Muauija, sahabët dhe munafikët…

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Muauija, sahabët dhe munafikët…

Motivi i këtij postimi bëhet jo për shkak të zgjatjes së debatit, ndaj pyetjeve provokative që u bën këtu, por se më e rëndë se provokimi është mos kthimi i përgjigjes ndaj dilemave dhe dyshimeve që hidhen në besimin e njerëzve dhe kur nuk trajtohen ato do të gjejnë ndonjë tokë ku do të hedhin farën e tyre të keqe…

Vura re se pati një kontestim për postimin tim rreth Muauijes, por që nuk e di pse nuk doli në listë?! Ndoshta kontestimi ishte për çështjen nëse ishte Muauija shkrues i uahjit apo jo? Aty unë nuk u zgjata në këtë pikë, por citova vetëm imam Ahmedin, pasi thelbi i postimit nuk ishin hollësitë. Por që të mos ketë akoma dyshime, se vërtetë Muauija ishte shkrues i Uajhit, këtu po citoj edhe disa dijetarë të tjerë. Ibn Kethiri në “Bidaje ue nihaje” (8/23) për të shprehet:

“Muauije ibn Ebi Sufjan, radijallahu anhu, është Muauije i biri i Ebu Sufjanit, Sahr ibn Umeje ibn Abdushems ibn Menaf ibn Kusij, Ebu Abdurrahman el-kurejshi el-umeui, daja i besimtarëve dhe shkruesi i shpalljes (uahjit) së Zotit të botëve. Është bërë mysliman ai, i ati dhe nëna e tij, Hind e bija e Utbes ibn Rebia ibn Anbdushems ditën e çlirimit të Mekës. Transmetohet nga Muauije se ai ka thënë: Jam bërë mysliman ditën e umres kada (që bërë Profeti), por e fsheha islamin tim nga im at deri në ditën e çlirimit.” I ati i tij ishte prej elitës kurejshe në kohën e injorancës dhe pas betejës së Bedrit paria e kurejshëve shkon në duart e tij, ai u bë prijësi i luftërave në krahun matanë. Ishte prijës që i bindeshin dhe kishte pasuri të madhe, kur u bë mysliman tha:

“O i Dërguari i Allahut më urdhëro që t’i luftoj jobesimtarët ashtu siç më parë luftoja muslimanët. Dhe ai tha: “Po.” Ebu Sufjani i tha: Dhe Muauijen ta bësh shkrues pranë teje. Dhe Profeti i tha: “Po.” Pastaj kërkoi ta martonte me një nga vajzat e tij…

Qëllimi këtu është të tregojmë se Muauija shkruante uahjin për të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) bashkë me shkruesit e tjerë të uahjit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.”

Po ashtu edhe hafidh El-iraki ka renditur dyzet e dy vetë që kanë pasur rastin të shkruajnë uahjin për Profetin dhe ndër ta katër kalifët e parë, Zejd ibn Thabitin, Ubej ibn Kabin dhe Muauije ibn Ebu Sufjanin…[1]

Po ashtu El-bejheki në librin e tij “Delailu Nubueti” (6/480) përmend një transmetim të njohur nga Ibn Abasi ku ndër të tjera ai shton se Muaija ishte shkrues i uahjit. Të njëjtin transmetim e përmend edhe Dhehebiu në “Sijer alam en-nubela” (3/123), për të treguar po të njëjtën gjë. Ndërkohë që ka prej dijetarëve, si El-medaini, i cili thotë se Zejd ibn Thabit shkruante uahjin dhe Muaija shkruante për Profetin (salallahu alejhi ue selem) letrat ndërmjet tij dhe arabëve.[2] Megjithatë kjo nuk e përjashton mundësinë që ai të ketë shkruar uahjin, pasi Profeti nuk i kishte punët e shkruesve të ndarë me thikë. Shih për shembull Aliun (radijallahu anhu) që konsiderohet një nga shkruesit e uahjit, por njëkohësisht ishte edhe ai që shkroi marrëveshjen e Hudejbijes me kurejshët. Kështu që nëse të gjithë këta dijetarë si imam Ahmedi, Ibn Kethiri, Iraki etj kanë gabuar kur kanë thënë se ai ka shkuar uahjin atëherë edhe unë po gaboj…

Por ta zëmë për një moment se Muauijes nuk i ka rënë rasti për asnjë moment gjatë dy vjetëve të fundit të jetës së Profetit të shkruaj ndonjë ajet nga Kurani, po a nuk mjafton që ai ishte shkrues i Profetit?! Njerëz të dyshimtë apo munafik, siç larg e larg të lë përshtypjen ndonjëri këtu në listë, do të pranonte Profeti i Zotit që të shkruanin për të?! Si do t’ua kishte besën njerëzve të tillë, kur e dinte shumë mirë se kush ishin munafikët dhe cilët ishin ata?!

Këtu do të citoj Dhehebiun se çfarë ai thotë në librin e tij të biografive “Sijer alamu nubela” (3/159) për Muauijen:

“Muauije është prej mbretërve më të mirë të cilët drejtësinë e kanë pasur më të madhe sesa padrejtësinë, por ai nuk është i pafajshëm nga fajet dhe Allahu e faltë atë.”

Shikoni qëndrimin e mesëm të Dhehebiut, e quajti mbret dhe jo kalif ndonëse disa faqe më parë, kur fillon të tregoj gjeanologjinë e tij, e quan prijës i besimtarëve (ashtu siç i emërtonin të gjithë kalifët pas Umerit) dhe këtë ai e bën për ta dalluar nga katër të parët.[3] Por gjithashtu ai e quajti nga mbretërit më të mirë, ashtu siç pranoi se edhe ai ka kusuret e tij, por në fund e mbyllim me një lutje për të.

Tani unë nuk e kuptoj këta që provokojnë këtu në listë duan medoemos ta na e bëjnë Muauije munafik, pra kafir, sepse munafikët janë jomyslimanë që shtiren si muslimanë?! Nëse ka që mendojnë kështu le ta thonë troç, të kenë aq burrëri për t’i thënë gjerat hapur dhe të mos sillen me diplomaci. Le të dëshmojnë këtu se ai ishte munafik dhe nesër kur të dalin para Allahut le t’i japin përgjigje Atij për këtë dëshmi…!

Në këtë forum, që çuditërisht gjen njerëz që të kritikojnë kur cenon vëllazërinë utopike sunij-shia dhe heshtin kur flitet keq për sahabet, u tha se Allahu ka përmendur në suren El-xhuma një ngjarje që tregon se sahabët e lanë Profetin në këmbë duke folur dhe shkuan pas një karvani që erdhi në Medine… Ashtu siç përmend se ka sure dhe ajete që u kushtohen mynafikëve… E kush atëherë qenkan këta që e lanë Profetin në këmbë dhe rendën pas dynjasë apo edhe këta munafikë, veç njerëz në radhët e sahabeve…?!

Që në fillim, që kur nisën këto postime u kuptua se me ato tre pyetjet e famshme, që në të vërtetë nuk donin përgjigje, u bënë për të shkaktuar fitne, ndaj dhe këtu vazhdon ti hidhet benzinë zjarrit dhe për këtë mjafton vetëm disa pika, ndërkohë që duhet gjithë ai ujë për ta shuar…

Ajo që më shtyn tu jap përgjigje këtyre dilemave që ngrihen këtu shpesh herë nuk janë vetëm personat që i hedhin, ndonëse e dëshiroj që ata të sqarohen për gjëra të tilla, por ajo që më motivon më tepër janë një shumicë e heshtur, ndaj të cilëve unë ndjej përgjegjësi, sepse mosformimi i tyre fetar i bën ata të prekshëm nga të tilla shashka që hidhen vend e pa vend, duke harruar se çfarë efektesh negative kanë të tilla tema këtu ku jemi ne.

Fjalë të tilla si këto këtu :

” Nëse jam i dobët “për të hedhur një fije injorimi mbi kontributin e sahabeve në

zemrat e dashamirësve të sunetit, siç shkruani, atëherë të dobëtin e ke për detyrë t’a bëni të fortë, me “argumente të forta”…”

që u hodhën këtu në listë, janë një sfidë e vërtetë dhe një pikëpyetje e madhe për të gjithë ata besimtarë të rinj, që shohin se nuk ka përgjigje për të tilla tymnaja. Dilemave të tilla që shkaktojnë fitne dhe formësojnë në zemrën e besimtarëve bindje të gabuara nuk mund ti lësh pa përgjigje, nëse vërtetë doni që të mos hapen këto tema tepër të rrezikshme për besimin e njerëzve dhe të merremi me probleme të tjera atëherë moderatorëve të listës dhe Olsit në radhë të parë, i duhet t’i bllokojnë dhe ai mos të rrijë të më kërkoj gjithë kohën që të merrem me kaurit, por t’i ndal këto postime, nëse nuk do që të më hap punë me orë të tëra, për të sqaruar njerëzit dhe për të shuar zjarrin që e ka vetë në dorë t’ia fikë fitilin…

Kjo është puna ime parësore, tu mësoj njerëzve fenë dhe tua mbaj atë të pastër, para se të merrem me të tjerët që na bien në qafë… Të sabotosh radhët brenda muslimanëve me këto postime, që lihen, dhe të kërkosh pastaj të bëhemi njësh kundra qafirëve kjo është metodologjia e dështuar, rrumpallë, që ndjek administratori i listës…!

Por vazhdojmë me sqarimin:

Së pari askush prej nesh si sunij që jemi nuk besojmë se ka njeri të pagabueshëm përveç Profetëve të Zotit, sipas natyrës që u përket atyre, kushdo qofshin këta, që nga Ebu Bekri e deri tek sahabi më i fundit. Kjo është akidja, besimi, imani dhe doktrina jonë. Dhe për këtë mund të konsultoni çdo lloj literature të mirëfilltë sunite ku flitet për këtë çështje.

Së dyti, sahabet në përgjithësi ishin njerëzit më të mirë të këtij umeti dhe nëse ka njeri që e vë në dyshim këtë, atëherë unë e them me plot gojën se ai nuk është sunij ose duhet të mësoj, sepse është i paditur. Këtë mirësi të tyre e dëshmojnë ajete të ndryshme Kur’anore dhe hadithe Profetike, që po t’i përmend të gjitha bashkë me komentet që kanë dhënë dijetarët islam, i thonë të shkruash një libër të tërë me disa volume, por shkurtazi nuk mund të lë pa përmendur diçka.

Zoti thotë:

Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!”[4]

Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt[5]

Nuk e di kur çojnë nëpër mend ajetet e munafikëve, po këto ajete ku i lënë. Ndërkohë që këto ajete siç e shikoni janë gjithëpërfshirëse?!

Unë e kam të qartë se ata që përmendin këtu munafikët dhe i quajnë ata sahabë, kanë për qëllim vetëm disa prej tyre dhe jo të gjithë, por ama forma e artikulimit ishte e pa pranueshme: “Kush ishin ata që e lënë në këmbë Muhammedin (a.s.), ditën e xhuma, në xhami…?”

Çfarë do të thuash more zotëri me këtë, që ata ishin sahabë?!

Po sahab ishin ata që e lanë Profetin në këmbë dhe Allahu i kritikoi me atë ajet që i zbriti, dhe siç përmend Tabariu në disa transmetime të tij numri i atyre që ngelën ishte dymbëdhjetë. Atëherë meqë ata u ngritën, sepse siç tregojnë disa transmetime në Medine në atë periudhë kishte pllakosur uria dhe shtrenjtësia, atëherë qenkan munafikë dhe vetëm dymbëdhjetë të tjerët që nuk u ngritën nuk ishin munafikë?! Allahu na ruajt nga arsyetime të tilla! Kaq i vogël qenka numri i sahabëve, 12? Kështu besojnë shiitët në fakt…!

Po vallë harroni se si sahabet u bën njerëzit më të mirë të këtij umeti, a nuk u edukuan ata nga vetë Profeti? A nuk bënin ata gabime, nganjëherë edhe të rënda dhe Allahu dhe Profeti i edukonin? A nuk kishte prej tyre që tentuan të spiunojnë te kurejshët para çlirimit të Mekës dhe Profeti atë sahab nuk e quajti munafik, por i përmendi të mirën që kishte bërë dhe kjo qe se ai ishte një nga ata treqind burra që mori pjesë në betejën e Bedrit dhe për këtë ai e fali atë!

A nuk ishte ai sahabi që vazhdimisht pinte pije dehëse dhe atë e dënonin për këtë dhe Profeti tha për të, duke e mbrojtur nga mallkimet që i bënë: “Mos e mallko atë se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e tij!”

Sahabë ishin ata që u ngritën në Medine ditën e xhuma dhe e lanë në këmbë Profetin dhe shkuan mbas diçkaje të dynjasë për momentin, sepse ishin njerëz dhe kishin dobësi si të gjithë njerëzit, por ishin po këta njerëz për të cilët Allahu u shpreh më sipër, kur i dhanë besën Profetit tek pema, se ishte i kënaqur prej tyre dhe sipas transmetimeve ata ishin rreth 1500 dhe jo një e dy apo 10 e 12! Allahu kënaqet prej munafikëve?!

Ndërsa për ne nuk kanë zbritur ajete të tilla dhe as nuk për të zbritur… Ata u bënë njerëzit më të mirë nëpërmjet edukimit, gabonin dhe mësonin, ishin të dobët si krijesa njerëzore dhe të fortë njëkohësisht, fortësi që nuk ka për tu përsëritur më në historinë e njerëzimit.

Po sahabe ishin edhe ata që për një moment e lanë fushën e betejës në Uhud, njerëz ishin ata dhe jo jashtëtokësorë…

Nuk e di se çfarë do të kishim bërë ne po të kishim qenë në vend të tyre…

O Zot el-hamdulilah që na ke bërë muslimanë dhe na vdis të tillë dhe që nuk na ke sprovuar siç i sprovove ata!

Dhe Zoti thotë suren Al-imran 152: “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Profetin a.s.), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.

E pra Allahu i fali ata, madje mes tyre ka pas edhe një nga katër kalifët e drejtë, por Zoti ishte dhe është i Mëshirshëm dhe na mëson ne se nuk jemi njerëz të përkryer dhe se njerëzit e arrijnë perfeksionin nëpërmjet edukimit, dhe edukimi zhvillohet me njerëz që bëjnë gabime. Kush pretendon se ka njerëz të pagabueshëm veç Profetëve, siç besojnë shiat për imamët e tyre, le të bëhet me ta dhe ta shpall haptazi se është i tillë, nëse akoma e mban të fshehtë, ose të na shpalos si burrat doktrinën e tij për këtë…

Është kollaj të flasësh sot, kur je lindur në Islam dhe e ke trashëguar atë prej shekujsh dhe nuk ke ndjerë sprovën e rëndë e të qenit një grusht njerëzish, në vendet më të izoluara të botës, e të besosh se po jeton me Profetin e fundit të botës, feja e të cilit do ta sundojë atë! Vëreni veten pak në një situatë tillë dhe mos flisni nga pozitat e sotme për të mos nxjerrë “xhevahire” si këto që po na shohin sytë këtu!

Por përgjigjen më të mirë për këta njerëz e jep Hudhejfja, sahabi i vetëm, të cilit Profeti i tregoi emrat e munafikëve.

Imam Muslimi në librin e tij të haditheve tregon se një njeri prej tabiinëve tha në prezencë të Hudhejfes:

“Sikur unë ta kisha arritur të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) do të kisha luftuar krahas tij dhe do të kisha bërë heroizëm. Dhe Hudhejfe i tha: Ti do ta kishe bërë këtë?!”

Dhe imam Neueuiu duke komentuar këtë hadith thotë se Hudhejfja kuptoi prej këtij njeriu se ai donte të thoshte se do të kishte sakrifikuar më shumë sesa sahabet nëse do të kishte qenë me Profetin. Dhe Hudhejfe për t’i treguar se nuk kishte për të bërë më tepër i përgjigjet:

“Po të na kishe parë ne me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) natën e (betejës) së Ahzabëve kur ne na kapi një erë shumë e ftohtë dhe i Dërguari i Allahut tha: A ka njeri që të më sjell lajme për ata njerëz, Allahu e vendostë pranë meje Ditën e Kiametit?” Ne heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk iu përgjigj- thotë Hudhejfe. Dhe ai përsëri tha: “A ka njeri që të më sjell lajme për ata njerëz, Allahu e vendostë pranë meje Ditën e Kiametit?” Ne heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk iu përgjigj, atëherë ai përsëri tha: “A ka njeri që të më sjell lajme për ata njerëz, Allahu e vendostë pranë meje Ditën e Kiametit?” Ne heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk iu përgjigj, atëherë ai më tha mua: “Çohu o Hudhejfe dhe na sill lajme nga ata njerëz!” Nuk kisha çfarë të bëja pasi thirri emrin tim që të çohesha… dhe më pas Hudhejfe tregon sesi ai kreu këtë mision me sukses.

Tani le të ndalemi pak këtu dhe të pyesim veten a ishte mes tyre Ebu Bekri, Umeri po Aliu dhe Uthmani? Po sahabet e tjerë? Pse asnjëri prej sahabeve nuk u çua?! Tre herë Profeti bëri një kërkesë të cilën e shoqëroi me një motivim shumë të madh, por nuk mori përgjigje, ndaj dhe u detyrua ta urdhëroj njërin prej tyre!

Po vallahi, nëse ka njerëz të cekët akoma që u bëjnë përshtypje të madhe këto gjëra unë po ju them se jo ai, por as unë dhe asnjë njeri në botë nuk kishte për tu ngritur në ato momente…!

Sot çdo njeri mund të thotë me imagjinatë ç’të dojë, por kur nuk u ngritën ata burra s’ka për të pasur asnjë burrë që do të ngrihej para Ebu Bekrit apo Umerit, qoftë ky kush qoftë! E atëherë çfarë, ne do të hedhim poshtë sahabet dhe të aludojmë për shumicën e tyre si munafik, siç bëjnë shiitët?!

Ata janë në Xhenet pavarësisht se nuk u çuan në atë rast, por ata me Profetin treguan se kanë bërë me dhjetëra e dhjetëra heroizma dhe sakrifica sa nuk ka bir nëne, shqiptar apo arab qoftë ky, që kishte për t’i bërë ato që bën ata…

Këtu na çojnë pra subjektivizmi dhe parcelimi i argumenteve të njerëzve që nuk e njohin mirë fenë dhe jetojnë me utopi. Arsyetimet e tyre sado të mençura të duken para qartësisë së Sunetit dhe ixhmait të ehli sunetit janë thjesht një hiç… Janë vetëm ca thumba të ndryshkur, që duke dashur të ngulen në shkëmb vetëm shtrembërohen, bien poshtë dhe shkëmbit nuk i bëjnë dot asgjë. Tamam siç thuhet në varg poetik arab:

Që ditën kur me brirët e tij shkëmbin donte të poshtëronte

Asgjë me këtë përballje nuk fitoi, dhe vetëm brirët e tij i copëtoi

Mbi këta shkëmbinj është ngritur Islami, sepse këta njerëz na përcollën Kuranin dhe Sunetin e Profetit, e këta njerëz shumica na paskan qenë hipokritë?!

Nuk arrij ta kuptoj dot këtë logjikë shiite, kur dihet që hipokritët shfaqen pikërisht në momentet kur Islami është i fortë dhe gjithmonë ata janë pakicë. Në Mekë nuk kishte munafikë, sepse Islami ishte i dobët dhe muslimanët të pakët, ndërsa në Medine ndryshoj raporti, ndaj dhe u shfaq fenomeni i hipokrizisë. Kështu që kur shab paska pas kaq pak dhe pjesa tjetër munafikë, çudi si nuk e paskan vrarë me kohë Profetin apo shokët dhe miqtë e tij dhe përkundrejt kësaj pse duhet ta mbështesnin?! Absurditet!!! Ndaj ka pas të drejtë Ibn Tejmije kur thoshte se shiitët nuk kanë as arsyetim të saktë e as tekste fetare autentike ku bazohen.

Ndaj imazhi që kanë disa njerëz për sahabet sikur ata të ishin engjëj të rënë nga qielli, është i gabuar. Islami nuk ka zbritur për engjëjt, por ka ardhur të edukojë qenie njerëzore, bijtë e një njeriu që gaboi, një njeriu që doli nga Xheneti për shkak të gabimit të tij dhe që përsëri do të hyj Xhenet bashkë me një pjesë të bijve të tij gabimtarë si ai…

Po kështu gabojnë edhe ekstremi tjetër, flamurin e të cilëve e mbajnë shiitët, kur i konsiderojnë shumicën e sahabëve si tradhtarë, renegatë, munafikë, pra si të dalë nga feja dhe nuk lënë gabim të tyre pa përmendur, qoftë ky i vërtetë ose i stisur, vetëm e vetëm për t’i ulur ata…! O Zot na ruaj nga ekstremistët e çdo lloji!

Së treti, muslimanët sunij, që përbëjnë mbi 80% të muslimanëve të botës, dhe që janë mbartësit e vërtetë të Islamit dhe trashëgimisë së Profetit, besojnë se sahabet nuk ishin të një rangu. Në rradhë të parë vinë katër kalifët, më pas gjashtë të tjerët nga ata të dhjetë që Profeti i përgëzoi me Xhenet, më pas të tjerë që janë përgëzuar me Xhenet indirekt si p.sh. Bilali etj, pastaj luftëtarët e Bedrit, pastaj ata që u betuan poshtë pemës, pastaj muhaxhirinët, pastaj ensarët … e kështu me radhë secili sipas kontributit dhe kohës kur ai u fut në Islam…

Ndaj të nderuar besimtarë muslimanë, duhet të kuptoni se sahabet ishin në një proces edukimi dhe Kur’ani na tregon pikërisht këtë gjë me shembullin që soll këtu, dhe jo për të ulur sahabet, meazallah, por sepse ai është një libër i gjallë edukimi për muslimanët, të tjerët le t’i shenjtërojnë në pagabueshmëri imamët e tyre, sepse nuk ecin me këmbë në tokë, siç ecën kjo fe…

Nëse u sqaruam për këtë, kalojmë tek fjala e zotërisë që thotë: “Në suren el-Munafikunë, e shpallur në Medine, 11 ajete, përshkruhen veset e shëmtuara të hipokritëve.. . Kush ishin hipokritët?”

Po zotëri i nderuar, pyetja është shumë e qartë dhe unë po të them se përveç Ibn Ubej ibn Selulit, që ishte i deklaruar dhe që vdiq si i tillë dhe Allahu e ndaloi Profetin nga namazi i xhenazez për të tillë njerëz, unë nuk i di emrat e të tjerëve. Nëse ju i dini na i tregoni, si dhe argumentet për ata që do të përmendni!

Kur Aliu (radijallahu anhu) u pyet për Hudhejfen ai tha: “Njeriu më ditur se kush ishin munafikët.”[6]

Subhan Allah! Nuk tha që unë jam më dituri se si i kishin emrat munafikët dhe as që i di njëlloj si unë, por tha “alemu nasi” “njeriu më ditur”!

Dhehebiu përmend një transmetim ku thuhet se një njeri e pyeti Hudhejfen se çfarë është nifaku (hipokrizia)? Ai tha: Të flasësh me Islam dhe të mos punosh me të.”[7]

Munafikët për të cilët flitet në Kur’an të nderuar besimtarë, janë jobesimtarë, njerëz që shtiren si muslimanë dhe as nuk i besojnë Islamit dhe Profetit të tij, por vetëm duan t’i bëjnë keq atij dhe të përfitojnë me këtë status të pështirë hipokrizie…

Pra që ta kuptoni ju, këtu shtrohet pyetja kush ishin këta munafikë në kohën e Profetit? Dhe kjo ka shumë rëndësi për disa njerëz dhe në veçanti për shiat, sepse që ata të mbrojnë doktrinën e tyre duhet të hedhin poshtë doktrinën që ka shumica sunnite dhe shumica sunnite nuk i jep atyre njerëzve që shiat i konsiderojnë imamë të pagabueshëm si Profeti, të njëtin status. Madje ata ngrenë lart disa njerëz që për shiat nuk janë të tillë, por që shihen si rivalë dhe armiq të islamit të tyre, kështu që o burra t’i bëjmë munafikë, pra qafira, shumicën e sahabëve që njerëzit t’i hedhin poshtë ata dhe Islamin që kanë transmetuar ata me hadithet që kanë treguar nga Profeti… A e kuptoni pra pse kanë rëndësi emrat e mynafikëve për këta njerëz. Të parët tanë të mirë e kishin kapur këtë qëllim ndaj dhe njëri prej tyre, Ebu Zurra Er-razi thotë: “Ata kanë përfolur për keq dëshmitarët tanë, që të zhvlerësojnë fenë tonë. Por janë ata në fakt që e meritojnë të flitet keq për ta.”

Kundra këtij interesimi, për emrat e mynafikëve, ka dalë edhe vetë Allahu me të Dërguarin e tij. Zoti nuk na i ka përmendur emrat e tyre, pavarësisht se ca shiitë inatçorë thonë se emrat e tyre janë fshirë nga Kurani!!! Por edhe vetë Profeti nuk ia tregoi ato askujt vetëm se një njeriu, Hudhejfes, dhe ai nuk ia tregojë askujt më pas… Po të kishin rëndësi emrat e tyre do të ishin ruajtur, por ja që nuk kanë asnjë lloj rëndësie sot dhe mot, emrat e njerëzve që Zoti nuk i ka bërë të ngrenë kokën… dhe të jeni të bindur se nuk është asnjëri prej atyre që aludojnë shiiitët, si Muauija e të tjerë ata nuk kanë qenë prej munafikëve…

Po një tjetër pyetje me të drejtë duhet ngritur po sahab, cili quhet?

Sahab nga ana gjuhësore, në arabisht do të thotë, bashkëshoqërues, shok, bashkudhëtarë, mik etj. ajo rrjedh nga folja arabe sahibe, që do të thotë të shoqërosh dikë … nga kuptimi gjuhësor çdo njeri që e ka takuar Profetin, qoftë ky munafik edhe qafir konsiderohet si sahab, por natyrisht që fetarisht nuk sesi të jetë kështu, ndaj dhe dijetarët kanë vënë përkufizime se kush konsiderohet sahab.

Ibn Haxheri El-askelani në doracakun e tij “Nuhbetu el-fikr”: Sahab quhet ai që ka takuar Profetin –salallahu alejhi ue selem-, duke besuar tek ai dhe që ka vdekur në Islam…”

Në komentin që Ibn Hahxer i ka bërë këtij përkufizimi tregon se ka vendosur tre kritere dhe që duken qartë në përkufizim. Tek kriteri i tretë ai vendos kushtin që të ketë vdekur mysliman, kështu që munafikët dalin jashtë kësaj kategorie njerëzish. Por siç shihet përkufizimi gjithsesi është shumë përfshirës dhe Ibn haxheri përmend faktin se natyrisht që ne bëjmë dallim në mes sahabeve, por të gjithë këta që i përfshin përkufizimi i fitojnë nderin e të qenit sahab.[8]

Kështu që kur ne flasim për sahabët, nuk kemi për qëllim kuptimin gjuhësor, por atë terminologjik islam, kështu që si mund t’i quajmë ne munafikët sahab?!

Një tjetër pyetje që lind këtu është dhe sa ka qenë numri i këtyre mynafikëve, dhe për të cilët na kërkohen emra?

Të krijohet përshtypja se kanë qenë me dhjetëra, e për disa me qindra!

Fakti që Allahu në Kur’an i ka përmendur disa herë dhe për ta ka zbritur një sure të tërë, nuk tregon se ata ishin në një numër tepër të madh, pasi Allahu ka zbritur ajete dhe sure edhe për një njeri të vetëm dhe jo më për një fenomen të tillë, kaq të rrezikshëm siç është munafikllëku (hipokrizia, dyfytyrësia).

Dijetarët muslimanë përmendin se një nga urtësitë pse emrat e tyre nuk diheshin, përveç ndonjërit si Ibn Ubej, që ishte kreu i tyre, ka qenë për vetë faktin se shumica e tyre i përkisnin beduinëve dhe banorëve të Medines dhe kryesisht mbështetësit e Ibn Ubej ibn Selulit, që para se të vinte Profeti kërkonte të bëhej mbret i Medines. Pasi ai vdiq është e natyrshme që mbështetësit e tij të pakësoheshin, e si jo kur ata dëgjonin ajetet e Kur’anit që u nxirrte në shesh të palarat e tyre dhe u zbulonte ndjenjat e zemrës… Natyrisht pas kësaj shpalosje të mrekullueshme Kur’anore të paktë do të ishin ata që do të ngeleshin dhe nuk do të bëheshin besimtarë të sinqertë, me këtë Zot dhe këtë fe të vërtetë. Ndaj dhe Allahu duke e ditur se prej tyre do të pendoheshin nuk i përmend emrat e tyre, në sueren Et-teube Ai thotë:

Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë. Ne do t’i dënojmë dy here e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh (në Xhehenem).

102. Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë që Allahu t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.

103. Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.

104. A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?

105. Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”

106. Ka edhe të tjerë që janë lënë në pritje të vendimit të Allahut, a do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.

107. (Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.”

Sa për sqarim, Muauija nuk ka qenë prej atyre që ndërtuan këtë xhami sherri… Gërmoni nëpër libra dhe nëse gjeni diçka të tillë na informoni… Unë pres deri kur t’i gjeni…

Por sa mund të ishte numri atëherë, i atyre që ngelën, nëse dihet?

Dijetari hanefi, Bedrudin el-ajni (rahmet pastë) në komentin e tij të Sahih Buhari duke komentuar pse Hudhejve quhej “sahabi i sekretit” thotë:

“Sepse thuhet që atij i tregoi në kofidencë, emrat e shtatëmbëdhjetë munafikëve, të cilët nuk i dinte askush veç tij. Umeri –radijallahu anhu- kur vdiste ndonjë për të cilin ai dyshonte, ruante Hudhejfen, nëse ai dilte në xhenazen e tij edhe ai dilte, në të kundërt nuk dilte.”[9]

Pra këtu thuhet se ishin 17. Por, ndoshta më e sakta[10] është numri 12, kjo sepse Imam Muslimi transmeton nga Amari se atij i kishte treguar Hudhejfja se Profeti –salallahu alejhi ue selem- kishte thënë: “Në mesin e e umetit tim ka dymbëdhjetë munafikë, që nuk do të hynë në Xhenet dhe nuk do ta ndjejnë erën e tij, aq sa të hyjë deveja në vrimë të gjilpërës. Në mes tyre ka tetë vetë, prej të cilëve do tu shpëtoj çibani (i thati), një ndriçues i zjarrtë që do tu shfaqet në shpatulla derisa tu ngrihet dhe tu shfaqet në kraharorin e tyre.”[11]

Është më se e qartë që kaq pak ishin. Tani atyre që e quajnë Muauijen si munafik u bie si detyrë të gërmojnë nëpër libra dhe të na gjejnë ndonjë gjë të saktë, nëse ai ka vdekur nga një fenomen i tillë apo jo! Ndryshe rrugë tjetër nuk kanë sesi i vërtetojnë këtë gjë! Sepse kur vetë Umeri që ishte aq vigjilent të dinte se kush ishin ata, e vendos Muauijen vali të Shamit, dhe nuk e njihte atë për mynafik, ju njerëz që jetoni sot pas katërmbëdhjetë shekujsh do ta keni të pamundur me “argumente të forta” të vërtetoni se Muauija ishte prej munafikëve!

Dhe malet u shkulen dhe u bën mirazh”


[1] Lemehat fi ulumil el-kuran (1/7)

[2] El-isabetu e Ibn haxher El-askelanit, tek biografia e Muauijes.

[3] Madje edhe vetë Hasani që ishte për rreth gjashtë muaj kalif nuk përmendet te katërshja. Pse a mos vallë muslimanët nuk e konsiderojnë atë për kalif?!

[4] Et-teubeh: 100.

[5] El-fet’h: 18.

[6] Shih El-mustedrek 3/381, po ashtu Sijer alamu nubela të Dhehebiut 2/363.

[7] Sijer alamu nubela 2/363.

[8] Shih Nuz’hatu en-nedher… të Ibn haxherit.

[9] Umdetul el-karii 33/14.

[10] Po them ndoshta më e sakta, pasi mbase ka ndonjë transmetim tjetër ku mund të jetë bazuar El-ajni, Allahu e di më së miri.

[11] Kapitulli: sifatul munafikinë.

Published in: on 22 Dhjetor, 2008 at 2:42 pm  Lini një Koment  

The URI to TrackBack this entry is: https://jtopulli.wordpress.com/2008/12/22/15/trackback/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: