejshët mes bijve të Kinanes, mes Kurejshëve zgjodhi Hashimitët dhe nga Hashimitët më zgjodhi mua.[19] Po ashtu, Ebu Hurejra na tregon se i Dërguari i Allahut pati thënë: Unë jam zotëria i bijve të Ademit Ditën e Kijametit, i pari njeri që do të ngrihet nga varri, i pari që do të ndërmjetësojë dhe i pari që do t’i jepet leje për ndërmjetësim.[20] Ebu Hurejra transmeton gjithashtu, se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur Allahu e do një njeri thërret Xhibrilin dhe i thotë: Allahu e do filanin, prandaj duaje atë, e Xhibrili e do atë dhe thërret mes banorëve të qiellit: Allahu e do filanin, ndaj duajeni atë, dhe banorët e qiellit e duan atë, e më pas ai bëhet i pranuar mes banorëve të tokës.[21] Ibn Haxher duke komentuar këtë hadith thotë: Qëllimi me fjalën pranim në këtë hadith, është pranimi i dashurisë nga ana e zemrës për këtë njeri, simpatia dhe pëlqimi i tij. Nga ky hadith kuptohet se dashuria që kanë njerëzit në zemra për dikë është një shenjë për dashurinë e Allahut ndaj tij.[22] Nëse kjo është një veçori për të gjithë të bindurit e Zotit, pa dyshim se më parësor për këtë dashuri dhe këtë pranim, është krijesa më e mirë, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të). Realiteti tregon se një fenomen i tillë është shfaqur për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (paqja qoftë mbi të) shumë herë më fuqishëm se për çdokënd tjetër. Bota nuk ka njohur ndonjëherë një njeri, për të cilin zemrat do të drithëroheshin kaq shumë dhe do të sakrifikonin për hir të dashurisë ndaj tij, çdo gjë të shtrenjtë që kishin. Ky është pra, i Dërguari i Allahut, ndaj të cilit edhe armiqtë e tij më të ashpër treguan respekt dhe u mahnitën me të. I Dërguari i Allahut e meriton të duhet, sepse Allahu e donte atë dhe e përzgjodhi mes gjithë krijesave të Tij, për t’i dhuruar këtë mirësi të madhe, mirësinë e profetësisë.

3- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për butësinë dhe mëshirën e madhe që ai pati me Umetin e tij. Ai ishte me të vërtetë një njeri që kujdesej së tepërmi që njerëzit të vinin në rrugën e drejtë të Zotit dhe mundohej me gjithçka për t’i shpëtuar ata nga humbja dhe shkatërrimi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar nga vetë ju. Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim e vështirësi. Ai është i merakosur dhe i dëshiruar për ju (që të jeni të udhëzuar) dhe për besimtarët ai është që ndjen shumë, mëshirues.[23] Dhe përsëri Allahu i Madhëruar thotë: Mbase ti (O Muhamed) do ta mbytësh veten me pikëllim pse ata nuk bëhen besimtarë.[24] Dhe thotë: Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhamed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë botët.[25] Abdullah ibn Amr ibn El-as thotë: Një herë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) po lexonte fjalën e Allahut ku përmendet lutja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të) për popullin e tij: O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë gabuar e humbur shumë nga njerëzit. Por kushdo që më ndjek mua, vërtet që ai është prej meje dhe kushdo që nuk më bindet e nuk më ndjek mua (rrugën time), atëherë Ti je vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.[26] Lexoi edhe fjalën e Allahut, ku përmendet lutja e Isait (paqja qoftë mbi të) për popullin e tij: Në qoftë se Ti i ndëshkon ata, ata janë robërit e Tu, dhe nëse Ti i fal, vërtet që Ti, Vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”[27] Dhe pas kësaj Profeti (paqja qoftë mbi të) filloi të qante me ngashërim, ngriti duart e tij drejt qiellit dhe tha: O Zot, popullin tim! O Zot popullin tim! Dhe dyert e qiellit u hapën nga lutja e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të). Allahu i Lartësuar i thotë Xhibrilit: Shko tek Muhamedi, dhe Zoti yt e di më mirë se çka, dhe pyete! Xhibrili shkoi dhe e pyeti se çfarë kishte, dhe pasi Profeti (paqja qoftë mbi të) i tregoi, Allahu i tha Xhibrilit: O Xhibril, shko tek Muhamedi dhe thuaj: Ne do të bëjmë të gëzohesh për Umetin tënd dhe nuk do të trishtojmë.[28] Pas kësaj, Profeti (paqja qoftë mbi të) e ndërpreu të qarën.

A e shikon pra, o vëlla musliman se si i Dërguari i Allahut prekej dhe qante edhe për të mirën tënde dhe të gjithë njerëzimit. Ai lutej për mua, për ty dhe për të gjithë njerëzit, por a po e ndjekim ne rrugën e tij?! A e kemi vlerësuar siç duhet fenë e tij?! Apo mos vallë ne tallemi me rrugën dhe Sunnetin e tij të bekuar?! Sa keq, e mira konsiderohet si e keqe dhe e keqja si e mirë!

Abdullah ibn Zejd tregon: Kur Allahu i dha fitoren të Dërguarit të Tij në ditën e Hunejnit, ai filloi t’u dhuronte nga plaçka e luftës, atyre njerëzve që ishin të rinj në Islam, ndërkohë që medinasve nuk u dha gjë. Një pakënaqësi ndoshta u krijua mes tyre për shkak të kësaj gjëje, e atëherë Profeti (paqja qoftë mbi të) u foli atyre dhe u tha: O ju Ensarë! A nuk ju gjeta të humbur dhe Allahu ju drejtoi nëpërmjet meje? A nuk ishit të përçarë dhe Allahu ju bashkoi nëpërmjet meje? A nuk ishit të varfër dhe Allahu ju pasuroi nëpërmjet meje? Dhe sa herë që Profeti u përmendte ndonjë gjë, ata thonin: Allahut dhe të Dërguarit të Tij i takon merita. Profeti (paqja qoftë mbi të) u tha: Nëse do të kishit dëshiruar, do të thoshit se erdhe tek ne kështu e ashtu (dhe ne të dhamë këtë e atë).[29] A nuk do të dëshironit që njerëzit të merrnin delet dhe devetë, dhe ju të ktheheshit bashkë me Profetin në shtëpitë tuaja? Sikur të mos kish qenë Hixhreti (emigrimi) do të kisha dëshiruar të isha medinas, nëse njerëzit do të marrin një rrugë të caktuar dhe medinasit një rrugë tjetër, unë do të isha me medinasit. Medinasit për mua janë të afërm dhe njerëzit e tjerë të largët. Ju pas meje do të ndesheni me njerëz që i japin përparësi vetvetes dhe lënë mënjanë të tjerët, por bëni durim, derisa të më takoni pranë basenit![30]

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) tha: Çdo profet e ka një lutje të pranuar, dhe të gjithë profetët nxituan ta bënin lutjen e pranuar të tyre, ndërsa unë e kam ruajtur këtë lutje për të ndërmjetësuar Umetin tim, Ditën e Kijametit. Ajo lutje do të përfshijë, me lejen e Allahut, të gjithë ata që prej Umetit tim kanë vdekur duke mos i bërë ortak Allahut në asgjë.[31]

Tekstet ku tregohet butësia, mëshira dhe dashamirësia e Profetit (paqja qoftë mbi të) për Umetin e tij janë të shumta. Ai gjithmonë brengosej për popullin e tij që ata të ishin në rrugë të drejtë, në rrugën e besimit. A nuk e meriton vallë një njeri i tillë që të duhet dhe të admirohet nga mbarë njerëzimi?!

4- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për përkushtimin që ai ka treguar në këshillimin e Umetit të tij dhe dashamirësinë që ai ka shfaqur në çdo moment për këtë Umet.

Për çdo gjë të mirë në këtë botë që u vlen muslimanëve, madje dhe të gjithë njerëzve, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) ka nxituar të na këshillojë që ta punojmë atë, ashtu si edhe për çdo gjë të keqe në këtë botë për muslimanët dhe për tërë njerëzimin, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) na ka këshilluar të largohemi dhe na ka paralajmëruar për rrezikun që vjen prej kësaj të keqeje. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) nuk ka vdekur pa e plotësuar misionin e tij. Allahu i Madhëruar nëpërmjet tij plotësoi mirësinë e Tij ndaj njerëzve dhe e përsosi këtë fe, ku çdo gjë në të është e qartë si vetë drita e diellit dhe vetëm një i humbur mund të devijojë nga rruga e drejtë e saj.

Njeriu në mënyrë të natyrshme e do dikë, i cili shqetësohet dhe përkujdeset për të, qoftë edhe një herë a dy herë, ndërsa nëse do të trajtojmë jetën e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të) do të shohim se e tërë jeta e tij ishte e mbushur me dashamirësi dhe përkujdesje për Umetin e tij. Ai përpiqej me të gjitha forcat që tu mësonte njerëzve të mirën, t’i edukonte ata, t’i pajiste me moral të lartë dhe t’i ftonte në rrugën e Allahut pa përtesë, që e ardhmja e kësaj bote t’i përkiste fesë së Zotit të Lartësuar. Ishte ky njeri, ai i cili me ndihmën e Zotit i udhëzoi njerëzit në shtegun e drejtë, pasi jetonin në injorancën para islame dhe në një humbje të qartë. E nëse mëshira e Allahut nuk do t’i kishte përfshirë njerëzit me misionin e Muhamedit (paqja qoftë mbi të), ata do të kishin jetuar në detin e errësirave dhe kushedi se ku do ti kishin hedhur dallgët, pa mundur dot të gjenin bregun e duhur.

Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai çoi ndër ta një të Dërguar nga mesi i tyre, duke iu lexuar atyre Vargjet e Tij (Kur’anin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre) dhe duke u këshilluar atyre Librin dhe urtësinë, edhe pse para kësaj ata kanë qenë në gabim të qartë.[32]

Këtu qëndron edhe mirësia e madhe e dërgimit të këtij Profeti, vlerën e së cilës nuk është në gjendje ta përcaktojë askush, përveç atij që e ka jetuar edhe kohën e injorancës edhe të Islamit, një njeri, i cili i pa të gjitha të këqijat e kohës së injorancës para islame dhe më pas pa edhe mirësitë dhe ngritjen që solli Islami. Ai pra që njeh dallimin ndërmjet Islamit dhe Injorancës, ndërmjet rrugës së drejtë dhe mosbesimit, ai di edhe të vlerësojë madhështinë e kësaj mirësie, mirësi që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër në botë, ndaj dhe me të drejtë, një njeri i tillë do ta donte me gjithë shpirt Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe para dashurisë së tyre, nuk do të vinte askënd. Kjo ishte edhe arsyeja pse shokët e Profetit, ishin njerëzit që e donin më tepër të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të). Ata jetuan injorancën para islame dhe e panë më sy atë, dhe kur erdhi Islami, bënë dallimin ndërmjet dritës dhe errësirës dhe kështu u kapën fort pas Islamit dhe ndërkohë iu shtohej dashuria dita-ditës për këtë Profet të madh të Allahut (paqja qoftë mbi të).

Njeriu në mënyrë të natyrshme i do prindërit e tij, sepse ata janë shkaku që ai erdhi në jetë dhe sepse ata përkujdesen për të, derisa ai vetë të mund të ecë në jetë. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) meriton të duhet më tepër, sepse ai është bërë shkak që njeriu të përfitojë ashtu siç duhet nga kjo jetë, në të gjitha fushat. Nëse njerëzit nuk do të ndiqnin fenë e tij, sigurisht që ata do të ishin në një humbje të qartë, ngjashëm me kohën e injorancës para islame, gjë të cilën mund ta shohim edhe sot.

5- Ne e duam Profetin tonë (paqja qoftë mbi të) për virtytet e bukura dhe moralin e lartë që Allahu i pati dhuruar, cilësi të cilat zor se mund të mblidhen të gjitha tek një njeri i vetëm, siç u bashkuan pikërisht tek ky njeri. Sikur mrekullitë e këtij Profeti të kufizoheshin vetëm tek virtytet dhe morali i tij, pa dyshim ato do të kishin mjaftuar si argument për vërtetësinë e profetësisë së tij dhe lartësinë e mësimeve të tij. Çdokush që lexon jetën dhe veprën e tij, do të shohë sesi Profeti (paqja qoftë mbi të) në të gjitha virtytet e mira, qëndronte më lart se të tjerët, ashtu siç e përshkruan edhe Allahu kur thotë: Dhe vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.[33]

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ishte njeriu më i moralshëm, më zemërgjeri, më i sinqerti, më bujari, më besëmbajtësi, pranë çdo të mire dhe larg çdo të keqeje, nuk fliste vetëm se të vërtetën dhe kur premtonte vetëm se e mbante atë, ishte bujar me pasurinë e tij, askujt nuk i tha jo, por u jepte njerëzve aq shumë, sikur të mos ia kishte nevojën pasurisë. Ishte trim dhe guximtar, miqtë e tij i kërkonin ndihmë në momente të vështira, i durueshëm, për hir të Allahut përballonte çdo vështirësi, vetëpërmbajtjen e kishte më të fuqishme sesa zemërimin, ai falte edhe kur të kishte në dorë, gjithmonë përgëzues, i lehtë në marrëdhënie me njerëzit, i mëshirshëm, i dashur, i butë, as i ashpër e as i vrazhdë, as njeri që bërtet dhe as njeri që e ndyn gojën… Allahu i pati dhuruar përsosmëri në moral dhe në trup, në fjalë dhe në vepra, e pati zbukuruar me urtësi dhe qetësi dhe kështu që u bë pronar i zemrave të njerëzve që e duan, i binden dhe sakrifikojnë gjithçka për të. Është më se normale që njerëzit ta duan me gjithë zemër një njeri me cilësi të tilla, sa herë e më shumë që njerëzit do të thellohen në jetën e tij, aq më tepër ata do të zbulojnë anët e mrekullueshme të moralit të këtij Profeti dhe do ta duan atë edhe më tepër. Kjo është edhe arsyeja pse shokët e Profetit ishin njerëzit që e donin atë më tepër se çdo pjesëtar i këtij Umeti, e si jo, kur ishin ata që panë me sytë e tyre këtë njeri kaq të madh.

Krijesa më e mirë e Zotit në moral dhe në trup ishte ai

Dhe më i dobishmi për njerëzit në rast nevoje

Krijesa më bujare që merrte dhe jepte ishte ai

Dhe më dorëlëshuari ndaj çdo kërkimtari

Më i madhi njeri që drejt lartësive synonte

Drejt madhështisë dhe lartësisë modest ai ngrihej

Edhe kalorësit më trima pas shpinës së tij fshiheshin

Kur lufta merrte flakë dhe shpatat vringëllinin

SI TA DUAM MË SHUMË PROFETIN (paqja qoftë mbi të)?

Siç u sqarua edhe më parë, dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është e lidhur ngushtë me besimin, sa më shumë të shtohet dashuria ndaj tij, aq më tepër do të shtohet edhe besimi i njeriut dhe sa më e vogël të bëhet dashuria për Profetin, aq më shumë do të zvogëlohet edhe besimi i njeriut. Nëse është kështu, si mund ta shtojmë ne dashurinë për Profetin (paqja qoftë mbi të) dhe bashkë me të edhe besimin tek Allahu i Madhëruar?

1-Një nga gjërat që shton dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është leximi i jetës, moralit, cilësive dhe virtyteve të tij, të jetuarit me to. Njohja e veprimtarisë së Profetit në kohë paqeje dhe lufte, në familje dhe me gratë e tij, me miqtë dhe pasuesit e tij. Të studiohet me vëmendje çdo aspekt i jetës së Profetit (paqja qoftë mbi të), për të parë më mirë virtytet e karakterit të tij, për të parë moralin dhe cilësitë e tij të larta, për të nxjerrë mësime praktike në jetën tonë të përditshme. Dhe nuk duhet lënë pa përmendur se sa më shumë të njihemi me jetën e Profetit (paqja qoftë mbi të), aq më shumë do të na lidhet zemra me të dhe aq më shumë do ta duam atë.

2-Një tjetër gjë, e cila e shton dashurinë tonë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është njohja e pozitës së Profetit (paqja qoftë mbi të) tek Zoti, pozitën e tij në mes profetëve dhe të dërguarve të tjerë të Zotit. Padyshim që ai është më i vlerësuari ndër të gjithë të dërguarit e Allahut, është zotëria i bijve të Ademit, njeriu më i dashur i Zotit, ai është miku i të Gjithëmëshirshmit. Ai me të vërtetë ishte një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i ka dhuruar Umetit tonë në veçanti dhe mbarë njerëzimit në përgjithësi. Ai erdhi për të nxjerrë njerëzimin nga errësirat e injorancës, padrejtësisë dhe humbjes, në dritën e monoteizmit, drejtësisë dhe udhëzimit. Erdhi për të ringjallur edhe njëherë trupat dhe zemrat me dritën e besimit dhe të sigurisë, pasi ishin zhytur në errësirat e blasfemisë, epshit dhe amoralitetit. Erdhi për t’i sjellë lumturinë këtij njerëzimi, me fenë e tij, në këtë botë dhe në tjetrën. Shkak për çdo mbarësi dhe të mirë që iu vjen njerëzve dhe çdo sprovë e telash që ndodh në këtë botë, është vetëm se ecja ose jo, në gjurmët e këtij njeriu, ndjekja ose jo, e fesë dhe udhëzimit të tij.

Allahu i Lartësuar thotë: O ju që keni besuar! Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ai (Muhamedi) iu thërret ju drejt asaj që do t’ju japë juve jetë dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Dhe vërtet tek Ai ju të gjithë do të mblidheni.[34]

Siç ju kemi dërguar një Profet nga mesi juaj, t’iu lexojë ajetet tona dhe t’iu pastrojë e t’iu mësojë Librin dhe urtësinë, dhe t’iu mësojë atë çka nuk e keni ditur.[35]

Vërtet që ju ka ardhur nga Allahu një Dritë (Profeti (paqja qoftë mbi të)) dhe një Libër i qartë (Kur’ani). Me anë të të cilit Allahu udhëheq të gjithë ata, të cilët kërkojnë Kënaqësinë e Tij drejt rrugëve të paqes dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij dhe i udhëzon në Rrugën e Drejtë (Islami).[36]

3-Një tjetër element, i cili shton dashurinë tonë për Profetin (paqja qoftë mbi të) është edhe studimi dhe zbatimi i fesë dhe rrugës së tij. Për këtë gjë, duhet që me rigorozitet të verifikohen thëniet dhe veprimet e tij, në mënyrë që edhe pasimi i tij të jetë i ngritur mbi fakte të qarta dhe jo thjesht pretendime apo aludime.

Nëse një besimtar zbaton diçka të tillë, ai duket si ndonjë nga shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të), i cili jeton çdo moment pranë tij, pranë fjalëve dhe këshillave të tij, sikur ta shikonte dhe dëgjonte vetë të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të). Pa dyshim, se diçka e tillë e thellon dashurinë dhe admirimin për Profetin (paqja qoftë mbi të), ndaj dhe njerëzit që më shumë e donin dhe e duan Profetin pas shokëve të tij, janë pikërisht ata që pasuan dhe pasojnë Sunetin e tij, ata që gjurmojnë, mësojnë, praktikojnë dhe transmetojnë thëniet dhe veprat e tij. Është më se e natyrshme që njerëzve të tillë iu takon të ishin dhe të jenë ata, që më tepër se kushdo tjetër e donin dhe e duan Profetin (paqja qoftë mbi të).

4- Një tjetër gjë e cila shton dashurinë tonë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), është edhe shtimi i salavateve për të, kohë pas kohe dhe veçanërisht kur përmendet emri i tij. Allahu i Madhëruar thotë: Allahu dërgon Salat-in (Mirësitë, Nderimet, Bekimet, Mëshirën) e Tij mbi Profetin, edhe engjëjt e Tij gjithashtu (i luten Allahut për bekimin dhe faljen e tij). O ju që keni besuar! Dërgoni Salat (luteni Allahun të bekojë) mbi të dhe përshëndeteni atë me nderim me përshëndetjen Islame.[37]

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Çdokush që bën një herë salavat për mua, Allahu ka për t’ia kthyer atij dhjetëfish.[38]

Allahu e shpërbleftë Muhamedin me çdo të mirë

Sepse ishte i udhëzuar dhe udhëzues në të mirë

I Dërguari i Allahut ishte i përshpirtshëm dhe i mëshirshëm

Dhe dritë vezulluese që nga Allahu erdhi

I Dërguari i Allahut urdhëronte për të mira

Dhe nga e keqja dhe e shëmtuara ndalonte

I Dërguari i Allahut mbante gjithmonë drejtësi

Dhe një kujdestar i mirë i Zotit për popullin e tij ai ishte

ALLAHU DO TË TË MBROJË TY NGA NJERËZIT

Islami dhe thirrja e tij, ndonëse në kushte të vështira, siç është edhe gjendja e muslimanëve sot, ka arritur të triumfojë me thirrjen e tij në masat e gjera të njerëzve. Ndonëse jetojmë në kushte aspak të favorshme për Islamin dhe muslimanët, ku kjo fe sulmohet dhe për të, shpifet çdo ditë nga të katër anët, shikon individë dhe grupe njerëzish që hyjnë njëri pas tjetrit në fenë e Zotit, çka tregon më së miri se Islami është feja e vërtetë e Zotit, feja e Allahut, së cilës: “Nuk hyn gënjeshtra në të, as nga para, as nga prapa, ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.[39]

Natyrisht që një fakt i tillë do të shkaktojë smirë në zemrat e shumë prej kryqtarëve dhe sionistëve armiqësorë, çka i shtyn të pyesin: Si mund të gjejë përhapje kjo fe, ndonëse ndodhet në një situatë të tillë?!

Përgjigjja jonë për këtë do të ishte se ky fakt tregon më së miri madhështinë e kësaj feje, forcën dhe ndikimin e saj tek njerëzit. S’ka se si të jetë ndryshe, Islami është feja e Allahut, e Allahu është Zoti që na krijoi, është Ai, në dorën e të Cilit janë zemrat e njerëzve.

Smira është sëmundje e pashërueshme e këtyre njerëzve, gjithmonë armiqësorë ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe kjo smirë e tyre arrin deri atje, sa të fyejnë fisnikun e mbarë njerëzimit, të dashurin e Zotit të botëve e më të mirin e bijve të Ademit.

Këto janë absurditetet e kësaj epoke, ku është shpërfytyruar natyra njerëzore deri në atë pikë, sa të tallen me njeriun më të përsosur, për të cilin Zoti i Madhëruar ka thënë: Dhe vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.[40]

Zoti i universit e ka lavdëruar atë në librin e Tij duke thënë: Ai që i beson dhe i bindet të Dërguarit, vërtet ai i ka besuar dhe i është bindur edhe Allahut.[41]

Sigurisht se ata që të japin besën ty (O Muhamed), ata po ia japin besën Allahut.[42]

Dhe me të vërtetë që Zoti yt do të të dhurojë ty (gjithë të mirat) që ti të jesh më se i kënaqur.[43]

A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd (O Muhamed)? Dhe e hoqëm prej teje barrën, E cila rëndonte shpinën tënde. Dhe a nuk e ngritëm Ne lart famën dhe emrin tënd?[44]

Allahu e pati urdhëruar këtë Profet të madh që të ftonte njerëzit për tek Zoti dhe mori përsipër që vetë të kujdesej për ruajtjen dhe mbrojtjen e tij.

O i Dërguar! Shpalle atë (Mesazhin), i cili të është zbritur ty nga Zoti yt dhe nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke shpallur Mesazhin e Tij. Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit.[45]

Pa dyshim që thirrja për në fenë e Allahut do të ketë vështirësitë e veta, madje edhe sakrifica për shkak të armiqve të fesë, ndaj sprovat janë të pashmangshme, për këtë arsye edhe Allahu i thotë: Shpalle dhe më pas thotë: Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit”, çka do të thotë se do të përplasesh me pengesa dhe ngacmime, por Allahu i Madhëruar është pranë teje, do të të mbrojë nga armiqtë e tu dhe do të të japë fitoren.

DISA ASPEKTE KU SHFAQET MBROJTJA E ALLAHUT NDAJ PROFETIT

Kushdo që lexon jetën e Profetit (paqja qoftë mbi të), do të ndeshet shpesh me mbrojtjen që Allahu i jepte të Dërguarit të Tij, dhe këtu mund të përmendim disa shembuj të shkurtër:

Imam Muslimi transmeton në librin e tij, se Ebu Hurejra ka thënë: Ebu Xhehli tha: A nuk zhgërryet në dhe, para jush Muhamedi? A nuk bie përmbys ai para syve tuaj? Dhe kurejshët iu përgjigjën: Po. Ebu Xhehli tha: E mallkoftë Allahu! Për Latin dhe Uzanë, nëse do ta shoh duke bërë një gjë të tillë përsëri, do ta shkel me këmbë dhe do t’ia përdhos fytyrën në dhe! Ebu Hurejra tregon dhe thotë: Kur e pa Profetin (paqja qoftë mbi të) duke u falur, mendoi se mund ta realizonte angazhimin e tij për ta shkelur me këmbë, por kurejshët kur e panë, u habitën. Ata vunë re se Ebu Xhehli po ecte mbrapsht dhe po mbrohej me duar! Kur e pyetën se ç’të ndodhi, u përgjigj: Ndërmjet meje dhe tij u hap një hendek i zjarrtë dhe pashë krahë, e u tmerrova jashtë mase. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) tha: Nëse do të më ishte afruar edhe më shumë, engjëjt do ta kishin bërë copë-copë.[46]

Ky është pra, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), të cilin Zoti e mbrojti në çdo moment të jetës dhe i rezervoi atij, ruajtjen e Tij.

Allahu i Madhëruar thotë: (Kujto) edhe kur mosbesimtarët thurën komplot kundër teje (O Muhamed) për të të mbajtur ty në pranga, për të të vrarë ose për të të përzënë nga shtëpia jote (Meka); ata po kurdisnin plan, por edhe Allahu po thurte plan dhe (padyshim që) Allahu është më i Miri i planifikuesve.[47] Ku janë kurthet dhe intrigat e tyre para Allahut të Madhëruar?!

Komentuesit e Kuranit në librat e tyre, përmendin se paria e jobesimtarëve ishin mbledhur në Mekë në shtëpinë e quajtur Dar Nedua[48] dhe bashkë me ta, ishte edhe Ebu Xhehli, por edhe shejtani i mallkuar prezantoi ndërkohë që ata diskutonin se çfarë do të bënin me Muhamedin (paqja qoftë mbi të). A do ta vrisnin, burgosnin apo përzinin jashtë Mekës? Dhe Iblisi u thotë atyre: Merrni nga çdo fis një djalë të ri dhe të fuqishëm dhe ta godasin atë të gjithë njëherësh. Në këtë mënyrë, gjaku i tij do të bjerë mbi të gjitha fiset dhe fisi i tij, nuk do të mund të hakmerret dot. Jobesimtarët e pranuan këtë ide dhe më shumë se njëqind të rinj, u grumbulluan rreth shtëpisë së Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe filluan të pëshpëritnin duke folur sesi do ta vrisnin atë. Dhe Profetit i erdhi lajmi nga sipër shtatë qiejve! Ai doli nga shtëpia e tij dhe në vendin e vet vendosi Ali ibn Ebi Talibin. Profeti (paqja qoftë mbi të) doli nga shtëpia dhe recitonte fjalën e Allahut: Dhe Ne kemi vënë një pengesë të pakalueshme përpara tyre, edhe mbrapa një pengesë të pakalueshme, dhe i kemi mbuluar nga lart, kështu që ata nuk mund të shohin.[49]

Dhe ata i zuri gjumi nëpër vendet e tyre, Profeti kaloi pranë tyre duke u hedhur secilit dhe mbi kokë, dhe më pas vazhdoi rrugën. Më pas një njeri erdhi tek ata dhe iu tha: Çfarë po bëni këtu? Po presim Muhamedin, iu përgjigjën. Ai u tha: Muhamedi ka dalë dhe u ka hedhur edhe dhe mbi kokë! Ata u ngritën dhe me të shpejtë u futën në shtëpinë e Profetit, zbuluan shtratin dhe panë se aty gjendej Ali ibn Ebi Talib, atëherë e kuptuan se ai u kishte shpëtuar, e Allahu ishte Ai që e shpëtoi atë. Por ata nuk hoqën dorë, dhe u vunë në ndjekje për të gjetur gjurmët se nga shkoi Profeti (paqja qoftë mbi të), derisa arritën tek gryka e asaj shpelle të zbuluar, ku askush nuk mund të fshihet pa u parë, veç atij që do Allahu ta fshehë. Kur arritën atje, Allahu kish bërë që merimanga të thurte mbi grykën e asaj guve, rrjetën e saj, ashtu si dhe dy pëllumba kishin ngritur folenë dhe kishin lëshuar vezët në të, por edhe engjëjt me krahët e tyre i kishin zënë grykën hyrjes dhe askush nga ata që e ndiqnin Profetin nuk e pa atë.[50] Ata flisnin dhe Profeti (paqja qoftë mbi të) i dëgjonte. Ebu Bekri i thotë: O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, nëse ndonjëri prej tyre do të ulë shikimin, do të na shohë, dhe Profeti (paqja qoftë mbi të) i tha: O Ebu Bekër! Çmendon ti për dy persona, ku Allahu është i treti i tyre?! “Mos u mërzit. Sigurisht që Allahu është me ne.” Dhe Allahu i shpalli Profetit: Në qoftë se ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin), (është njëlloj) pasi është Allahu që vërtet e ndihmoi atë, kur e dëbuan mohuesit, vet të dytin dhe kur ata të dy ishin në shpellë dhe ai (Profeti) i tha shokut të tij (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit. Sigurisht që Allahu është me ne.” Pastaj Allahu dërgoi qetësinë e Tij mbi të dhe i dha forcë atij (me engjëj), të cilët ju nuk i patë, dhe e bëri fjalën e mosbesimtarëve më të poshtëruarën, ndërsa ishte Fjala e Allahut që është më e Lartësuara dhe Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.[51]

Ibn Is’haku tregon se Umu Xhemile, gruaja e Ebu Lehebit, ajo e cila mbante ferra për t’i hedhur para shtëpisë së Profetit, kur mësoi se ç’ishte shpallur për të dhe burrin e saj, erdhi tek i Dërguari i Allahut, ndërkohë që ai po qëndronte bashkë me Ebu Bekrin pranë Qabes. Në dorë mbante një gur sa dora dhe kur u afrua pranë Profetit (paqja qoftë mbi të), Allahu bëri që ajo të mos e shihte atë, por vetëm Ebu Bekrin dhe i tha: O Ebu Bekër! Ku është ai shoku yt? Më kanë informuar se ai po më fyen me vargje. Pasha Allahun, nëse do ta shoh, do ta godas me këtë gur mu në gojë! Pasha Allahun, unë jam një poete, dhe filloi të thoshte:

Medhemes[52] nuk i bindemi

Dhe atë nuk e pasojmë

E fenë e tij ne e urrejmë.

Më pas ajo u largua dhe Ebu Bekri i thotë Profetit: O i Dërguari i Allahut, a nuk të shikonte ajo ty? Dhe ai i përgjigjet: Jo, nuk më pa, Allahu bëri që ajo të mos më shohë.

Ibn Is’haku tregon se kurejshët e quanin Profetin (paqja qoftë mbi të) Medheme, dhe Profeti thoshte: A nuk habiteni se si Allahu m’i largon ngacmimet e kurejshëve, ata shajnë dhe sulmojnë me vargje Medhemen, ndërsa unë quhem Muhamed.[53]

Xhabiri tregon: Kur ne udhëtonim dhe ndalonim nën hijen e ndonjë peme, hijen e linim për të Dërguarin e Allahut dhe kur njëherë ne qëndruam në vendin e quajtur Dhati Rika, Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) u vendos nën hijen e një peme dhe shpatën e vari në degët e saj. Një njeri prej idhujtarëve erdhi dhe ia mori shpatën dhe pasi e zhveshi atë, i tha Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të): A më ke frikë? Ai iu përgjigj: Jo. Dhe idhujtari i tha: E kush të mbron ty prej meje?! Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) i tha: Allahu është Ai që më mbron mua prej teje, ule shpatën! Dhe idhujtari e uli atë.[54]

Xhabiri përsëri tregon se një njeri nga fisi Beni Muharib, që quhej Gureth, u kishte thënë fiseve Gatafan dhe Muharib: A ta vras Muhamedin për ju? Ata i thanë: Posi jo, por si do ta vrasësh atë? Ai u tha: Do ta zë në pabesi. Kur njëherë Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) po qëndronte ulur dhe shpatën e tij po e mbante në prehër, Gurethi iu afrua dhe i tha: O Muhamed, a ta shoh pak shpatën tënde? Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) iu përgjigj: Po. Ai e mori dhe pasi e nxori nga milli, filloi ta tundte dhe ta drejtonte para Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), por Allahu bëri që shpata të kthehej mbrapsht. Më pas, Gurethi i tha Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të): O Muhamed, a nuk më ke frikë? Jo, e pse të kem frikë prej teje?-u përgjigj Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të). A nuk më ke frikë, ndërkohë që unë kam shpatën në dorë? Dhe ai i tha: Jo, Allahu më mbron mua prej teje. Dhe Gurethi ia kthen shpatën Profetit. Dhe Allahu i Madhëruar shpalli: O ju që keni besuar! Kujtoni Përkujtimin e Allahut mbi ju, kur disa njerëz donin t’i zgjasin duart e tyre kundër jush, por Allahu i zmbrapsi duart e tyre prej jush. Kështu pra, kini frikë Allahun dhe vetëm tek Allahu le të vënë gjithë shpresat besimtarët.[55]

Ky është Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), të cilin disa jomuslimanë e cilësojnë si terrorist, intolerant dhe të pamëshirshëm. Ky është Profeti fisnik, i cili edhe njerëzve, të cilët e përzunë nga vendi i tij, e shanë dhe i shkaktuan vuajtje kur doli triumfues mbi ta, u tha: Shkoni, ju jeni të lirë. E megjithatë, ky njeri i madh akuzohet me të tilla shpifje të pavërteta. Gurethi u kthye tek fisi i tij dhe u tha atyre: Po vij nga njeriu më i mirë, dhe ai në atë kohë, akoma nuk e kishte pranuar Islamin.

Imam Ibn Xherir Et-tabari na përcjell nga Ibn Is’haku se ai pati thënë: Pesë ishin ata që më tepër se kushdo tjetër talleshin me Profetin (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të). Ata i përkisnin parisë së fisit të tij dhe ishin njerëz me moshë të thyer dhe me autoritet. Këta ishin: Nga barku i Beni Esed ibn Abduluza: El-esued ibn El-mutalib, për të cilin, siç thotë Ibn Is’haku, Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) qe lutur kundra tij për shkak të talljeve dhe vuajtjeve që i kishte shkaktuar, duke thënë: O Zot merrja shikimin, dhe lëre pa fëmijë! Ndërsa nga barku i Beni Zuhra: El-esued ibn Abdijeguth, nga barku i Beni Mahzumit: El-uelid ibn Mugireh, nga barku i Beni Sehm Ibn Amr: El-as ibn Uail, nga barku i Beni Huza’atu: El-harith ibn Et-tulatiletu. Ata nuk hoqën dorë nga fyerja e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), por e shtuan edhe më tepër atë, e atëherë Allahu shpalli: Kësisoj shpalle hapur atë (Mesazhin e Allahut) që je urdhëruar dhe largohu prej politeistëve! Nuk ka dyshim, se Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve e përgojuesve të tu. Ata, të cilët i bën ortak tjetër Allahut, shpejt do ta mësojnë.[56]

Xhibrili erdhi tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), ndërkohë që këta të pestë po bënin tavaf rreth Qabes. Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) u ngrit dhe qëndroi në krah të Xhibrilit, e para tyre kaloi El-esued ibn El-mutalib dhe Xhibrili i hodhi në fytyrë një kartë të gjelbër dhe ai u verbua. Më pas kaloi El-esued ibn Abdijeguth dhe Xhibrili bëri me shenjë nga barku i tij, e atë e kapi një sëmundje në bark, prej së cilës vdiq. Më vonë para tyre kaloi El-uelid ibn Mugireh dhe Xhibrili bëri me shenjë nga nyja e këmbës së tij, ku ai kishte një plagë të lehtë që e kishte marrë dy vjet më parë, tek e zuri një shigjetë, e cila pasi i kishte ngecur në rrobë, e kishte çarë, por plaga u rihap dhe ai vdiq prej saj. Para tyre kaloi edhe El-as ibn Uail, dhe Xhibrili bëri me shenjë nga tabani i këmbëve të tij. Njëherë, ai po udhëtonte me një gomar për në Taif dhe rrugës shkeli mbi një ferrë, ku në fund të këmbës i ngulet një gjemb, i cili më pas i shkaktoi vdekjen. E më pas, para tyre kaloi edhe El-harith ibn Et-tulatiletu, dhe Xhibrili tregoi me dorë në drejtim të kokës së tij. Atij më vonë i plasi hemorragji nga hundët dhe vdiq për shkak të saj.[57]

Sa më shumë përhapet dhe rigjallërohet Islami, aq më shumë do të shtohet edhe smira dhe urrejtja e armiqve të tij, ndaj dhe vuajtjet janë të pashmangshme, e durimi është i domosdoshëm.

Nuk ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve e përgojuesve të tu. Ata, të cilët i bën ortak tjetër Allahut, shpejt do ta mësojnë. Allahu në këtë ajet sikur thotë: Nëse tallen me ty o Muhamed, kjo do të thotë se ata po tallen së pari me pozitën e Zotit të tyre. “Ata, të cilët i bën ortak tjetër Allahut,“, nuk njohin shenjtërinë e Zotit dhe Krijuesit të tyre, e jo më atë të Profetit dhe të të Dërguarit të tyre.

Ata, të cilët i bën ortak tjetër Allahut, shpejt do ta mësojnë. Nuk ka dyshim se Ne e dimë që gjoksi yt është i ngushtuar (e të është pikëlluar zemra) nga ato gjëra që ata flasin. Kështu që lavdëro madhështinë e Zotit tënd dhe të jesh prej atyre që ia nënshtrojnë veten Atij, duke rënë në sexhde me adhurim. Dhe adhuro Zotin tënd, derisa të arrijë e pashmangshmja e sigurt (vdekja). Hakmarrja e Allahut mbi ta do të vijë, por Allahu vonon dhe nuk harron, ndaj dhe e urdhëroi Profetin (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) të bëjë durim, të përmendë Allahun dhe të falë namazin: Kështu që lavdëro madhështinë e Zotit tënd dhe të jesh prej atyre që ia nënshtrojnë veten Atij, duke rënë në sexhde me adhurim.” pra, prej atyre që i falen Allahut të Madhëruar. Komentuesit e Kuranit thonë se ky është një premtim i Allahut për të Dërguarin e Tij (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), se kujtdo që do të tallet me të, Allahu do t’i përgjigjet me ndëshkim, ashtu siç do Ai. Dhe Allahu vazhdimisht e ka bërë një gjë të tillë, askush nuk është tallur haptazi me të Dërguarin e Allahut apo me fenë e tij, dhe ai të mos ketë përfunduar keq e më keq. Allahu pohon realitetin e vërtetë kur thotë: Dhe vërtet që shumë të dërguar u vunë në lojë para teje (O Muhamed), por Unë u dhurova shtyrje të kohës (së dënimit) atyre, të cilët nuk besuan dhe më në fund, Unë i ndëshkova ata. Por si qe Ndëshkimi Im (sa i tmerrshëm)![58]

Dhe përsëri, Ai thotë: Dhe vërtet shumë të dërguar janë përqeshur para teje (O Muhamed), por tallësit e tyre u mbuluan vetë pikërisht nga ajo gjë, me të cilën ata talleshin. Thuaj (O Muhamed): “Udhëtoni në tokë dhe shihni se cili ishte fundi i atyre që mohuan të vërtetën.”[59]

Kushdo që dëshiron të mësojë për fundin e atyre që talleshin dhe përgënjeshtruan profetët, le të udhëtojë nëpër botë, sepse do të ndeshet me fakte të tilla: Vërtet që ata e mohuan të vërtetën (Kuranin dhe Muhamedin) kur ajo u erdhi atyre, por do t’u vijë lajmi për atë (dënimin), me të cilin ata talleshin.[60]

Dhe Allahu përsëri thotë: Ndërsa, kur të dërguarit e tyre erdhën tek ata me dëshmi të qarta, ata ishin të gëzuar (e krenarë në vetvete) nga ajo që ata njihnin nga dija (e gjërave të dynjasë) dhe ai (ndëshkimi) me të cilin ata u tallën, i rrethoi ata. Ndërsa kur ata e panë Ndëshkimin Tonë, thanë: “Ne besojmë në Allahun Një e të Vetëm dhe mohojmë gjithë çfarë patëm bashkuar me Të, si shokë e të barabartë me Të.”Por besimi i tyre, nuk mund t’u sillte dobi atyre kur e panë Ndëshkimin Tonë. (Po kështu) Kjo ka qenë Rruga e Allahut në marrëdhënie me robërit e Vet. Dhe atje mosbesimtarët humbën plotësisht (kur i mbuloi Ndëshkimi Ynë).[61]

NUK KA DYSHIM SE NE TË MJAFTOJMË TY KUNDËR TALLËSVE E PËRGOJUESVE TË TU

Fyerja që iu bë të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), u bë shkak që bota të merrte një mësim të madh, të shihte se ç’dashuri ka Umeti muhamedan për Muhamedin (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) dhe sidomos këtë e panë ata njerëz që nuk ia dinë vlerën besimit e moralit dhe nuk respektojnë fetë e Profetët. Allahu iu dha atyre një mësim të mirë, duke iu treguar se muslimanët, ndonëse atyre iu duken të dobët, të varfër, të sëmurë e injorantë, janë një popull me qytetërim dhe kulturë më të vjetër se ata, një popull, i cili di të vlerësojë Profetin e tij, madje dhe të gjithë profetët e Zotit, sepse ata erdhën për të njëjtin qëllim, për të nxjerrë njerëzimin nga errësirat në dritë, ndaj dhe muslimanët dinë tu japin atyre vendin që u takon.

Ne e falënderojmë Allahun që këto vlera të mëdha dhe ky solidaritet mbarë islam, u trupëzua tek muslimanët për të mbrojtur nderin e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) nga fyerjet e armiqve të Islamit. Ata nuk e njohin vlerën dhe pozitën e këtij Profeti, ashtu siç nuk njohin as vlerat e profetëve të tyre.

Padyshim që ky keqtrajtim që iu bë figurës së Profetit tonë (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), do t’i shtyjë njerëzit të lexojnë jetën e tij, ashtu siç ndodhi edhe kur u përdhos Kurani dhe njerëzit u dyndën nëpër librari për të parë me sytë e tyre, se ç’është ky libër për të cilin flasin?! Dhe kjo nuk solli gjë tjetër, veçse një fluks të madh njerëzish, të cilët filluan të pranonin Islamin. Kështu, edhe këtë herë do të vërshojnë për të gjetur çdo material, i cili trajton historinë e jetës së Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), dhe do të habiten me biografinë e mrekullueshme të këtij Profeti, të këtij njeriu që vulosi vargun e gjatë të Profetëve të Zotit. Me të vërtetë kjo, me ndihmën e Allahut, do të jetë një fitore e madhe për Islamin dhe muslimanët, Ata po kurdisnin plan, por edhe Allahu po thurte plan dhe (padyshim që) Allahu është më i Miri i planifikuesve.[62]

Një element tjetër që duhet përmendur në këtë rast, është edhe fakti se përshkallëzimi që po merr lufta kundra Islamit nga ana e armiqve të tij, na jep një sihariq se ndëshkimi i Allahut ndaj armiqve të Zotit dhe të Profetit të Tij është afër, ”Deri kur të Dërguarit humbnin çdo shpresë për popullin e tyre dhe mendonin se ishin të mohuar, atëherë tek ata vinte Ndihma Jonë.[63]

Armiqtë e Islamit përdhosën dhe fyen Kuranin dhe fyen së fundi edhe Profetin e Zotit dhe padyshim kjo e fundit, është një fyerje e madhe në drejtim të Vetë Zotit, e Allahu tregon të vërtetën kur thotë: Fesadi (poshtërsitë, shkatërrimi, mosbindja ndaj Allahut, mëkatet) ka dalë hapur në tokë e në det, i merituar për çfarë bënë e fituan vetë duart e njerëzve, që Allahu të mund t’i bëjë ata të shijojnë një pjesë të asaj që kanë punuar, me qëllim që ata të mund të kthehen (me pendim nga Allahu dhe të kërkojnë Faljen e Tij).[64]

Ithtarët e librit, nuk e njohën siç duhet pozitën dhe vlerën e Profetëve të tyre, Dhe (kujto) kur Musai i tha popullit të tij: “O populli im! Pse më fyeni e më zemëroni, ndërsa e dini mjaft mirë se unë jam i Dërguari i Allahut tek ju?”[65]

Po kështu, nuk e vlerësuan dhe Profetin Isa (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), e para tij Ibrahimin dhe tërë profetët e Allahut. Nëse do ta dinin vlerën e Profetëve, nuk do të kishin rënë në këtë pellg të ndyrë fyerjesh. Ndoshta këto ngjarje do të jenë një shembull i mirë për ata njerëz që janë mahnitur pas perëndimit, pas qytetërimit të tij materialist, industrial, teknik dhe elektronik. Le ta kuptojnë pra se vlera e njeriut nuk tregohet tek zjarri dhe tek hekuri, por tek logjika, humanizmi dhe morali i lartë. Ku është ky moral në jetën e tyre?! Ku është ky moral, atje ku çdo gjë është e shpërbërë: shoqëria, familja, madje edhe vetë individi është i zhytur në strese dhe sëmundje psikike! Qytetërimi nuk qëndron vetëm tek teknologjia dhe shkencat materialiste, por pikësëpari në njohjen e Zotit Krijues dhe në njohjen e të Dërguarit të Tij, dhe pas tyre vijnë dijet e tjera, të cilat duhet të shërbejnë për të madhëruar fenë e Zotit.

Në perëndim, njerëzit pretendojnë se janë të lirë dhe vendet e tyre respektojnë lirinë e individit, por megjithatë, ne shohim se si gratë atje janë kthyer ngjashëm me mallin që shitet dhe blihet dhe s’ke për të gjetur ndoshta vend në botë, ku gruaja të poshtërohet aq shumë sa në perëndim. Pretendimet për një liri individuale, kanë çuar deri atje sa të shfaqen perversitete të shëmtuara, duke zbritur deri në gradën e kafshëve, që Zoti na ruajt, Ata janë veçse si bagëti. Jo, ata janë edhe më tej në rrugë të gabuar, larg Udhës (së Drejtë).[66]

Ata kanë lejuar martesën brenda një seksi, burrë me burrë dhe grua me grua, dhe e kanë ligjëruar edhe në formë zyrtare, dhe kritikojnë këdo që do ta kontestojë një gjë të tillë. Ku janë duke shkuar këta njerëz me të tilla veprime? Padyshim që drejt humnerës së poshtërsisë! Vallë, njerëz të tillë, a duhet të admirohen dhe merren si shembuj?! Ata janë nevojtarë të asaj që se kanë dhe ne e kemi. Po, është e vërtetë se ata kanë një shkencë dhe një qytetërim, ose më saktë një pjesë të një qytetërimi, por në realitet, ne jemi ata që posedojmë qytetërimin e vërtetë. Ne si pasues të Muhamedit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) na duhet patjetër që të praktikojmë siç duhet Islamin, të vishemi me moralin e tij, të udhëhiqemi në jetën tonë të përditshme nga shembulli i Profetit të Islamit, për të qenë një model i përkryer për ta, dhe për t’i nxjerrë ata nga errësirat në dritë.

Allahu në librin e Tij ka përmendur mjaft ajete, ku i kërcënon armiqtë e Zotit me ndëshkim nëse ata do të cenojnë të Dërguarin e Tij (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të): Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhinët dhe njerëzit për Xhehenem. Ata kanë në vete zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë në vete sy me të cilët nuk shohin, ata kanë në vete veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëti. Jo, akoma më keq. Ata! Ata janë krejt të pamend e të hutuar.[67] Dhe fjala e Tij: Por ata që fyejnë të Dërguarin (Muhamedin) do të kenë dënim të dhimbshëm.[68]

Fundi dhe ndëshkimi i tyre është afër, ndaj mos u pezmatoni dhe mos i humbni shpresat, sepse ata me të tilla veprime i janë ekspozuar zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit.

Allahu i Madhëruar thotë: Nuk ka dyshim se ata, të cilët e zemërojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu i ka mallkuar në dynja dhe në Jetën e Fundit dhe ka përgatitur për ta, vuajtje poshtëruese.[69]

Këta njerëz, mos vallë duan tu japin ndonjë mësim muslimanëve në lirinë e të shprehurit, siç e quajnë?! A mos vallë duan që edhe ne të lajthisim pas tyre, në ato farë lirish të pretenduara?! A mos duan që edhe ne ti bashkohemi karvanit të tyre të shthurjes morale, shpërbërjes familjare dhe shoqërore, apo të të sëmurëve të tyre me sida?! Nëse na kanë zili për sigurinë, dëlirësinë dhe pastërtinë morale të shoqërisë sonë dhe nuk duan që ne të jetojmë në këto mirësi që na ka falur Allahu, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër, veçse tu themi: Thuaj: “Shkatërrohuni në tërbimin tuaj![70], dhe le të presim ndëshkimin e Allahut të bjerë mbi shoqërinë tuaj, nëse nuk pendoheni tek Zoti për atë që bëtë dhe bëni kundrejt simboleve të shenjta të fesë, kundrejt të Dërguarit të Zotit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të.

Ne e lusim Allahun e Madhëruar që së pari të udhëzojë muslimanët që të kthehen në fenë e tyre, në moralin e Profetit të tyre, për të qenë shembull për ata njerëz. Dhe kështu, me dëshirën e Zotit, ata do ta kuptojnë se në ç’rrugë pa krye kanë hyrë, ndaj duhet që të saktësojnë kursin.

përktheu: J.topulli


[1] Sure Teube: 24

[2] Buhari nr. 15, Muslimi nr. 44.

[3] Buhari nr. 16, Muslimi nr. 43.

[4] Buhari nr. 6632.

[5] Fet’hul Bari 11/528.

[6] Siretu Ibn Hisham 2/172.

[7] Buhariu nr.6169, Muslimi nr.2640.

[8] Buhariu nr.6170, Muslimi nr.2641

[9] Siretu Ibn Hisham 2/82.

[10] Siretu Ibn Hisham 2/99.

[11] Sure Nisa:69. hadithi transmetohet nga El-bejheki.

[12] Buhariu nr.7153

[13] Buhari nr.3688, Muslimi nr.

[14] Muslimi nr.489.

[15] Transmeton Muslimi nr.2454.

[16] Ahmedi nr. 12579.

[17] Muslimi nr.249, Ibn Hibani nr.1046

[18] Sure Al-imran:31

[19] Muslimi nr.1782.

[20] Muslimi nr.1782.

[21] Buhariu 17/7.

[22] Fethul Bari 10/462. Këtu përjashtohen jobesimtarët, pasi dashuria e njerëzve për një jobesimtar, nuk është shenjë e dashurisë së Allahut ndaj tij. (sh.p)

[23] Sure Teube: 128

[24] Sure Shuara: 3

[25] Sure El-enbija: 107

[26] Sure Ibrahim: 36

[27] Sure El-maide: 118

[28] Muslimi 1/191

[29] Me këto fjalë Profeti (paqja qoftë mbi të) vlerëson pozitën e medinasve, të cilët megjithëse mund t’i tregonin Profetit se ç’kishin bërë për të, nuk ia përmendën ato. (sh.p)

[30] Buhariu 4330 Muslimi 1061

[31] Muslimi , libri i Imanit (1/189)

[32] Sure Al-imran:146

[33] Sure El-kalem:4

[34] Sure El-enfal:24

[35] Sure El-bekare:151

[36] Sure El-maide:15-16

[37] Sure El-ahzab:56

[38] Muslimi nr.408

[39] Sure Fusilet:42

[40] Sure El-kalem:4

[41] Sure En-nisa:80

[42] Sure El-feth:10

[43] Sure Ed-duha:5

[44] Sure Esh-sherh:1-4

[45] Sure El-maide:67

[46] Muslimi nr.2797

[47] Sure El-enfal:30

[48] Kjo shtëpi shërbente si vendtakimi, ku konsultoheshin dhe merrnin vendime kurejshët e asaj kohe.(sh.p)

[49] Sure Jasin:9

[50] Pjesa e pare e këtij hadithi nuk është autentik, shih për këtë ‘Daifu Elxhamiu sagir’ nr.2629, ‘ed-daifetu’ nr.1189,‘Nasbu Er-rajetu’ 1/117. (sh.p)

[51] Sure Teube:40

[52] Fjalë që nënkupton fyerje. (sh.p)

[53] Es-Sirretu En-Nebeuije e Ibn Hishamit (1/355-356)

[54] Muslimi nr.843, Ahmedi nr.14928

[55] Sirretu Ibn Hisham 2/205 dhe ajeti 11i Sures el-Maide

[56] Sure El-hixhr:94-96

[57] Tefsir Ibn Xherir Et-tabari 14/146-147 dhe Tefsir Ibn Kethir 4/470.

[58] Sure Er-rad:32

[59] Sure El-enam:10-11

[60] Sure El-enam:5

[61] Sure Gafir: 83-85

[62] Sure El-enfal:30

[63] Sure Jusuf:110.

[64] Sure Er-rum:41.

[65] Sure Es-saf: 5.

[66] Sure El-furkan:44

[67] Sure El-araf:179

[68] Sure Et-teube:61

[69] Sure El-ahzab:57

[70] Sure Al-imran:119

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:39 pm  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2008/12/31/meshira-e-dhuruar-dashuria-dhe-mbrojtja-e-profetit/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: