A është mbyllur dera e ixhtihadit tek sunnijtë?

Bismilahi Rrahmani Rrahim

A është mbyllur dera e ixhtihadit tek sunnijtë?

Kjo është një temë e gjerë dhe ka vlerat e saj për tu trajtuar. Por ajo që më shtyri të flas diçka për këtë temë qe akuza e pa bazë ndaj sunnijve se për ta është mbyllur dera e ixhtihadit që në nga shekulli i katërt i hixhretit! Ndaj edhe doja të flisja pak më tepër për informacion se si qëndron puna sot në botën islame për çështjet bashkëkohore për të cilat nuk ka argument të drejtpërdrejtë apo për të cilat nuk kanë folur dijetarët e mëparshëm. Por natyrisht që këtu është e vendit të cekim faktin se është e vërtetë që mes shkollave të fikhut sunnij ka qarkulluar një mentalitet i tillë gjë që ka kaluar shpesh herë në ekstrem duke rezultuar në fanatizëm medh’hebor dhe ngurtësim të mendimit të lirë islam. Një nga faktorët që ka ”justifikuar” këtë mentalitet tek ithtarët e tij ka qenë ndoshta edhe ritmi i ngadaltë, në shekujt e shkuar, i ndryshimit të shoqërisë njerëzore duke paraqitur kështu nevoja të pakta për ixhtihade të reja. Sidoqoftë praktikisht ixhtihadi nuk ka qenë i mbyllur tek sunnijtë dhe jo vetëm nga ata dijetarë të cilët nuk e shikonin veten si të detyruar të pasonin 100% një medh’heb të caktuar por edhe nga vetë dijetarët e medh’hebeve. Nëpër e librat e fikhut të medh’hebeve të ndryshme do të gjesh mjaft ixhtihade qoftë këto edhe brenda medh’hebit dhe është absurde që nga ana praktike të ndodhte një mbyllje totale e ixhtihadit. Këtu ka vend të shpjegohet se dhe vetë ixhtihadi është disa llojesh ixhtihad mutlak (ixhtihad i pakufizuar) ixhtihad mukajed (ixhtihad i kufizuar) ky i fundit mund të ndahet në disa degë të tjera si ixhtihad brenda një medh’hebi dhe ixhtihad në një çështje të caktuar…etj.

Nuk dua të zgjatem në këtë pikë pasi ka shumë për të folur por ajo që doja të thosha dhe që e shoh të rëndësishme është fakti se sot mentaliteti se porta e ixhtihadit është mbyllur që në shekullin e katërt hixhrij nuk gjen më përkrahës me peshë as tek vetë dijetarët e medh’hebeve përveç ndonjë rasti tepër të rrallë, e thënë shkurt tek ndonjë njeri që akoma jeton me mentalitetin e shekujve të shkuar. Dhe pikërisht për t’iu përgjigjur sa mirë kërkesave të kohës përveç ixhtihadeve individuale të shumë dijetarëve janë ngritur edhe akademi të shumta që merren me çështjet e fikhut islam duke i përgjigjur nevojave bashkëkohore që kanë myslimanët. Këtu unë do të përmend disa nga këto qendra të rëndësishme të cilat vazhdimisht nxjerrin vendime apo fetva për çështje të ndryshme në të gjitha fushat e jetës.

1- Mexhma el-buhuth el-islamije (Akademia e studimeve islame) e Universitetit të El-ez’herit e themeluar në 1962.

2- El-mexhma el-fikhi el-islamij e varur nga Lidhja botërore islame me qendër në Mekë e themeluar në 1976.

3- El-mexhma el-fikhi el-islamij e varur nga Organizata e Konferencës Islamike me qendër në Xhide themeluar në 1981.

4- Mexhma el-fikh el-islamij në Indi e themeluar në 1988.

5- Hejetul kibar el-ulema (Këshilli i dijetarëve të mëdhenj) dhe El-lexhnetu ed-daimetu lilbuhuth el-ilmije uel-ifta (Këshilli i përhershëm i studimeve islame dhe e fetvasë) që të dyja këto në Arabinë Saudite të themeluara në 1971.

6- Mexhma el-fikh el-islamij në Sudan e themeluar në 1999.

7- Rabitatul ulemai El-magrib me qendër në Rabat.

8- Kitau el-iftai uel buhuth esh-sheri’je në Kuvajt.

9- El-mexhlis El-urubi lil-ifta uel buhuth (Këshilli evropian i fetvasë dhe studimeve) themeluar në më qendër 1997 me qendër në Dublin të Irlandës.

10- Mexhma fukaha esh-sheriatu (Akademia e fakihve të sheriatit) në Amerikë.

11- Mexhlis el-bahth el-fikhi el-islami (këshilli i studimeve të fikhut islam) në Evropë i themeluar në 1983 në Bruksel.

Si edhe mjaft institute dhe qendra studimore në mbarë botën islame të cilat që të gjitha nxjerrin botime periodike dhe joperiodike për studimet dhe fetvatë për atë që njihet si Fikh en-neuazil, pra jurisprudenca islame e çështjeve të reja të pa ndodhura më parë. Në këto studime dhe fetva përfshihen të gjitha çështjet bashkëkohore si në ekonomi, mjekësi, shkencë dhe teknologji, probleme sociale, politikë …etj. Disa prej këtyre që përmenda kanë përfshirje ndërkombëtare dhe mbledhin fakihë nga e gjithë bota madje edhe nga Irani shiitë, ndërsa disa të tjera janë lokale. Pra siç shihet dera e ixhtihadit nuk është mbyllur për sunnijtë, ata kanë qenë, janë dhe do të jenë në pararojë të Islamit. Ata kanë qenë kurdoherë flamurtarët e Islamit jo vetëm në shpatë por edhe në dije. Më ka ranë rasti të dëgjoj nëpër debate televizive dhe të lexoj sesi dijetar shiitë deklaronin tangjentë se pjesa më e madhe e bibliotekës së tyre përbëhej nga libra sunnij. Dhe nëse e njeh mirë historinë një gjë e tillë nuk është fare e habitshme mjafton këtu të përmend vetëm një fakt atë të përmbledhjes së haditheve të sakta ku më i miri dhe më sakti për sunnijtë është libri i Buhariut (v. 256 h. apo 870 e.s) pa përmendur këtu Muetan e Imam e Malikut (v.179 h.) apo Musanef e Adurrezakut (v.211 h) e tjerë para dhe pas tyre, ndërsa për shiat ithnaasherij El-kafi i Kulejnit (v. 329 h. apo 941 e.s) për të cilin nuk kanë rënë dakord në është i tëri i saktë apo jo.

Deledashët apo hermafroditët

Nuk kam pas ndonjëherë konsideratë për Homejnit jo vetëm se qe një rafidhi fanatik por edhe për ato akuzat e tij se Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk e paska plotësuar drejtësinë në tokë me misionin e tij si dhe qëndrimi tepër negativ që ai mban ndaj sahabeve. Por megjithatë kjo nuk më pengon të them të them të drejtën dhe të vërtetën pasi kjo është edhe porosi e Allahut:

O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni. (3:8)

Vetëm se është e papranueshme sesi disa sunnij akoma e quajnë atë si imam!

Pas një leximi disi më të zgjeruar rreth kësaj çështje arrita të marrë këto informacione që tregojnë se problemi ishte më i komplikuar saç mendonim.

Dihet nga mjekësia se seksi i njeriut, me dëshirën e Allahut, përcaktohet nga kombinimi i kromozomeve x dhe y. Kur fetusi ka kombinimin xx ai është femër dhe kur ka kombinimin xy ai është mashkull. Por ka disa raste të rralla kur ky kombinim normal prishet dhe formohen të tilla kombinime:

1- Y0 (pra vetëm y) në përgjithësi ky nuk jeton.

2- X0 (pra vetëm x) në mjekësi quhet Turner Syndrome i cili në pamje është femër por që nuk ka vezë për riprodhim kështu që nuk lind, por edhe nuk ka cikël menstrual si dhe ka shformime në trup.

3- XXY që quhet në mjekësi Klein Filter Syndrome, ky tip është mashkull me natyrë femërore përafërsisht dhe është i shterpë.

4- XXX që në mjekësi quhet Super Female Syndrome, që natyrisht është femër por e deformuar me probleme dhe shpesh herë me mangësi mendore.

Përsa i përket anës fetare është dhënë fetva nga dijetarët si për shembull nga El-mexhma el-fikhi el-islamij me qendër në Xhide se nëse deledashi apo hermafroditi anon më tepër nga njëri seks lejohet të kryhej operacion për eliminimin e organit të seksit tjetër nëse është në të tillë gjendje. Por ka raste si tek i treti pra XXY kur personi në fjalë është me organe mashkullore dhe tipare përgjithësisht të tilla por në vetvete ai ndihet si femër psikologjikisht dhe jo të gjithë këta njerëz reagojnë njëlloj ndaj këtij realiteti disa vuajnë së tepërmi dhe kërkojnë operacione për ndryshimin e seksit. Dhe mesa duket Homejni ka dhënë fetva pikërisht për këtë rast, mirëpo jo të gjithë dijetarët shia janë të një mendje për këtë. Për shembull El-khoi një bashkëkohës i Homejnit që shiat e mbajnë për Imam pyetjes për ndryshimin e seksit ka thënë se është problem dhe si përfundim nuk ka përcaktuar gjë. Ndërsa tek sunnijtë nga një kërkim i shpejtë gjeta vetëm një dijetar të njohur të Libanit i cili pas një shpjegimi të gjatë të këtij problemi e lejonte një operacion të tillë por vetëm pas një trajtimi mjekësor dyvjeçar, (përcaktim sipas mjekëve ky) dhe nëse nuk qe e mundur që personi në fjalë t’i rezistonte problemeve atëherë si zgjidhje përfundimtare le të ishte operacioni! Megjithatë edhe mbas kësaj problemet nuk mbarojnë me kaq pasi ai duhet trajtuar vazhdimisht nga ana mjekësore, lëre pastaj problemet sociale. Allahu e di më së miri, por fakti që është problem tepër delikat e tregon edhe materiali që përmendi Halil Ibrahimi i trajtuar nga shehu i El-ez’herit i cili si përfundim nuk e përcakton seç duhet bërë. Çështja nuk ka të bëjë sesa i guximshëm je për të dhënë një fetva për lejimin e këtij operacioni por mos harrojmë që kemi të bëjmë me krijimin e Allahut dhe frika se mos me këtë ndërhyrje futemi në haram dhe sepse mjekësia akoma nuk ka gjetur një zgjidhje më të lehtë nga ana fetare për këtë rast specifik.

Allahu e di më së miri!

Published in: on Dhjetor 31, 2008 at 11:23 pm  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2008/12/31/a-eshte-mbyllur-dera-e-ixhtihadit-tek-sunnijte/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: